BREAKING NEWS

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe 2 mijë të vdekur brenda ditës

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe
x

Opinion / Editorial

Përgatitje për festimin e 100 vjetorit të Luftës Kombëtare të Vlorës 1920

Përgatitje për festimin e 100 vjetorit të Luftës

Fillimi i organizimit të një përvjetori

Këto ditë prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj organizoi një takim të gjerë pune me përfaqësues të Universiteteve të Vlorës, Gjirokastrës, të Albanologjisë, të Fakultetit të Historisë, me institucione kryesore të vendit si MHK, AQSH, AQFA, profesorë dhe historianë, për organizimin e punës për festimin e 100 vjetorit të Luftës Kombëtare të Vlorës të vitit 1920. Ishin gjithashtu dhe prefekti i Gjirokastrës Astrit Aliaj, prof. dr. Paskal Milo, dr. Bujar Leskaj etj. Prezantimi i bërë nga prefektura ishte dinjitoz dhe përshkruante të gjitha momentet kryesore të organizimit, të zhvillimit dhe të përfundimit të kësaj lufte kombëtare. Nga të gjithë diskutantët u theksua se përkujtimi i këtij përvjetori jubilar, ka një rëndësi të madhe historike, por dhe kombëtare, për të shpalosur me madhështi dhe dinjitet vlerat dhe rëndësinë kombëtare të kësaj lufte, e cila sanksionoi përfundimisht pavarësinë e Shqipërisë dhe nisjen e rrugëtimit të saj drejt shtetit modern shqiptar.

Sfidë e madhe, e hapur dhe e vërtetë, e natyrës ushtarake

Duke analizuar Luftën e Vlorës, mund të thuhet pa asnjë dyshim se ajo ishte një sfidë e gjithanshme politiko-ushtarake dhe atdhetare. Lufta dhe operacioni i saj, në pikëpamje të zhvillimit të veprimeve luftarake, ishin një sfidë e madhe, e hapur dhe e vërtetë, e natyrës ushtarake. Sfidë ndaj pushtuesit, ndaj arrogancës, këmbënguljes dhe kokëfortësisë së tij, për ta mbajtur Vlorën me forcën ushtarake të ndarë padrejtësisht nga pjesa tjetër e Shqipërisë së pavarur. Kjo luftë, e cila klasifikohet si një kryengritje popullore lokale, në këndvështrim atdhetar, ndonëse u zhvillua në Vlorë dhe në zonat përreth, për nga ndjeshmëria dhe solidariteti atdhetar, u përhap shumë shpejt në të gjithë vendin. Çështja e Vlorës u shndërrua në një çështje të të gjithë shqiptarëve, me vullnetarët që arritën nga të gjitha trevat e tjera të vendit. Kjo luftë dhe operacioni i saj, në thelb, ishin sfidë në përballje me tregues të luftimit tradicional shqiptar dhe me ata klasikë të operacioneve ushtarake. Kjo sfidë dhe dalja përmbi të pamundurën, gjenden pothuajse kudo, në përmasat e pjesëmarrjes, në kohëzgjatjen dhe shtrirjen e veprimeve luftarake. Këto gjenden gjithashtu në natyrën dhe format e organizimit të kryengritjes, të forcave pjesëmarrëse në të, siç ishin të pranishëm dhe ndërtimi në funksionimin e drejtimit, nga fillimi deri në përmbylljen e luftës. Zgjidhja u gjend dhe në çështje të tilla përcaktuese të një operacioni si, në ekuilibrimin e raporteve të forcave me armikun përherë superior, në përqendrimin dhe shpërndarjen e forcave kryengritëse vullnetare, gjatë dhe sipas drejtimeve të veprimeve luftarake, në zbatimin e taktikës tradicionale të gërshetuar suksesshëm me atë frontale bashkëkohore, përdorimin e formave taktike rezultative në shpërthimin dhe kapjen e garnizoneve e të rajoneve të fortifikuar të pushtuesve, si dhe në shumë aspekte të tjera të rëndësishme të kësaj lufte. Lufta e Vlorës u organizua dhe u zhvillua si një operacion luftarak, në kuadrin e një kryengritjeje popullore, natyrisht e mbështetur fuqimisht nga populli dhe qeveria shqiptare. Në këtë luftë ishin gjetur dhe gërshetuar harmonishëm, me vizion dhe sukses elemente të traditës, të trashëgimisë luftarake të krahinës, si dhe shqiptare në përgjithësi, me disa elementë të artit ushtarak të kultivuar të kohës. Përballë këtyre forcave dhe masave mbrojtëse të armikut, u vendosën për një përballje luftarake për jetë a vdekje forcat kryengritëse vlonjate, me vetëm 3000 luftëtarë. Në pikëpamjen numerike formale, në prag të fillimit të fazës së parë, raporti real i forcave paraqitej me shifrat 14.000:3.000 ose 4.6:1 në dobi të pushtuesit. Përsa i përket raporteve në armatime dhe teknikë luftarake epërsia ishte absolute për ta. Për këto arsye, për shkak të kësaj epërsie të theksuar, reagimi i Komandantit të Forcave Ushtarake të Pushtimit në Shqipëri, gjeneral Piaçentinit, pasi mori ultimatumin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, ishte tejet mospërfillës dhe arrogant. Sipas studiuesit të sipërpërmendur, B. Kanilia, gjenerali i ishte përgjigjur të dërguarit shqiptar: “T’u thoni brigandëve shqiptarë, se përgjigjen e letrës do ta japin topat e Kotës, Gjormit, Llogarait, Drashovicës, Tepelenës”( Albania e Italia, libër i cituar, f. 77.).

Por, koha dhe fusha e luftës vërtetoi se përgjigja iu kthye në bumerang gjeneralit! Veprimet luftarake, të shpejta dhe të befasishme të luftëtarëve kryengritës, bënë që të heshtnin topat në Vlorë dhe në garnizonet përreth saj. Në rrjedhën e luftës, raporti i forcave, armatimeve dhe municioneve të vullnetarëve shqiptarë erdhi në rritje për shkak të forcave vullnetare që mbërritën nga krahinat e tjera të vendit si dhe armëve e mjeteve luftarake të kapura armikut. Ndërsa në fazën e parë të luftës, KMK-ja kishte në gatishmëri dhe përdori vetëm 3.000 mijë luftëtarë, në fazën e dytë ky numër u rrit në 5000-6000 luftëtarë. Megjithëkëtë raporti i forcave asnjëherë nuk shkoi përtej përpjesëtimit 2:1 për armikun. Kryengritësit u përpoqën dhe shpesh ia dolën mbanë që ta kompensonin këtë diferencë me gjendjen e lartë moralo-psikologjike dhe nivelin e motivimit, me shpirtin sulmues, veprimet e shpejta dhe të fshehta, shfrytëzimin e natës dhe të terrenit të njohur, si dhe manovrës së lartë etj. Kështu, ata ia dolën mbanë të detyronin kundërshtarin të tërhiqej nga Vlora përfundimisht.

E parë në një vështrim që shkon përtej euforisë, frymës së miteve dhe legjendave, ajo luftë solli vërtet disa të veçanta në zbatimin e treguesve të artit ushtarak të kohës. Tërheqin vëmendjen sidomos taktikat e përdorura me sukses prej luftëtarëve vlonjatë për shpërthimin dhe kapjen e garnizoneve të fortifikuara, të ngritura prej armikut në vijat e mbrojtjes, si në Kotë, Gjorm, Drashovicë, Matohasanaj, Llogora, Himarë dhe Tepelenë. Kryengritësit, megjithëse me forca dhe sidomos me armatime dhe mjete luftarake shumë më të pakta dhe të vjetëruara, ia dolën që t’i kapnin ato dhe efektivat e tyre, duke e vënë nën kërcënim serioz qëndresën e pushtuesve brenda Vlorës dhe në rrethinat e saj. Taktika e përdorur kundër këtyre garnizoneve, me afrimin në mënyrë të fshehtë dhe natën, duke i rrethuar ato veç e veç dhe duke krijuar raporte forcash me epërsi minimale për sulmuesit, si 1,7:1 në Kotë, e cila pas një sulmi të fuqishëm ra në duart e sulmuesve shqiptarë, qe mjaft racionale dhe rezultative. Kështu u morën shumica e këtyre garnizoneve, përveç atij të Tepelenës, i cili u mbajt i bllokuar në një rrethim të plotë dyjavor, derisa i gjithë efektivi  i tij, oficerë dhe ushtarë, u dorëzua pa kushte. (Prof. Dr. Shahin Leka, Lufta e Vlorës. Tiranë, (Material Studimi), viti 1980, f. 23.) Ky lloj luftimi dhe taktikat e përdorura për kapjen e tyre ishin një përvojë e re, e zbatuar me shumë sukses prej forcave kryengritëse vlonjate, por dhe në fondin e artit ushtarak shqiptar, në tërësi.

Në ditët e zhvillimit të luftës së Vlorës, përveç dy drejtuesve kryesorë ushtarakë, tashmë shumë të njohur, si Komandanti i Përgjithshëm i Forcave Luftarake që organizoi Komiteti Mbrojtja Kombëtare, së pari major Ahmet Lepenica dhe, pas tij, ish-togeri i marinës luftarake, Qazim Koculi, Komisari i Policisë së Luftës, oficeri Shero Emini, qeveria e Tiranës lejoi të merrnin pjesë edhe një grup oficerësh të karrierës. Këta oficerë, një pjesë e të cilëve ishin të njohur, ose më pas u bënë shumë të njohur në historinë ushtarake shqiptare, u përpoqën të ndihmonin me këshillat dhe drejtpërdrejt në veprimet luftarake. Midis tyre ishin edhe major Mustafa Maksuti, kapiten Aziz Çami, kapiten Tosun Selenica, toger Xhevdet Çelo e ndonjë tjetër. (A. Agai, Lufta e Vlorës, libër i cituar, f. 212, 233, 235, 253 etj.). Major Mustafa Maksuti, ishte oficer me origjinë nga qyteti i Gjirokastrës, i formuar dhe diplomuar, ashtu si shumica e kolegëve bashkëkohës të tij, në Akademinë Ushtarake të Stambollit. Ai ishte kthyer në Shqipëri me shpalljen e Pavarësisë dhe i ishte bashkuar Qeverisë së Vlorës, duke u vënë në shërbim të saj, sëbashku me major Ali Shefqetin dhe oficerë të tjerë shqiptarë. Komandant detashmenti (batalioni) Xhandarmërie në Berat, më pas, gjatë Krizës së Dhjetorit të vitit 1921, për pak ditë u caktua ministër Lufte. Ai ka qenë zgjedhur deputet në Parlamentin e parë të Shqipërisë. Kapiten Tosun Selenica, nga Selenica e Kolonjës së Korçës, i përkiste shkollës dhe shërbimit ushtarak francez. Kapiten Azis Çami, nga Çamëria, shkolluar e graduar toger në Shkollën e Trupave të Regjimentit të Parë të Këmbësorisë së Barit në Itali, në specialitetin artileri. Këta oficerë afruan shërbimet e tyre në Luftën e Vlorës, së bashku me nënrepartet apo repartet ushtarake ose gjindarme, që drejtonin në atë kohë.

Për shkak të një raporti që u paraqit dhe u mbajt në një mbledhje të KMK-së, për situatën dhe vendimin lidhur me veprimet e forcave kryengritëse në Fazën e Dytë, të sulmit mbi Vlorë, raporti që u paraqit prej major Mustafa Maksutit, në librin e Ago Agait mbahet një qëndrim kritik e mosbesues ndaj ushtarakëve në tërësi. Por, kjo ndodhte se ata u përmbaheshin, në raportet dhe mendimet e tyre, steriotipeve dhe përllogaritjeve klasike, të mësuara në shkollat dhe akademitë ushtarake të vendeve ku kishin studiuar dhe ishin diplomuar. Një gjë e tillë, natyrisht, shpesh herë shkollariske e vlerësimit dhe e përllogaritjes, nuk kishte zbatim të njëjtë, si në luftën klasike të ushtrive të rregullta, ashtu edhe në ato të ushtrive kryengritëse dhe vullnetare ku, përgjithësisht, “thyhen” dhe “shpërfillen” skemat e përdorura nëpër luftimet e ushtrive të rregullta, klasike dhe moderne. Sidoqoftë, kjo nuk e zbeh aspak rolin drejtues dhe komandues të oficerëve pjesëmarrës në Luftën e Vlorës. Ata ndihmuan drejtpërdrejt në zhvillimin e veprimeve luftarake, por edhe në fitoren e forcave kryengritëse në Luftën e Vlorës. Kështu, Mustafa Maksuti, me disa fshatarë dhe ushtarë të batalionit që ai drejtonte në atë kohë, mbajti të rrethuar garnizonin e fuqishëm të Tepelenës, deri në dorëzimin e efektivit italian të tij.

Kapiten Azis Çami, i laureuar për artileri, në krye të nje nënreparti të vogël ushtarësh shqiptarësh, drejtoi goditjet e një baterie topash artilerie të kapura italianëve, kundër armikut që nga bregu i Sherishtave. Kapiten Tosun Selenica, me një forcë gjindarmërie dhe luftëtarë të tjerë zunë Urën e Drashovicës, kurse toger Xhevdet Çelo, me gjindarmë tjerë, kontrollonin lundrat në lumin Vjosë. Besojmë se është vendi që të rivlerësohen roli dhe ndihmesa e këtyre oficerëve shqiptarë atdhetarë në Luftën e Vlorës.

E parë në një vështrim simbolik por, duke vlerësuar sidomos nisur nga të dhënat që vinë nga ajo kohë, Lufta e Vlorës mund të quhet edhe një “shkollë”, e cila në përfundim “diplomoi dhe gradoi” oficerët e parë të saj. Në atë listë ishin përfshirë emrat e 14 luftëtarëve të shquar në luftimet: Mehmet Fegës, nga Dushkaraku; Abdurahman Çirakut, nga Vërmiku; Sali Hoxhës, Arqile Kolesë, nga Vlora; Rrapo Çelos, nga Sevasteri; Sali Murat Vranishtit; Naso Benit, nga Vunoi; Idriz Sadirit; Murat Elbasanit; Shaqo Myslym Derrit dhe Demir Mysehak Curajt, të dy nga Smokthina; Hamza Nurçe Elezit, nga Ramica; Koçi Selfo Ferunajt, si dhe “kualifikoi” major Ahmet Lepenicën.

***

Lufta e Vlorës është një simbolikë, një shembull i qartë i luftës që mund të bëjë dhe të fitojë një popull, sado i vogël, për të rifituar lirinë, identitetin dhe integritetin e vendit të tij. Në emër të tyre ai mund të japë pa hezitim si çmim edhe jetën e bijve të vet. Për të përmbyllur këtë kumtim po u referohemi shënimeve të një personaliteti të shquar të politikës dhe letrave shqipe, bashkëkohës dhe përjetues i Luftës së Vlorës, një vlonjati të njohur, Eqrem Bej Vlorës.

Ai njihej si një kundërshtar i hapur i kësaj kryengritje dhe kritizer i rreptë, qysh në nisje të saj, pasi kishte bindjen e patundur se kryengritja ishte një marrëzi dhe se ajo do të dështonte me siguri përballë epërsisë dërrmuese ushtarake të pushtuesve! Por, pas përfundimit dhe fitores së bashkëpatriotëve të tij, ai ka pranuar parashikimin e gabuar të tij dhe, duke vlerësuar aftësitë luftarake të vullnetarëve “rebelë”, në një ndër faqet e kujtimeve të veta, ka shkruar me realizëm se: “Më 17 Gusht trupat italiane u larguan nga qyteti dhe hipën nëpër anije, më 3 Shtator “rebelët” fitimtarë dhe krenarë me të drejtë, hynë në Vlorë dhe e bashkuan krahinën e tyre me pjesën tjetër të Shqipërisë. Ata e kishin merituar këtë sukses”. (Eqrem Vlora, Kujtime, 1885-1925. Tiranë, Shtëpia e Librit dhe Dialogut, 2003, f. 446.). Kurse për veten do të shkruante, jo pa keqardhje: “E pra, do të dilja i gabuar!”. (Po aty, f. 448-449). Por, kjo nuk kishte kurrfarë rëndësie, Lufta e Vlorës i kishte arritur qëllimet e veta dhe krahina historike tashmë ishte përsëri pjesë e pandashme e Shqipërisë. Ndërkohë, në aspektin luftarak dhe të artit ushtarak, ajo kishte përvijuar dhe afirmuar një përvojë të re, me të veçantat e veta dhe kishte hyrë në fondin e historisë ushtarake shqiptare.