BREAKING NEWS

Ngjarje e rëndë/ Një tjetër pacient hidhet nga lartësia e spitalit 'Shefqet Ndroqi' në Tiranë, policia jep detajet e para

Ngjarje e rëndë/ Një tjetër pacient hidhet nga lartësia
x

Opinion / Editorial

Përse fermeri nga Çifliku thotë: Faturisti peshon më shumë se kryeministri?

Përse fermeri nga Çifliku thotë: Faturisti peshon më

Në një takim me miq të mi në fshatin Çiflik të Bashkisë së Konispolit, fshat i ndërtuar pothuaj i ri në fund të malit me emrin “Çuka e Ajtoit” me një reliev konik, në mes të gjelbërimit, rrethuar nga agrikultura, mandarinat, portokallet, limonat, arrat, shegët, blegtoria e shumtë që mbarështohet në zonën përreth, është natë e ditë zgjuar. Punëtorë të pakrahasueshëm. Nikoqirë të palodhur. Krijues dhe racionalë. Edhe pse me pasuri dhe të ardhura të mira, fryt i djersës së tyre, bëjnë kritika për mungesën e investimeve në rrugët e fushës për të shkuar në parcelat e mandarinave gjatë periudhës së vjeljes së prodhimit. Sipas tyre, mjetet ngecin në baltë dhe kjo kërkon urgjent ndryshim të situatës, tani në prag të vjeljes së prodhimit. Plantacioni shtrihet në një sipërfaqe të gjerë që fillon nga Butrinti dhe përfundon pranë fshatit Janijar në lindje. Mandarinat janë prodhimi më i bollshëm që u sjellë të ardhura në portofol fermerëve. Po puna nga nisja deri tek prodhimi është një odise më vete. Procesi nga momenti i lulëzimit të agrumeve deri në vjelje është një kohë e gjatë e mbushur me punë të shumta që shoqërohen me harxhime për plehrat e spërkatjet, pesticidet pasi dihet se kjo bimë është shumë e ndjeshme ndaj efekteve negative të sëmundjeve që shkaktojnë deri edhe humbje të plotë të prodhimit. Për këtë, fermerët i kryejnë shërbimet me korrektesë dhe kujdes të jashtëzakonshëm. Për vitin e kaluar secili nga fermerët flet me nota pozitive për mundësitë që iu krijuan për tregtimin e produktit, i cili shkoi shumë larg deri në Bjellorusi e Serbi, pa folur për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Ndryshe nga vite më parë që u ka mbetur një pjesë e prodhimit në degë. Shitja e prodhimit është një nga momentet më delikate për tërë fermerët e kësaj zone të cilët kanë në prodhim më shumë se një milionë rrënjë mandarina, portokalle, limonë pa folur për kivin, shegët apo arrat. Fermerët në Çiflik nuk bëjnë nihilistin kur kritikojnë. Nuk janë kritizerë të sëmurë, aq më pak nuk bëjnë politikë. Ata të bardhës i thonë e bardhë. Të mirës e mirë. Po edhe mbi të keqen vendosin gishtin tregues, duke akuzuar dhe kërkuar zgjidhje. Atje ku është për vlerësim nuk e kursejnë fjalën e mirë. Çifliqotët, konispolatët,vriniarët, xariotët, shalësiotët pjesë e bashkisë më jugore, Konispolit, kanë mirëpritur vendimin e qeverisë për heqjen e akcizës së naftës dhe zbutjen e çmimit gati përgjysmë pasi deri sot e kanë blerë si ta përdornin për autovetura. Çmimin e ri për litër e vlerësojnë si masë efektive me ndikim të drejtpërdrejtë, impakt pozitiv në buxhetet e tyre familjare. Prej muajsh në këtë zonë që dallon për prodhimin e mandarinës dhe janë kampion në shkallë vendi është duke u rehabilituar kanalet që do sjellin ujin për ujtje nga Janiari i largët deri poshtë në Vrinë e tutje në Vurg. Një investim që i kalon 13 milionë dollarë. Ky projekt ka angazhuar një numër të madh firmash dhe punëtorë, specialistë, pa folur për qindra makineri që hapin trase në male e kodra dhe shtrojnë tubacione përmes të cilave do të vijë uji për ujitje që nga qindra kilometër larg. Liqeni i Janiarit, një nga liqenet më të mëdha artificiale të vendit tonë që nga koha e ndërtimit në fund të vitit 1990 nuk u vu në funksionim. Miliona metër kub uji mbetën të papërdorur. Liqeni ishte thjesht një oaz figurative për peisazhin mes maleve, asgjë më shumë. Tani heshtja është prishur. Makineritë e shumta zhurmojnë për ta vënë në funksionin liqenin duke i dhënë destinacionin për të cilin ishte ndërtuar. Ujitjen. Fermerët vlerësojnë investimin për furnizimin me ujë të pijshëm për njëzetë e katër orë, të cilën e konsiderojnë si një shpëtim nga rrugëtimet për të marrë ujin larg fshatit në burim. Sot uji rrjedh në çezma pa ndërprerje në të gjitha banesat. Po të gjitha këto nuk janë finishi. Dhe përtej tyre nuk ka ç`të bëhet më. Fermerët kanë shumë halle. Është kjo arsyeja që debatojnë për pagesat që kryejnë, veçanërisht faturimet dhe faturat, faturistët e llogaritarët që u dërgojnë mandat pagesat në shtëpi pa u konsultuar me ta në momentin e përllogaritjeve. Në jo pak raste faturat fryhen. Mbingarkohen për energji të pakonsumuar. Afrofeja apo hedhja paradhënie është një tjetër ngatërresë. E njëjta gjë ndodh edhe me ujin. Pa numëruar pagesat e tjera, taksat që janë produkt i bashkisë. Ata janë koshient për të paguar detyrimet korrekt. Dhe për këtë nuk bëjnë asnjë koment. Ajo që i takon shtetit ta marri shteti. Puna nis e shtrembërohet kur faturimet nuk bëhen reale. Ose faturistët takohen me fermerët vetëm një herë në katër- pesë muaj. Apo fatura nuk u shkon fare në banesë. Ballafaqimi për pagesat bëhet në sportel. Dhe për të gjitha këto mosrakordime nisin iluzionet dhe ankesat. Pyetjet nëse janë harxhuar kaq apo janë fiktive?! Çdo veprim i tillë apriori përfundon në kuletën e fermerit. U trazon llogaritë, ua përgjysmon. I pezmaton dhe i armiqëson me shtetin. Është kjo arsyeja që jo pak fermerë në biseda të zakonshme, të thonë me zë të lartë se kur vjen puna për pagesat nuk ka hierarki. Nuk është kryetari i qeverisë që na dërgon faturat. Nuk i pret ai kuponat. Po nëse qeveria mund të bëjë ligje perfekte, programe të balancuara, projekte të përparuara një futurist mund t`ia bëjë zero. Po faturisti nuk është emër i përveçëm. Është emërtim që merret si përgjithësim. Në këtë piramidë nëpunësish kanë pozicionin e tyre gjithë ata që llogarisin detyrimet mujore, vjetore apo ditore, ai që ka marrëdhënie të drejtpërdrejta me mua, këtu në fshat apo në fushë. Kaq i rëndësishëm është për ne ai që na faturon energjinë elektrike apo ujin, na llogarit detyrimet për sipërfaqet e punueshme, hektarët e mbjellë, taksat e tatimet që na lëshojnë në derë, faturat, në një zë të thonë: Faturisti është më i rëndësishëm se kryeministri. Ai na mat kokën dhe të vesh kostumin e taksave. Kryeministrin e shikojmë dhe dëgjojmë në televizor, e ndjekim në përurime apo aksionet për rehabilitimin e ndërtesave, rindërtimin, përballjen me pandeminë që na ka futur frikën, po për ne kryeministër është ky faturisti, ai që na tund bllokun dhe na pret mandatin në fund të muajt. Faturisti për fermerët në Çiflik, po jo vetëm, kudo edhe në qytet, në çdo skaj të vendit nga jugu në veri nuk është një person i zakonshëm. Ai është individi që të qeth kare apo të vë taksën dhe ti je i detyruar ta likuidosh pasi nëse e vonon paguan kamatë apo nëse e shtyn përtej kohës së lejuar e pëson se të pritet energjia apo uji. Pikërisht ndodh kështu se faturisti është hallka ndërmjetëse mes fermerit dhe pushtetit qendror apo lokal, mes OSHEE dhe organizmave të tjera, institucioneve financiare, kadastrës, zyrave të bujqësisë, arsimit, shëndetësisë, sigurimeve shoqërore. Kudo ku i duhet të marrë një shërbim nga administrata, e cila është jo vetëm hallka lidhëse e pushtetit me shtetasit e vet në çdo cep të Shqipërisë, po edhe qeveria reale, e cila është në marrëdhënie të drejtpërdrejta me qytetarët. Nëse administrata është në pozicion aktiv, e përpiktë, e angazhuar dhe nëpunësit nuk qëndrojnë me duar të zgjatura në kërkim të peshqeshit, atëherë edhe vetë qeveria duhet të ndihet më e sigurtë, më pranë qytetarëve. Është kjo logjikë që fermerët në një fshat të vogël si Çifliku, buzë rrugës që të çon në qendrën e bashkisë në qytetin e Konispolit, vlerësojnë si më me peshë, më të rëndësishëm faturistin atë nëpunësin e zakonshëm në dukje, duke e konsideruar si simbol përgjithësues të cilitdo administratori në çdo cep që të ndodhet. Nëpunësit e shumtë që gëlojnë nëpër zyra, ata që paguhen me taksat tona, si individ që kanë vlerën e vet kryeministrit dhe në perceptimin e fermerit cifliqot edhe më shumë se ai. Tek e fundit faturisti i gjithçkaje është hallka që lidh individin në cilindo skaj të atdheut që gjendet me pushtetin lokal apo atë qendror. Si të jetë ai faturisti i zakonshëm, një individi që shteti i ka dhënë në dorë firmë e vulë, lexuesin elektronik të harxhimit të energjisë apo të ujit që harxhon familjari dhe mbi këtë bazë fermeri të paguajë në arkë, në bankë për shërbimin që përfiton. Po a është faturisti në lartësinë e detyrës dhe sa serioz është në punën që kryen? Prej këtej dalin shumë problematika të cilat kërkojnë vëmendje dhe angazhim, jo thjesht të faturistit po tërë nomeklaturës së piramidës së administratës shtetërore e cila mund t’i hajë kokën, jo thjesht një kryeqeveritari, po edhe një sistemi siç ka ngjarë gjatë epokave të ndryshimit të sistemeve shoqërore. Ai faturisti, i përgojuar nga fermeri i zakonshëm që i bie bretku tërë ditën për të nxjerrë prodhimin në treg, që zgjohet me yje dhe shtrihet për gjumë pas mesnate. Është njeriu më me peshë pa të cilën nuk mund të bëhet transmetimi i politikave nga lart poshtë. Nuk mund të zbatohet asnjë reformë e qenësishme, nuk ka zhvillim dhe përparim. Ndaj edhe pse fermeri në Çiflik e bën bisedën, duke e minimizuar tërë politikën në një emër të përveçëm në pamje të parë të zakonshëm e konvergon në emrin e një faturisti, duke simbolizuar me emrin e tij gjithë administratën që duhet t’i shërbejë. Pajtohemi me të se kur i mungon energjia. Kur nuk ka sinjal televiziv. Kur mbifaturohet, atëherë: Vërtetë, faturisti që vepron në emër të shtetit ka peshë më të madhe dhe është person i rëndësishëm, i cili nëse nuk është i denjë, u ha kokën qeverive, kryeqeveritarëve, ministrave, drejtorëve dhe vetë qytetarëve të këtij vendi. Administratorët, nëpunësit, rrogëtarët që paguhet me taksat e këtij fermerit nuk i falet neglizhenca, sorollatja, mitmarrja, korrupsioni. Është për këto arsye që fermerët, faturistët e gjithçkaje, kupto administratën, e vlerësojnë njëlloj si të ishte i pari i ekzekutivit. Faturistin, taksambledhësin, fermerët nuk e shikojnë si simbolikë dhe as e përdorin si retorikë. Për ta, faturisti është zyrtari më i lartë. Është fuqiplotë. Vendimmarrësi me dorë të lirë. Ekzekutori i politikave të shtetit. Më kompetenti ndër kompetentët. Më i rëndësishmi. Është numri një që të zbraz kuletën, të shqyen xhepin në sekondë nëse të bënë një llogari të gabuar apo të plotëson faturën me disa qindra kilovat energji që nuk i ke harxhuar, mbifaturon taksën mbi tokën, prodhimin. Është faturisti i energjisë që të plotëson një faturë marramendëse, të padrejtë, po që tek kujdesi për klientin kur ankohesh, të thonë se: Fatura është lëshuar tani nuk kthehet mbrapsht! Nuk ka mundësi të korrigjohet. Është hedhur në sistem, duke e paraqitur sistemin si të pakontestueshëm, ta pandryshueshëm, të pakorrigjueshëm. Sistemi është krijim i njeriut për t`i shërbyer atij dhe institucionit, si i tillë është i ndryshueshëm. Faturisti është nëpunësi që të vendos pagesën. Është njeriu fuqiplotë që komandon paranë e familjarëve të zakonshëm. Ndaj me të drejtë fermerët dhe jo vetëm, deklarojnë: Një faturist peshon më shumë se një kryeministër! Faturisti është më shumë se kryeministër, është komandant i parasë sonë!