BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të reja brenda 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të
x

Opinion / Editorial

"Pendesa politike" ose grotesku që tregon gjendjen e sëmurë brenda dhe jashtë!

"Pendesa politike" ose grotesku që tregon gjendjen e

Një nga gafat (politike diplomatike) që nuk duhej të ndodhte ishte ajo e famshmja e "treshes" europiane, e cila tentoi në fillim kërcënimin ose urdhërin dhe pastaj largoi deklaratën nga sit-i europian për ta kthyer më vonë me largimin e urdhërit apo "kërcënimit" politik. Treshja në fjalë ishte kjo: Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme David McAllister (EPP, DE), Raportuesi i përhershëm për Shqipërinë Isabel Santos (S&D, PT) dhe Kryetari i Delegacionit të Parlamentit për Shqipërinë, Manolis Kefalogiannis (EPP, EL). Sigurisht profesionistë dhe burokratë të mirë. Por kur rimendohen dhe risjellin një deklaratë të përmbysur (në thelb) dhe pse me pothuaj të njëjtin model, kjo tregon se politika shqiptare i ka sëmurur rëndë dhe ata, të cilët kujdesen për ne në Bruksel dhe Strasburg. Në fillim ata thanë: “Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis qeverisë dhe opozitës më 5 qershor. Çdo modifikim i marrëveshjes pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike, mund të rrezikojë realizimin e Konferencës së Parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për rrjedhojë të ngadalësojë procesin e integrimit europian”. Pastaj e hoqën dhe korrigjuan një pjesë të vogël por të rëndësishme dhe ja teksti: “Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis qeverisë dhe opozitës më 5 qershor. Është e rëndësishme të arrihet një marrëveshje, të ruhet dialogu dhe konsensusi me të gjitha partitë politike, në mënyrë që të mund të thirret konferenca e parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për këtë arsye të vazhdojë procesin e integrimit europian”. Pra në rastin e parë kërcënuan apo urdhëruan me: “Çdo modifikim i Marrëveshjes pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike, mund të rrezikojë realizimin e Konferencës së Parë për negociatat e anëtarësimit dhe për rrjedhojë të ngadalësojë procesin e integrimit europian”. Kurse mbasi e larguan sepse sigurisht u "penduan" e risollën me këtë formë: Është e rëndësishme të arrihet një marrëveshje, të ruhet dialogu dhe konsensusi me të gjitha partitë politike, në mënyrë që të mund të thirret konferenca e parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për këtë arsye të vazhdojë procesin e integrimit europian. Pra u zbutën tonet, nuk kishte kërcënim dhe u bë diplomatikisht, por dhe politikisht e përtypshme, duke u qartësuar se nuk dilte nga një seli e anësuar politike si "kërcënim". Për konceptin tonë, shqiptar ballkanik, për konceptin real të "burrnisë" sipas modelit normal, por dhe europian normal në parime, më mirë do të ishte mos ta bënin fare, por kur e bënë ti rrinin se sa të pendoheshin. Sepse kështu kanë ulur reputacionin e tyre (duke humbur pikë) dhe të PE-së dhe sigurisht Europës politike. "Ky "pishmanllek" ose pendim, apo quheni si të doni, e ndoshta një rimendim është një çast burokracie jo profesionale politike dhe që bie në kurthin e bisedave me shqiptarët, që luftojnë kundër shqiptarëve. Edhe burokratët e Strasburgut dhe Brukselit po e kalojnë këtë grotesk me ne. Kjo pendesë e PE-së ishte në ditën kur Rilindja dhe socialistët (një pjesë) u penduan për Ilir Metën. Tipikisht pendesa politike që nga pas nuk kanë mungesën e profesionalizmit burokratik, por pendesë që ka në fokus trillet politike të lojës pikërisht politike të pandershme, gjithmonë të dyshueshme dhe absolutisht korruptive. Të modelit më jep dhe të jap në korrupsionin politik. Praktikisht ne që kuptonim se "hakërrimet" që Rama dhe Rilindja, por dhe PS-ja tashmë e hutuar në një monopat të djathtë duke qënë e majtë, ishin një manovër teatrale që po tentonte ekuilibra të reja dhe diversiv politik pendesën për të mos i shkuar inatit kundër Metës - e kemi një komedi të parë dhjetëra herë mes tyre. Po po që me blloqe dhe shifra alarmante dhe me marrëzi të tjera "pishmanllëku" dhe korrupsioni apo ç'moralizimi politik keqan kundër ndershmërisë dhe kundër parimeve në demokraci. Sot PS-ja duhet të ndjehet e fyer, por në fakt nuk ka se çfarë bën, sepse është thjesht aty për të siguruar votat për "deep state" të saj, që është Rilindja. Kaq i duhet asaj apo ka detyrë ajo (PS) të mbetet me barrë për të lindur sa më shumë votues dhe pastaj administrimin dhe paratë i di ajo pjesë (Rilindja) që nuk ka lidhje as me të majtën dhe as me asnjë lloj krahu politik, por vetëm me fitimin dhe sundimin. Po pra si pendesa (Rilindja) për të mos falur kurrë pjesët e korrupsionit dhe pasurimit në kushte abuzivizmi të qartë dhe që e gjitha kjo përfundon me amnistinë që po përgatitet. Po ashtu si pendimi disa herë i Lulzim Bashës si njeriu më pa bosht kurrizor politik që ka pranuar vetë si diçka të mirë dhe moderne "listat e hapura" dhe tani i shikon si armike të zgjedhjeve. E thotë për turp dhe faqe të zezë disa herë me figurë dhe zë dhe pastaj për arsyet thjesht të ngushta të fajeve të tij dhe pozitave të dobëta të partisë së drejtuar nga ai - nuk i do dhe i lufton ashpër. Si dikur "Republika e Re" dhe pendesa ndaj saj dhe po ashtu si shumë e shumë premtime të tij, angazhime të tij të tipit "ky është fundi, kjo është fitorja, ky është momenti më i madh" etj. etj. Si dikur betimi apo angazhimi që askush nuk na vjedh vota dhe nuk ndryshon kursin e fitores së PD-së. Pastaj mbas gjithmonë të tilla marrëzive pendimi dhe më vonë riangazhimi po aq i parespekt, për fjalën e dhënë dhe moralin politik. Po ashtu si dikur në kohë marrëveshje me Ramën dhe po ashtu me të huajt. Ne jemi në gjendje grotesku politik, imoraliteti politik dhe kjo gjendje e sëmurë është shumë brenda, por tashmë është dhe jashtë. Sot nuk ke kujt t’i besosh. Këtyre brenda jo e jo, sepse nuk janë vetëm gënjeshtarë sidomos në angazhimet e tyre, por ka ardhur dita të mos besohen kaq shumë dhe të huajt, Strasburgu dhe Brukseli! Kaq shumë ka shkuar keq dhe në grotesk kjo gjë, sa dhe kërcënimi që na bëhet me vonesën apo mos aprovimin për në rrugën (BE) tonë të aspiruar kaq shumë dhe me kaq patos - të mos bëjë më pothuaj asnjë efekt real. Pse? Po sepse tashmë grotesku është plotfuqishmëria e madhe politike si nga ne dhe me ne nga të huajt. E kjo gjë është një fatkeqësi!