BREAKING NEWS

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i fortë i SHBA-së, ja çfarë pritet të ndodhë në vijim

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i
x

Opinion / Editorial

Përfaqësimi politik i të rinjve, i vetmi opsion për t'u çliruar nga politika narrative

Përfaqësimi politik i të rinjve, i vetmi opsion për t'u

Përderisa demokracia në Shqipëri, është kthyer në metaforë nga politika narrative e pamaturuar, kthesat për të bërë përpara po bëhen të pamundura. Jemi marrë dhe po mbahemi peng nga identitete të deformuara të politikës, që tregohen jo vetëm të pamaturuara, por edhe të djallëzuara. Këto tabloide i konfirmojnë më së miri, grotesku i qëndrimeve kontroverse të politikanëve të hardallosur, që mendimin zyrtar të darkës e tjetërsojnë dhe e ndryshojnë të nesërmen. Kjo praktikë që nuk është e re për pluralizmin politik në Shqipëri, vazhdon me të njëjtin stil, duke ushqyer hakmarrjen politike, frikën dhe pasigurinë për të ardhmen, duke mbetur robër të pezmit të djeshëm që po na ndjek hapa pas hapi. Në vend që të dëgjojmë mendimin racional e progresiv të diplomacisë ndërkombëtare, e cila po lëviz për të na ndërgjegjësuar dhe bindur që t'u përkushtohemi dhe t'u japim hapësirë vendimeve politike që vetë i kemi miratuar, vazhdojmë të kërcejmë tango argjentinase. Mungesa e kohabitacionit që ka demonstruar dhe vazhdon të modelojë kjo politikë e papërgjegjshme, shtron nevojën e reformimit të domosdoshëm të saj, larg doktrinave fatale për shoqërinë tonë si ajo e berishizmit, metizmit e ramaizmit. Këtë domosdoshmëri e kërkon vetë situata e disfavorshme për aspiratat e shqiptarëve të hedhur në koshin e plehrave nga kjo politikë. Kjo politikë nuk ka qënë kurrë në sinkron me aspiratat e tyre, por e lidhur me interesat dhe marketingun e pazareve për t'i shpëtuar ndëshkimit për marrëzitë e shumta të tyre në këto 30 vjet. Jo vetëm qytetarët e këtij vendi, por edhe ndërkombëtarët, mendojnë se tango e fundit që po kërcen kjo politikë e papërgjegjshme, duhet të jetë prologu përmbyllës me turp i veprimtarisë së saj. E themi këtë sepse në momentet kulmore të çdo marrëveshje të vështirë, ajo luan të gjithë gurët për të nxjerrë yçkla, duke futur në ngërç gjithçka që është arritur me aq mund. Proceset integruese nuk mund të bëjnë përpara, pa menaxhim operacional, ashtu siç na mësojnë manualet e demokracive të zhvilluara. Këto procese nuk mund të arrihen, pa konsensus, pa tolerancë, pa lëshime nga njëra palë duke lënë hapësirë për problemet madhore, që lidhen me interesat kombëtare. Ato nuk mund të arrihen me përralla profetike, që tregon presidenti nga një rol në tjetrin, duke e kthyer institucionin qendror të shtetit në një portal tallava. Por detyrimet ndaj proceseve nuk mund të arrihen, as me tullumbacet e Bashës, por as edhe me kërcimet nga një degë në tjetrën e Ramës, i cili na del në mes të rrugës dhe kërkon ndryshime kushtetuese. Por më keq akoma janë profecitë e gjysmës jashtë Parlamentit, ish-ët dhe ish-et, që lëshojnë "bomba" tymuese, duke mbjellë kaos në shoqërinë shqiptare, megjithëse janë jashtë përgjegjësive politike. E megjithatë këto "bomba" bëhen subjekte diskutimesh pa fund nëpër emisione të ndryshme, që nuk kanë asnjë vlerë pozitive. Me të drejtë qytetarët pyesin, a i janë drejtuar ndonjëherë vetes këta pronarë të politikave okulte, që kanë dominuar çdo proces ndryshimi e reformimi? Ku janë aksiomat për një përfaqësim të ri politik, duke korrigjuar dhe korrektuar qëndrimet e gabuara në dëm të interesave kombëtare? Përse kjo politikë nuk u hap rrugën, përfaqësuesve të rinj brenda dhe jashtë saj, si garanci e të nesërmes? Përse të keqen nuk e kërkojmë tek faktorët e brendshëm, por e hedhim degë më degë? Përse në forumet e partive dëgjohet vetëm këmbana e liderit, ndërsa përfaqësuesit e strukturave ndërtuese mbeten gojë mbyllur?A e dinë liderët e partive se prezenca dhe demagogjia populiste e tyre, nuk ka efekte mobilizuese dhe kurajuese për të bërë përpara? A e dinë këta liderë të politikës, se rinovimi i saj, i bën mirë qeverisjes, largon mediokritetin dhe paaftësinë, duke ofruar vizionarë për strategjinë e së ardhmes? Përse duhet të ofrojmë dhe ushqejmë pasionet e atyre figurave që nuk i sollën asgjë të re demokracisë? Përse bëjmë histori morali, se po bëjmë reforma dhe nga ana tjetër i kundërshtojmë dhe nuk i respektojmë ato? Përse zvarritet formatimi i dy gjykatave themelore të shtetit, siç është Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë për dënglat e ndonjë juristi, si Vitore Tusha e të tjerë si ajo, që megjithëse nuk kanë shkruar histori suksesi, vazhdojnë të bëjnë profetin në drejtësi? Kështu vazhdojmë të promovojmë shembullin më të keq, në shfaqjen e kultit të inkompetencës, pa u thelluar dhe bërë apel ndërgjegjes politike, se koha nuk pret. Kjo politikë, duhet ta dijë mirë se përpara saj qëndron konferenca e BE për Shqipërinë, e cila kërkon seriozitet në përmbushjen e detyrave për hapjen e dritës jeshile, ose mbetemi si gjithnjë në semafor të kuq. Me këtë filozofi populiste, që karakterizohen liderët e partive, jo vetëm që kanë zbritur në shkallën e patologjizmit, por kërkojnë të plazmojnë gjithçka edhe kur qytetarët reagojnë për qëndrimet e padrejta të tyre. Por këta protektorë të së keqes, nuk mund të heqin dorë vullnetarisht nga kjo filozofi deformimesh pa fund, nëse erozioni i përfaqësuesve të rinj në politikë, nuk i zbret nga froni për t'u treguar vendin që meritojnë. Gjykimet dhe qëndrimet e kësaj politike, po na lënë në klasë sa herë që diplomacia ndërkombëtare, kërkon dakordësi e korrektësi për gjithçka që vetë e kanë gatuar e miratuar. Nëse ulemi lexojmë e analizojmë marrëzitë e lëna pas, do të na vijë turp për gjithçka që me dashje nuk e kemi bërë, për hir të demokracisë dhe vlerave të saj. Të gjitha praktikat e gabuara të të gjitha institucioneve pa përjashtim, mbajnë vulën e papërgjegjshmërisë politike, që po ushqen frontin anti-reformë e anti-integrim, gjë që ky popull nuk do t'ua falë. Në vend që të mbajnë përgjegjësi për mos realizmin e standardeve dhe detyrave të vëna nga institucionet e BE, shpërthejnë në akuza e kundërakuza, për të gjetur fajtorët jashtë juridiksionit të tyre. Kështu këta profetë të politikës narrative, e kanë dramatizuar aq shumë gjendjen aktuale, ku brenda tyre qëndrojnë dy fatkeqësitë e padëshiruara për qytetarët tanë, siç është fatkeqësia natyrore dhe pandemia. Me këto qëndrime dhe lëvizje të pajustifikuara, duke e dramatizuar edhe më shumë gjendjen aktuale, është humbur mjaft kohë dhe energji për të bërë përpara, për hir të shoqërisë shqiptare, por jo për politikën. E sotmja nuk mund të pajtohet me këtë dramacitet, që na përafrojnë me dështimet e së djeshmes, kur autoritarizmi u bë morali i demokracisë me moton: "Unë shkel syrin, t'i bëj lojën". Këto figura në krye të shtetit dhe partive, janë në krizë identiteti dhe morali, ato nuk garantojnë vizion në dobi të së ardhmes, por nëpërmjet gënjeshtrës anatemojnë dhe i largohen të vërtetës për të zgjatur mbijetesën e tyre në politikë. Ky potencial që ka për protagonistë këto figura, është bërë afeksion moralizues për 30 vjet demokraci. Pavarësisht proceseve reformuese të institucioneve, nuk kemi mundur të largohemi nga amoraliteti i praktikave anti-demokratike. Kjo për vetë faktin e mungesës dhe ndërtimit të strategjive për menaxhim operacional, në çdo fushë të jetës politike, ekonomike dhe sociale. Një nga faktorët më negativë që nuk ka funksionuar, është bashkëpunimi në institucionet e tjera jashtë politikës, si OJQ, institucionet shkencore, që kanë mbetur në pozitat e informalitetit, duke mos sjellë asgjë të re në proceset e zhvillimeve demokratike. Por ajo që merr përparësi është rinovimi i jetës politike, me afrimin dhe përfaqësimin e të rinjve, si shpëtim për të sotmen dhe garanci për të nesërmen e qytetarëve dhe vlerave të demokracisë. Që pezmi i të djeshmes të mos na ndjekë hap pas hapi, le të investojmë e ndërtojmë të mirën, për të mos mbetur peng të politikave narrative.