BREAKING NEWS

Sa do bjerë ekonomia pas krizës së COVID-19? Rama i befason të gjithë me përgjigjen e tij

Sa do bjerë ekonomia pas krizës së COVID-19? Rama i befason
x

Opinion / Editorial

Përgatitja dhe stërvitja e luftëtarëve të UÇK-së

Përgatitja dhe stërvitja e luftëtarëve të

Në ndihmë të djemve të Kosovës

Shpërthimi i luftës në ish-Jugosllavi edhe pse ishte e pritshme, si kohë nuk ishte i paparashikuar nga politika zyrtare e Shqipërisë moniste. Por shpërbërja dhe lufta në ish-Jugosllavi ndodhën njëkohësisht me rënien e sistemit socialist në Shqipëri. Rënia e sistemit në Shqipëri u shoqërua me tronditje e dëme të mëdha, me djegie e shkatërrime barbare dhe eksode masive. Fuqia e shtetit shqiptar po shteronte, rinia që përbënte forcën e ushtrisë po braktiste atdheun. Kështu në kohën kur ne duhej të ishim më të fuqishëm se kurrë për t’i dhënë Kosovës ndihmën konkrete maksimale, u gjendem më të dobët se kurrë. Në kuadrin e përgatitjes dhe zhvillimit të Luftës së Kosovës, pas përmbysjes së sistemit në ish-Jugosllavi, populli shqiptar dhe kosovar shfaqën dhe afirmuan mjaft përvoja dhe dukuri të reja, si dhe konfirmuan angazhim për ndihmesë, organizim dhe përgatitje të luftëtarëve të lirisë. Si fillim afirmuan më me forcë dëshirën për çlirim kombëtar nga pushtimi shekullor serbo-sllav. Pastaj se këtej lindi dhe u vu në rendin e ditës dhe nevoja e përgatitjes së kuadrove dhe të luftëtarëve për drejtimin e luftës. Presidenti shqiptar i atëhershëm, Ramiz Alia, me sa duket kishte arritur në përfundim se Kosova duhej ndihmuar me çdo kusht, sepse kishte ardhur momenti më i volitshëm dhe i papërsëritshëm për ta. Shpërbërja e ish-Jugosllavisë i dobësonte fuqinë e saj ushtarake sepse e shpërqendronte fuqinë e ushtrisë jugosllave për ruajtjen e tërësisë territoriale në të gjithë republikat e Federatës që tashmë po shpërbëhej. Kosova po ngrihej dhe po kërkonte të drejtat e veta, njëlloj si kombet e tjerë të Jugosllavisë. Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, në një fjalim që mbajti në OKB në shtator 1990, paralajmëroi Bashkësinë Ndërkombëtare për padrejtësitë që i ishin bërë kombit shqiptar, duke shtruar problemin e rishikimit të këtyre padrejtësive historike. Ai paralajmëroi se shqiptarët e Kosovës nuk kërkojnë asnjë të drejtë më shumë nga ç’kërkojnë serbët, sllovenët, kroatët apo maqedonasit. Shqiptarët e Kosovës nuk kanë pranuar e nuk do të pranojnë të kenë më pak të drejta se ata. Ndërsa në vitin 1991, në funksionin e Komandantit të Përgjithshëm, mori mbi vete përgjegjësinë dhe urdhëroi dikasterin e përgatitjes për mbrojtje, që të ndihmoheshin djemtë e Kosovës me gjithçka të mundshme për t’u stërvitur ushtarakisht e për t’u armatosur e pajisur me qëllim që të fillonin luftën çlirimtare në Kosovë në një kohë me republikat e tjera veriore të Jugosllavisë.

Luftëtarët themelues të UÇK-së

Dy grupet themeluese të luftëtarëve të UÇK-së, në Shqipëri erdhën në tremujorin e katërt të vitit 1991. Grupi i parë ishte grupi i Zahir Pajazitit, i cili u përgatit në Elbasan dhe përbëhej nga rreth 54 luftëtarë. Ndërsa grupi i dytë kryesohej nga Adem Jashari dhe përbëhej nga 34 luftëtarë. Ky grup u përgatit në Tiranë, përkatësisht në Surrel, në malin e Dajtit. Këto grupe u përgatitën për rreth një muaj secili, përkatësisht në tetor dhe dhjetor të vitit 1991. Grupi i Adem Jasharit u përgatit dhe stërvit nga ushtarakët shqiptarë Hysen Ymeri, Agron Dhimarko, Ylli Mici dhe Kastriot Hoxha. Përgatitja e tyre u mor përsipër nga shteti shqiptar dhe u realizua nga grupe me oficerë aktivë dhe në rezervë, por me formim të lartë profesional, si dhe për luftën guerile.

Të gjithë këta luftëtarë u përgatitën në mënyrë të organizuar prej shtetit shqiptar dhe djemtë e parë të Kosovës mësuan shumë nga pikëpamja ushtarake. Trajnimi i këtyre grupeve konsistonte në përgatitjen e zjarrit, në përgatitjen fizike, në elemente të luftës guerile dhe elemente të tjerë të luftimit në terrenit dhe në qendrat e banuara, etj. Oficerët e ngarkuar e mirëpritën detyrën. E konsideruan dhe e vlerësuan si një nder të madh, që u bëhej duke u besuar të stërvitin kontingjentet e para që do të nisnin luftën çlirimtare në Kosovën e pushtuar nga Serbia. Këta e kryen me nder misionin, nuk ndjenë lodhje, duke zhvilluar stërvitje deri në 16 orë në ditë.

Çdo inspektor ushtarak shqiptar jepte lëndën e tij ushtarake të profilizuar. Serioziteti i tyre në përgatitje zjarri dhe në qitje ishte shumë i madh. Ushtarakët shqiptarë ju mësuan të gjitha armët e lehta të këmbësorisë, nga pistoleta, pushka, automatiku, mitralozi i lehtë dhe i rëndë si dhe granatahedhësin e mortajat 60 mm dhe 120 mm. Grupet të gjithë përditë bënim qitje me armët e zjarrit për të fituar reflekset e shprehitë praktike të përdorimit luftarak të tyre. Ata zhvillonin dhe qitje kolektive si nga pozicione zjarri taktike, në kombinim me të gjitha llojet e armëve dhe me granata. Instruktorët shqiptarë kishin si qëllim t’i çlironim nga emocionet e luftës, t’i mësonim me krismat e pushkëve në luftë, por dhe me disiplinën dhe me zjarrin masiv të armëve dhe të rrisnin besimin në armatimin e tyre luftarak, duke i marrë armës maksimumin e mundshëm të saj, ruajtjen e rendimentit luftarak, si dhe në terrene e situata të larmishme luftarake e sa më të përafërta me ato të luftës dhe nëpër fushëbeteja. Kështu Shqipëria po kthehej në një bazë të sigurtë e të besueshme jo vetëm për përgatitjen e grupeve të luftëtarëve të ardhshëm të lirisë, por dhe për takime individuale mes tyre.

Shtëpitë e shqiptarëve u bënë baza kryesore e UÇK-së

Nga vitit 1993, duke qenë ilegal Adem Jashari vjen përsëri në Shqipëri, për të takuar vëllanë e tij, Rifatin, i cili vinte nga Gjermania. Ndërkohë, mori pjesë dhe në ceremoninë e diplomimit të anëtarit të celulave të UÇK-së, Kadri Veselit, që studionte në Tiranë. Ngaqë në Shqipëri vinin ilegalisht, ata për masa sigurie e ruajtje të fshehtësisë, e kishin të ndaluar të lëviznin në vende publike dhe të pakontrolluara. Adem Jashari dhe shokët e tij, gjatë kohës që përgatiteshin në Tiranë, zhvilloi dhe një aktivitet të gjerë në interes të objektivit për të cilin përgatiteshin. Ademi Jashari edhe kohë me parë, kishte kontakte me njerëz që vinin ilegalisht nga Perëndimi për probleme të çështjes kosovare. Takimet bëheshin në Tiranë dhe në Durrës. Në Durrës bazën e kishin në shtëpinë e Ramë Sylmetës, nga Kërçina e Gjakovës, dhe që ishte me banim në Zvicër. Kjo shtëpi u kthye në një bazë të rëndësishme të UÇK-së, si para, ashtu dhe gjatë luftës në Kosovë. Kryesisht nga viti 1993 e në vazhdim, aktiviteti i aktivistëve (luftëtarëve) kosovarë erdhi në rritje në Shqipëri. Në këtë kohë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Manfred Vëmer, gjatë një vizite që bëri në Shqipëri në vitin 1993, me 19 mars, mbajti një fjalim para Kuvendit të Shqipërisë. Midis të tjerash, theksoi se: “Ministrat e Jashtëm të NATO-s kanë deklaruar se një shpërthim i dhunës në Kosovë, që mund të ndodhë nga përhapja e konfliktit, do të përbëjë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare... Përhapja e konfliktit në Kosovë... do të kishte konsekuenca të tmerrshme... Aleanca jonë do të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për të parandaluar që të mos ndodh kjo dhe që të gjithë ne, në Aleancë, mbështetemi shumë te Shqipëria”. Një urdhër i tillë nuk pritej nga Vëmer, që shqiptarët e konsideronin mik dhe e respektuan me të gjitha nderimet dhe komplimentet. Natyrisht, ai foli në emër të Evropës, si udhëheqësi politik kryesor i NATO-s. Ky urdhër theksonte hapur që të mos përkrahej Shqipëria dhe asnjë formë qëndrese e armatosur e shqiptarëve të Kosovës kundër dhunës dhe gjenocidit serb, asnjë formë qëndrese e shqiptarëve të Kosovës për liri, sepse, sipas tij, kjo do të kishte “konsekuenca të tmerrshme”. Qeveria Shqiptare, që kërkonte të anëtarësohej në Aleancë, nuk kishte si të mos zbatonte urdhrat e tij. Megjithëse ndihma e shtetit shqiptar u bllokua, luftëtarët e Kosovës, të cilët ishin të përkushtuar në çështjen e lirisë, duke shmangur kontaktet për ndihmë me institucionet e shtetit shqiptar, shfrytëzuan lidhje të ndryshme me ushtarakë dhe qytetarë atdhetarë shqiptarë. Ndaj me ndihmën e tyre gjetën mbështetje në Shqipëri te patriotët e vërtetë, krijuan baza të sigurta, qendra ilegale stërvitjeje dhe bënë furnizimin me armë e pajisje ndihmëse luftarake. Shpirti patriotik shqiptar u ngrit mbi politikën. Shqiptarët, edhe pse pa dëshirën e shtetit të vet e që u kushtëzua nga presioni i faktorit ndërkombëtar, sërish shtëpitë e tyre i bënë baza kryesore të UÇK-së dhe të Luftës së Kosovës. Madje me tendenca zgjerimi e masivizimi.

“Akademia” e stërvitjes në Farkë

Adem Shehu nga Farka e Tiranës, oficer kundërajror i Ushtrisë Shqiptare, diplomuar në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, në vitin 1980 dhe shërbyer në reparte e njësi të Mbrojtjes Kundërajrore të Kryeqytetit, do të bëhej një nga komandantët më në zë të UÇK-së. Fillimisht u lidh me aktivistët kosovarë në Shqipëri dhe ktheu shtëpinë e vet në.... dhe më pas duke shkuar vullnetarisht në Kosovë në kuadrin e luftës u bë deri komandant... Në vitin 1996 u lidh me ilegalët e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, me Sejdi Veselin, Nazmi Zhukën, sot dëshmor i Kosovës, Fatmir Humollin e të tjerë. Në vendlindjen e tij, në Farkë, në periferi të qytetit të Tiranës, organizoi stërvitjen luftarake të luftëtarëve, të cilët vinin nga Kosova, nga trojet etnike dhe nga vendet perëndimore për t’u stërvitur. Grupet përbëheshin nga 25-30 veta dhe Adem Shehu i stërviste ata ilegalisht. Banesa e tij, u shndërrua në një qendër stërvitore, në një “akademi” ushtarake në Farkë. Stërvitja e çdo grupi vazhdonte rreth tri javë. Në stërvitje zhvillohej njohje armatimi, përgatitje zjarri dhe veprime të thjeshta taktike. Stërvitja përfundonte me qitje reale. Pas përfundimit të stërvitjes së grupit vinte grupi tjetër. Pas marsit 1998, kur UÇK-ja kaloi në veprime luftarake në shkallë të gjerë, Adem Shehu mbante lidhje të vazhdueshme me luftëtarët që kishte përgatitur vetë. Atyre ju kërkonte t’i sillnin skicat e veprimeve luftarake dhe aktin e rënies së luftëtarëve në ndeshje me armikun. E shqetësonte së tepërmi rënia e luftëtarëve, të cilët ishte përpjekur t’i mësonte se si të vrisnin armikun e të mos vriteshin prej tij. Duke analizuar skemat e luftimit, ai arriti në përfundim për të pasqyruar në stërvitjet me grupet pasardhëse mangësitë e organizimit të luftimit në terrenin konkret.