BREAKING NEWS

Maturantët çohen në protestë para Qendrës për Shërbimin Arsimor, reagon 'flakë për flakë' ministrja Evis Kushi, tregon vendimin që pritet

Maturantët çohen në protestë para Qendrës për
x
BREAKING NEWS

Priten zhvillime të rëndësishme! Socialistët mbledhin sot Kongresin e jashtëzakonshëm në stadiumin “Air Albania”, rizgjidhen strukturat. Zbardhet e gjithë axhenda

Priten zhvillime të rëndësishme! Socialistët mbledhin sot
x
BREAKING NEWS

“Për të gjithë ata që i japin PS diçka sado të vogël”, Rama del me mesazhin e fuqishëm për të gjithë socialistët

“Për të gjithë ata që i japin PS diçka sado
x
BREAKING NEWS

PS mbledh sot Kongresin, paralajmërohet furtunë në parti dhe në administratë, emrat me më shumë vota drejt katapultimit në qeveri

PS mbledh sot Kongresin, paralajmërohet furtunë në parti dhe
x
BREAKING NEWS

Shantazhet e Berishës ndaj SHBA për të marrë PD, blof për të rritur pazarin, deputetët demokratë kundër rikthimit të tij

Shantazhet e Berishës ndaj SHBA për të marrë PD, blof
x

Opinion / Editorial

Përse mungon debati midis kandidatëve?

Përse mungon debati midis kandidatëve?

Rrahja e mendimeve ndërmjet dy a më shumë njerëzve rreth një çështje të caktuar quhet debat. Ky është përcaktimi klasik. Por ai ka nga pas aq shumë mbiemra, pozitiv dhe negative sa herë - herë është i domosdoshëm dhe me rezultate tepër të larta dhe ngandonjëherë (më shpesh në televizionet shqiptare) merr ngjyrime negative e ngatërrohet edhe me sherrin. Ka debat konstruktiv, debat të gjallë e të gjerë, në familje dhe në shoqëri. Kur në debat hyn logjika dhe argumenti, jo vetëm se pjesëmarrësit ndjehen mirë, por edhe kurba e rezultatit është në ngjitje. E njëjta gjë ndodh kur në debat marrin pjesë njerëz jo vetëm me kulturë, por edhe bindës në atë që thonë. Pastaj ka edhe debate si ato që ndodhin rëndom gati çdo mbrëmje në ekranet e televizioneve tona ku ndonëse janë 3 apo 4 të ftuar, flasin jo thjesht broçkulla, por edhe me aq shumë ndërhyrje tek njëri-tjetri sa nuk merren veshë se ç’thonë. Më hipokritja tek ta është fakti se teksa flasin vetë kërkojnë të mos ndërhyjnë të tjerët dhe janë më aktivë në ndërhyrje teksa flasin të tjerët. Tek ne, të paktën në atë që duket e shihet ka debatues me rekorde ndërkombëtare në këto 20-30 vjet. Dalin gati çdo mbrëmje nëpër ekrane dhe në njëqind parashikime u dalin apo jo dy parashikime dhe të nesërmen i shikon përsëri aty thua se e vërteta është vetëm pronë e tyre. Ka debatues që përmes shifrave dhe fakteve të bëjnë për vete, por ka të tillë që kanë ardhur në debat me një mision të caktuar dhe ndonëse e vërteta bën muuuu, gjejnë në fjalorin shqip fjalë dhe togfjalësha të pakuptimta, vetëm e vetëm për të mbështetur idenë për të cilën kanë ardhur në debat. Të dhëmb shpirti kur prej vitesh të tëra shikon pjesëmarrës në këto debate opinionistë që e kanë në ballë damkën e anësimit nga një subjekt politik, duke shkelur edhe mbi vlerat e tyre intelektuale dhe rropaten të mbrojnë të pambrojturën. Sepse mund të justifikohen debatuesit si përfaqësues politik të një subjekti të caktuar, por jo intelektualët e vetëpërcaktuar si të tillë dhe bëjnë avokaturën politike të dikujt. Megjithëse duhet theksuar se edhe përfaqësuesit politik asnjëherë nuk kanë qenë të sferave më të larta të partive. Nëse më kërkoni emra po ju them se i keni si mysafirë të paftuar çdo mbrëmje në ekranin tuaj. Por sido që t’i përcaktojmë këto më lartë, ku më pak dhe ku më shumë e kanë nga një cikë vlerë. Ajo që mungon, por duhet të jetë patjetër në jetën politike shqiptare është mungesa e debatit të kandidatëve kryesorë të subjekteve më të mëdha në vend. Jo vetëm debatet midis kandidatëve të subjekteve të ndryshme, por edhe debatet midis kandidatëve të të njëjtit subjekt. Asgjë më shumë se sa ajo që ndodh në SHBA, të cilën ne e marrin si etalon pozitiv të gjithçkaje. Ne jemi spektatorë të durueshëm, madje apasionant dhe tepër entuziast jo vetëm kur debatojnë dy kandidatët kryesorë për president të vendit më demokratik në botë, por më shumë kur debatet bëhen midis kandidatëve të së njëjtës parti. Me një gatishmëri për t’u marrë shembull të të gjitha shqisave, ne presim të dëgjojmë akuzat që debatuesit do të bëjnë për njëri-tjetrin dhe të palarat që do të nxjerrin. Por ata i kanë bërë “hesapet me hanxhinë” dhe kanë ardhur në debat pasi janë të sigurtë që akuzat më të mëdha që mund t’u bëhet është e padëmshme në karrierën e tyre. Gjë që nuk ndodh tek ne. Në asnjë fund fushate elektorale ne nuk kemi parë ballafaqime midis kandidatëve kryesorë të dy partive rivale për të shpalosur programet e tyre, por edhe për të sjellë argument pse kundërshtari nuk duhet të jetë fitues. I justifikuar në vitet e para të demokracisë ky debat, pasi mungonte jo vetëm përvoja kombëtare, por edhe mungesa e përvojës ndërkombëtare. Por i pajustifikuar ky fakt tashmë pas 30 vjetësh të hapjes së vendit tonë sepse edhe qytetari më i thjeshtë është njohur me këtë përvojë tepër domethënëse. Votuesi duhet të njohë njeriun që do votojë si fitues me të gjitha anët pozitive dhe negative që ka dhe kush më shumë se kundërshtari politik do t’i vinte këto të fundit në dukje, aq më shumë publikisht? Por duket se pikërisht kjo është edhe thembra e Akilit e mungesës së këtyre debateve. “Njollat” që kanë kandidatët në paradebat dhe në jetën e përditshme nuk u japin atyre forcë për të përballuar kundërshtarin. Nuk bëjmë fjalë për akuzat që bëhen për efekte politike, por për ato që janë të bazuara në realitet. Në përvojën amerikane ballafaqimi nis brenda partisë për të nxjerrë kandidatin më të denjë përballë kundërshtarit politik. Ndonëse të një partie ata hahen dhëmbë për dhëmbë me njëri-tjetrin për të bërë të fitojë më i miri dhe sapo mbyllet kjo garë, ata bëhen bashkë në frontit e konkurrimit kombëtar. Po përse nuk ndodh kjo në vendim tonë, qoftë edhe me dy partitë më të mëdha? Shpjegimi është fare i thjeshtë: mungon demokracia e vërtetë në këto parti. Kryetarët e tyre janë bërë si plaku Mere në fisin e paraluftës që vendosin vetë se çdo të bëhet dhe askush nuk duhet të dalë nga rreshti. Kush do të guxonte qoftë tek PS qoftë tek PD (në partitë e tjera as që bëhet fjalë) të vinte kandidaturë përballë kryetarit dhe të debatonte me të? Askush. Ka patur nja dy raste të kandidaturave fallso dhe sa për sy e faqe që tashmë kujtohen si skeçe të asaj kohe. Duket një shkëndijë shpresëdhënëse në këtë fushatë për zgjedhjet në PD, por edhe kjo do të mbetet si element estrade. Sepse normalisht Basha duhet të japë fillimisht dorëheqjen dhe pastaj të regjistrohej si kandidat për kryetar ndërkohë që është shprehur se “nëse nuk fitoj në garë do të jap dorëheqjen”. Kjo më kujton atë shprehjen e vjetër që “do vrasë veten dhe pastaj do t’i them burgut hapu”. Kadilli apo dikush tjetër me vullnetin e tij do t’i duhet të konkurrojë me Bashën që nga ana e tij ka emëruar gjithë kryetarët e partive lokale, gjithë udhëheqësit politikë në qarqe dhe po ashtu ka bërë vetë listën e atyre që tashmë janë deputetë të kësaj force për në Parlamentin e ri. Retorikisht mund të pyesim: Kush do të guxonte nga këta të votonte kundër tij? Askush. Kështu që gara është shumë e padrejtë. Padyshim që e njëjta tablo është edhe në krahun tjetër. “Komandanti” ka fitoren e freskët me vete dhe e ka të justifikuar të bëjë atë që ka bërë gjithmonë që kur erdhi në krye të PS: të heqë dhe të emërojë kë t’i dojë qejfi në krye të kësaj partie dhe për ta patur bashkëpunëtor të ngushtë. Megjithëse duhet vënë në dukje se qysh përpara zgjedhjeve ka menduar t’i japë kësaj partie një fytyrë të re teksa la jashtë parlamentarizmit shumë prej figurave të shquara të kësaj partie dhe kishin vite që jepnin kontributin e tyre në fitoret e saj. Duke mos patur asnjë “kundërshtar” real brenda partisë për të dalë në krye të saj përmes debateve, ata as që e vrasin mendjen për ta ngritur këtë traditë në rang kombëtar. Pati një kërkesë nga Basha në këtë fushatë për një të tillë, por që u injorua fare hapur nga Rama. Arsyet i di ai, por votuesit shqiptarë e meritojnë që sidomos në fushata elektorale të kenë ballafaqime televizive midis kandidatëve kryesorë për postet e rëndësishme në këtë Republikë, qoftë për president qoftë edhe kryeministër, madje pse jo edhe për kryetarët e bashkive. Për t’u njohur në këto ballafaqime jo vetëm me programet që kanë hartuar për periudhën e mëpastajme, por edhe për t’u njohur drejtpërdrejt me intelektin dhe aftësitë e atij që do të drejtojë këto institucione kryesore. Ndoshta në zgjedhjet e radhës që janë ato lokale do të kemi mundësi ta shikojmë të realizuar këtë proces tepër demokratik.