BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Opinion / Editorial

Përrallëtar, kuzhinier, ah sikur kryeministër në pranverë!

Përrallëtar, kuzhinier, ah sikur kryeministër në

Është bërë pothuaj virale, videoja e hedhur në Instagram, si papritur dhe aspak e paramenduar dhe e shumëfishuar nga portalet e mediat e shkruara dhe ato vizive që tregon pretendentin për kryeministër, të vetëshpallurin si personi që do sjellë ndryshimin dhe do zgjidhë në një kohë shumë të shpejt gjithçka që nuk ka shkuar keq në këto tridhjetë vjet. Është videoja, ku kryeministri i ardhshëm, Lulzim Basha, shfaqet me veshjen si për xhiro dhe këpucë para bufesë, duke gatuar, gati si i zënë në befasi me mullirin e piperit në dorë, duke e rrotulluar mbi tigan me sa duket për të përgatitur ndonjë salcë speciale a biftek. Të gatuash në shtëpi për t’u servirur familjarëve gjellën e preferuar nga duart e babit, është një art me vete dhe nuk ka asgjë të keqe pasi jo pak burrave iu takon shpesh të hedhin në tenxhere ujin, ta valojnë e më pas të vendosin në të fasulet, orizin a makaronat. Një familje e qytetëruar bën një ndarje perfekte të punëve të shtëpisë sepse ndryshe do mbeteshim në psikologjinë e viteve të shkuara, ku çdo punë shtëpie, veçanërisht kuzhina, ishte ekskluzivitet vetëm i grave të cilat ishin të detyruara të ktheheshin në mesnatë në shtëpi nga punët e bujqësisë dhe të gatuanin për familjen që prisnin nga duart e tyre të lodhura. Dhe ndodhte kështu në një kohë kur për të gatuar kishte shumë pak opsione, jo vetëm për sigurimin e burimeve të energjisë, po edhe për vetë mungesën serioze të produkteve të cilat i vendoste tollona dhe i merrje njëherë në muaj me racion të llogaritura e të peshuara deri me gram. Po më e keqja ishte sepse mungonte tenxherja e presionit, energjia, sobat moderne me korrent dhe gazi për gatim ishte privilegj vetëm për një pjesë shumë të kufizuar të popullsisë, kryesisht në atë pjesë ku gjendeshin rezervat e gazit përreth Fierit dhe Beratit. Burrat e shtëpisë kur u mungonte gruaja në banesë mund të mbeteshin me ditë pa drekë a darkë në pritje të kthimit të saj dhe ishte turpëruese nëse skuqte edhe një vezë të vetme. Bile në jo pak raste batutat dhe talljet për burrat më përparëse e paçavure në duar për mos t’u djegur, bëheshin hite dhe talljet ishin pa fund. Ky realitet nuk mund të vijonte bashkë me shoqërinë e hapur dhe emancipimin, ndryshimin e botëkuptimit familjar, pa flakjen e mentalitetit se burri është për punë jashtë shtëpisë dhe nuk mund të bëhet kuzhinier dhe të gatuajë për gruan dhe fëmijët?! Ky mentalitet ka mbetur në vitet e kaluara dhe sot as mund të imagjinohet që burrat të cilët vendosin përparëse dhe gatuajnë sa herë t’u bjerë rasti apo t’u paraqitet nevoja të bëhen shembull dhe target për t`u gjuajtur me shpotitë përvëluese si të nënshtruar ndaj grave dhe që u ka humbur namuzi dhe burrëria. Aktualisht ka shumë burra që gatimin e kanë pasion dhe janë kuzhinierë shumë të mirë, pa folur për master shefat që bëjnë me duart e tyre çudira, me shumëllojshmërinë e gatimeve dhe servirjen në tavolinat e festive familjare. Po këtyre asnjëherë nuk u ndodh që gratë të bëjnë video dhe t’i postojnë në Instagram si padashur duke treguar sa të emancipuar dhe kujdesshëm janë bashkëshortët e tyre në familje. Nëse do ta bënin këtë asnjëri nuk do u kushtonte rëndësi pasi kjo është një e zakonshme dhe nuk përbën asnjë kuriozitet. Bile askush nuk do t`iu hidhte sytë sepse ai është një person i zakonshëm që e njohin vetëm të shtëpisë e shumta deri në rrugicën pranë, lagje apo fshat. Është një individ i paemër gati anonim që tek e fundit bën vetëm një punë të rëndomtë dhe asgjë tjetër. Po me Lulzim Bashën, puna qëndron ndryshe. Ai është figurë politike dhe ka mbështetës të shumtë që e ndjekin deri në detaje për të na dhënë një portretet të plotë të një burri për shtëpi e për Shqipëri. Ta njohin në detaje, jo deri atje që kërkoi Romeo në një emision televiziv për ngjyrën e të brendshmeve se kjo do ishte ekstrem. Sidoqoftë për të njohur deri në detaje në tërë dimensionet Bashën nuk kanë munguar, jo vetëm pamjet e shfaqura, si kuzhinier, po edhe si përrallëtar që gjen kohën si baba i dashur dhe i përkushtuar për të kaluar një kohë të bukur me fëmijët për t`u treguar atyre përralla nga librat e shumtë që botohen apo janë botuar për fëmijët gjatë tërë kohës. Pas kemi njohur Bashën në publik si orator e progresist, tani e kemi përballë një rrëfimtar e lexues përrallash, duke vënë në gjumë vajzën e tij të vogël. Edhe në këtë mision Basha nuk ka pse të paragjykohet aq më pak të qortohet pasi në misionit të babait, prindit të kujdesshëm nuk mund të mos jetë edhe një mision i tillë që është aq i domosdoshëm për mirërritjen dhe ndezjen e fantazisë së fëmijëve, të cilët janë të etur për të dëgjuar përralla dhe mësuar histori e kuriozitete aq më shumë kur ato ua lexojnë baballarët e tyre të dashur. Nëse të gjitha këto përkujdesje të nevojshme si prind dhe bashkëshort do kishin vërtetë në dimension real dhe pa synime propagandistike atëherë të gjithë do uronim të ishim të ngjashëm me Bashën dhe po kaq të përkushtuar si ai. Po këto ditë në mjediset publike në vendet ku bisedohet për hallet e ditës dhe politik, videot e Bashës në rolin e përrallëtarit e kuzhinierit komentohen si përpjekje për të treguar babanë e dhimbsur e të kujdesshëm dhe bashkëshortin e përkushtuar e të dhimbsur që komunikon përmes komunikimit intim, me përkëdheli, zemër, xhan? Përpjekjet për të na dhënë Lulzim Bashën si individ, familjar, politikan, pretendent për të fituar zgjedhje njeriu që di të ndajë punën nga shtëpia, familjen e ngushtë nga familja politike, si racional që ndan kohën dhe gjen tërë mundësitë për të qenë sa baba e bashkëshort i përkushtuar aq edhe politikan që bredh tërë ditën nëpër Shqipëri apo nga takimi në takim për të orientuar drejtuesit politikë dhe për të karikuar çdo individ të zgjedhur apo emëruar në krye të qarqeve për të drejtuar fushatën elektorale. Dhe përmes këtyre simbolikave duan të na injektojnë mendimin se Basha nuk është si gjithë të tjerët nuk është autoritar, arrogant që humbet nëpër takime dhe e shpërdoron gjithë ditën e natën në përpjekje të shumëfishimit të mbështetësve. Përkundrazi videot na thonë se ai është babai që nuk përton dhe nuk ndjen lodhje për t`u kënduar përralla fëmijëve dhe pse shija për ata që lexojnë dhe një vajzë dhjetë vjeçare i bën zbor ipadit dhe smartphone e cilësdo teknologjie të komunikimit, po edhe si një burrë shtëpie i përkushtuar deri te gatimi. Shqiptarët duhet të mësohen me këto sjellje prej burri shteti dhe burri shtëpie apo babai të përkushtuar. Në këto ditë që vijnë mbështetësit e porositur do bëjnë gjithçka për të na pikturuar njeriun ideal, pa vese, të pagjumë për punët e vockla e ato të mëdha, po gjithnjë racional, që dinë të zgjidhin të përgjithshmet dhe të veçantat. Përmes këtyre mesazheve kërkohet t’u mbushin mendjen shqiptarëve se po vjen njeriu i kryeministrit si Mesia. Ndaj edhe në propagandën që po intensifikohet, veç shpalosjes dhe deklaratave për programe e plane të mëdha, për objektiva të rëndësishme, për sjelljen e mirëqenies dhe lumturisë, për të gjithë, për t’i bërë shqiptarët të lumtur dhe rininë të interesuar për t’u kthyer andej nga janë në emigrim dhe për të jetuar e punuar këtu, ku kanë lindur, këtu ku do shpërthejnë zhvillimi dhe do u plotësohen gjithë kërkesat e tyre, qofshin edhe maksimale. Të përjetojnë periudhën e artë, ku nuk do ketë korrupsion e vrasje, po do vendoset në themel të gjithçkaje meritokracia dhe barazia, ku do t’i jepet fund arrogancës dhe krimit do kapërcejnë parametrat e vendeve më të lumtura, pa folur për demokracinë e cila do jetë ideale në shkallë globi. Nuk flasim këtu për objektivat madhore, pagesat e bebeve, zerimin e tarifave për bizneset apo për taksën e sheshtë, e cila do jetë një nga bazat e pasurimit të të gjithëve. Dhe në tërësinë e këtyre objektivave që tani duken si byreku lart në qiell që nuk e arrin dot askush, nesër do zbresin në tavolinat tona si ushqim për të gjithë. Pa folur për premtimin për pagat e mjekëve, pensionet e mësuesve dhe tërë shqiptarëve pasi këto janë më se të sigurta. Dhe e tërë kjo propagandë e kombinuar për punët e mëdha e të vogla ato të shtetit e të shtëpisë, janë duke portretizuar Lulzim Bashën, si kryeministrin ideal, engjëllor, vizionar, largpamës, racional, jo vetëm si e ardhja e ndryshimit të Shqipërisë, po si burrë shteti që do arrijë të sjelli në këtë vend lumturinë e mirëqenien për të gjithë. Jo më kto nga podium i PD-së, zonja Grida Duma deklaron se populli nuk i llogarit modelet Rama-Veliaj. Ata janë e shkuara. Basha është e ardhmja! Me atë që pretendohet, gati po skicohet një komunizëm ideal, ku do punohet sipas fuqisë dhe do fitohet sipas nevojës. Nuk dihet me cilin sistem është i krahasueshëm e tërë kjo platformë që po u injektohet shqiptarëve, po ajo që duhet thënë është një fakt që të gjithë e ndjejnë dhe e dinë. Sa më shumë premtime aq më pak realizime. Dhe sa më pak realizime aq më shumë zhgënjime, mallkime e mllefe nesër, urrejtje e anatemime për ata që sot zbresin qiejt mbi tokë dhe u thonë bashkëkombësve tanë: Prisni edhe pak. Treni i demokracisë është nisur drejt 25 prillit! Mjerë ata që dalin para tij! Është në realitet treni që ka për vagonë premtime, premtime, premtime, si thesi boshë që edhe sa herë ta shkundësh nuk ka asgjë brenda. Basha nuk është i vetmi që i jep një dimension të tillë të nesërmes. Bashkë me të, larg realitetit dhe mundësive, janë gjithë ata që ëndërrojnë shtetin e tyre, i cili për ta mund të jetë parajsë, po për popullin mbetet një zhgënjim pafund, ashtu sikurse ka ngjarë kur këta përrallëtarë e kuzhinierë na kanë servirur mirëqenien mijëra herë. Gjithsesi, Lulzim Basha, sot shfaqet si përrallëtarë rrëfimtar, kuzhinier dhe duke qenë kaq i suksesshëm në këtë sferë, lutemi mijëra herë: E paçim kryeministër në pranverë!