BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

Përpara se të jesh qytetar i botës, duhet të ndihesh qytetar i vendit tënd

Përpara se të jesh qytetar i botës, duhet të ndihesh qytetar

Rëndom dëgjojmë të thuhet se duhet të flisni anglisht, të mendoni anglisht, të shkruani anglisht, duke u kthyer kjo në qëllim në vetvete. Kjo mendësi, në dukje moderniste, është në kundravajtje me veprën e Rilindasve të mëdhenj që shkrinë pasurinë, jetën e tyre në mbrojtje të gjuhës së të parëve. Sepse kësisoj do na duhet që një ditë që shqipen ta përkthejmë nga anglishtja. Dhe kjo përbën paradoksin më të madh! Sa e sa gjuhë, të konsideruara “të vogla” kanë humbur në rrjedhën e kohëve dhe shekujve dhe bashkë me to edhe rrënjët, gjeneza e popujve, të cilët nuk arritën kurrë të njihnin konstitucionin “komb”. Fakt është se Revolucioni Teknologjik, moderniteti, diktuan trendin e zhvillimeve të çdo vendi. Detyrimisht balanca shkoi nga vendet e mëdha, kapitaliste, ekonomia e të cilëve u zhvillua fal iniciativës së lirë dhe tregut konkurrent, përkundër atyre komuniste të lindjes ku kryefjala në çdo aspekt ishte centralizmi. Dhe lokomotiva e botës së progresit ishte dhe mbeten SHBA-të. Për të patur sukses, më tepër se të ecje në rrugë të pashkelura, duhet të kopjoje gjithë përvojën amerikane. Ndaj si hap i parë duhet të zotëroje anglishten për të hapur “portat e parajsës”. Kështu ka ndodhur edhe më herët në histori, që nga koha e Greqisë antike, Perandorisë Romake, asaj Turke etj. Kjo është epoka e anglishtfolësve, dhe sidomos e supershtetit (SHBA), që në më pak se dyqind vjet ia doli të linte pas skllavopronarinë, të miratonte kartën e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të bëhej kampion i demokracisë, vatra e ideve iluministe e projekteve dhe reformave ekonomike revolucionarizuese, që njeriun e konsideron qenie unike me potencial të pashtershëm. Në procesin apo prirjen globalizuese që ka nisur, shumë njerëz intelektualë, studiues, filozofë, organizata, qeveri, kanë theksuar se duhet ruajtur patjetër larmia e traditave, besimeve, zakoneve, kulturave të çdo populli, çka do të thotë mozaik dhe jo asimilim. Dhe gjuha në këtë kolor është një komponent nga më të rëndësishmit. Lëvrimi dhe mbrojtja, njehsimi i gjuhës amtare shihet si domosdoshmëri jo vetëm për ata që banojnë në truallin “amë”, por edhe për ata që ndodhen jashtë kufijve shtetërorë, apo emigrantët dhe diasporën. Gjuha do të thotë unifikim dhe ne shqiptarët që historia na dënoi të jetonim në pesë shtete e kemi të vetmin mjet lidhës, të vetmen hallkë rithemelimi, qasjeje jo vetëm territoriale në kufijtë e asaj që cilësohet si natyrale, por edhe mendore, kulturore dhe shpirtërore. Ne nuk mund të pranojmë që për shkak të pragmatizmit dhe modernitetit të konformohemi, të injorojmë çdo vlerë, çdo traditë, çdo tipar dallues. Të presim degën mbi të cilën kemi qëndruar tallazeve të kohërave për të mos u gremisur. T’i bëjmë vetes atë që nuk ka mundur të na i bëjë asnjë pushtues! Kozmopolitizmi nëse nuk ka masë kthehet në asfiksi, në varr të hapur. Dhe për hir të së vërtetës në këtë fushë kemi lënë jo pak terren. Jemi kthyer tek gjuha tallava, tek kultura dhe arti tallava, brenda një rrethi vicioz pa rrugëdalje. Huazime fjalësh, shprehjesh pa kuptim i gjeni në këngë, në të folmen e përditshme, në gazeta, në artikulime oratorësh partiakë, madje edhe në takime të karakterit diplomatik. Kjo në sytë e botës nuk na tregon të emancipuar, inteligjentë, por të kompleksuar dhe inferiorë, imitues të pandreqshëm. Ti nuk mund të thuash se je qytetar i botës, kur nuk ndihesh qytetar i vendit tënd.