BREAKING NEWS

Asnjë viktimë, bien infektimet në vend, MSH përditëson të dhënat: Ja sa raste të reja u shënua në 24 orët e fundit nga koronavirusi

Asnjë viktimë, bien infektimet në vend, MSH përditëson
x
BREAKING NEWS

Kryeministri Rama jep një tjetër lajm fantastik

Kryeministri Rama jep një tjetër lajm fantastik
x
BREAKING NEWS

Pas dënimit me 2 vite burg të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Rama jep mesazhin e fortë në France 24, paralajmëron ndryshimin e madh: Do të bëjmë çfarë është e mundur që...

Pas dënimit me 2 vite burg të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Rama
x
BREAKING NEWS

Zbardhen emrat! Kush janë dy vëllezërit dhe i riu nga Tepelena që donin të vrisnin biznesmenin e njohur në Sarandë?

Zbardhen emrat! Kush janë dy vëllezërit dhe i riu nga Tepelena
x

Opinion / Editorial

Përtej çudirave edhe marrëzitë, nuk kanë të sosur!

Përtej çudirave edhe marrëzitë, nuk kanë të

Është e vërtetë që çudirat tashmë në këtë vend kanë marrë të drejtën e qytetarisë, por edhe kjo, nuk është më e keqja. Më e keqja është që edhe marrëzitë, nuk kanë të sosur. Me shumë të drejtë shkencëtari i Madh, Ajnshtajn, shkruante: “Dy gjëra janë të pafundme: Universi dhe marrëzia njerëzore. Por unë, ende nuk jam i sigurt për Universin”! Më qartë, nuk ka ku të shkojë sikur Ajnshtajni të kishte jetuar me ne në këta vite të “demokracisë adoleshente”, siç e quan kryeministri ynë këtë “adoleshent” tridhjetëvjeçar që ne, sot e mbajmë në “krah” këtë “vocërrake”! Herë ia “hedhim” njërit e herë ia hedhim “tjetrit”, duke e thënë “pse nuk e le të “rritet” pse nuk e le të piqet”! Kjo është çudia, e cila shkon edhe më tej akoma në marrëzi. Po cila është marrëzia? Marrëzia është që ky “adoleshent” tridhjetë e një vjeçar edhe sikur njëqind vite të tjera të kalojnë, përsëri do të mbetet “adoleshent”. Do të mbetet e tillë kjo demokraci, sepse demokracia e vërtetë, nuk ndërtohet me njerëz “të marrë”. Shteti ligjor nuk vjen me njerëz që askush nuk e njeh ligjin e për më tepër nuk i intereson të zbatojë ligjin. Nuk është më çudi tashmë që mazhoranca e sotme akuzon herë njërin e herë tjetrin vend europian si fajtorë që ne nuk pranohemi në BE me pretendimin që “detyrat e shtëpisë i kemi bërë mirë”! Opozita, nga ana tjetër si për “inat të sime vjehrre” përgatit “stërkëmbëshat” për t’i vendosur në “rrota” integrimit, apo më konkretisht, përgatit “të zezat” me të cilat do të njohë opinionin ndërkombëtar. Bile për këtë, ideatori i marrëzive tridhjetëvjeçare, po përgatit edhe “Librin e zi” që bota të njohë “të zezat” dhe nga ana tjetër Shqipëria, të njohë “të bardhat” që i “zbardhin” faqen. Le të vijmë në kohën dhe në terrenin konkret. Zgjedhjet e shumëpritura si të “lira e të ndershme” për të cilat aktorët e politikës, të majtë e të djathtë, u rranë borive dhe u frynë gongeve për afro dhjetë muaj që më 25 prill, për herë të parë, do të kemi zgjedhje “të lira e të ndershme”! Nuk është çudi që ato u shpallën kaq herët vetëm e vetëm që ato të jenë me standarde. Më tej, çudia vazhdon. Nuk u vlejti kjo kohë e gjatë politikanëve që të jenë “të ndershëm” e kështu t’i mësojnë edhe qytetarët që ata të votojnë me ndershmëri, por kjo kohë e gjatë, u vlejti të përsosin më tej metodat e mashtrimit, të gënjeshtrës. Ky mentalitet, nuk është i çastit, por është i hershëm. Kështu është “sanksionuar” në “trupin” e kësaj demokracie “adoleshente”, që qysh nga deputetët, e ministrat, në poste, që nga kreu e deri tek i fundit të vendosen jo ata që e meritojnë, por ata që nuk e meritojnë, të vendosen jo ata që kanë vlera, por ata që kanë antivlera. Të vendosen jo ata që i shtrohen punës, por ata që punën e kanë sa për sy e faqe duke mos menduar që të bëjnë “prokopi” me punën dhe djersën e tyre, jo duke vjedhur. Jo të ulin kokën për punë, por puna, t’i krijojë kushte dhe t’u ofrojë lehtësira që të pasurohen. Edhe unë që flas, më duket sikur flas për kohën e “Baba Qemos” sepse, në fakt, puna dhe ndershmëria, i përkasin të kaluarës! Në skenë sot, kanë dalë të tjera “talente” që edhe pa bërë “shkrap” në punë bëhen të pasur edhe pa ditur të shkruajnë emrin e tyre, bëhen profesorë, edhe pa ditur të lexojnë shqip, bëhen deputetë! S’ke ç’i bën, është vetë sistemi që e “vadit” këtë kohë... Por, të mos largohemi nga tema, kështu ndodhi edhe për zgjedhjet e fundit. Kush fitoi? Më saktë, më saktë të themi, fitoi mazhoranca sepse humbi opozita. Shqipëria nuk fitoi, qytetarët nuk fituan. Disa i gëzohen karriges, të tjerët vazhdojnë të bëjnë marrëzira të pafund për të fituar karrigen, por jo për të fituar Shqipëria. Shqipëria edhe në të ardhmen, do të vazhdojë të qeveriset me një qeveri të lodhur, por lodhjen nuk e ndjen. Ajo, ka përballë një opozitë të carfalitur e të shpartalluar që vetëm opozitë konstruktive nuk është. Kjo opozitë i jep mazhorancës “flamurin” e fitores.. Kjo opozitë i jep “krahë” mazhorancës që të fitojë jo vetëm mandatin e tretë, por sikur t’i jepte jetë Zoti edhe mandatin e tridhjetë… Kjo mazhorancë, ia ka marrë “sekretet” kësaj opozite dhe fiton duke qeshur... Le të “qajë” Shqipëria nga varfëria që sa vjen e shtohet, që sa vjen e braktiset nga banorët e saj. Le të “qajnë” pensionistët me një pension qesharak, le të “qajnë” qytetarët për borxhet që kanë për të paguar. Cilat borxhe? Janë shumë dhe midis tyre janë ato mbi katërqind milionë euro të faturave për drita ujë e tvsh të bizneseve që nuk kanë paguar. Janë ato miliona euro të institucioneve shtetërore që janë debitorë në shtet, janë ato të shpenzimeve që bëhen për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet e në thellësitë e maleve, janë ato që u harxhuan për fushatën zgjedhore, janë borxhet e jashtme... Shteti këto, “nuk i dinte” para zgjedhjeve sepse i duheshin vota, tani kujtohet e bën bilancin. Nuk do të paguajnë taksapaguesit nga pagat e pensionet e tyre, do të paguajnë indirekt, nëpërmjet pensionit që nuk do të rritet, nëpërmjet çmimeve që shkojnë në maja sipas qejfit të biznesmenëve, duke filluar që nga uji që është më i shtrenjtë nga qumështi. Kohët e “kolerës” nuk na u ndanë e nuk do të na ndahen. Atëherë, kush ka fituar? Askush! E megjithatë mazhoranca fitoi sepse krahasuar me këtë opozitë, është shumë hapa larg. Qeveria do të vazhdojë “dymenë” e saj, opozita do të vazhdojë avazin e “qaramanit” qesharak... Çudia është që humbësit recidivist (përsëritës) nuk e pranon humbjen. Kreu i humbësve, i “shtrirë për tokë” i mundur bërtet: “Beteja jonë, tani fillon. Përpara për të fituar betejën”! Kjo është marrëzia. Përpara ju o “ushtarë” duke qenë të “sfilitur” nga humbja përpara duke sulmuar me “zvarritje”! Kjo është edhe marrëzia që kalon çdo cak çudie! Këtij “roboti” kështu ia ka dhënë kurdisjen “ustai” i tij qysh përpara pesëmbëdhjetë viteve kur e futi në politikë. Çfarë “kurdisje”? Mos e njih humbjen asnjëherë edhe kur humb! Pas tij, kështu sulmuan edhe “kalanderët” e tij, vetëm duke sharrë kundërshtarin me gjithçka ka fjalori, kriminel, hajdut, bandit, vrasës, oligark, i pamoral, shkatërrues i Shqipërisë, duke e “shpartalluar” me fjalë, me ulërima. Po alternativa? Asgjë? Por a kishte kandidatë për deputetë që bënë një fushatë model? Ka, bile janë shumë edhe nga e majta edhe nga e djathta. A nuk është për të marrë shembull fushata e z.Ilir Topi në Qarkun e Korçës për të cilin flasin puna, sjellja e tij. Edhe sikur fare të mos fliste, votuesit për Ilirin e kishin ndarë mendjen. Iliri, as nuk fyeu, as nuk tha një gjysëm fjalë për kundërshtarin, përveç “Votoni për cilin ta shihni ju të arsyeshme, për atë që do qëndrojë pranë halleve tuaja”. Kjo ishte motoja edhe për Blerina Gjylametin edhe për Luljeta Bozon edhe për Fatmir Xhafën e për shumë të tjerë. Shembulli i këtyre e i shumë të tjerëve si këta, jep mësimin që votuesit, dinë kujt t’ia japin votën, dinë kujt t’i besojnë. Çdo gjë tjetër është pa vlerë... Po humbësit e opozitës? Brenda ditës e morën kthesën. Një ditë më parë Palokë Nën/Basha, ende pa mbaruar votimet mundohej të qetësonte turmën euforike nga “fitorja”! Ditën tjetër, u “masakruan” zgjedhjet!. Një ditë më parë kryetari Basha deklaronte: “vullneti i popullit ndodhet në kuti”! Të nesërmen, “vullneti i popullit” mori malet. Sa qesharakë, aq edhe të papërgjegjshëm, sikur të gjithë të jenë mbledhur me “kokrra misri”! Një deputet i quajtur Mark Marku thotë “do t’i nxjerrim me shqelma nga zyrat socialistët” kurse një “shtojcë” e tij po në atë zonë, besimin që i dhanë qytetarët, do ta përdori për “t’i mërzitur jetën Ramës”. Këta janë profesorë. Këta do të jenë opozitarët e ardhshëm. Të gjithë shohin ëndrra me sy hapur. Alibeaj “argumenton” blerjen e votave nga “siluetat” e PS-së që lëvizin natën. Të tjerët bëjnë “shoë” me kutitë e kartonit të mbushura me “fakte të rënda” të “masakrimit” të votave duke i çuar në KAS. Jemin Gjana, është politikan i vjetër. Ai, të “mbush” mendjen dhe “argumenton”: “masakrën” e votave. Jemini flet shumë, por midis të tjerave “argumenton” që “mandatet e 7-8 deputetëve të mazhorancës, vijnë nga krimi”, “në fitoren e mazhorancës, ndikuan drejtpërdrejt edhe grupet e kriminelëve të ardhur nga Belgjika dhe Spanja”, “Largimet e emigrantëve gjatë këtyre tetë viteve të mazhorancës, janë të gjithë nga opozita, sepse nuk e duronin shtypjen e qeverisë dhe atje ku ata kanë shkuar, janë pa letra sepse qeveria, nuk i ndihmon, e plot e plot “xhevahire” të tjera. “allajemince”. Ja që edhe marrëzitë, kanë edhe anën e tyre “komike”. Kur e pyesin: A keni ndonjë fakt konkret për bandat e krimet, Jemini thotë: “Nuk ka ndonjë qytetar që nuk i di emrat e atyre që mundën Pandeli Majkon me tre herë më shumë vota në emër personal apo kryetarin e PS-së për Tiranën etj. etj. Marrëzia e “nëntogerëve të ‘91-shit dhe gjeneralëve të ‘97-s, sipas Gjanës, është përqëndruar tek largimi i Bashës. Kështu i quan Jemini kundërshtarët e Bashës, Nishani, Imami etj. Kjo është edhe marrëzia e humbësve me në krye Bashën, i cili vetëm lider nuk bëhet dot. Problemi është më i thellë. Kjo thellësi, shkon deri tek rrënjët e kësaj partie që “këmkat” e Bashës, nuk e mbajnë dot. Me emrin e partisë së Bashës, janë të lidhura të gjitha marrëzitë e këtij vendi, qysh nga shkatërrimi i Shqipërisë, nga firmat piramidale, nga kundërrevolucioni i vitit 1998, nga ngjarjet në Bulevard, nga Gërdeci e shumë e shumë të tjera, Edhe frymën e shitblerjes së votës, e futi partia e Bashës që sot Basha bërtet: “Kam zënë një hajdut”! Në këtë “pyll” marrëzish, Basha është një “huckë” i ngulur nga dikush që e ka harruar dhe ky nuk përbën objekt për ta shkulur. Sa për zgjedhjet, si janë bërë, në këta tridhjetë vite më mirë se kushdo e thotë i ndjeri Sokol Olldashi në fjalën e tij në Parlament më 7 nëntor 2013, ku me të drejtë thotë që “zgjedhje ishin ato të vitit 1991-92, atëherë kur njerëzit votonin për një ideal, votonin me zemër! Partia e Bashës, ka vetëm një zgjidhje. Reformimin e saj, e cila u formua si parti e shpresës, por sot është tridhjetë vite larg shpresës! Më tej akoma: Opozitës, askush nuk ia ka fajin. “Gropën” ajo e hapi vetë, për të mos u ngritur kurrë. E hapi me djegien e mandateve, e hapi me nxitjen e turmave të irrituara për rrëzimin e qeverisë, e “thelloi” me mospjesëmarrjen në zgjedhjet vendore dhe e mbylli me marrëzitë e presidentit, që u rreshtua në krah të saj, duke rrëmbyer sfurqet, kosoret dhe sëpatat…