Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Për ata që thonë se nuk bëhet më Shqipëria

Për ata që thonë se nuk bëhet më Shqipëria

Ndoshta, mjaft shqiptarë nga barra e halleve që u ka rënë mbi shpinë, me të drejtë shprehen të dëshpëruar se “ky vend nuk bëhet më”, por ka edhe shumë të tjerë që edhe pse jetojnë për bukuri, për tangërllik politik e duke u bërë iso hallexhinjve të vërtetë, lëshojnë vlerësimet e tyre prej filozofësh bajatë: “Këtu çdo gjë ka marrë fund. Nga këtu duhet ikur për gjithë natën”. Vërtet ka halle e shqetësime, vërtet duhet punuar më shumë nga qeveria e kërkohet më shumë kontroll nga shteti, por jo të lëshojmë bubullimën e të mos lëmë epitet ofendues pa përdorur për vendin tonë. Ka gabime dhe faje klasa politike dhe mangësi në qeverisje, por gjendja nuk është aq alarmuese sa e bëjnë të dështuarit në politikë. Për t’u bindur shikoni kafenetë plot me klientë edhe në kulmin e kohës së punës, shikoni makinat e shtrenjta që të bezdisin me boritë çjerrëse, shikoni vilat e reja në të katër anët e Tiranës, shikoni lokalet e shtrenjta në periferi të Tiranës, që mbushen plot e nuk gjen vend po nuk pate prenotuar, jo vetëm për të shtuna e të diela, por dhe çdo ditë të javës. Janë pak këta mund të thotë dikush. Jo, janë shumë, dhe jo vetëm në Tiranë, biles edhe në kohë pandemie, ku nuk lejohen grumbullimet. Por, edhe nëse ka mjaft fukarenj, atëherë pse të nxjerrim konkluzionin tragjik se “Ky vend nuk bëhet më”, pse ta mallkojmë vendin tonë? “Ç’vlerë t’i vërë vetes një komb, atë i vënë edhe të huajt”- thotë historiani i shquar Lord Akton. I pyesim pesimistët e kredhur në dëshpërim dhe filozofët pa kokë, po pse nuk bëhet më Shqipëria? Çfarë i mungon Shqipërisë? Pasuria, njerëzit, idealet, intelektualët, traditat, patriotët!? Të gjitha këta i ka me bollëk. Po kush atëherë? Klasa politike, - të përgjigjen ata përnjëherë. Të majtë e të djathtë janë njëlloj, e mendojnë vetëm për veten e tyre. Natyrisht klasa politike, qeveria, shteti kanë fajet kryesore në mungesat e qytetarëve. Por vetiu lind pyetja: Klasa politike nga erdhi, a mos vallë ajo zbriti nga qielli. A po mos na e dhanë dhuratë të huajt? A nuk është shqiptare kjo klasë politike që na drejton prej tridhjetë vjetësh? A nuk janë bijtë dhe bijat e tyre, shokët e miqtë, farefisi dhe dashamirësit, shumica e atyre që ankohen, që e rrethojnë këtë klasë politike? Në demokraci është shumica e popullit që mban një klasë politike në këmbë, se ndryshe ajo rrëzohej brenda natës. Pra po t’i shikosh në aparencë, të gjithë sëbashku këta që ankohen bëhen shumë, e nëse mendojnë për të mirën e përgjithshme, për të ardhmen dhe dinjitetin kombëtar, le ta ndryshojnë klasën politike. Nëse ata duan vërtet që të bëhet Shqipëria, nëse kërkojnë që ajo të rreshtohet në krah të shteteve të tjera, atëherë me votën e tyre ta nxjerrin nga hullinjtë e gabuar e të sjellin në binarët e duhur klasën politike që i drejton. Klasën politike e kemi zgjedhur vetë me votën tonë, dhe kemi 30 vjet që i kemi dhënë mandatin të na drejtojë. Nëse klasa jonë politike stonon në raport me ndërgjegjen e popullit dhe resurset që ka vendi, nëse klasa politike nuk është në standardet e kërkesave të popullit, atëherë zgjidhja nuk është të shajmë e të mallkojmë me ç’të na zërë goja, sapo del dielli në mëngjes, as të mbjellim kudo urrejtjen e pesimizmin mes nesh e jashtë vendit, se “Shqipëria ka marrë fund”, duke i nxjerrë dashje e padashje namin e keq vetes dhe të palarat para të huajve. Asgjë nuk na mungon dhe pengon që të mos e bëjmë Shqipërinë si gjithë shtetet e tjera. Vijnë e ikin ambasadorët dhe ne sytë i mbajmë nga ata se do na reformojnë drejtësinë, se do të na luftojnë korrupsionin, se do na sjellin demokracinë e vërtetë. Jo, realizimet e ndryshimet i sjell faktori i brendshëm, vetë populli me klasën politike që ka. Demokracinë e vërtetë e sjell klasa politike dhe klasën politike e mban në drejtimin e vendit vota e popullit. Të gjithë duhet të rrisim ndjenjën e përgjegjësisë dhe të vlerësimit ndaj vetvetes në radhë të parë, t’i japim vlerën dhe peshën e duhur votës që hedhim në kuti çdo katër vjet. Dita e zgjedhjeve është dita e vlerësimit të politikanit dhe pushtetarit. Kur hidhet vota në kuti, hidhen themelet e demokracisë së vërtetë, ndaj duhen hapur sytë mirë nga të gjithë ata që kanë të drejtën e votës. Kur vjen dita e votimit ne harrojmë të gjitha të këqijat që na janë bërë, ç’kemi kaluar dhe ç’kemi thënë për qeverisjen, për filan deputet e ministër dhe mbyllim sytë për një qese ndihma apo për pesë lekë. Askujt nuk i lejohet kur shkon pranë kutisë së votimit të votojë më të mirin e më të këqijve, por më të mirin e të mirëve. Por as qeverisë nuk i lejohet, që në mungesë të një alternative tjetër më të mirë qeverisëse, të bjerë në vetëkënaqësi e të mos përsosë e gjenerojë metodat e menaxhimit e të drejtimit, për të cilat është votuar. Nuk më harrohen kurrë fjalët e një të moshuari në Sauk, kur po bëhej fushatë për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. “Hapni sytë e peshojeni mirë votën - na tha plaku. Mos e shitni aq lehtë votën o bijtë e mi! Lodhini një çikë pushtetarët që duan kolltukë, që të ua dinë më mirë vlerën, se ju jeni shumë më të mëdhenj se ata. E keqja është se ata për ju kanë nevojë vetëm dy minuta, në ditën e votimit, kur të hidhni votën në kuti, kurse ju do të keni nevojë për ta e do t’i kërkoni 365 ditët e vitit. Por nëse e hidhni votën kuturu e nuk zgjidhni atë që duhet, njeriun e vërtetë të punës, nuk keni për t’u pjekur për katër vjet me ta”. Realisht është provuar dhe të gjithë e kanë të qartë, se sot forca politike më e avancuar dhe me alternativa drejtimi më efikase në Shqipëri, është PS. Prandaj është koha që kjo forcë politike, më e madhja në vend, të mbledhë të gjitha energjitë, të gjejë ku i ka gabimet dhe t’i ndreqë ata sa s’është vonë, të vejë në punë më mirë administratën edhe pse në kushtet e vështira të pandemisë, duke gjetur alternativa të reja qeverisëse, duke ulur numrin e të zhgënjyerve me punë konkrete dhe me metoda më bindëse drejtimi. Disa e kanë në majë të gjuhës justifikimin: edhe këta nuk na bënë gjë, të gjithë njësoj janë, si të majtët e të djathtët. Realisht tempi i punës së mazhorancës ka rënë, sidomos mandati i dytë qeverisës të konsumon shumë, por ama askujt nuk i lejohet të vërë shenjën e barazimit midis dy forcave politike. Nuk qëndron ndryshimi vetëm në faktin se ata të “djeshmit kanë vrarë” e të majtët janë më të moderuar. Jo ndryshimi qëndron në radhë të parë në arritjet që janë realizuar në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Qeveria duhet të bëjë shumë për popullin, por dhe populli ka më shumë mundësi për të qenë në krahë të qeverisë me punën, sjelljen dhe ndërgjegjen e tij. Në një takim që bëmë në zonën time këto ditë për gjendjen ekonomike dhe perspektivat e fshatit, një i ri shprehu në mënyrë arrogante dëshpërimin e tij: “E ç’të bëj këtu, është shkatërruar gjithçka. Nga këtu duhet ikur për gjithë natën, ashtu siç ka ikur gjysma e shqiptarëve. Punë nuk ka, ndihmë nga shteti jo, partitë hahen me njëra- tjetrën, vrasje e braktisje nga të gjitha anët. Politikanët bëjnë sikur zihen dhe mbushin xhepat e tyre”. Por iu përgjigj bukur më i moshuari i fshatit, që i ka jetuar të tria kohët; atë të Luftës, kohën e monizmit dhe kohën e demokracisë. “Pse thua që nuk bëhet më ky vend - iu drejtua ai të riut. Ky vend nuk është as i turkut dhe as i serbit. Ne kemi një vend prej floriri dhe floriri është kudo, nën tokë e mbi tokë. Ja kush të tha ty t’i lësh tokat djerr, toka që të kënaqin me prodhim. Pse komshiu yt i ka sistemuar tokat, mbjell perime e foragjere, mban lopë e shet qumësht, punon e prodhon dhe jeton për bukuri. Ata që e mbajnë mendjen tek të ikurit jashtë, ata janë të ikur edhe nga trutë. Nëse qeveria ka të meta, hajde t’i themi ta mbledhë mendjen e t’i vërë shpatullat punës. E nëse nuk na pëlqen qeveria, ja votat po vijnë, hajde ta ndryshojmë e të zgjedhim një më të mirë, por ama nuk kemi të drejtë ta shajmë vendin tonë se është turp”. Fjalët e këtij plaku të mençur më sollën ndërmend shumë gjëra. Në radhë të parë më kujtuan fjalët e ish-presidentit amerikan: “Mos mendo se çka bërë Amerika për ty, por çfarë ke bërë ti për Amerikën”. Kur themi që s’bëhet më Shqipëria, kë kritikojmë e shajmë, kujt ia kërkojmë që të na rregullojë e ta bëjë këtë vend? Ne që kritikojmë e shajmë, a jemi pjesë e kësaj Shqipërie dhe çfarë kemi bërë për të realizuar detyrat që kemi para Atdheut? Mos presim që Shqipërinë të na e bëjë bota, të tjerët? Ti që e ngre zërin në qiell se ky vend ka marrë fund, çfarë bën kur sheh se shoku që ke përbri shkel ligjin, komshiu apo miku nuk e bën detyrën që i takon, kur sheh të riun që sillet keq, pushtetarin që bën korrupsion? Asgjë, në mos e nxitësh me heshtjen tënde më shumë drejt së keqes. Ndaj mos e shani vendin, se e kemi shumë të bukur Shqipërinë.