BREAKING NEWS

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë shqiptare po kërcënohen rrezikshëm’, Spartak Ngjela paralajmëron zhvillime të bujshme në vend

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë
x

Opinion / Editorial

Përgjigje e vonuar

Përgjigje e vonuar

( Letër një miku)

Së pari i nderuari miku im, më duhet tju falënderoj që ndajmë të njëjtën pikëpamje për çështjet më themelore. Por edhe nëse ju do të kishit mendimin ndryshe për deri sa më pyetni për t’ju respektuar më duhet t’ju kthej përgjigje. Ju sigurisht kini të drejtë që keni ngelur i deziluzionuar nga qëndrimi USA mbas "çlirimit" të Kosovës dhe po me aq të drejtë, më drejtoni pyetjen se “Përse Amerika e braktisi Kosovën mbas lufte”. Paraprakisht, më duhet t’ju kujtoj (dhe jam shumë i sigurt se ju këtë e dini fort mirë) se ishte po ajo USA e Klintonit, që në fillimet e luftës, madje shumë të shqetësuar sa ska më, sëbashku me Europën na këshillonin "të ruanim qetësinë e të vetëpërmbaheshim, "të luftonim separatizmin dhe irredentizmin", të mos e kthenin Ballkanin në "fuçi baruti" etj, madje po këta amerikanë dhe europianë, mbasi na këshillonin ne, në të pastajmen ktheheshin dhe këshillonin dhe Millosheviçin që tu jepte më shumë të drejta e liri shqiptarëve të Kosovës, sigurisht mbështetur "Mbi bazën e Kushtetutës jugosllave". Pra sikurse e vëren mik i dashur, ata nuk e donin luftën çlirimtare. Kjo nuk do as dy pare mend për ta kuptuar se dhe vetë dinamika e zhvillimit dhe ecurisë së ngjarjeve do të tregonte si drita e diellit, se ky ishte fillimisht qëndrimi i parë i tyre. Po pse e bënë këtë amerikanët, çfarë motivi kishin kur mu vonë do të ekspozoheshin si “dualistë” duke mohuar qëndrimin e parë?! Sigurisht që dhe kjo e ka një domethënie, që do të thotë se në aspektin politik, por dhe të strategjisë qëkurse lindi për herë të parë kapitalizmi si formacion ekonomiko shoqëror, kurrë nuk i kanë interesuar e nuk i interesojnë luftrat çlirimtare të popujve dhe kjo or miku im, nuk është vetëm karakteristikë e Amerikës, por e gjithë kapitalizmit në përgjithësi dhe imperializmit botëror në veçanti. Kjo për faktin sepse nëse ata (popujt e atyre vendeve që luftojnë për liri e pavarësi) i marrin në dorë fatet e tyre dhe vetëvendosin u hapin shumë punë, jo vetëm superfuqive si Amerika, por dhe vetë Europës edhe Rusisë, Kinës madje dhe ndonjë vendi tjetër, që aspiron për t’u bërë superfuqi botërore. Por ç’ndodhi më vonë me Kosovën? Dialektika e zhvillimit historik të ngjarjeve dhe fenomeneve, na tregoi se çështja kosovare dhe shovinizmi i egër serb, u bë një problem i madh ndërkombëtar (sikurse ishin bërë dhe më parë me luftrat në Slloveni, Kroaci, Bosnje-Hercegovinë ). E parë nga ky kënd vështrim Europa ishte e përçarë, sepse shtete të ndryshme brenda për brenda bashkësisë së BE-së, kanë interesa të ndryshme dhe nuk janë të unifikuara në veprimtarinë tyre, gjë që të gjithë europianët e kuptojnë fare mirë. (Ja ti vëreji me kujdes se dhe për pranimin e hapjes se negociatave me Shqipërinë, që thjesht janë bisedime apo më saktë trokitje në derë të BE, e jo pranim, ata jua u plasën shpirtin qeveritarëve tanë, sepse populli as nuk e çan “menderen e tij” nëse na pranojnë apo jo në Europë). Pra vërehej se Anglia nuk dakordësohej me Gjermaninë, por edhe vetë Franca pavarësisht se në pamje duket në union me Gjermaninë e shikon me xhelozi dhe dyshim fuqizimin ekonomik dhe dominimin gjerman në Europë e më gjerë, kështu që në prapaskenë Franca “flirton dhe me Rusinë”dhe me këtë rast shtetet e ngjashmërisë “në flamurin trikolor" ( bardhë -blu e të kuq) si Franca, Hollanda, Rusia, Serbia mbështesnin shovinizmin serb, teksa Gjermania e shikon me bisht të syrit Francën, por ka dhe hallin tjetër, se Rusinë e ka mbi shpinë dhe e di fort mirë miqësinë tradicionale të Rusisë- Serbisë e të Francës me njëra-tjetrën. Ju miku im, besoj se ju kujtohet atentati që i bëri Avni Rustemi Esat Toptanit, nga ku Franca donte ta dënonte me çdo kusht Avniun, teksa dihej se Esati ishte mik i ngushtë i Pashiçit të Serbisë dhe Serbia mike e Francës. Madje Franca e pat dekoruar Esatin me “Urdhrin e Kalorësit të Legjionit të Nderit”. Mirë Esatit që atë titull Franca ja dha se ishte mik i Serbisë e Rusisë, por enigma më e madhe qëndron përse këtë nder ja bënë dhe Kadaresë? Sepse nëse e vëren ti miku im, për këto “merita të veçanta” francezët indirekt vendosin në balancë nga një anë Esatin e nga ana tjetër Kadarenë. Mirë ja dhanë dhe Kadaresë, po ai pse e pranoi? A nuk e dinte se këtë titull e kishte dhe Esat Toptani që qefëzohej hoteleve të Parisit dhe që hëngri tre plumba barkut nga trimi i Libohovës?! Ja kjo është dhe një çudi e madhe franceze. Duke u hedhur në temë, dua të them se në këto kushte në Kosovë lufta për çlirim u ndez dhe më e ashpër se kurrë. NATO sado që shkoi gjasme të ndërhynte nuk e arriti dot qëllimin e vet, thjesht për faktin e diskordancave brenda tyre. Psh. aviatorët italianë bombat i hidhnin në Adriatik sepse nuk donin ta prishnin, as me Shqipërinë, por as dhe me Serbinë. Ndërhyrja e NATO-s i ngjante shprehjes së popullit tonë "tërhiq e mos këput", kështu dhe me Francën, madje kjo nuk e bombardoi asnjë ditë Serbinë. Duke qenë se ajo (BE-ja) nuk po ia dilte dot, komandën e mori Ëesli Klark, gjenerali amerikan. Dhe më e bukura është se Xhaferr Solana (Javer Solana), i cili ishte në krye të NATO-s urdhëroi gjeneralin amerikan të merrej ai me operacionet e luftimit (shkurt Europa me porosi të Amerikës urdhëronte vetë Amerikën)! Me këtë rast Europës jo vetëm i erdhi në ndihmë Amerika (duke i shkelur syrin), por ajo me atë rast do të justifikohej si para Rusisë, por dhe vetë Serbisë, të cilën nuk ia kish qejfi ta bombardonte.

Ja pra në këto rrethana e kushte ndërhyri Amerika. Amerika kishte qëllim strategjik. Së pari duhej që me këtë rast të orientonte luftën e Kosovës sipas dëshirës së saj dhe jo sipas dëshirës së popullit tonë dardan. Se dyti duhej treguar dhe demonstruar konkretisht forca para Rusisë, gjë që historia e deri tanishme e luftërave ka treguar e tregon se këto superfuqi jo vetëm plotësojnë objektivin e tyre parësor, por dhe bëjnë reklamë para superfuqisë kundërshtare për arsenalin e armëve, efikasitetin e tyre dhe të forcës që disponon (helikopterët “Apash” për herë të parë u përdorën në luftën e Kosovë)s. Së fundi dhe kjo është po aq e rëndësishme, duhej që me çdo kusht që t’i korrnin ata të gjitha frytet e fitores, për t’u treguar popujve të botës se është pikërisht ajo Amerikë që i " mbron popujt" dhe nuk mund të jenë popujt që mbrojnë veten e tyre me luftën dhe gjakun e tyre. Kështu që me këtë rast ata futin dhe psikozën e sundimit më të madhit e më të fortit mbi më të voglin e më të dobëtin. Po a është e vërtetë kjo? Atje ku popujt e humbasin vetë dijen politike e qorrollepsen pa tjetër që bien preh e tyre, ndërsa atje ku u has sharra në gozhdë bëjnë çmos duke përdorur të gjitha format, metodat, mundësitë dhe mjetet për t’i nënshtruar. A nuk ishte Vietnami që mundi Amerikën? A nuk ishte Transvli në vitet 1902 që mundi Anglinë (diku nga Afrika e Jugut)? Nga ku dhe Noli ynë i famshëm shkruante: “Lufton bualli me minë - Transvali mund Anglinë”. Pse a nuk ngjau kështu në Kosovë?! Jam i sigurt se ju miku im e dini po aq sa dhe unë, se në shumë njerëz të mirë atdhetarë, duke qenë se ata nuk arrijnë dot t’i kuptojnë se vendimtare në luftë ishte pushka dardane, ka zënë rrënjë mentaliteti se “na çliruan amerikanët”. Jo amerikanët vetëm sa e shpejtuan procesin, duke afruar ditën e kapitullimit të Millosheviçit, sepse lufta e bijve tanë dardanë dhe gjaku i dëshmorëve tanë, do ta çonin domosdoshmërisht në fitore edhe pse rruga mund të ishte më e gjatë dhe gjak dëshmorësh mund të kishim derdhur dhe më shumë. Kështu që Amerika or miku im i mirë, kishte interesat e veta. Madje asnjë vend kapitalist apo imperialist, nuk ka miq dhe këtë mbaje mend mirë e mos e harro. Jo! Ata kanë vetëm aleatë të përkohshëm njëri-tjetrin, për interesa të tyre ekonomike e politike. Pikërisht për këtë ndërhyri Amerika, vetëm për interesat e saj në rajonin e Ballkanit. (Tanët gëzojnë madje dhe i luten që t’i falin tokë për të ngritur një baza të fuqishme ajrore). Ata (amerikanët) mbasi e siguruan këtë gjë, mbasi u bindën se në Kosovë do vendosej i njëjti regjim "i demokracisë Perëndimore", u larguan duke ja lënë këtë mision Europës, e cila as ajo nuk bën dot " gëk" para amerikanëve. Me këtë rast USA, ka dhe leverdinë e vet sepse nëse diku në një zonë apo rajon do ndërhyjë, doemos që dhe Europa do e përkrahi, por indirekt dhe vetë Europa e kuptoi leksionin amerikan që BE-ja, të ketë kujdes herë tjetër për çdo gjë me Amerikën, madje të mos e dredhë shumë bishtin. Leksioni sigurisht i shërbeu dhe vetë Francës dhe koalicionit të heshtur "tre kolor" të saj, që unë i përmenda pak më sipër. Po pse Amerika nuk e bashkon Shqipërinë me Kosovën? Pikërisht këtë ajo nuk e do, sepse ja la nën juridiksion territorial BE-së, por nga ana tjetër dhe nuk e pëlqen idenë e bashkimit, sepse çdo hap përpara i popujve dhe zgjimi i ndërgjegjes kombëtare, është dhe goditje indirekte për strategjinë amerikane. Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare të popujve atë (USA-n) dhe jo vetëm atë, por dhe Europën, Rusinë madje dhe Kinën i trembin shumë. Pa mendo një herë, nëse popujt do i merrnin vetë në duart e tyre fatet dhe të vetëvendosnin si do e prisnin këtë gjë fuqitë imperialiste?! Ne një “megalo ide” kemi nëpër këmbë e një “ligj-lufte” me Greqinë dhe shovinistët grekë ngelën ham - ham- ham për Vorio Epirin. Se mos Italia është më e paktë se grek-ideja. Ja pra kështu e kemi situatën e sotme or miku im... pse jo dhe ju o miqtë e mi!