BREAKING NEWS

Do kandidojë në Durrës përballë Bashës? Vjen reagimi i papritur i kryeministrit Rama: Mos hapni llafe kot. Ja cilin qytet kam zgjedhur

Do kandidojë në Durrës përballë Bashës? Vjen
x

Opinion / Editorial

Përjashtimi politik i "partisë së të marrëve" që nuk vjedhin!

Përjashtimi politik i "partisë së të marrëve"

Kanë filluar manovrat e qarta të klasës politike shqiptare, për të bërë riciklimin e ri të vetes dhe zakonit themelor. Atij zakoni që në të vërtetë nuk konstrukturon një klasë politike, por kryesisht një klikë politike. E "klika" natyrisht është ajo që i bën shtetit një sulm apo grusht, por që te ne sot "klikat" e tilla i bëjnë një sulm demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri. Grotesku i "përzgjedhjeve" te PD është tipikisht i mënyrës së demokratëve që çdo gjë bëjnë, por parti demokratike nuk ndërtojnë dot. Sepse një parti e tillë do të thotë largimin e jo vetëm hajdutëve, atyre që kanë vjedhur dhe janë korruptuar, por dhe militantizmit paramilitar, ose marrëzive me zjarr, bomba dhe ulërima. E pa këto dy sektorë Partia Demokratike e Sali Berishës dhe me disa aksione të Lulzim Bashës - nuk jeton dot asnjë ditë të vetme. Përzgjedhjet e tyre janë të njëjtat që nga baza dhe deri sipër. Mjafton të shikojmë se kush u propozua në Lezhë dhe kuptohet se kush është dhe baza në përgjithësi dhe partia në veçanti. Idealistët dhe ata që kuptojnë se nuk mund të vazhdohet me hajdutët e dikurshëm që shiten për shenjtorë të sotëm - nuk janë më në PD dhe po ishin, nuk janë as me shpirt dhe as me natyrën e tyre normale demokrate. Por tjetër gjë në PS-në e Rilindjes së Surrelit. Në partinë e drejtuar nga Rama ka vdekur e majta në themelin e saj. Sot Rilindja Socialiste nuk ka asnjë lidhje jo vetëm më sensibilitetet e majta si solidariteti dhe parimet e barazisë në idetë e lira apo dhe parimi i mbrojtjes sociale, por dhe të zbatimit të statutit e zgjedhjeve realisht të lira. Por te PS-ja sot, nuk ka askush ide të reja dhe po të ketë nuk i thotë dot. E para se Rama nuk lejon dhe e dyta, se aty realisht nuk ka më asnjë person që e konkurron Ramën as me "show" as me mundësi financiare dhe as me gojëtari. Janë kthyer në një "klikë shurdh memecësh" për demokracinë e brendshme sa që e drejta për të qënë njerëz të lirë brenda partisë ka përfunduar përgjithmonë. LSI-ja është parti pronë dhe nuk ka se çfarë fjale të thuash dhe padiskutim këto janë klika, të cilat bashkë me partitë e fugonave me kryetarë të përjetshëm që kanë përreth, përbëjnë dhe klikat politike që përmbysin në qoftë rasti dhe me dhunë demokracinë e jo më të lejojnë ndërtimin e shtetit real ligjor. Në këtë kohë kur SPAK ka nisur disi punën dhe njëherë akuzoi majtas djathtas komisionarë bashkë me ata që kishin vdekur dhe pastaj i çoi një pronari medie i përfolur për trafik - klikat vjen një ditë dhe do të bashkohen. Po dhe pse SPAK është një krijesë e paragjykuar, sepse ka dalë po nga kjo klikë që ka vite që ka degraduar si shtetin ligjor dhe demokracinë. Mirëpo kjo klikë politike (jo klasë) luftën më të egër nuk e ka mes vetes. Jo këto soj partish nuk njohin realisht luftë mes llojit. Ato riciklohen me fytyra, por aspak me veset. Veset i përpunojnë dhe i keqësojnë akoma më - për keq. Jo kjo klikë lufton orë e minutë kundra individëve, njerëzve, grupeve që janë "partia e të marrëve që nuk vjedhin". Po pra, ajo parti njerëzish që nuk e shpallin partinë e tyre në këtë mjedis të ndytë që është sot dhe ka qënë dje Shqipëria. "Partia e të marrëve" ose ajo që nuk vjedh është e tillë, sepse kështu i quanin individët e saj shumica e shoqërisë shqiptare dhe në kohë të diktaturës. Kur thoshin "puna është nder dhe hajnia jetesë". Ishin po ata që nuk vidhnin ndërmarrjet, nuk bëheshin spiunë dhe nuk ishin "komunistë anëtarë leverdie". Të gjitha ata tipa "që nuk donin njerëzit që nuk vidhnin" në 1990-ën formuan dhe vazhduan me partitë që janë sot. Sigurisht një pjesë e madhe u larguan për të bërë pjesë në "partinë e të marrëve që nuk vjedhin" dhe që e kanë pasur punën keq në diktaturë dhe e kanë akoma më keq në të ashtuquajturën demokraci. Sepse shumica e shoqërisë i konsideron "të marrë". Që dhe kur kanë mundësi të vjedhin, nuk e bëjnë këtë veprim kurrën e kurrës. Nuk korruptohen dhe nuk merren me tendera. Nuk shkojnë deri në krim, se nuk duan të vjedhin dhe jetojnë me mundin e tyre e jo me krimin e tyre, i cili i bën të pasur. Të tre partitë mëdha dhe miqtë e tyre të vegjël nuk duan të lejojnë një organizim të tillë ku "partia e njerëzve të ndershëm" të dallohet dhe të ketë vend në politikë dhe shoqëri. Klika politike shqiptare do trafikantë që pasurohen, bëhen me lekë dhe pastaj jetojnë në luks, vazhdojnë krimin dhe trafikun, ecin me këmbë të hapura si boss-a, blejnë toka dhe ndërtojnë resorte apo televizione dhe media të ndryshme. Ju dihen të gjitha maskarallëqet, por i ka mbrojtur gjithmonë politika dhe drejtësia e dalë nga kjo politikë duke mbyllur kështu rrethin- politikë, mafia (pasur ekonomikisht dhe investitor) dhe drejtësi gjithmonë bashkë. A do të jetë kjo kohë dhe fillimi i prishjes së këtij rrethi të mbyllur mes politikës, mafies së pasur financiarisht dhe sigurisht drejtësisë? Unë besoj se do të jetë vonë ajo ditë, por disa sinjale të dobëta vijnë nga "yllësia". Sinjale të dobëta dhe me ndonjë gabim në ndriçim. Klikat politike shqiptare i kanë bërë përjashtim politik kësaj "partie të marrësh që nuk vjedhin". Po po të marrë që nuk dinë të pasurohen duke harruar se ato nuk duan të pasurohen kështu. Sepse kujtuan se kjo parti do të zhduket nga faqja e dheut nga arroganca e fajshme e pushtetit të sotëm dhe budallallëku i opozitës së inkriminuar - ndërgjegjen, e cila është një farë e mirë që mbin. Po pra ata mundohen ta varrosin dhe mbasi e mbulojnë ajo sërish mbin. Po pra, i kanë përjashtuar politikisht një veprim ky që në diktaturë quhej "pushkatim politik" dhe të prishej përfundimisht jeta. Po a do të mjaftojë kjo? A thua kjo shoqëri mund ta kuptojë dhe dojë këtë parti jo hajnash, e cila nuk krijohet dot, sepse nuk e lejojnë. Unë nuk besoj se jemi gati për këtë lloj partie. Po jemi shumë herët dhe është për të ardhur keq.