BREAKING NEWS

Lajm fantastik nga spitalet COVID: Sot më shumë të shëruar se të prekur me koronavirus, ja 3 qytetet me numrin më të madh të infektimeve

Lajm fantastik nga spitalet COVID: Sot më shumë të shëruar
x

Opinion / Editorial

Përse një Kupi votoi Edi Ramën?

Përse një Kupi votoi Edi Ramën?

Nëse në diktaturë emri i Abaz Kupit shikohej me neveri nga sistemi, në të vërtetë atij i takonin edhe merita si rrallëkush. Si një nga oficerët më të përgatitur të mbretërisë ai më 7 prill të ‘39 nuk ndoqi nga pas mbretin, por në emër të patriotizmit gozhdoi në bregdetin e Durrësit pushtuesit italian me repartin e vet për rreth 36 orë. Me zbarkimin e italianëve u detyrua të largohej për në Turqi ndërkohë që e gjithë familja e tij u internua nga qeveria italiane në fillim në Himarë dhe pastaj në ishujt italianë. Me kapitullimin e Italisë ata u rikthyen në Krujë ku u bashkuan me Abazin. Influencuar nga miq e shokë të shumtë dhe bashkë me ta ai menjëherë rrëmbeu pushkën për të luftuar për çlirimin e vendit. Ai ishte një nga organizatorët e Mbledhjes Historike të Pezës ku u zgjodh edhe anëtar i LANÇ-it. Ishte po ashtu një nga organizatorët kryesorë të Konferencës së Mukjes në fillim gusht të vitit 1943 ku u arrit bashkëpunimi midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar, si rezultat i të cilit ushtria e të dy forcave udhëhequr nga Abaz Kupi shpartalloi ushtrinë italiane në 4-5 gusht që marshonte drejt Matit. U vranë 150 ushtarakë, u plagosën 40 dhe u zunë robër 7 e midis tyre edhe koloneli A. P. Skampa. Me prishjen e marrëveshjes së Mukjes u largua nga KPNC dhe krijoj lëvizjen e Legalitetit, që kishte si qëllim rikthimin e mbretit. Me fitoren e komunistëve më 1944 u largua me misionin anglez fillimisht në Londër e më pas në SHBA ku edhe ndërroi jetë më 1976. Ndërkohë që ai luftonte për përmbysjen e komunistëve, këta të fundit nuk patën mëshirë për familjen e tij. Ai kur iku mori me vete dy prej djemve, por la këtu njërin djalë, katër vajza dhe të shoqen, një trimëreshë shkodrane. Këta njohën pa mëshirë dhimbjet më të mëdha që ua shkaktoi shtegtimi nga një internim në tjetrin. Plot 51 vjet ata u detyruan të bridhnin me plaçkat në krah sa në kampin e Tepelenës, në Spille dhe vitet më të shumta në Grabian të Lushnjes. Njëra prej vajzave të tij, Hyrija u njoh në këto shtegtime nëpër kampe me një tjetër pinjoll të një prej familjeve më të ndjekura të regjimit komunist, me Viktorin djalin e kolaboracionistit Hasan Dosti me të cilin lidhi jetë (a mendohej dot që ajo të martohej me një djalë komunisti?!). Vetëm me ardhjen e demokracisë në fillim vitet ‘90 ata u larguan nga internimi dhe u stabilizuan në një pjesë të pronave të tyre. Në këtë kuadër djali i tyre Kutbiu, shkollë pas shkolle me rezultate të shkëlqyera u stabilizua me punë në SHBA, ku jeton edhe sot. Të gjithë Kupët dhe Dostët tashmë kishin gjetur strehën e tyre të vërtetë Partinë Demokratike dhe të gjithë u pajisën me dokumentin e saj dhe jo vetëm formalisht. Ata ishin nga më flamurtarët në luftën për ardhjen e saj në pushtet dhe logjikisht nuk mund të ndodhte ndryshe. Në lirinë e saj të plotë, Hyrija (duhet thënë ndjesë pastë sepse zonja ka dy vjet që është ndarë nga jeta) i kalonte këto vite të pleqërisë së thellë sa në Tiranë dhe sa në SHBA, tek djali që nuk ngopej me mallin për të ëmën. Vetëm në një rast pati një “krisje” në marrëdhëniet e tyre, por që ishte sekondare dhe çdo gjë vazhdoi si më parë. Për çka do të tregojë më poshtë kam dëshmitarë Zotin dhe të birin e saj, Kutbiun. Pasi votoi në zgjedhjet e fundit që u zhvilluan në Shqipëri, siç kishte bërë edhe plot herë të tjera, zonja i hipi avionit dhe drejt e tek i biri në SHBA. Si gjithmonë ai e priti me gjithë të mirat dhe kur ishin rehatuar goxha e ngacmoi të ëmën se si nuk kishin luftuar më fort për të mos fituar socialistët, por ua kishin lënë atyre pushtetin. Pasi e la të shfryhej mirë e mirë dhe e kuptonte si çdo zemër nëne kupton evlatin, ajo i thotë qetë e qetë se edhe ajo, Hyrija e bija e Abaz Kupit, tradhtarit me damkë dhe që nuk kishte lënë vend dhe fshat pa u internuar, kishte votuar për socialistët. Kutbiu e pa fillimisht me habi dhe e mori këtë si një shaka që po ia bënte e ëma, por kur i lexoi mirë sytë e saj, sy që ia kuptonte çdo detaj, e pyeti nëse kjo ishte e vërtetë. Kur mori për së dyti miratimin dhe u bind se gjithçka nuk ishte një shaka, iu kthye të ëmës: Ç’më thua moj mama, si mund të jetë e vërtetë një gjë e tillë? Si mundesh ti një pinjolle e denjë e Abaz Kupit të votosh armiqtë e betuar të tij? Ku vajti amaneti i gjyshit dhe gjithë fisit? Ku e çove gjithë përpjekjen tonë e të dajave për fitoren e të djathtës? Por edhe ne Dostëve ç’na ke bërë moj nënë e dashur? Si guxove ti mbash në pushtet bijtë e atyre që nuk kanë lënë torturë pa bërë mbi ne? Si moj e harrove kasollen e Tepelenës, të Spillesë dhe Grabianit? Si moj e harrove supën me krimba që hanim në internim? Si moj harrove sa herë kemi rënë të flemë pa u ngopur me bukë? Si moj i harrove mbledhjet që bënte fronti në lagje për ne, bijtë e kriminelëve? Hyrija e shikonte në bebe të syrit të birin, ia kuptonte shqetësimin që kishte dhe buzëqeshte lehtë. Ishte kjo buzëqeshje që e bëri Kutbiun që të kuptonte se e ëma kishte një arsye të fortë për t’ua shpjeguar se përse kishte votuar Edi Ramën. U qetësua, iu ul pranë, ia puthi duart me dashurinë e përhershme dhe priti reagimin e saj. Hyrija i foli shtruar dhe shkurt: Unë nuk votova Edi Ramën bir. Besoj e mbani mirë mend rrugën prej gati 100 metra që na çonte nga shtëpia jonë në bulevard dhe që ishte gjithë gropa dhe e pashtruar. Ishe ti bir që ankoheshe më shumë, se të prishej makina. Epo ajo rrugë sot është e asfaltuar dhe mua nuk më bëhet këpuca me baltë kur dal nga shtëpia. Po atë hapësirën midis pallateve tona e mbani mend besoj? Gjithë gropa e më ca pemë shtrëmbalaqe kushedi se kur ishin mbjellë. Epo ai kopsht është bërë sot më i bukur se ky që keni ju këtu përpara shtëpisë. Janë mbjellë pemë të tjera, janë mbjellë edhe lule. Pa janë vënë edhe stola të mrekullueshëm ku vemë e ulemi ne pensionistet e lagjes dhe kënaqemi me muhabet me njëra-tjetrën. Po është bërë aty edhe një kënd lojërash për fëmijë që do mahnitnin edhe fëmijët tuaj kur të vijnë. Dhe të gjitha këto për vetëm një vit. Kështu biri i nënës, unë nuk votova Edi Ramën por votova rehatinë dhe mirëqenien time, votova atë që punon dhe mendon edhe për ne.