BREAKING NEWS

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i fortë i SHBA-së, ja çfarë pritet të ndodhë në vijim

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i
x

Opinion / Editorial

Për të bërë atë që do populli, gjithmonë ka kohë

Për të bërë atë që do populli, gjithmonë ka

Pas deklarimit të kryeministrit Edi Rama, për të shkuar në zgjedhjet e ardhshme me lista të hapura dhe pa koalicione parazgjedhore, Komisioni i Ligjeve unanimisht mori vendimin për t’ia paraqitur Parlamentit këtë vendim për të bërë ndryshimin përkatës në Kushtetutë. Ashtu si në çdo palë zgjedhje edhe këtë herë PS tregoi se është e gatshme të plotësojë nëpërmjet reformës zgjedhore, jo vetëm dëshirën e elektoratit që tanimë në shumicë është për zgjedhje me lista të hapura, por edhe kërkesat serioze të opozitës, me qëllimin e vetëm që demokracia te ne të jetë funksionale. Por ky vendim i mazhorancës ka egërsuar opozitën, madje edhe Presidentin e Republikës që e quan Parlamentin të paligjshëm. Tani Lulzim Basha dhe opozita kërkojnë me këmbëngulje mosndryshimin e marrëveshjes së 5 qershorit, duke argumentuar se nuk ka kohë për të bërë ndryshime në Kushtetutë dhe se shkelja e kësaj marrëveshje qenka cënim i rregullave të demokracisë. Nëse është vullneti i mirë i të dy krahëve të politikës dhe nëse dëgjohet zëri i shumicës së qytetarëve, çdo gjë është e realizueshme. Duket qartë sipas sondazheve dhe opinioneve të ndryshme se dëshira e shumicës së shqiptarëve është për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme me lista të hapura. Vendimi për të shkuar në votimet e ardhshme me lista të hapura plotëson një dëshirë të shumicës së shqiptarëve dhe i shërben demokratizimit të mëtejshëm të procesit zgjedhor dhe kjo është një premisë shtesë arsye që i mundëson PS një mandat të tretë qeverisës. Duhet thënë se PD nuk e ka dashur asnjëherë ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe aplikimin e listave të hapura. Sa herë shtrohej për diskutim problemi i ndryshimit të sistemit zgjedhor, përgjithësisht liderët politikë nuk janë deklaruar hapur, duke sjellë justifikime të ndryshme, duke mos llogaritur kështu dëshirën e elektoratit, i cili është ai që vendos fatin e pushtetit me votën e tij. Opozita dhe Lulzim Basha disa herë kanë deklaruar se “e keqja e zgjedhjeve nuk qëndron tek sistemi, por tek ndershmëria e votës”, se “nuk ka ardhur koha ende për ndryshim sistemi”, se “kryesorja është largimi i Edi Ramës kryeministër, që t’u hapet rruga zgjedhjeve të ndershme” etj. Realisht ndryshimi i sistemit zgjedhor nuk u pëlqen të dyja forcave kryesore politike, se po të ishte në favor të pushtetit të tyre, nuk do ta ndryshonin Kushtetutën në vitin 2008. Por sidomos opozita, e cila nuk ka fituar asnjë palë zgjedhje ndershmërisht, me përjashtim ato të marsit 1992, nuk e pranon praktikimin e listave të hapura për disa arsye. Opozita ka frikë të ballafaqohet në zgjedhje me konkurrencë të ndershme, ndaj dhe gjen preteks mbas preteksi, për të krijuar situata që të mos futet fare në to, siç bëri për zgjedhjet e pushtetit lokal më 30 qershor. Edhe pse opozita parlamentare, pothuajse e gjitha, është prononcuar hapur për ndryshimin e sistemit dhe listat e hapura, opozita jashtë Parlamentit e vërtit gjuhën nga të gjitha anët duke kërkuar “zgjedhje të lira e të ndershme”, duke u deklaruar me të madhe “për dekriminalizim të politikës e demonopolizim të listës së kandidaturave”, por ndryshimin e sistemit zgjedhor,që krijon hapësira për një demokraci funksionale, nuk e përmend fare. Po pse PD dhe liderët e tjerë opozitarë nuk i pranojnë listat e hapura? Së pari nëpërmjet listave të mbyllura ata kanë të sigurtë mbajtjen e pushtetit partiak nëpërmjet deputetëve të emëruar nga lideri i saj, siç bëri Lulzim Basha me listat shumëemërore të zgjedhjeve 2017, duke i hartuar sipas preferencës dhe oreksit të tij. Liderët e opozitës sonë janë mjaft të kënaqur me privilegjet e pushtetit partiak që kanë dhe pak janë të interesuar për rotacion pushteti. Një parti opozitare nuk mund ta luajë kurrë rolin e saj dhe nuk mund të jetë faktor në jetën politike të një vendi nëse nuk ka grupin e saj të deputetëve që të marrin vendime në unision të plotë sipas urdhërit të kryetarit të partisë. Një parti nuk e ka jetën të gjatë nëse i dalin deputetët kundër programit ose nuk përfaqësohet fare me deputetë në Parlament. Këtë e di mirë çdo kryetar partie, ndaj duke patur monopolin mbi lista shumëemërore, i sigurojnë vetes dhe klanit që i shërben vendin kryesor në këto lista. Kështu, jo vetëm që e mbajnë partinë nën kontroll, por edhe gjejnë burime të bollshme për t’u ushqyer financiarisht. Është e kuptueshme se me zullumet që kanë bërë liderët e opozitës sonë, nuk mund të votohen më nga elektorati nëse konkurrojnë me lista të hapura. Kurse nëpërmjet listave të mbyllura Berisha, Basha dhe liderët e partive të tjera të opozitës e kanë të sigurtë vendin në Parlament. Qenia kryetar partie dhe deputet, si dhe një numër deputetësh i siguruar në Parlament, krijon të gjitha hapësirat për privilegje dhe kjo i mjafton klanit uzurpues të një opozite. Kasta që sundon sot në PD, nuk vuan nga mungesa e pushtetit, përkundrazi aktualisht ka pushtet më tepër se sa i duhet, ka pushtetin që i jep drejtimi partiak, si dhe qenia e një grupi parlamentar me fuqi vendimmarrëse, pavarësisht se në minorancë, me qëndrim fasadë në shërbim të një demokracie funksionale. Deputet e opozitës, pavarësisht se ata kanë lënë mandatet, por sipas ligjit në fuqi, përfitojnë pagë si ish-deputetë, për një periudhë kohe të caktuar. Po thuajse deputetët dhe liderët e opozitës i kanë të gjithë të punësuar familjarët dhe të afërmit e tyre, madje edhe në vende të zgjedhura. Pjesën dërmuese të tenderimeve i marrin oligarkët e lidhur me PD dhe nëpërmjet tyre favorizohen një shumicë ithtarësh të PD dhe të partive të tjera opozitare. Së dyti duke patur monopolin e listave shumëemërore, që ua siguron sistemi proporcional me lista të mbyllura, klanet drejtuese të PD eliminojnë kundërshtarët e tyre politikë në strukturat bazë, pasi nuk kanë ç’u duhen votat dhe angazhimet e tyre, kur ata e kanë vendin të sigurtë në lista. Kandidati për deputet që e ka të sigurtë vendin në listë, përpiqet t’i shërbejë sa më mirë kryetarit dhe pak i interesojnë hallet dhe kërkesat e popullit. Një deputet pd-ist, në një takim me banorët e zonës që përfaqëson, duke mos u përballur dot me argumente dhe sinqerisht me kërkesat e tyre u shpreh: “Ore në fund të fundit, në do më votoni në do jo, unë deputet do të jem, se e kam të garantuar vendin në listë”. Së treti frika ndaj listave të hapura e ka detyruar PD dhe gjithë opozitën të heqë dorë nga zgjedhje të parakohshme. Ka kohë që opozita desh i vuri zjarrin Shqipërisë se donte zgjedhje të parakohshme, tani nuk ndjehet më. Përse? Si i gëlltiti të gjitha ato që volli që sapo PS nisi mandatin e dytë. Miratimi dhe aplikimi i një sistemi zgjedhor me lista të hapura është një domosdoshmëri. Ai në radhë të parë krijon një frymëmarrje më të gjerë për demokracinë, duke i krijuar mundësinë secilit zgjedhës, të vendosë me votën e tij të lirë kandidatin që e përfaqëson denjësisht në Parlament. Të aplikosh listat e hapura do të thotë të t’u krijosh mundësinë njohëse dhe përzgjedhëse të kandidaturave gjithë elektoratit dhe strukturave partiake nga baza në qendër. Listat e hapura jo vetëm krijojnë mundësinë e zgjedhjes së atyre burrave dhe grave që i përfaqësojnë denjësisht në Parlament, por eliminon edhe rreshtimin e kryetarëve të partive fantazma në listat proporcionale të partive të mëdha. Lidhur me këtë është efektiv edhe heqja e koalicioneve parazgjedhore. Duke dalë secila parti me lista të hapura, çdo kandidaturë e propozuar për deputet, do ta masë mirë veten, duke shpalosur programin e saj, alternativën e saj bindëse dhe jo të përfitojë mandatin duke u futur në sqetullën e një partie të madhe. Meqë do të ndërhyhet në Kushtetutë, kam mendimin që të ndalohet me ligj, kalimi i deputetit nga një parti në tjetrën. Një deputet që krijon pakënaqësi me partinë e tij, duhet të heqë dorë nga mandati, ashtu siç heq dorë nga partia në emër të së cilës ka kandiduar. Kjo do ta rrisë më shumë autoritetin dhe besimin e partisë në elektoratin që përfaqëson. Sistemi proporcional aktual, nuk do na çojë aty ku dëshironim dhe i ngushtoi deri diku hapësirat e demokracisë. Ta provojmë një herë me lista të hapura se ndoshta do të kemi jo vetëm sukses në zhvillimin e vendit, por edhe stabilitet politik.