BREAKING NEWS

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste
x

Opinion / Editorial

Për një shtet funksional të shoqërisë, e jo pronë e politikës

Për një shtet funksional të shoqërisë, e jo pronë

Prononcimi i kancelares Merkel gjatë një takimi me gazetarët në Berlin, se dëshiron ta shohë Shqipërinë ashtu siç e ka krijuar zoti, të bashkuar dhe të fortë drejt BE, është një thirrje dhe obligim për të gjithë shqiptarët e kudondodhur. Kjo thirrje e politikanes më të spikatur në botë, kërkon që politika shqiptare, të lërë mënjanë interesat meskine, grindjet, sherret, ofiqet, denigrimet dhe t'i përkushtohet më shumë se gjithçka tjetër, interesave kombëtare. Sot më shumë se kurrë, po kristalizohet ndjenja kombëtare që na ka munguar në shekuj, ajo e faktorizimit në trojet e lashta ballkanike. Kujtesa që i bën kancelarja Europës dhe më gjerë, se Shqipëria është i vetmi vend në botë, që kufizohet me bashkëkombësit e vet, nuk ka nevojë për analiza e komente, por për të korrigjuar padrejtësitë e historisë. Për këto padrejtësi që na janë bërë, nga vendimet e fuqive të mëdha të kohës dhe fqinjët, kombi ynë është njohur me një farë dinjiteti tragjik. Kjo, ngaqë nuk u bë e mundur bashkimi i trojeve etnike, në një shtet të vetëm si të gjithë kombet e tjerë. Megjithëse Kuvendi i Vlorës e shpalli pavarësinë nga pushtuesit otomanë më 28 Nëntor 1912, përsëri autonomia e Shqipërisë mbeti plaçkë tregu, në duart e fuqive të kohës. Këto fuqi që kanë luajtur poker me sovranitetin dhe dinjitetin e kombit tonë, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në Dhjetor të vitit 1912, nuk e njohën realitetin demografik të Shqipërisë etnike. Kështu që 3/4 e Shqipërisë mbetën jashtë kufijve që kemi sot. sepse vilajeti i Kosovës dhe Manastirit iu bënë peshqesh Serbisë, Greqisë iu dha vilajeti me qendër Janinë dhe gjithë Çamëria, e njohur si Epiri i jugut me qendër lumin Thiamis. Këto cungime makabre nga vendimet e Britanisë, Gjermanisë, Rusisë, Austro-Hungarisë, Francës dhe Italisë, u pasuan nga aneksimet për Malin e Zi, siç ishte Ulqini, Kotorri, Podgorica, Plava e Gucia. Që këtu fillon tragjedia e kombit tonë, kur pakicat greke, çame dhe Kosova, mbetën temat më të përfolura, konfliktuale në marrëdhëniet shqiptaro-greke e shqiptaro-serbe. Lufta e Parë Botërore e gjeti Shqipërinë një principatë qesharake, sipas propozimeve të fuqive të mëdha, e cila u zhyt në kaos dhe u shndërrua në shesh lufte, ku bëheshin pazare për copëtimin e saj. Por shpresat e shqiptarëve morën jetë, me ndërhyrjen e ish-presidentit amerikan Woondrou Willson, në konferencën e vetëvendosjes me 1919 në Paris, i cili deklaroi: "Unë votoj për Shqipërinë, ajo është shtet dhe do të mbetet shtet". Po, a kemi patur ndonjëherë ne shqiptarët, shtet funksionar të shoqërisë? Historia e epokave të mëvonshme, para dhe pas rënies së diktaturës, tregon se fizionomia e shtetit tonë i ngjante një shteti xhandar dhe aspak funksionar i shoqërisë. Përpjekjet e para u bënë në Kongresin e Lushnjës, me shoqërinë shqiptare të ndarë në dy grupime politike, të cilët ishin dhe aktorët kryesorë politikë dhe ekonomikë në shpalljen e pavarësisë. Por si rezultat i divergjencave politike për mosdakordësi, nuk arritën të ndërtojnë shtetin sipas interpretimeve politike dhe juridike. Pas këtyre përpjekjeve doli në skenë qeveria demokratike e Fan Nolit, që nuk arriti dot të implementonte reformat e ndërmarra, për ndryshime rrënjësore, sepse klasa politike nuk ishte çliruar akoma nga ndikimet dhe lidhjet e interesave të tyre, me strukturat anti-shtet brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pas rrëzimit të qeverisë së tij me dhunë nga Ahmet Zogu, me ndihmën e 4000 bajonetave serbe të ish-kryeministrit Pashiq, të përbërë nga 500 luftëtarë të Matit dhe viseve të tjera të ish-Jugosllavisë, si dhe malazezë e bjellorusë. Shtetin xhandar qesharak që ndërtoi Ahmet Zogu, nostalgjikët, kritikët dhe pasardhësit e tij të Legalitetit, e ngrehin aq lart sa që për ironi të tyre, e hedhin poshtë me neveri dokumentet dhe raportet e CIA-s, që cilësoheshin "tepër sekrete" nga viti 1940-1960, tashmë janë të deklasifikuara dhe hedhin dritë mbi figurën e këtij monarku të vetëshpallur. I mbështetur jo vetëm ushtarakisht, por edhe financiarisht nga Pashiqi me 250 mijë paund, rrëzoi qeverinë demokratike të Nolit dhe më 21 Janar të vitit 1925 e shpalli Shqipërinë Republikë. Më 31 Janar të po atij viti, Asambleja e ngarkoi Ahmet Zogun president i cili ishte edhe kryetar i qeverisë. Republika që shpalli Zogu në formë dukej se ishte presidenciale, por në fakt ajo nuk ishte as parlamentare dhe as demokratike. Shteti autokratik që ndërtoi Zogu ishte një aglomerat qeverisje i tipit republikë despotike, ku të gjithë fijet e pushtetit përqendroheshin në duart e tij. Por turpi më i madh i tij dhe shpurës anti-shqiptare që e mbështeste, ishte nënshkrimi i traktatit famëkeq me 16 pika midis tij dhe kryeministrit serb Pashiq. Që të binden nostalgjikët dhe pasardhësit e tij, ky dokument ndodhet në Arkivin Qendror Shtetëror Fondi 253, dosja 105 viti i 1924. Kjo marrëveshje tradhtie që e shiste Shqipërinë tek mbretëria serbe e karagjorgjevicëve, është botuar në librin me titull "Italia-Albania" nga P. Pastorelli (1924. 1927). Se sa shtetar shqiptar dhe patriot ishte Zogu, e konfirmon deklarata në konferencën e ambasadorëve në Paris, me këtë përmbajtje: "Tërheq çdo pretendim për sovranitetin e Manastirit dhe të Shën Naumit, si dhe për lokalitetet e Vermoshit dhe Kelmendit, të cilat i kalojnë nën zotërim Jugosllavisë". Ky ishte shteti personal i Ahmet Zogut, i egos dhe ambicieve të tij, pa ushtri por vetëm një xhandarmëri me analfabetë, për mbrojtjen e oborrit të tij, mbledhjen e taksave, ruajtjen e qetësisë së brendshme, për eliminimin e opozitës, ku bënin pjesë oficerë rus të Vrangelit si dhe serbë. Ai sundoi si sulltan i egër orienti, ku shprehet edhe në shënimet e tij ku citon: "Ky është cirku im, ajo çfarë ata dinë apo ndiejnë nuk më intereson fare". Por shteti Shqiptar nuk u bë kurrë funksionar i shoqërisë, as edhe në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, pavarësisht se çfarë reformash u ndërmorën për të ndryshuar Shqipërinë, nga një vend më trashëgimi shumë të varfër, të persekutuar nga analfabetizmi, gjakmarrja fisnore, si dhe shumëllojshmëria e sëmundjeve epidemike. I marrosur nga teoria m-l dhe praktika e ish-Jugosllavisë dhe Rusisë së Stalinit, Shqipëria nuk u bë shtet i të drejtës themelore civile e qytetare. Regjimi i Hoxhës adaptoi kursin e ndërtimit të socializmit "me forcat e veta" duke u pozicionuar si vend i vetëm stalinist në të gjithë bllokun komunist. Por me gjithë arritjet kombëtare nga reformat e ndërmarra nga PKSH e më vonë ajo PPSH, për transformimet social-ekonomike, shtypja politike errësoi gjithçka, nga privimi i të drejtave themelore që garanton shteti i të drejtës. Pas vendosjes së diktaturës, qeveria për pakënaqësitë e popullsisë, që kundërshtonin në forma të ndryshme regjimin, vuri në zbatim ligjet e egra të persekutimit me internim, burg deri dhe pushkatim. Kështu Shqipëria u kthye në një burg gjigant, ku ndalohej me ligj dalja jashtë shtetit, funksionimi i religjioneve fetare, si në asnjë vend tjetër të bllokut komunist, duke i motivuar si institucione feudale, që pengonin zhvillimin kombëtar. Por edhe zëvendësi i tij Ramiz Alia, që ndërmori reforma qesharake, për rivitalizimin e ekonomisë së shkatërruar dhe njerëzit e varfëruar në kulm, nuk mundi të bëjë asgjë përveçse të shënonte emrin në listën e zezë të një regjimi makabër. Por ky regjim mori fund me rënien e murit të Berlinit, që u bë simbolika e përmbysjes së komunizmit dhe hapjes së një faqe të re, atë të ndërtimit dhe konsolidimit të demokracisë së munguar për 45 vjet diktaturë. Megjithëse Shqipëria hyri në një epokë të re, atë të reformave demokratike dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës si funksionar i shoqërisë, dalja e Sali Berishës në krye të PD dhe presidencës si agjent i UDB, solli zhgënjim tek të gjithë shqiptarët që aspironin një Shqipëri si gjithë Europa. Përpjekjet farsë të doktrinës së tij, për të krijuar një ekonomi të lirë, solli kriza të njëpasnjëshme që po i vuajmë edhe sot. Politika e tij me terapinë e shokut, anarkinë totale deri në marrëzi, mbolli hakmarrje politike dhe urrejtje për gjithçka, duke fantazuar dhe nxitur revolucion për djegie e shkatërrim gjithçka për kënaqësi narciste. Me këtë filozofi ai bëri që më 1997 shteti të bjerë në humnerë, ndërsa Saliu i lidhur pas karriges së presidentit nuk jepte dorëheqjen, por priste që Shqipëria të digjej dhe shkatërrohej plotësisht. Si një vullkan që vlon nga nxitjet arkaiko-primitive, i bërë palë me shokun e tij të armëve Ilir Meta, kanë krijuar binomin e frontit anti-shtet, anti-reformë, anti-integrim, për të ruajtur statusquonë e pasurive të tyre, që ja kanë zhvatur këtij shteti për 30 vjet. Të dy këto figura më të përfolurat si anti-perëndim, nuk kanë punuar kurrë për të kontribuar dhe ndërtuar shtetin e së drejtës, por të maskuar duke spekuluar në emër të demokracisë, krijuan profilin e njeriut nekrofil si një shfaqje direkte para shqiptarëve të destrultivitetit irracional. Ata u janë kundërvënë reformave, duke shfrytëzuar influencën e tyre tek mbështetësit, si një kërcënim real për të shkatërruar shtetin, që po pastrohet nga pengesat për t'u bërë funksionar i shoqërisë dhe jo pronë e politikës së deridjeshme. Por sjelljet, qëndrimet dhe veprimet e tyre në korsi të kundërt, me programet reformuese të shtetit demokratik si funksionar i shoqërisë, për ta minuar atë dhe zhveshur nga interpretimi politik e juridik, kanë marrë fund. Këto figura së bashku me bashkëpunëtorët e tjerë rrotull tyre, për dëmet që i kanë sjellë shtetit dhe shoqërisë, duhet të bëhen pjesë e gjykimit juridik, të strukturave të reja të drejtësisë të sapo ngritura.