BREAKING NEWS

“Ka njerëz më të mençur se presidenti i republikës”, Frrok Çupi del sërish me deklaratën e fortë: Në Shqipëri fundërrinat...

“Ka njerëz më të mençur se presidenti i
x

Opinion / Editorial

Performanca e çerdheve dhe kopshteve në fokusin e KLSH

Performanca e çerdheve dhe kopshteve në fokusin e KLSH

Duke marrë parasysh impaktin madhor që ka në shoqërinë shqiptare zhvillimi dhe mirë rritja e brezave të ardhshëm dhe rëndësinë e institucioneve përgjegjëse në edukimin, aftësimin dhe përgatitjen e tyre, është e rëndësishme të nxitet zhvillimi i një shërbimi parashkollor efektiv. Për të vlerësuar efektivitetin e punës së bërë në këtë drejtim, Departamenti i Auditimit të Performancës realizoi auditimin me temë “Performanca e Kopshteve dhe Çerdheve”, i cili u finalizua nëpërmjet gjetjeve dhe rekomandimeve me Vendim të Kryetarit të KLSH nr. 178, datë 31.12.2019, ku në mënyrë të përmbledhur u konkludua se bashkitë Tiranë dhe Vlorë nuk kanë arritur të garantojnë një shërbim efektiv në kopshte dhe çerdhe. Pothuaj të gjithë elementët që garantojnë mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijëve janë jashtë standardeve, duke filluar që nga mungesa e hapësirave të përshtatshme, mbi popullimi tej kapaciteteve, raporti i cënuar edukator/fëmijë, kushtet higjieno-sanitare, inekzistenca e shërbimit të mjekut dhe psikologut me përjashtim të çerdheve të Tiranës, etj. Konkretisht, ky auditim u konceptua ta vlerësojë performancën e shërbimit në kopshte dhe çerdhe në dy drejtime, atë të mbështetjes nga kuadri rregullator dhe atë të plotësimit të objektivave konkrete në ofrimin e një shërbimi të tillë. Sa i takon drejtimit të parë, vlerësim i cili lidhet me plotësinë dhe qartësinë e të gjithë akteve ligjore e normative në fuqi, apo nivelit të prioritetit që i është dhënë këtij shërbimi në qytete e marra në shqyrtim Tiranë dhe Vlorë me objektiva strategjike konkrete, në mënyrë të përmbledhur rezultoi se asnjë nga bashkitë nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur këtij shërbimi kaq të rëndësishëm, duke mos e konsideruar zhvillimin e këtij shërbimi si një prioritet strategjik dhe duke mos e mbështetur atë në objektiva afatgjata të mirë përcaktuara. Strategjia e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Bashkisë Tiranë 2018-2022, si instrumenti i vetëm dhe më i lartë i planifikimit strategjik në nivel vendor, identifikon vetëm një objektiv strategjik sa i përket çerdheve dhe kopshteve dhe që lidhet me sigurimin e infrastrukturës. Ky objektiv përkthehet në një plan pune të ndarë në ndërtimin e 8 çerdheve dhe 7 kopshteve të reja nëpërmjet PPP, si dhe në ndërhyrjet e nevojshme infrastrukturore në 2 çerdhe dhe 11 kopshte ekzistuese deri në vitin 2020 (Strategjia e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Bashkisë Tiranë 2018-2022, Tabela nr. 30). Në këtë dokument nuk identifikohet asnjë prioritet tjetër strategjik që lidhet me të gjithë gamën e shërbimeve që ofrohet nga bashkia apo QEZHEF, qoftë kjo në logjistikë, shëndetësi, ushqim, etj. Krahas kësaj, evidentohet se nuk ka një kuadër ligjor e rregullator të posaçëm që orienton dhe përcakton ofrimin e të gjithë shërbimit në çerdhe dhe kopshte, që nga përcaktimi i organeve administruese, e në vazhdim me ato pjesëmarrëse në këtë proces, si dhe ato monitoruese. Në këtë kontekst, më shqetësuese paraqitet gjendja në Bashkinë Vlorë. Mangësia kryesore që vihet re në këtë institucion, buron që nga forma e organizimit dhe rëndësia që i është kushtuar këtij shërbimi, pasi çerdhet dhe kopshtet në këtë qytet administrohen nga dy drejtori të cilat nuk kanë asnjë lidhje me këtë çështje, por që krahas detyrimeve dhe përgjegjësive prioritare që ato kanë, mbulojnë edhe shërbimin në kopshte dhe çerdhe. Një pjesë e standardeve që aplikohen në fushën e menaxhimit të kopshteve dhe çerdheve janë shumë të hershëm dhe hartimi i tyre është mbështetur në një kuadër rregullator dhe struktura të cilat kanë ndryshuar ndër vite, e megjithatë këto dokumente ende nuk janë shfuqizuar ose përditësuar. Nuk ka koherencë në dizenjimin e standardeve apo rregulloreve të nevojshme, pasi hartimi i tyre bëhet me iniciativa individuale të institucioneve të ndryshme sipas fushës së tyre të përgjegjësisë duke shkaktuar mbivendosje, përsëritje apo edhe kontradikta në përmbajtjen e tyre. Sa i takon transparencës së detyrimeve dhe përgjegjësive të institucioneve përgjegjëse për këtë shërbim, rezulton se kryesisht në Tiranë, gjatë vitit shkollor prindërit përballen me “kosto të fshehura” për pjesën më të madhe të nevojave që ka një shërbim i tillë si ujë, lodra, mjete didaktike, pajisje dhe orendi të tjera si lavatriçe, frigoriferë, soba ngrohje apo riparimi i tyre, arredime të ndryshme, etj. Në të dy bashkitë e marra në studim, Vendimet e Këshillit Bashkiak për tarifat nuk shoqërohen me asnjë studim apo përllogaritje të kostove apo elementëve të marra në konsideratë për arritjen në këtë tarifë përfundimtare, por specifikohet vetëm që kjo tarifë mbulon ushqimin gjatë qëndrimit në kopshte/çerdhe, me nënkuptimin se të gjitha nevojat e tjera do të garantohen nga bashkia. Sa i takon drejtimit të dytë, atë të garantimit të një shërbimi sa më optimal gjatë qëndrimit në kopshte dhe çerdhe, grupi i auditimit ka marrë në shqyrtim çështjen e ushqimit në këto institucione që nga pranimi i këtyre artikujve e deri në servirjen e tyre tek fëmijët, shërbimin shëndetësor dhe higjieno-sanitar të ofruar në këto institucione, si dhe garantimin e hapësirave dhe kapaciteteve fizike sipas standardeve në fuqi. Produktet ushqimore të menusë së ofruar, nuk janë plotësisht në përputhje me shijet e fëmijëve dhe mos konsumimi i disa prej artikujve ushqimorë në raste të përsëritura, nuk është marrë në analizë nga institucionet përgjegjëse për modifikime të nevojshme. Megjithëse kushtet higjieno-sanitare paraqiten pozitive, ka ende raste sporadike të cilat kanë nevojë për përmirësim, të tilla si zëvendësimi apo personalizimi i produkteve të higjienës personale, apo dhe nevoja për investime në ambiente dhe orendi. Shërbimi shëndetësor dhe ai psiko-social nuk janë aspak në nivelin e duhur dhe kanë nevojë për rikonceptim të mëtejshëm. Me përjashtim të çerdheve të Tiranës, ky shërbim është ende në nivele formale dhe nuk garanton rezultatet për të cilat funksionon. Ndërkohë në Bashkinë Vlorë, konstatohet një shërbim mjekësor dhe psiko-social inekzistent si pasojë e mungesës së strukturave të posaçme përgjegjëse për administrimin e kopshteve dhe çerdheve pranë kësaj bashkie, si dhe mungesa e bashkëpunimit dhe koordinimit mes bashkisë, DAR rajonal dhe OSHV Vlorë. Aspekti tjetër i marrë në shqyrtim gjatë këtij auditimi lidhet me garantimin e ambienteve të përshtatshme dhe hapësirave fizike të nevojshme sipas standardeve të miratuara, nga ku rezultoi se çështja e mbipopullimit të kopshteve dhe çerdheve është një problem shumë shqetësues, i cili po trashëgohet vit pas viti dhe ende nuk po merret në shqyrtim me seriozitet për t’i dhënë një zgjidhje. Përmirësime të dukshme hasen vetëm sa i takon rikonstruksioneve të këtyre godinave në Tiranë, ndërkohë që gjenda e tyre në Bashkinë Vlorë është e mjerueshme. Godinat në këtë qytet ndodhen në territore ku vështirësia për akses të fëmijëve është e pazakontë, ku megjithë vështirësitë e kushteve aspak të përshtatshme, si lagështi e theksuar, pellgje uji në hyrje, shkallë hekuri të improvizuara në anën e jashtme të ndërtesës, vendndodhja e çerdhes në rrugicë dhe me trotuare që vështirëson kalimin e karrocave, fëmijët duhet të ndajnë ambientet e godinës pronë të bashkisë me institucione të tjera jashtë fokusit të shërbimit parashkollor. Në të dyja qytetet, u vu re gjithashtu prania e portativëve për vaktin e gjumit, të cilat përbëjnë një shqetësim madhor për shëndetin fizik të fëmijës. Theksojmë në këtë rast se fjetja në kushte të papërshtatshme dhe dëmet në formimin fizik gjatë kësaj moshe janë të pariparueshme. Në një kohë kur vendet që ne synojmë të kemi shembull i kanë përqendruar tashmë përpjekjet vetëm drejt përsosjes së teknikave edukuese dhe zhvilluese të fëmijës, vendi ynë ende nuk ju siguron dot kushtet elementare të nevojshme për qëndrimin në një institucion “përgjegjës për të ardhmen”. Duke i kushtuar vëmendjen e duhur mirërritjes dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve, theksi duhet vënë te një shërbim parashkollor efektiv që promovon mirëqenien fizike, emocionale dhe sociale të fëmijës. Kujdesi për fëmijërinë e hershme është faktori thelbësor që siguron shëndetin fizik e mendor, si dhe edukimin e zhvillimin e përgjithshëm të tyre.

*Audituese në Departamentin e Auditimit të Performancës