Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Përdhunuesit e vërtetë janë mëkatarët tanë politikë

Postuar: 10/02/2019 - 07:44

 Prej kohësh çdo rast që ndodh në sulmin ndaj një vajze të mitur qoftë edhe madhore në çdo cep të Shqipërisë, të parët që e shndërrojnë në kauzë këtë fatkeqësi janë politikanët tanë. Në pritje dhe kërkim si me qiri të rasteve të tilla, ata ndjehen bosh nëse një ditë e mbyllin pa bërë publike një skandal, i cili në thelb është i dënueshëm nga tërë opinioni ynë shoqëror, pasi bie ndesh me moralin shqiptar dhe është njëherësh dhimbje që të prek thellë në shpirt. Sapo dëgjon ngjarje të tilla të rënda dhe mëson për një përdhunim apo ngacmim të një nxënëseje shkolle, të një qytetareje, të një punonjëseje, aq më tepër kur bëhet fjalë për një të mitur, e para gjë që të shkon në mendje është fëmija yt. Është ajo nxënësja që shikon përditë me çantën e librave në krah, ende fëmijë, që ka mijëra ëndrra për të ardhmen. Është ajo vajza që është bërë rob i facebook-ut. Emisioneve të pakontrolluara nëpër rrjetet sociale. Portalet pa dryn. Filmat pa pullë mbushur me degjenerim. Imitimet e ekraneve që propagandojnë seks dhe erotizëm pa fund. Kujton vitet e tua të rinisë në shkollë e në aksione, në punë e në zyra dhe të vjen shumë keq për atë që ndodh sot para syve tanë.

Të rinjtë e viteve të shkuara i shikonin shoqet e tyre të klasës si të paprekshme dhe nuk u shkonte ndërmend as t’u thonin një fjalë të vetme provokuese, përkundrazi i merrnin në mbrojtje para të gjithëve, edhe kur dikush jashtë shkolle guxonte t’i fyente apo t’i joshte. Kur dëgjon histori të tilla të viteve të shkuara, një adoleshent me smartphone “X” në duar, tërë ditën mbi tastierë si të luante piano të përqesh, të nxjerr gjuhën dhe të tregon me gisht si të jesh një parahistorik a ufo i pagdhendur, një demode, njeri që nuk ke jetuar rininë. Një i humbur i zbritur nga malet, çoban dhishë që nuk ke njohur asgjë nga jeta. Një mumie që meriton vetëm përqeshje dhe nuk të marrin seriozisht. Dikush e lidh këtë me faktin e jetesës në sistemin diktatorial. Një tjetër me mungesën e zhvillimit dhe prapambetje në intelekt. Të gjithë japin nga një argument, secili në këndvështrimin e vet, duke mos të marrë seriozisht. Ata përballë e vlerësojnë veten modernë, njerëz të kohës, që thyejnë etapat dhe e shijojnë jetën shumë herët.

Edhe nëse ndodhnin raste të tilla në vitet e shkuara, trajtoheshin me shumë kujdes. Shoqëria kishte një barrë të madhe mbi supe për të mos lejuar ngjarje të tilla të dhimbshme dhe kjo nuk mbetej kurrë vetëm detyrë e policisë. Përballë rasteve të tilla, polici, ishte e gjithë shoqëria dhe askujt nuk ia mbante të përfitonte pa le më të abuzonte. Nuk ka qenë vetëm frika nga sistemi. As dënimet shembullore që jepeshin nga organet e drejtësisë. Ishte së pari një normë morale, e cila zbatohej nga të gjithë. Me këtë nuk kuptojmë dashurinë dhe njohjet se kjo nuk ishte mollë e ndaluar. Dashuria është pjesë e jetës dhe ka lindur bashkë me njeriun. Po shoqja e klasës, e punës, e auditoreve, ishte nën mbrojtjen e të gjithëve. Për të mos u ndalur te vlerësimi në të kaluarën as për të thënë se ajo kohë ishte më e moralshme se e sotmja, apo të marrim përsipër të evidentojmë si një vlerë ekskluzive trajtimin e femrës, edhe pse një e vërtetë, sot situatat kanë ndryshuar shumë. Po në realitet për keq. Shoqëria jonë nuk e ka gjetur dot mekanizmin si t’i parandalojë të tilla ngjarje, të cilat janë shpeshtuar kohët e fundit. Po ajo që vihet re sot është loja e shëmtuar që bëhet me ngjarje të tilla të dhimbshme. Tek e fundit, në rast se ndodh diku që një i ri arrin e vret të dashurën, e keqtrajton dhe është gati t’i bëjë gjëmën, vetëm se ajo nuk dëshiron ta ndjekë dhe kërkon të shkëpusi një lidhje, siç ka ngjarë në jo pak raste që kanë përfunduar në vrasje e marrje jete, ky është një problem serioz para tërë shoqërisë tonë. Kur një i ri i bën presion mikeshës së tij dhe e kërcënon me publikim videosh dhe fotosh, dhe më keq akoma kur e mashtron partneren apo të njohurën për ta shfrytëzuar brenda dhe jashtë vendit për të fituar një grusht para, me fjalë të tjera kur dikush bën tutorin e pashpirt dhe bëhet milioner me nderin e një vajze, bashkëkombëse të tij në shtete të ndryshme të Europës, atëherë këto raste meritojnë ndëshkim shembullor jo vetëm nga shoqëria, po së pari nga drejtësia. Dhe kjo është detyrë e organeve ligjzbatuese, e prokurorëve dhe gjykatave. Po së pari është edhe e shoqërisë, jo në kuptimin e publikimit e demaskimit të qëndrimeve të tilla, po ndërgjegjësimit të familjeve dhe grupeve shoqërore për t’i ndërprerë rrugën rasteve të tilla, të cilat nuk janë një pak që prekin një femër apo një familje po tërë shoqërinë. Dhe është shoqëria, ajo që duhet t’i dalë ballazi mbrojtjes së femrës dhe dënimit të çdo individi që kryen akte të tilla të dënueshme. Po kjo nuk arrihet duke vënë tellallin. Me zhurmues e ultimatume. Me mikrofona e megafona, duke numëruar deri në detaje një ngjarje me emra e mbiemra se cila është e dëmtuara, apo kush janë familjarët e saj. Këto janë probleme që kanë ndjeshmëri të theksuar dhe nëse nuk trajtohen me kujdes, në vend që të vësh vetulla i nxjerr edhe sytë.

Po nëse opinioni i gjerë është jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj qëndrimeve të tilla, është politika që luan me fatkeqësinë e çdo femre që i del përpara. Sapo ndodh një rast i tillë, liderët e politikës e bëjnë kryelajm. Podiumet e partive buçasin. Sallat gumëzhijnë. Shtypi e bën copë një femër dhe e denigron tërësisht vetëm që të demaskojë policinë e drejtësinë. Nuk është fjala këtu të numërojmë shumë raste. Mjafton të kujtojmë Xhisielën e disa muajve më parë, ku ndaj saj u thur një legjendë e tërë urbane që e ngriti në qiell dhe e zbriti në tokë. E bëri leckë këtë vajzë. Politika e shqeu atë, jo për ta ndihmuar, po për të përfituar. Të gjithë kujtojmë zhurmën pafund. Lakimet. Implikimet e politikanëve, deklaratat e liderëve të politikës. E kemi në vesh zërin e ngjirur të Berishës e Bashës. Dhe në përfundim vajza e dhunuar më shumë u copëtua nga politika se nga i dashuri i saj. Aq shumë u shtrydh ai rast, sa u bë i bezdisur dhe i urryer. Dhe nuk mbeti individ nga politika që nuk u mor me këtë rast. Nuk mbeti asnjë televizion pa numëruar detajet, si ndodh, kur, kush, cili ishte përgjegjësi? Si u mbrojt dhunuesi nga deputetët e PS, si iu bë presion policisë për të mbyllur gojën dhe një gjullurdi pa fillim e fund u shndërrua në një ortek i zi e mijëra akuza që nuk lanë askënd pa e përfshirë në këtë ngjarje. Sapo zuri pak pluhur ajo ngjarje, një tjetër rast i freskët i doli para liderëve të politikës. Një pre e njomë për ta shqyer. Fatkeqësisht në sulmet e paprecedenta të opozitës nuk mbeti askush nga politikanët të mos niste një betejë të paskrupullt, jo në mbrojtje të një vajze të re, të mitur, një nxënëseje të shkollës 9 vjeçare në Kavajë, po target i sulmit u bënë qeveritarët, deputetët, ministri i Brendshëm u qëllua me të gjitha bataretë sepse sipas Berishës, ai fshehu ngjarjen e rëndë. Sipas tij nuk ishin djemtë e Kavajës që kryen këtë akt të rëndë, po kryeministri, Lleshaj, Gjonaj dhe tërë qeveria, të cilët u vendosën sipas tyre në krah të përdhunuesit. Pa as më të voglën brerje ndërgjegje, Sali Berisha nga podiumi i sallës së Kuvendit të Shqipërisë deklaroi fshehjen sipas tij të krimit të Kavajës. Dhe për këtë nuk la epitet pa përdorur kundër Lleshajt e Ramës. Për atë si për çdo rast nuk ka rëndësi, ku ndodhi dhe pse. Atij i intereson të demaskoj kundërshtarët dhe të nxjerrë përfitime nga një ngjarje e rëndë, natyrisht e dënueshme siç ishte ajo e përdhunimit nga adoleshentët e shkollës së Kavajës. Si të mos mjaftonte doktori, të njejtën gjuhë përdori edhe bashkëkryetari i PD, Lulzim Basha. Edhe pse e njihte shumë mirë tërë dinamikën e kësaj ngjarjeje, ai si gjithnjë iu referua, jo fakteve, po qëllimit të tij për të demaskuar shtetin dhe veçanërisht policinë. Edhe pse është e njohur që policia e shtetit ka kryer tërë veprimet konform ligjit në kohë ekzakte dhe ka ruajtur edhe dinjitetin e vajzës së abuzuar për vetë moshën e mitur në zbatim të ligjit dhe etikës edhe pse dokumentat ishin kopsitur nga organet e policisë dhe drejtësisë, Basha e trajtoi rastin sikur tërë shteti ishte vendosur në anën e përdhunuesve. Ai bëri në realitet apologjinë e krimit dhe kapërceu çdo cak kriminal. Nga debatet e zjarrta, gjoja në emër të mbrojtjes së dinjitetit të një vajze të re të dhunuar nga bashkëmoshatarët e saj, si Berisha edhe Basha e shndërruan këtë histori në një ngjarje horror. Dhe në realitet, më shumë vajza kavajase u dëmtua nga folësit në parlament se sa vetë përdhunuesit. Të paktën nuk qëndruan as në nivelin e liderëve kosovarë, ku përdhunuesit ishin nëpunës të shtetit. Një ndryshim i madh apo jo?

Dalja në dritë e ngjarjes, e zbardhur nga policia dhe njohja e tërë veprimeve të kryera nga organet e policisë e drejtësisë e nxorën tërësisht të zbuluar, jo vetëm politikën e mbrapshtë po edhe vetë një pjesë të shtypit që abuzoi me këtë rast. Për të gjithë tanimë është e njohur sa jo seriozë janë liderët e opozitës për të përfituar pak kredo politike mbi dhimbjen e familjes dhe fatkeqësinë e një vajze të vogël, e cila më së paku duhet lënë në hallin e vet dhe duhet mbrojtur për të ruajtur jetën dhe siguruar të ardhmen. E bënë copë këtë vajzë fatkeqe më shumë se shokët e saj, korifejtë e politikës. Kush dëgjoi rrëfimin e babait të vajzës, kavajasit të mirë, i cili kishte ndërprerë të gjitha kanalet e komunikimit me botën e jashtme e kupton sa thellë janë zhytur mëkatarët politikë në krim ndaj kësaj vaze të mitur! E dëmtuan më shumë Basha dhe Berisha këta mëkatarë dhe ndonjë media e nxituar, se sa vetë grupi i adoleshentëve. Mjafton të fitojë Berisha dhe të bëjë rrëmujën Basha, pa punë e madhe për atë vajzë ende e parritur në Kavajë. Loja me sensacionin. Brohoritja me fatkeqësinë e të tjerëve. Përfitimi nga llafazanëria. Deklaratat pa fund e pa sens, edhe pse bëhet fjalë për një vajzë të re, e cila duhet të merret në mbrojtje së paku duke heshtur politika, është përdhunimi i vërtetë që i është bërë një vajze në qytetin e vogël buzë rrugës. Po ku kanë mëshirë politikanët tanë! Ata dinë të bëjnë vetëm sulme. Të përgojojnë tërë dynjanë. Të hedhin baltë mbi gjithë organet e shtetit. Së pari mbi policinë. Dhe guxojnë të bëjnë flamurtarin Berisha dhe Basha, të cilët kërcënojnë Lleshajn dhe e akuzojnë për krim shtetëror atë që sapo ka hyrë në politikë dhe nuk ka asgjë të ngjashme me ustallarët që prej vitesh kanë ngjyer, jo vetëm duart po edhe trupin me gjak. Një ish ministër i Brendshëm si Basha dhe ish kryeministri Berisha, guxojnë të bëjnë paralelizma me krimin, duke bërë të pastrin dhe sulmuar kundërshtarët, të cilët nuk kanë asnjë rast në CV-në e tyre nga bëmat e liderëve të opozitës. Përgojimi i tërë politikës dhe beteja për të paraqitur situatën sikur të jetë fryt i mungesës së punës dhe kriminalizimit nga ana e qeverisë si dhe përpjekja për të thënë se qeveria fsheh krimin nuk i ka shtuar asgjë politikanëve tanë. As makthit për 16 shkurtin. Në popull sot është i fortë mendimi se këta që bërtasin dhe ulërasin, vetëm sa marrin mbi supe të tjera zullume që i kanë shoqëruar gjatë tërë jetës së tyre në krye të politikës shqiptare. Pasi dëgjon këta gojëshqyer e të ligj, politikanë të llafeve dhe shpifjeve, njerëz që janë mësuar vetëm të akuzojnë e nxijnë gjithçka, pasi sheh si këta trima që na kanë caktuar fundin e jetës dhe na kanë vënë kufij kohorë deri sa do jemi mbi këtë tokë, kur shikon ngrefosjet që marrin dhe pozat që bëjnë, fjalët që thonë dhe gjestet që shfaqin me të drejt thua: Përdhunës të vërtetë, jo vetëm të një vajze të re, po të gjithëve ne nuk janë adoleshentët e Kavajës edhe pse veprimet e tyre janë të dënueshme, po këta përdhunuesit “adoleshentë” mëkatarë e arrogantë të politikës. Këta po, janë përdhunuesit e shoqërisë dhe vetë Shqipërisë.

Nga Bardhyl BEJKO 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/07/2019 - 07:36

Sot nuk ka heronj, sot ka pehlivanë !

Postuar: 20/07/2019 - 07:35

Të duash folkun e vendit tënd, nuk është vetëm dashuri për këngën dhe vallen popullore, por edhe

Postuar: 20/07/2019 - 07:31

PD u largohet zgjedhjeve çdo ditë e më shumë.

Postuar: 20/07/2019 - 07:24

Qeveria ka ndër duar një projektligj për të krijuar Agjencinë Shtetërore të Rezervave Strategjike

Postuar: 19/07/2019 - 08:58

Sistemi bankar në Shqipëri është në ditën e vet më të zezë, duke u kthyer në institucion jokredib

Postuar: 19/07/2019 - 07:12

Sigurisht që shumë janë me "parullën" se "politika është arti kompromisit" dh

Postuar: 19/07/2019 - 07:09

Sot ne shqiptarët edhe pse jetojmë në mjerim e skamje e shohim qartë se, ky vendi ynë është kthye