Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

Për reformën në drejtësi duhet më shumë ndershmëri

Për reformën në drejtësi duhet më shumë

Tek ne janë bërë reforma të thella në të gjithë sektorët e jetës dhe në këtë drejtim ka meritën e saj mazhoranca socialiste dhe kryeministri Rama. Por dy reformat më të rëndësishme, ajo në drejtësi dhe zgjedhore, që janë dy shtyllat kryesore mbi të cilat ngrihet demokracia e vërtetë, po zvarriten me pengesa të pajustifikueshme dhe nuk po futen në shtratin e duhur. Reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore janë thelbi që përcaktojnë karakterin e një shteti dhe kush përpiqet t’i pengojë ata, dashje pa dashje është kundër shtetit ligjor. E drejta dhe e padrejta në Shqipëri në shekuj u ndeshën me njëra-tjetrën dhe fituesin herë e përcaktoi kanuni e besa dhe herë ligji e vetëgjyqësia. Në shtetin monist nuk flitej për shtet ligjor, por për shtet të diktaturës së proletariatit. Drejtësia në shtetin e Enver Hoxhës ishte partishmëria proletare. Por edhe pse diktaturë, atëherë nuk qahej kush se nuk e gjente të drejtën për hallin që i binte. Atëherë, jo denoncim me emër të bëhej, por edhe për një letër anonime që u drejtohej organeve eprore, ngrihej në këmbë një ekip shtetëror dhe me në krye përfaqësuesin e partisë, diskutonin me popullin deri sa të zbulohej e vërteta. Ndoshta ka patur edhe përndjekje e dënime në ekstrem, por ama frika tek pushtetari që nuk i shërbente si duhej popullit dhe keqbërësit që shkelte ligjet, kishte depërtuar në palcë dhe nuk tallej kush me personalitetin e tjetrit. Enveri vërtet asnjëherë nuk foli për shtet ligjor, por shtetin e kishte të fuqishëm dhe ku me frikë e ku me bindje, krijoi barazi në pasuri, në drejtësi, në dinjitet, e në marrëdhëniet sociale, brenda atij fukarallëku që ekzistonte.

Demokracia në fillim të viteve ‘90 nisi me kërkesat për liri, demokraci e shtet ligjor, por ende është shumë larg asaj që kërkohet. Demokraci e shtet ligjor do të thotë që para ligjit janë të barabartë të gjithë e secili është i pakufizuar në vënien e pasurisë brenda rregullave të ligjit dhe konkurrencës së ndershme, bashkëpunimit reciprok që vendos ekonomia e tregut. Po që kur nisi demokracia, ndonëse u bë shumë zhurmë për barazinë e drejtësinë e vërtetë, jo vetëm nuk u arrit ndonjë përparësi në raportin midis ligjit dhe të drejtës, por u zhduk edhe ajo traditë e mirë që qe krijuar në këtë drejtim. Drejtësia, harmonia dhe barazia u zëvendësuan nga hakmarrja e egër primitive bajraktariste e atij që rrëmbeu frenat e pushtetit, Sali Berisha. Prokurorët, gjykatësit, ata që mbanin në këmbë me ndershmëri drejtësinë e vërtetë, u zëvendësuan në emër të reformimit dhe luftës kundër komunizmit, me juristët e plepave. U bashkuan me batakçinjtë e rinj të shembjes së drejtësisë edhe batakçinjtë e vjetër komunistë që e drodhën pa iu skuqur faqja, duke u bërë palë me çdo gjë të pandershme e të padrejtë, mjafton që ajo t’i shërbente Sali Berishës. Një që kishte mbaruar 8-vjeçaren me korrespodencë në malësitë e Tropojës nëpërmjet kursit të plepave, u bë prokuror e gjykatës në Tiranë, një që kishte siguruar dëftesën e shkollës së mesme bujqësore në Elbasan pa qenë fare në shkollë, nëpërmjet kursit të plepave, arriti të bëhej shef prokurorie e kryetar gjykate. Bariu që kujdesej për derrat në Belsh, u bë polic e krekosej me kobure në brez dhe hajdutët e pulave dhe gangsterët që nuk e çanë dot me Enverin, u bënë kryetar partie, shefa zyrash, drejtorë dikasteresh e ministra. Kaluan 30 vjet dhe ndonëse reformat i vijnë rrotull forcimit të shtetit dhe konsolidimit të demokracisë, shteti ligjor dhe demokracia janë ende të brishta. Po pse dy reformat më të rëndësishme, ajo në drejtësi dhe ajo zgjedhore rrotullohen rreth vetes dhe nuk japin rezultatin e duhur? Përgjigja është e thjeshtë dhe e kuptueshme, sepse të dy krahët e politikës, të majtë dhe të djathtë nuk i kanë dashur reformat, sepse duan të spekulojnë me pushtetin. Ata i kanë përdorur vazhdimisht reformat për të mbajtur pushtetin, jo për të forcuar shtetin. Vetëm kryeministri Rama, e nisi seriozisht reformën në drejtësi, por pengesat e vazhdueshme të opozitës dhe ndërhyrja në disa raste përtej asaj që i takon faktorit ndërkombëtar dhe kryesisht e amerikanëve, ka bërë të mundur që drejtësia tek ne të mos arrijë standardet e kërkuara. Pa mohuar punën e mirë që është bërë gjatë qeverisë Rama për inkurajimin e reformës në drejtësi, prapë ka mjaft dobësi dhe besimi i shqiptarëve tek drejtësia e vërtetë është shumë i lëkundur. Vetingu që u trumpetua me të madhe si çelësi që do të pastronte drejtësinë, në mjaft raste u shtrembërua me dashje dhe në emër ”të pastrimit të drejtësisë”, bashkë me “mollët e kalbura” u hodhën jashtë nga shporta e këtij sistemi edhe kokrra të shëndosha. E si mund të kuptohet eficenca e vetingut, kur një anëtar i këtij komisioni, me firmën e të cilit janë larguar dhjetëra prokurorë e gjyqtarë nga sistemi i drejtësisë për shkelje të ligjit, akuzohet e i vërtetohen shumë shkelje ligji, derisa shkarkohet nga ky komision. A e vret pak ndërgjegjja për ata që ka shkarkuar, kur vetë ai është vërtetuar si shkelës ligji?! E çfarë logjikë gjykimi është dhe çfarë ndershmërie mund të thuash për punën e këtij komisioni, kur janë larguar gjyqtarë e prokurorë të ndershëm, për 1 milion lekë të vjetra, kurse gjyqtarë e prokurorë miliarderë, ose vazhdojnë të ushtrojnë detyrën “me sukses”, ose vazhdojnë të majmen në pasurinë përrallore që kanë vënë. Të tjerë, që nuk ka veting që ua justifikon dot pasurinë, miliardat dhe pronat, vilat dhe makinat luksoze, ndonëse “dorëhiqen” nga sistemi i drejtësisë, jo vetëm që nuk u preket pasuria që është gjak e djersë e fukarenjve shqiptarë, por u gjenden vende pune nga më të preferuarat, me rroga të majme, në administratën shtetërore. Kjo është shumë e dëmshme, se pavarësisht nga makinacionet e ndryshme që përdoren, populli i njeh dhe i di shumë mirë kush janë punonjësit e ndershëm dhe të pandershëm të sistemit të drejtësisë. Jo vetëm faktorët politikë që e nisën reformën në drejtësi, kanë akuzuar njëri-tjetrin për kapje të saj, por edhe elementë të ndryshëm brenda të kësaj reforme kanë ngjallur dyshime. Disa të përjashtuar nga sistemi i drejtësisë, për të cilët opinioni nuk ka ngritur akuza e i njeh për të ndershëm e të paanshëm, janë ankuar gjer në Gjykatën e Strasburgut. Pra sipas tyre, për provat dhe faktet që disponojnë, vetingu, bashkë “me të thatin ka djegur dhe të njomin”. Po sikur Strasburgu t’u japë atyre të drejtë, a e dinë këto komisionerë se ç’kosto të madhe financiare duhet të bjerë në kurriz të këtij populli fukara?! Më absurdja e kësaj reforme që kërkon të vendosë drejtësi, është se një i larguar nga dy shkallët e vetingut nuk ka të drejtën e apelimit më tej në shkallët e larta të gjyqësorit, sikur ky të jetë i rënë nga qielli. Të çudit fakti se një pjesëtar i kolegjit largohet nga emërtesa dhe ai nëpërmjet sistemit gjyqësor fiton të drejtën e rikthehet në punë, kurse ata që ka flakur në rrugë ky anëtar i vetingut, nuk mund të drejtohen më në strukturat më të larta të sistemit gjyqësor. Drejtësia e vërtetë presupozon konsumimin e të gjitha shkallëve të sistemit gjyqësor, deri në shprehjen e tij me vendim të formës së prerë. E si një kolegj mund të ndalë mbi strukturat e tjera të larta të drejtësisë. A nuk janë Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese instancat më të larta të gjyqësorit në Shqipëri, atëherë si mund t’u hiqet e drejta kujtdo gjyqtari dhe prokurori që të mos i shkojë kërkesës për drejtësi deri në fund? Pra vetë ligji që pretendon të vendosë drejtësi, të privon të drejtën për të kërkuar drejtësi deri në fund. Edhe diçka shumë e rëndësishme të bën përshtypje në vendimet e marra nga organet e vetingut. Si është e mundur që ndërkombëtarët kanë ankimuar të gjithë ata që e kanë kaluar padrejtësisht vetingun dhe mirë kanë bërë dhe kanë mbyllur sytë për disa nga ata që janë larguar padrejtësisht, duke prekur dinjitetin e tyre? A nuk duhet të veprojë fort drejtësia si për ata që kalojnë vetingun padrejtësisht dhe si për ata që largon padrejtësisht? Vazhdojmë më tej: E si shpjegohet që nga të gjithë apeluesit në shkallën e dytë të vetingut, KPA, asnjë nuk ka fituar? Si nuk paska një të larguar padrejtësisht nga shkalla e parë, ndërkohë që po kjo trupë ka kaluar të pandershëm që ndërkombëtarët i kanë apeluar dhe KPA i ka rrëzuar? E si ka mundësi që KPK bëka gabime vetëm kur lejuaka vazhdimin në detyrë të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe asnjë gabim ndaj tyre që largon? A nuk është kjo fasadë për të thënë se po bëjmë reformë? Hetimi për çdo gjyqtar e prokuror duhet bërë me themel, të ballafaqohen faktet, të dëgjohet me vëmendje subjekti i marrë në hetim, sepse kjo është e rëndë, pasi për disa prokurorë e gjykatës largimi nga detyra ka të bëjë me bukën e gojës. Është e palejueshme të ecet sipas parimit se “të gjithë janë të korruptuar”, apo të spekulohet me pavarësinë e tejskajshme që të jep ligji. Nëse ndërkombëtarët do të ndërhynin më fuqishëm edhe për ata që e pësojnë padrejtësisht nga vetingu, do të rritej më shumë autoriteti i tyre në sytë e opinionit shqiptar që presin vërtet një sistem të pastër gjyqtarësh e prokurorësh, pa u ndikuar aspak nga nepotizmi apo konjukturat politike.