Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

PD nuk do zgjedhje, si të kohshme dhe të parakohshme

Postuar: 20/07/2019 - 07:31

PD u largohet zgjedhjeve çdo ditë e më shumë. I ikën kësaj përgjegjësie edhe kur thotë po, edhe kur refuzon prerë jo. Seç ka një frikë të palexueshme prej tyre. I trembet ballafaqimit, ndeshjes në fushë të hapur dhe zgjedh shtigjet, pritat, befasitë, hilet, marifetet. Qëndrimi para kutive të votimit e trondit në themel, duke i shkaktuar dridhje dhe tronditje psikike. Fletët e votimit u duken si zvarranikë helmues. Emrat e garuesve si shpata të mprehta, sikur janë gati për të prerë koka. Një frikë e pashpjegueshme që nuk justifikon asesi këtë forcë me mbështetje mbarëpopullore, siç deklaron PD. Duket sikur ka marrëdhënie armiqësore me zgjedhjet me të cilat nuk dëshiron të ketë asnjë pikë kontakti. Pasi braktisi në mënyrën më të turpshme zgjedhjet lokale, me pretekste nga më absurdet, ankesa e quravitje, duke bërë viktimën dhe të terrorizuarën, të shtypurën, të ndrydhurën dhe të anatemuarën nga qeveria,me betimin se nuk ka zgjedhje me Ramën kryeministër, përveç bojkotit total, bëri tërë përpjekjet për ti ndalur e sabotuar ato totalisht. Aksionet e dhunshme para 30 qershorit të orkestruara sipas skenarit të gatuar në skutat më të errëta, bodrumeve të SHQUP-it, atje ku magazinohen rezervat e molotovëve dhe kapsollave, goditja me të gjitha mjetet e KZAZ-ve dhe djegia e mjediseve të qendrave të votimeve, sikur të zbatonte urdhrat e inkuizicionit më mesjetar, janë historia më e zezë në biografinë e kësaj force politike që lindi si shpresë për votën e lirë dhe në emër të sjelljes së demokracisë në Shqipëri. Paramilitarët, skuadrat e kapuçonëve të zinj, me urën e zjarrit në dorë, dogjën shkolla e shtëpi kulture, terrorizuan votuesit në emër të demokracisë funksionale që trumbeton lidershipi i kësaj partie nga podiumet dhe selitë apo takimet gjatë shëtitjeve të Bashës nëpër bashkitë opozitare, ku u kërkon kryekështjellarëve të mos i dorëzojnë fortesat te “armiku”. Refuzim ekstrem mbanë PD ndaj zgjedhjeve edhe kur ftohet në garë edhe kur dekretohen datat edhe kur refuzohen nga forcat e tjera politike. Dhe këtë rrugëtim antizgjedhor, aksionet e dhunës, protestat e revoltat i shet, si demokraci e kulluar. Demokraci me djegie dhe shkatërrim, me molotovë dhe gurë mbi forcat e rendit që siguronin vendvotimet që në demokraci konsiderohen të shenjta, vetëm në logjikën e Lulzim Bashës dhe Kryemadhit mund të ekzistojnë. Dhe këto veprime i mban një parti që parullën më të zakonshme, topëlejtomotivin në çdo manifestim a fushatë elektorale që nga dita e lindjes deri është: “Shqipëria, si gjithë Evropa”. Dhe realisht kjo forcë politike me një histori tridhjetë vjeçare, me fitore dhe humbje të shumta deri në zgjedhjet më të fundit nuk iu shmang kurrë betejave elektorale, si për zgjedhjet e përgjithshme edhe ato lokale. Kujtojmë se viti 1997, ishte periudha më e zymtë për këtë forcë politike, liderët e së cilës nuk shkelnin dot në treçerekun e vendit dhe pas ngjarjeve të 1996-1997, urrejtja popullore ishte në kulmin e vet pasi nuk ishte harruar humbja më e madhe e parave në firmat piramidale dhe mijëra jetë të rinjsh të humbura në përplasjet që ndodhën në vitin e mbrapshtë. Edhe pse në një situatë të tillë, PD u angazhua me tërë kapacitetet për një fushatë elektorale me nerv, përballë partive të opozitës. Nuk ka asnjë rëndësi, sa humbi dhe sa fitoi PD! Vlera më e madhe ishte se garoi,pjesëmarrja në fushëbetejë, përballë një force politike si PS dhe aleatët e saj në koalicion që ishin të mirëorganizuar me një mbështetje të gjerë popullore e sigurt se do vinte në pushtet pas qëndrimit gjashtë vite në opozitë. Po për 30 qershorin si reagoi PD dhe liderët e saj? Në mënyrën më të shëmtuar zgjodhi ti largohet me përdhunë sistemit demokratik, me justifikime nga më të llahtarshmet, banale, shumë herë foshnjarake që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Partia më e madhe e opozitës nën këshillimet e ideologëve dhe zërave antisistem, iku në drejtim të paditur. Qëndroi sikur mos të kishte fare ditë zgjedhjesh, u rehatuan në lokale militantët, duke tundur dekret-çdekretin e Presidentit i cili para shumë muajsh kishte vendosur ditën e zgjedhjeve. Pas dhjetë ditëve kur fushata zgjedhore kishte nisur, i fryu bilbilit, duke shpallur në mënyrë të njëanshme pezullimin e lojës, duke i dërguar lojtarët me pushime nëpër plazhe në shtëpi apo hijeve nëpër fshatra. Pikërisht, dekret-çdekreti, solli një amulli të jashtëzakonshme dhe sot e tërë ditën, ka jo pak komentatorë që e konsiderojnë atë si veprimin më të drejtë që shmangu gjakderdhjen mes popullit. Të trimëruar pas dekret-çdekretit, opozita ngriti zërin për paligjshmërinë e zgjedhjeve, duke i shpallur si të paqena. Në realitet kjo ishte dhe mbeti strategjia e bojkotit të garave elektorale. Shumë pretendime bëhen. Po realiteti është frika për humbjen e thellë, duke e bërë bilancin “Basha” të humbjeve edhe më të turpshëm. Zgjedhjet u braktisën nga të huajt, deklaroi, Basha pasi KE kërkoi të mos kishte vëzhgues në 30 qershor, po që shumë shtete dërguan vëzhguesit e tyre dhe zgjedhjet u legjitimuan nga KQZ , OSBE-ODHIRI dhe faktori ndërkombëtar, BE dhe SHBA. Precedentit të opozitës, ligësisë dhe marifeteve së saj, ndërkombëtarët iu përgjigjën me vendosmëri dhe inkurajuan popullin për të marrë pjesë në proces. Edhe pse nën terror, qytetarët shpërfillën kukuvajkat e gjakderdhjes dhe në masë iu drejtuan qendrave të votimit dhe në aspektin e qetësisë dhe administrimit, 30 qershori është i papërsëritshëm. Klima zgjedhore foli qartë se shqiptarët kanë gjykimin e tyre. Nuk janë dele që shkojnë nga i thërret bariu dhe zotërojnë dinjitet e dashuri shtet-formuese. Shqipëria shpëtoi nga një e keqe që do ishte fatale për kombin tonë dhe do të deformonte tërësisht sistemin demokratik. Sa lart u ngrit zëri keqdashës para 30 qershorit aq më shumë u hakërryen edhe pas tij, bojkotuesit. Deklaratat dhe fjalimet pa fund të liderëve të opozitës u përpoqën të mashtrojnë zgjedhësit me slogane dal boje. Po qytetarët shqiptarë nuk gënjehen më nga gjuha e Ezopit as deklaratat me dy e tre kuptime. Aq më pak nga qetësia dhe dashuria e Presidentit që pasi ka lënë shtetasit e vet në rënie të lirë dhe i ka hallakatur keq, na jap shfaqje të dashurisë e qetësisë, duke përqafuar gjithë kafshët e pyllit, qen, mace apo grupe tifozësh nëpër qoshe rrugësh dhe sheshe qytetesh jashtë Shqipërisë. Pasi e bënë baltë me qëndrimin përbuzës për zgjedhjet, duke shpresuar se mazhoranca do binte në gjunjë dhe do i falte opozitës gjithçka kërkonte, pasi dogjën, shkatërruan dhe braktisën zgjedhësit e tyre, si dhe vet kryetarët e bashkive i nxorën në pension, tani përmes Sekretarit të PD-së, zotit Eno Bozdo, PD bën thirrje për zgjedhje të menjëhershme, të parakohshme. Edhe me këtë thirrje, para pushimeve për shkak të vapës, Bozdo paralajmëron se shumë shpejt do ketë zgjedhje të përgjithshme dhe se PD është duke përgatitur infrastrukturën partiake për tu bërë gati për betejën e madhe. Me sa duket është kjo arsyeja që Zoti , u takua me Bashën dhe ky i fundit me aleatët në kërkim të zgjedhjeve të trefishta në 13 tetor qoftë duke ndryshuar kushtetutën në një kohë kur ata nuk zotërojnë më asnjë mandat deputeti?! Po kështu, Mul Noka, ikën nga Shkodra dhe delegohet në Elbasan. Lidershipi i PD e gjykon si më të mundshmin për ti shtruar elbasanllinjtë. Atij i ngjit fjala. Zoti Gazmend Bardhi transferohet në Shkodër. Edhe ai si dorë e fortë për të bindur shkodranët për votë për pushtetin e opozitës. Spahos i besohet Tirana, kryeqendra e vendit. Ai vlerësohet kapacitet që bind me erudicionin e tij. Dhe këto lëvizje thjesht teknike, lajmësi i sihariqit të madh të zgjedhjeve tani, sot, shumë shpejt, Bozdo i shet si strukturim të partisë dhe përgjegjësim të drejtuesve nga qendra për zgjedhjet e parakohshme në prag. Dihet se zgjedhjet e parakohshme nuk janë një kërkesë sa për të shkuar radhën. Opozita në çdo vend demokratik kërkon të shpejtojë proceset zgjedhore. Dhe ky nuk është qëndrim i tanishëm edhe për PD. Po deklarata për zgjedhje të shpejta, duken më shumë demagogji dhe propagandë se dëshirë e sinqertë për një provë force në fushë betejë të cilën PD dhe aleatët e kanë braktisur edhe kur PD u thirr në zgjedhjet e 30 qershorit apo refuzimi fillimisht i ftesës për 13 tetorin formal. Kur PD thirret nënë-armë për të bërë betejë zgjedhore, refuzon dhunshëm. Kur qeveria deklaron se zgjedhjet e përgjithshme do jenë në vitin 2021, proteston dhe kërkon zgjedhje të parakohshme të menjëhershme. Jemi të bindur dhe në opinionin e gjerë shoqëror është i konsoliduar fortë mendimi nëse mazhoranca do thërriste zgjedhje tani qoftë edhe në pikë të vapës, PD dhe koalicioni i bashkuar , do refuzonin prerë. Nuk duam zgjedhje! Është manovër politike e qeverisë së krimit. Nuk pranojmë të hyjmë në zgjedhje me Ramën. Poshtë zgjedhjet.!Larg zgjedhjet! Kurrë zgjedhje! Nuk i duam! Nuk i kërkuam! Dhe në axhendën e aksioneve të opozitës në skenarin e shkruar do shtohej edhe një akt i ri, ajo e bashkërendimit të 13 tetorit me Presidentin. Po beteja anti-zgjedhore do vijojë. Në emër të bojkotit të radhës, do kërkohen argumente dhe arsye për refuzim të zgjedhjeve edhe kur bëjnë se pranohen. Dhe fajtor si gjithnjë do ishte qeveria. Rama do jetë gogoli dhe tersi i zgjedhjeve dhe shkaku i bojkotit të opozitës. Nëse ai braktis zgjedhjet,lë qeverinë dhe partinë dhe nuk bën kapitenin e skuadrës, vetëm atëherë PD do thotë, po, tani i duam zgjedhjet.

Nga Bardhyl Bejko

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/08/2019 - 19:41

Jetojmë në milleniumin e ri dhe syri më sheh ende femra që ndezin qiri në terr. Në këto pirgje imazhesh të ngjallin fobi, shoh shpresë pak të ardhmen e tyre, të binjakezuar me atë që shkoi dhe vazhdon të jetë.

Postuar: 25/08/2019 - 08:03

Nuk ka e si mos të ngjallë indinjatë dhe revoltë të brendshme te njerëzit e ndershëm, jo vetëm at

Postuar: 25/08/2019 - 08:01

Oratori i shkëlqyer, luftëtari trim dhe Hero i Popullit Memo Meto, kur është pyetur se ç’ës

Postuar: 25/08/2019 - 07:58

Një udhëtim drejt humnerës.

Postuar: 25/08/2019 - 07:56

Po po, e dogjën malin e Shëngjinit me qëllim dhe sigurisht te ne është absolutisht epidemi kjo ll

Postuar: 24/08/2019 - 07:51

Studio më e freskët televizive me moderator Çim Pekën nuk kishte si të çelte siparin ndryshe, veç

Postuar: 24/08/2019 - 07:49

Një fushatë malinje dhe ç’kombëtarizuese po vazhdon prej kohësh me ulje ngritjet e saj nga