BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Opinion / Editorial

Përpara se vijë drejtësia, duhen menduar dhe fëmijët e të tjerëve!

Përpara se vijë drejtësia, duhen menduar dhe fëmijët e

Sigurisht është një pamje trishtuese kur një nënë e fëmijëve të vegjël, duhet të përballet me drejtësinë e cila nëpërmjet fakteve, i jep hakun ligjor duke e ndarë nga pikërisht ata fëmijë. Absolutisht trishtuese, por ne nuk jemi mësuar kurrë të vlerësojmë atë që drejtësia jep, ose drejtësinë vetë. Nuk kemi kaq shumë faj, nuk kemi pasur kurrë drejtësi. Jam i bindur se infermieret janë viktimat më të “pafajshme” në fajin e madh të sistemit shëndetësor politikisht të varur dhe korruptivisht të shpërndarë, në çdo qelizë të tij. Infermieret janë ato që e pësojnë dhe jo ata lart tyre. Drejtorët dhe administratorët shesin mend dhe japin leksione komode, maskarade politike me batutat idiote se “shqiptarët kanë zakon të çojnë ushqime në spital” dhe nuk iu ka ardhur koha akoma të mbajnë përgjegjësi burrë e grua për një spital ku njerëzit janë hedhur nga katet e sipërme dhe ku korrupsioni arriti të kapet vetëm në sanitare dhe infermiere. Por drejtësia është drejtësi dhe sigurisht si sanitaret dhe infermierët, pjesë e sistemit korruptiv, tashmë kanë marrë një leksion se “ato sipër mund të mbrohen” kurse pikërisht sanitaret dhe infermierët do të shkojnë në burg. Sepse sanitaret dhe infermieret e ekzagjeruara me parimin “u bë deti kos” nuk morën përpara syve mundësinë se një ditë mbase vjen drejtësia. Po pra po, dhe “ndëshkimi i parë vjen për to”. Sepse po vallëzonin më tepër se duhej në “gojën e ujkut” dhe po pretendonin më shumë se sa vetë ato që kishin dhëmbë të gjatë dhe të mprehtë sipër tyre. Sot është tragjike të futësh në burg një nënë me dy fëmijë të vegjël. Por drejtësia kështu është. Po tragjike, por pikërisht pse është një nënë me dy fëmijë të vegjël duhet të kishte pasur parasysh se po bën faj. Sepse duke vepruar kështu, po neglizhonte fëmijët e tjerë, pleqtë e tjerë, për të ndihmuar fëmijët e saj. Nuk po merrte parasysh se fëmijë të vegjël, por dhe më të rritur kanë dhe ata të sëmurët aty. Se kanë fëmijë edhe të tjerët, përveç saj. Se nuk duhet menduar vetëm për fëmijët e tu, por duhet marrë parasysh se kanë dhe të tjerët. Sepse edhe sikur të mos dalë rroga për dy fëmijët, nuk mund të luash me bukën dhe të ardhmen e fëmijëve jashtë teje, ose me bukën e atyre fëmijëve të vegjël, apo të rritur, të cilët do ta kenë mangut diçka që do të bëhet ryshfet për sanitare, infermiere dhe pastaj mjekë e administratorë spitalesh në vorbullën e korrupsionit në shëndetësi. Kthimi i punës së shtetit në manovër korrupsioni dhe pasurimi korruptiv, nuk është “punë e ndershme për fëmijët e tu”. E para se është thjesht pandershmëri dhe e dyta se po ju bie në qafë fëmijëve dhe pleqve jashtë teje. Sepse e di shumë mirë se po merr para, për një shërbim të detyruar dhe se po merr pjesë dhe ti në korrupsionin që sigurisht është i madh lart teje, por që ti bëhesh vegël e tij në mënyrë të vetëdijshme. Po përfiton nga taksapaguesit dhe po i rëndon me një taksë korruptive për punën që ke detyrim në spital. E ky është një tragjizëm që drejtësia nuk duhet ta tolerojë. Nëna të tilla që kujtojnë se vetëm ato kanë fëmijë dhe pleq, janë për të ardhur keq, por sigurisht dhe për t’iu dhënë atë pjesë të drejtësisë që meritojnë. Patjetër që janë viktima të sistemit, por vetë kanë pranuar të jetojnë sipas rregullave kriminale të këtij sistemi korruptiv kriminal. Unë dhe shumë si unë, këtë gjë e shikojmë si majën e ajsbergut dhe arroganca e atyre lart duket mirë dhe qartë. Gjithsesi mallkimet e asaj nëne infermiere (qoftë dhe në faj) i zënçin përgjatë jetës së tyre. Sepse jam i qartë që ajo po mallkon. Po mallkon njerëzit e sistemit korruptiv të shëndetësisë politike dhe kriminale, të aferave dhe tenderave të shëmtuar në pandershmëri. Kurse sanitaret dhe infermieret, janë viktimat e sistemit i cili tashmë i dënon për fajet e atyre lart. Sepse ato e çojnë sistemin dhe e mbrojnë atë. Kur ikin nga Shqipëria infermiere dhe mjekë e shkojnë në Gjermani a e dinë se çfarë i gjen po të bëjnë një të qindtën e veprimeve që bëjnë në Shqipëri? E dinë të gjithë, por e di dhe unë. Dënohen në mënyrë të ashpër me burg të gjatë dhe të menjëhershëm. Askush në botë nuk ka mëshirë më për njerëz që abuzojnë me të sëmurin dhe përfitojnë në kurriz të tij. Askush nuk toleron shërbimin kundrejt parave jashtë pagës në mënyrë korruptive dhe sidomos kur i imponohesh familjarëve për një shërbim të tillë. Akoma më keq kur nuk i jep shërbim, as si detyrë dhe as kur ke marrë para. E kjo është një tragjedi e imoralitetit si individual dhe kolektiv të këtij sistemi të sëmurë në Shqipëri. Sigurisht përjashtoj nga akuza të gjithë njerëzit e mrekullueshëm dhje moralshëm të shëndetësisë. Shëndetësia është sistemi tjetër i sëmurë në Shqipëri si drejtësia, e cila po shërohet disi dhe pasohet pastaj nga arsimi dhe administrata. E kjo vjen se nuk mendojnë fare se ka edhe jashtë tyre që kanë fëmijë, që kanë familje dhe se kanë halle. Jo, mendojnë thjesht të pasurohen me korrupsion pa çuar mendjen te fëmijët e të tjerëve, që paguajnë e paguajnë për diçka që duhet ta kenë si shërbim të shtetit ku janë kontribues taksapagues. Tragjizmi i një nëne sigurisht duhet t’i bëjë të tjerat të mendojnë dy herë. Po po, sëpaku të mos bëjnë burgun e të tjerëve sipër tyre. Të bëjnë thjesht ku gabojnë burgun e tyre.