BREAKING NEWS

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi: Sot është një ditë shumë e vështirë për mua

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi:
x

Opinion / Editorial

PD dhe turizmi i qëndrueshëm

PD dhe turizmi i qëndrueshëm

Vendi ynë është i vetmi shtet në rajon që në 8 vitet e fundit nuk ka aplikuar asnjë politikë nxitëse në turizëm, edhe pse kjo industri ka patur rritje dyshifrore në 7 vitet e fundit dhe, së bashku me agro-përpunimin dhe transportin jepte deri në fund të vitit 2019, një të katërtën e PBB-së, të prodhimit kombëtar. 

Shqipëria mbetet i vetmi ndër vendet fqinje që nuk u siguron kushte operatorëve turistikë. Turizmi nuk mbështetet. Me indiferencën e plotë qeveritare, jo vetëm që nuk ndihmohet turizmi, por i jepet një goditje dërrmuese ekonomisë, e cila ndodhet një krizë të thellë, pas goditjeve të tërmetit të 26 nentorit 2019 dhe pandemisë.

Shqipëria e sotme turistike është realiteti i operatorëve turistikë që me qindra e mijëra kanë kaluar sipërmarrjet e tyre në status pasiv, në pamundësi për të paguar taksat vendore, ndërkohë kur operatorët dhe njësitë hoteliere turistike në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi marrin një mbështetje direkte në qindra euro në muaj gjatë pandemisë.

Për turizmin, qeverisja e sotme ka hartuar strategji të shumta, në nivel kombëtar dhe vendor, të cilat kanë rezultuar të pasuksesshme në terma operacionalë. Ambicia e autoriteteve qendrore për të zhvilluar turizmin, e shprehur në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020, ngeli thjesht dhe vetëm në letër. Në nivel sektorial, u përgatit Projekt-Strategjia Kombëtare për Turizmin 2014-2020, e pazbatuar në çdo pikë të saj.

Kjo strategji pati dy dobësi të rëndësishme. Tre vite pas diskutimit në Parlament, për shkak të vëmendjes së pamjaftueshme të kushtuar projekt-strategjisë, ajo skadoi në formën e saj të draftit. Së dyti, strategjia ishte e gjerë dhe synoi të promovonte gjithçka, duke mos realizuar qoftë dhe një objektiv të vetëm.

Kjo draft-strategji e parë u zëvendësua me një tjetër draft-strategji për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm 2018-2022, e cila dështoi tërësisht deri tani, duke mos ofruar në plan veprimin e saj asnjë paketë reale për zhvillimin e turizmit dhe duke mos angazhuar asnjë fond konkret.

Më specifikisht, buxheti i alokuar i ministrisë së linjës përgjegjëse për turizmin për pesë vitet (2018-2022) ishte më pak se 0.01% e PBB-së dhe më pak se një 0.1% e buxhetit të përgjithshëm të qeverisë.  Të tilla mospërputhje minuan tërësisht realizimin e objektivave strategjikë.

Asnjëherë strukturat shtetërore përgjegjëse për turizmin nuk adresuan zgjidhje për të drejtat e pronës në zonat turistike, nuk u përballën me informalitetin e gjerë dhe mungesën e standardeve në ofrimin e shërbimeve, mungesën e stafit të kualifikuar, mbulimin e kufizuar dhe cilësinë e dobët të shërbimeve publike të ofruara, veçanërisht në menaxhimin e mbetjeve dhe infrastrukturës përkatëse.

Marka të tilla si ‘Shqipëria, një dashuri e re mesdhetare’ dhe ‘Shqipëria, e jotja për t’u zbuluar’, nga njëra anë, kanë tërhequr disi vëmendjen, por, nga ana tjetër, kanë zgjeruar më tej mangësitë që rrjedhin nga strategjitë jo të plota dhe të pazbatuara, dobësitë strukturore dhe dështimet e politikave sektoriale.

Partia Demokratike do të punojë intensivisht me programin e saj për një turizëm të qëndrueshëm, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë gjendjes së kaosit mes strategjive të turizmit  2014-2022, me një qasje të tipit nga lart poshtë dhe qeverisjes vendore të dobët dhe të paaftë për të operacionalizuar dhe përbrendësuar strategjitë në plan-veprimet e saj.

Do të realizojë në zemrën dhe perlën e turizmit shqiptar, trekëndëshin e artë Sarandë-Vlorë-Delvinë (dhe brenda katërkëndëshin sa me bukuri natyrore dhe turizëm patriotik Konispol-Himare-Novoselë-Lumi i Vlorës) një qasje të integruar për një turizëm gjithëpërfshirës.

Mungesa e besimit dhe e kulturës së partneritetit midis veprimtarëve në turizëm dhe mekanizmat e dobëta institucionale të specializuara në zhvillimin e menaxhimin e turizmit kane sjellë mungesën totale të mbështetjes ndaj turizmit, sektorit bazë dhe me shumë perspektivë të ekonomisë sonë. Partia Demokratike deklaron me forcë se nuk do të ketë më tatimorë “me çizme” që të kontrollojnë fizikisht sipërmarrjet turistike në këtë zonë dhe në gjithë Shqipërinë. Në Sarandë do të ndërtohet parkingu nëntokësor dhe ky qytet do të ketë një hyrje dinjitoze.

Për turizmin, Partia Demokratike parashikon në planin e saj ekonomik, një mbështetje të shumëanshme. Ajo do të propozojë qasje të zbatueshme që ndërtojne dhe vlerësojne burimet vendore, duke identifikuar gjashtë objektiva kryesorë:

1.      Rritja e kontributit të turizmit në vlerën e shtuar bruto;

2.      Promovimi i një oferte turistike të balancuar;

3.      Rritja e punësimit në sektorin e turizmit;

4.      Përmirësimi i standardeve të shërbimeve turistike dhe ulja e pabarazive në zhvillimin e zonave turistike;

5.      Rritja e investimeve publike në sektorin e turizmit; dhe

6.      Sigurimi i mbrojtjes ligjore dhe institucionale të turistëve.

Për këtë qëllim, Partia Demokratike do të kërkojë:

(I)                Zhvillimin e produkteve turistike dhe diversifikimin e tyre;

(II)              Zhvillimin e burimeve njerëzore dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit;

(III)           Marketimin dhe promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik gjithëvjetor;

(IV)          Nxitjen e investimeve private dhe publike; dhe

(V)             Përmirësimin e kuadrit rregullativ dhe menaxhimin e destinacioneve.

(Pjesë nga fjala në takim me anëtarët e bordit të turizmit dhe operatorë turistikë , Sarandë ,më 05.02.2021)