Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

PD e pakënaqur do e donte Tahirin në burgim të përjetshëm

Postuar: 21/09/2019 - 07:18

Të gjithë, politikanë, burra, gra, militantë, socialistë, demokratë, lësëistë, familjarë, ish bashkëpunëtorë, analistë, opinionistë, gazetarë, ditën e enjte i kishin sytë tek salla e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Dukej sikur gjithçka tjetër kishte ngrirë dhe qendra e vendit ishte atje në atë sallë në godinën hijerëndë të Krimeve të Rënda. Sy e veshë, miq e kundërshtarë, ata që e donin në gijotinë e të tjerë që luteshin ta çonin në shtëpi, prisnin në ankth. Në ankth priste edhe vetë protagonisti i këtij gjyqi maratonë që kapërceu kufirin e 24 muajve. Të brendshëm e të jashtëm, ishin investuar në ndjekje maratonë të gjyqit që në opinionin e gjerë është parë si pikë kthese, si veprimi numër një i drejtësisë së re nga dashamirësit e reformës, po për jo pak individë edhe si një provë a kurban për integrimin. Jo të paktë ishin ata që e shikonin si një mundësi për ta barazuar ish ministrin me kriminelin më të madh dhe ta paraqesin si embrion dhe tharmë të vetë partisë në të cilën ka milituar prej shumë vitesh. Për shumë liderë opozitarë, mezi pritej për t`i bombarduar shqiptarët me sensacionin e dënimit të djalit të partisë që u rrit në gjirin e të majtës dhe konsiderohet si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ramës. Për disa ishte beniamini i tij. Njëherësh, figura e tij shihej, si hija e vetë kryeministrit. Dënimi për të ishte baras me dënimin e vetë të parit të qeverisë ose së paku një fitore mbi të. Kuptohet subjektiviteti dhe dëshirat e grupeve të ndryshme të interesit ishin të tejskajshme, sikur para togave të zeza qëndronte Alakaponia shqiptar. Të papërmbajturit, ata që kishin varur shpresat për t`i vënë me shpatulla për muri socialistët, rilindasit në pushtet, ikanakët e institucioneve mbeteshin me shpresë se do provoheshin akuzat e tyre që shkonin deri në ekstrem. Minutë pas minute, televizionet në titra, njoftonin në padurim se për pak do jepej vendimi në sallën e gjykatës. Dhe turma e kameramanëve vraponte duke thirrur, erdhën, erdhën, shpejt, shpejt, për të dalë në rreshtin e parë për të mos u shpëtuar asnjë detaj. Përkundrazi të fusnin brenda kamerës gjithçka, deri tek gjërat më pavlerë. Të tillë interesim nuk kemi hasur në tërë këto vite. Dhe arsyet njihen dhe dihen nga të gjithë. Kryesorja se tek dënimi i Tahirit, opozita ka varur shpresat për dënimin e vetë partisë në pushtet. Ishte një bast me vetveten. Një betim i stërthënë kudo. Nga Tirana në Bruksel. Diskreditimin e Tahirit e kanë gjykuar si investim personal liderët në opozitë, duke thënë 1001 të zezat. Jo vetëm para gjykimit, gjatë 24 muajve që nuk reshtën së deklaruari bëmat me vjedhje, kriminalizim, kanabizim, bizhuteri, makinë të shitur tek trafikantët, skaf të riparuar prej tyre, thasë me mall, po deri në trajtimin e tij si një korrier i rëndomtë kanabisi në përbërje të grupit të strukturuar kriminal?! Si një kushëri që u kishte hapur portat trafikantëve, duke marrë përfitime dhe benefite të pallogaritura. Dhe para gjykatës, pretenca kërkonte 12 vite burg. Analistët në padurim deklaruan tërë pompozitet, jo vetëm këtë shifër, po disa edhe më shumë. Të dijnitetëshmit, optimistët e realistët llogarisnin më e shumta për të dalë të larë nga një proces maratonë, vetëm për shpërdorim detyre, ashtu siç edhe ngjau në të vërtetë. Po pse tërë ky mllef nga politika ndaj një kolegu i cili më shumë se njëherë garantoi që nuk ishte personi i implikuar dhe se e vërtetoi me fakte që ishte në zbatim të detyrës, pa tolerancë, pa bërë lëshime, në zbatim të ligjit dhe moralit? E vërteta, Saimir Tahiri ka gabuar. Atij nuk i falet të shiste e të rimerrte një makinë. Po ishte ministri që shkatërroi “Kolumbinë” e Evropës, Lazaratin. Dhe kuptohet bëri shumë armiq. Jo thjeshtë prodhues të zakonshëm, po edhe ata me kollare që komandonin në distancë dhe e kishin fshatin në jug, fabrikë parash. Kuptohet që ky aksion do linte vraga të thella edhe mbi vet ministrin. Ai tërhoqi përsipër urrejtjen dhe mallkimet se preu shtigjet dhe zhduku bimën famëkeqe nga kryeqendra e marijuanës. Dhe në këtë aksion model nuk u gërvisht asnjë individ. Kuptohet, dikush do shkonte pas hekurave. Po pse deklarojnë liderët e opozitës, a nuk është ai përgjegjës për kanabizimin e Shqipërisë? Po pse nuk pranojnë se pikërisht ishte ai në krye të forcave të kësaj ministrie që në bashkëpunim me italianët e çoi në 1 për qind sipërfaqen e mbjellë me kanabis. Nuk është halli te Tahiri. Targeti, sulmi është qeveria. PD dhe aleatët duan patjetër të inkriminojnë mazhorancën, ta paraqesin atë si iniciatore të kanabizimit, sikur ky ishte program shtetëror, siç e kishte dhe e tha me gojën e vet Berisha që ka qenë vendim politik i tiji Lazarati. Dhe pastaj kanë gojë të flasin për të tjerët. Secili para dhe pas vendimit të gjykatës, kërkonte të siguronte pritshmëritë. Dënimi i ish ministrit të Brendshëm me maksimalen mundësisht edhe mbi vitet e akuzës do ishte një prelud i demokratëve. Ishte për këtë arsye që sapo u dha vendimi vërshoi lumi i akuzave. I pari, lideri i PD-së, Basha. Për atë kjo që ndodhi ishte vepër e Ramës!? Si gjithnjë për atë edhe vendimet e gjykatave shqiptare është përgjegjësia e kryeministrit. Askush nuk do guxonte të bënte një akuzë të tillë e cila është lehtësisht e verifikueshme. Dhe gjykata ka bërë detyrën edhe pse ka qenë nën trysni, jo për mosdënim po për dënim ekzemplar deri në infinit. Basha, si jurist e njeh ligjin dhe e di se vendimet e gjykatave janë të pakomentueshme. Po ai nuk mund të durojë pa thënë të fundit. Dhe atë që ka brenda shpirtit për të poshtëruar edhe në këtë rast qeverinë dhe Ramën. Për të nuk ka fare vlerë sa është dënuar Saimiri. Ai ka qëllimin si të implikojë Ramën në këtë çështje, duke e paraqitur drejtësinë, si një poker që bën atë që thotë ekzekutivi. Me fjalë të tjera, asgjë nuk ka ndryshuar. Sigurisht, kjo logjikë, buron nga përvoja e tij kur ai për një shumë marramendëse iu shmang gjykimit me ndihmën e raporteve mjekësore dhe partisë e cila komandonte drejtësinë. Për Lulzimin, partia, qeveria, drejtësia, janë trinomi pa ndryshim. Fatkeqësi kjo që një lider pretendues për të qeverisur vendin, ka një mentalitet të tillë që buron nga përvoja e babait të tij shpirtëror dhe konceptit të partisë-shtet. Nuk mund të qëndronte sehirxhi ish presidenti Bujar Nishani. Keqardhje që ish kryetari i KLD-së, rreshtohet politikisht në sulm me një aktakuzë të re dhe flet si të bënte prokurorin ndaj tërë të majtës dhe jo vetëm Saimirit. Ai arriti deri atje sa pakënaqësinë për mos burgosjen infinit të Tahirit ta konvertojë në shfarosje të shqiptarëve dhe groposje të drejtësisë. Ndaj thërret për revolucion. Ish presidenti bëri detyrën e partisë. Ai bëri gjyqtarin dhe prokurorin edhe pse ka kënduar melodinë e pavarësisë së gjyqësorit. Të lumtë zoti Nishani. Ky është shembulli si mbrohet pavarësia e gjyqësorit. Flet ai që në kohën e tij, një varg i gjatë zyrtarësh as iu qasën gjykatave. Dhe ia hodhën pa u larguar. Ndërsa Tahiri ishte vizitori më korrekt i gjithë seancave dhe nuk i bëri bisht ballafaqimit me akuzën. Gjykata e Krimeve të Rënda e dha vendimin. Teorikisht, politika nuk ka të drejtë të bëjë komente aq më pak të rigjykojë një vendim gjykate. Po politikanët tanë nuk dinë të kafshojnë gjuhën kur bëhet fjalë edhe për pushtetin e pavarur, atë të drejtësisë. Për ata, përgjegjësia është e kryeministrit. Kështu e duan. Atje e kanë hallin. Atë duan të përmbysin. Të tjerat janë garniturë. Sjellja e mazhorancës, jo vetëm me Tahirin është një shembull nga e cila opozita është shumë larg. Asgjë të ngjashme. Dhe këtë e kemi provuar në tërë këto vite kur militantë të zakonshëm, vetëm se mbajnë teserën e PD-së, janë mbrojtur politikisht nga partia dhe është sulmuar drejtësia. Për PD dhe lidershipin e saj, Saimir Tahiri nuk ka vend në liri. Duhej dënuar me burgim të përjetshëm në mungesë të ligjit me pushkatim. Kushedi sa do jenë penduar që ky ligj është abroguar vite të shkuara!? Fatkeqësi se do ishte një shans me Tahirin!

Nga Bardhyl Bejko

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/10/2019 - 07:20

Për opozitën tonë jashtëparlamentare si në tërë këto vite, gjithçka që ndodh në këtë vend individualizohet e pykëzohet në një emër të vetëm.

Postuar: 23/10/2019 - 07:18

Në raportin e zbatimit të buxhetit faktik të shtetit për vitin 2018, institucioni i auditimit më

Postuar: 23/10/2019 - 07:16

Me siguri na erdhi shumë keq të gjithëve për lojën që luhet si përherë në kurrizin e ne shqiptarë

Postuar: 23/10/2019 - 07:14

Marrëzia jonë, ka shkuar deri aty sa shumë kush të "zemërohet" me Francën!

Postuar: 22/10/2019 - 07:21

Ka tronditje të madhe në politikë për fundin e formimit të SPAK apo fillimin e punës së tij!

Postuar: 22/10/2019 - 07:14

Dihet që Këshilli Europian nuk arriti të marrë një vendim pozitiv për çeljen e negociatave me Shq

Postuar: 22/10/2019 - 07:13

Të trishtuar dhe humbës real nga vetoja e francezëve në Këshillin e Europës, ku presidenti Macron