BREAKING NEWS

Kuvendi merr vendimin më të fundit, miraton Komisionin e Posaçëm Hetimor për çështjen që ndezi politikën shqiptare

Kuvendi merr vendimin më të fundit, miraton Komisionin e
x

Opinion / Editorial

Pedagogut korçar i ra “letra me vrimë”

Pedagogut korçar i ra “letra me vrimë”

Sapo buçitën radiot dhe televizionet dhe u mbushën plot gazetat se një pedagog i universitetit “Fan Noli” në Korçë dhe një sekser i tij u arrestuan për marrje ryshfeti në këmbim të një note kaluese, një pjesë e madhe e opinionit publik bërtitën me të madhe: Eureka, si të kishin zbuluar një planet të ri. Menduan se më në fund organet hetimore u zgjuan nga gjumi dhe filloi të zbatohet e shumëpritura reforma në drejtësi dhe po ashtu se më së fundi u kap një peshk i madh. Për ata që janë afër sistemit arsimor akademik, së pari vetë pedagogët e universiteteve në vend, studentët dhe prindërit e tyre dhe për mua dhe kolegët e mi, nuk pati asgjë të re. Kjo për vetë faktin se ka gati 30 vjet që marrja e lekëve nga pedagogët në shumë e shumë raste në shkëmbim të një note kaluese tashmë është një gjë fare e zakonshme. Vetëm një pjesë mini e studentëve, ata ekselentë që mendojnë për perspektivën nuk marrin guximin të bëjnë pazar për notën, por e marrin mbase edhe maksimumin me forcat e veta. Pjesa më e madhe e kanë fjetur mendjen. Paguajnë kuatizacionin e duhur direkt tek pedagogu apo tek një sekser që njihet në gjithë universitetin dhe marrin notën. Edhe pagesa është në varësi të notës. Në të gjitha qytetet që kanë universitet edhe një qytetar i thjeshtë di jo vetëm me emër e mbiemër pedagogun që merr lekë në shkëmbim të notës, por edhe çmimin përkatës për një notë. Nuk kam aspak frikë që bëj një akuzë të tillë. Nëse SPAK-u do të ketë mirësinë dhe devotshmërinë për të dërguar qoftë dhe një inspektor të tij për të vërtetuar këtë që pohova, nuk do ta ketë aspak të vështirë për vërtetimin e kësaj akuze dhe do të mësojë mbase më shumë se sa di unë dhe qindra qytetarë të tjerë. Nëse jo, le të paguajë Fiks Fare apo STOP-in dhe do të dëgjojë dhe do njihet me fakte nga më skandalozet. Do të njihet me pedagogë, kryesisht të rinj dhe të urtë që mjaftohen me vetëm një 5000 lekësh në shkëmbim të notës, por edhe me “lubi” si ai pedagogu korçar që marrin deri në 50 000 lekë. Nuk kam asgjë me atë person. Nuk e njoh fare personalisht dhe as intelektualisht. Por më duhet të pohoj se atij i ka rënë “letra me vrimë” që i vunë prangat. Për t’u arrestuar e them me plot gojën janë edhe dhjetëra-qindra si ai që janë dhjamur me të qenit në karrigen e pedagogut. Dhe jo vetëm pedagogët e thjeshtë. Janë dhjamur edhe dekanët e rektorët se edhe ata duan pjesën e tyre prej çdo pedagogu. E gjitha kjo vjen prej vetë sistemit të kalbur që është instaluar tashmë në universitetet tona. Menjëherë pas viteve ‘90, me ardhjen e demokracisë fillimisht në ato universitete shtetërore që ishin u dyndën të regjistrohen maturantë pa kriter note. Një pjesë e madhe e tyre që kishin marrë njohuri të plota gjatë shkollës së mesme e përballuan ngarkesën universitare. Ata që nuk mundën gjetën si rrugë shpëtimi ryshfetin. Duke përfituar nga rrëmuja e madhe në të gjithë sektorët shtetërorë, askush nuk u mor me këtë fenomen. Por pas hapjes së universiteteve private kjo gjë u kthye në sistem. Fillimisht ata që kishin pushtet e shfrytëzuan këtë për t’u pajisur me diploma të një shkolle të lartë pa shkuar asnjë ditë në auditor. Më ka ndodhur përpara gati 20 vjetësh një ngjarje e tillë: një biznesmen i qytetit hodhi kandidaturën për kryetar bashkie dhe më kërkoi shoqërisht ndihmë. Midis të tjerave më pyeti se ku ishin pikat e dobëta të tij që do ta sulmonin kundërshtarët. E dija unë dhe të tjerët se vetëm 7 vjeçaren kishte mbaruar dhe i thashë se aty, tek arsimimi do të sulmonin. Qetë-qetë më tregoi dy diploma nga dy universitete të ndryshme dhe më mbylli gojën. Më pas e përvetësuan këtë metodë ata që kishin një llogari të mirë bankare dhe marrja e një diplome nuk u kushtonte ndonjë shumë të madhe. Pastaj u futën në lojë pedagogët. Duke ia ndjerë lezetin kësaj pune, ata shkelën mbi personalitetin e tyre dhe jo vetëm filluan të marrin kuota të caktuara për një notë, por të shkonin edhe më tej: nuk ua jepnin notën kaluese edhe atyre që e meritonin, vetëm e vetëm që këta të fundit të shkonin të “votonin” me shumën që pedagogët kishin caktuar vetë. Mos t’ju duket çudi. Në universitetet e rretheve kjo gjë bëhej fare hapur dhe fillimisht pedagogët ishin sekser të vetvetes. Kur kjo gjë ra në erë, ata caktonin një student më të shkathët për të përgatitur listat e ngelësve dhe më pas të mbanin shënim ata që paguanin dhe shumën përkatëse. Me të marrë listën e plotësuar, pedagogu bënte rivlerësimin e provimeve. Të gjithë ata që kanë qenë dhe janë pranë arsimit universitar e dinë shumë mirë se notat nuk hidhen direkt nga pedagogu në sistem, por u bëhen me dije studentëve dhe u jepet kohë atyre për t’u ankuar për ndonjë padrejtësi. Kjo ndërkohë ishte vënë në dispozicion të studentëve realisht për të “votuar”. Pedagogu korçar ua kishte dhënë notën kaluese 5 studentëve. Ua ka dhënë shumë. Jam njohur vite më parë me një fakt më skandaloz: pedagogu në shfaqjen e parë të rezultateve të provimit kishte kaluar vetëm 2 studentë nga 70 që kishin dhënë provimin dhe kur erdhi puna për t’i hedhur notat në sistem, kishte rezultuar se kishin ngelur vetëm 2 studentë. Kishin ngelur ata dy qyqe që nuk kishin mundur të derdhnin tek sekseri lekët që duheshin për një pesë. Nuk është vetëm në dijeninë time fakti që ka edhe sot dhjetëra studentë që nuk frekuentojnë fare auditorët dhe kur shkojnë në provim marrin notë kaluese. Nuk e di vetëm unë që me dhjetra studentë mbarojnë tre vjet universitetin në bachelor dhe nuk e kanë fare dijeninë se ç’lëndë kanë bërë jo më të dinë brendinë e tyre. Më ka qëlluar për vetë pozicionin e punës që kam që vite më parë të më vijë mbesa e një miku të vjetër të më kërkojë ndihmë për ta ndihmuar në një lëndë që me të vërtetë paraqitej gogol në universitet. Me ndjenjën e keqardhjes për mbesën e shokut e në respektim të miqësisë me të, i them asaj të më shkruajë në një letër emër, mbiemër, lëndën që kishte dhe emrin e pedagogut. Me guxim prej të marri, ajo në prezencën time mori një shoqe në telefon dhe i kërkoi emrin e lëndës dhe të pedagogut. Revolta ime ishte e tejskajshme. Jo vetëm e largova atë, por ndërkohë mora edhe mikun në telefon për t’i thënë që me atë nivel që kishte mbesa duhej të fillonte edhe njëherë nga e para shkollën e mesme. Ky është një nga qindra shembujt që mund të marrim për të treguar nivelin e arsimit akademik. Një shembull kuptimplotë është vetë Kuvendi i Shqipërisë ku kemi parë deputetë që nuk dinë të lexojnë edhe atë që kanë të shkruar. Apo ajo që ka pohuar vetë Lorenc Vangjeli në një intervistë se brenda një seance kishte përgatitur 13 diskutime për deputetët. Shkoni në institucionet vendore dhe qendrore dhe do të hasni me shumicë punonjës e deri edhe drejtorë të rëndësishëm që jo vetëm që nuk dinë alfabetin e gjuhës shqipe por në disa raste edhe pyesin vartësit se fjala që duhet të shkruajnë shkruhet me “DH” apo “LL”. Për të qeshur dhe për të qarë. Dhe le t’i mbyllim këto rreshta me atë që ndoshta e kanë dëgjuar të gjithë dhe ka hyrë në kufijtë e legjendës: I shkuan në zyrë dikur një kryetari partie që u bë më vonë edhe ministër dhe i dorëzuan diplomën e shkollës së lartë. Në vend që të gëzohej merhumi, e mbante diplomën në duar dhe i iku goja. E rrotulloi disa herë diplomën për t’u bindur që ishte e vërtetë dhe foli: More djema, po unë nuk kam mbaruar as shkollën e mesme more. Nuk kishte faj, kishte mbaruar vetëm një dyvjeçare.