BREAKING NEWS

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i fortë i SHBA-së, ja çfarë pritet të ndodhë në vijim

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i
x

Opinion / Editorial

“Perustia” ku mbështetet “tenxherja“ e Ramës!

“Perustia” ku mbështetet “tenxherja“ e Ramës!

Pa diskutim, Kryeministri më kokëfortë dhe më taravol i tri dekadave të fundit, është Edi Rama. Siç ka vërtetuar praktika e këtyre 7-8 viteve në qeverisjen qendrore, situatat e koklavitura që i janë paraqitur, ai i ka zgjidhur dhe po i zgjidh, me manovra e taktika lakmuese, dhe kur ato nuk ecin, me këmbënguljen e tij shembullore. Jo më kot, zëdhënësja e tij, Spiropali, e ka pagëzuar Kryeministrin e saj dhe tonin, “Skënderbeu ynë“!

Kur në detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit, realizoi pastrimin e lumit Lana dhe parkun e madh “Rinia”, nga plehrat mal të qeverisjes së parë të Berishës, gjithkush mbeti me gojë hapur. Edhe një regjim totalitar, me masat e tij dragoniane, që shkojnë gjer në dënime me vdekje, nuk do të kishte mundur ta realizonte në aq pak kohë, e pa dënime, atë që realizoi kryebashkiaku Rama, në postin e Kryetarit të Tiranës. Si ia arriti kësaj? Vetëm pas dhjetë – pesëmbëdhjetë vitesh u arrit zbulimi i këtij misteri. Por meqenëse “misteri“ në fjalë, pati rezultate pozitive për kryeqytetin dhe qytetarët e tij, lufta për zhbirimin ligjor të “misterit Rama”, u arshivua në dosjet e thashethemeve, aq shumë të lëçitura në këto tri dekada të “ndritura“ borgjeze.

Ajo që ka rëndësi për t’u shënuar, personazhi ynë, tani që është në krye të gjithë vendit, manovrat, taktikat dhe këmbënguljen për arritjen e qëllimeve të tij, i ka përsosur e sofistikuar në shkallën më të lartë, me objektiv: Thyerjen e rekordit me tre mandate që realizoi kur ishte në drejtim të Bashkisë. Këtë super objektiv, e ka plotësisht të mundshëm, sepse “tenxherja“ e tij e pushtetit, mbështetet fort mbi tri këmbë të shëndosha e solide, të cilat për lehtësi shpjegimi, po i krahasojmë me tri këmbët e perustisë. Le të shpjegohemi më hollë: Këmba e parë e “Perustisë”- Partia politike me inicialet “PS” në letër dhe “Rilindje” në përdorim, në mënyrë të padiskutueshme ka elektoratin më të madh nga çdo subjekt tjetër politik në vendin tonë, një pjesë dërmuese e të cilit, vijon të mendojë se PS-ja është vijim i PP. Shtesa djallëzore “Rilindje”, që i bashkangjiti kryetari i ri, e forcoi më shumë besimin e elektoratit të saj tek Rama, dhe priti e pret me durim që ai të “Rilindë“ një pjesë të veprave të pamohueshme të ish partisë së tyre të kohës së Socializmit. Më të zellshmit në këtë mirëbesim, janë vetaranët e pasardhësit e tyre, si dhe familjet e të afërmit e Dëshmorëve, të cilët përbëjnë edhe palcën e elektoratit që mbështet PS - Rilindjen e Ramës. Këtë “këmbë perustie”, Rama e ka super të sigurt. Çfarëdo që të bëjë Rama, sido që të sillet ai me elektoratin e tij, qoftë dhe me veteranët dhe familjet e Dëshmorëve, këta të fundit votën e tyre do ta hedhin në “kutinë“ rozë, mavi apo dhe të zezë qoftë, mjafton të ketë inicialet PS, ose foton e Ramës me dy gishtat lart...

Do të pyesë ndonjëri, si mund të ndodhë kjo? Ja pra që ndodh e do të ndodhë. Për konkretizim, unë po sjell një shembull të thjeshtë, por argumentues gjer në shterim: Në një skeç të estradës së Shkodrës, të para viteve nëntëdhjetë, mekaniku i kategorisë së gjashtë, del para komisionit për të marrë kategorinë e shtatë. Në praktikë mekaniku në fjalë ishte mjeshtër, por në teori çalonte, sepse nuk e kishte shkollën e duhur. E me që në teori, nuk iu përgjigj pyetjeve të testimit, nota për të marrë kategorinë nuk i mjaftonte. Njëri nga komisioni, për ta ndihmuar, i bëri një pyetje shtesë: - Dëgjo shoku mekanik, po të bëj një pyetje shtesë që të përmirësosh notën, por kujdes, jep një përgjigje të saktë. Pyetja: Sa dhëmbë ka ingranazhi 76 dhëmbësh? Mekaniku, pa u menduar gjatë u përgjigj: -“82 dhëmbë”! Dëgjo, shoku mekanik, mendohu mirë, mos u shpejto...po e përsëris pyetjen... Sa dhëmbë ka ingranazhi 76 dhëmbësh? Kësaj radhe mekaniku u mendua më mirë, dhe pasi kaloi pështymën poshtë mollës së Adamit, u përgjigj i sigurt: “65 dhëmbë”!... Ishte e pamundur që mekaniku të kuptonte përgjigjen e kamufluar të shokut të komisionit. Kështu ndodh midis një pjese të elektoratit të PS me Edi Ramën. Ky i fundit, megjithëse deklaron dhe vepron “përtej të majtës dhe të djathtës”, që nënkupton neofazhizmin, përsëri veteranët, familjet e Dëshmorëve dhe idhtarët e sëmurë, drejtimin e votës e kanë të përcaktuar: drejt kutisë së PS - Rilindjes, që deri tash u ka ofruar vetëm harresën dhe përçmimin.

Këmba e dytë e “perustisë” për Ramën, është opozita PD-LSI, një opozitë tashmë e diskretituar në sytë e pjesës dërmuese të shqiptarëve. Këto parti politike, sidomos PD-ja, falë “veprave” monstruoze që ka realizuar, duhej të ishte nxjerrë jashtë ligjit jo më pak se katër herë: Pas ’97-ës së “famshme”, pas Grushtit të shtetit të ’98-ës, me hirin e “Hiroshimës” së Gërdecit dhe me vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm në bulevard, në 21 janarin e 2011-ës, ky subjekt politik duhej të ishte shkrirë, ndërsa drejtuesit kryesor të saj duheshin “strehuar“ në shtëpinë pa qera.

Po, pse nuk ka ndodhur dënimi politik dhe juridik i këtij subjekti politik dhe krerëve të saj? Për dy arsye të thjeshta por të dukshme: Së pari, kjo nuk u ka interesuar e nuk u intereson ndërkombëtarëve euro-atlantikas, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër, kanë qenë e mbeten bashkautorë të “veprave” të zeza të Partisë Demokratike, kanakares që ata krijuan dhe mbështetën për rrëzimin e Socializmit dhe shkatërrimin e Shqipërisë, e cila, për bela të tyre, ishte kthyer një shembull i gjallë, se si mund të mbijetohej edhe përballë superfuqive, duke ruajtur më fanatizëm lirinë dhe pavarësinë e vendit. Nga ana tjetër, ruajtja e partisë rudimentale me inicialet PD, i interesonte dhe i intereson edhe Ramës së Socialist-Rilindasve. Flamurin e leckosur të PD-së, Rama e ruan me kujdes në “kopshtin” e demokracisë, për të trembur “laraskat” se mos i dëmtojnë frutat e tij. Madje, edhe kur PD braktis “kopshtin e Edenit”, që në rastin tonë është Parlamenti, Rama ia gjen vendin në kopshte rezerve, siç është ky kopshti i tanishëm me emrin “Këshilli Politik”. Këmbëza e tretë e “perustisë ramaiane”, janë ndërkombëtarët, në rastin konkret përfaqësuesit e BE dhe të SHBA-së. Tashmë pas tri dekadash, objektivi i ndërkombëtarëve ndaj Shqipërisë është i dukshëm: Midis “demokracisë” dhe “stabilitetit”, ata kanë zgjedhur e mbështesin pa rezerva këtë të fundit. Pas tri dekadave “ndihmë internacionaliste shtetërore”, ndërkombëtarët kanë arritur ta krasisin “pemën e pluripartitizmit” shqiptar në tri degë, duke formuar “Trio”-n, jo muzikore, por mizore PD-PS-LSI, degë të shartuara me të gjitha llojet e fidanëve që ka pylli borgjez, dhe asnjë fitil nga trualli shqiptar. Madje, ata po mundohen që jo vetëm këto degë të pemës “pluraliste” të mos shtohen, por edhe njërën prej tyre (LSI) ta skartojnë dhe të lënë vetëm PD e PS, çka e bën shumë më të kollajshme realizimin e “Rrotacionit të Pushtetit”, që më saktë duhet thënë “Rrotacion të kabinetit”.

Nëse ndonjëri ka dyshim në përcaktimet e mia, le të ndjekë ecurinë e “Reformës Zgjedhore”, e cila, thanë se u realizua në “mënyrë të shkëlqyer” më 5 Qershor në selinë e Ambasadës së mikut të madh amerikan. Por pas përkthimit të kësaj marrëveshje (fillimisht u shkrua në anglisht), ajo u kthye në invers të saj, nga “e shkëlqyer” në “e shkërdhyer”!

Po përdor fjalën e papëlqyeshme “e shkërdhyer”, sepse asaj marrëveshje nuk mund t’i vesh epitet tjetër. Kjo për tri arsye: Së pari, marrëveshjet midis partive politike duhet të bëhen në godinën e Parlamentit, ose në selitë e partive. Së dyti, ato duhet të jenë transparente, e jo të blinduara brenda mureve të ambasadave, sa edhe sot, pas gati dy muajsh, qytetarët nuk dinë se çfarë përmban marrëveshja në fjalë. Së treti, dhe që është më kryesorja, si mund të bëhet një marrëveshje midis partive politike, për zgjedhjet politike, pa pyetur qytetarët, që janë personazhet kryesorë të tyre? Në çdo zgjedhje, thuhet se kryesori është Sovrani (populli), por realisht në këto tri dekada “Sovranin” e kanë zëvendësuar me “Shufranin”, një lloj droge shumë më e leverdisshme për elitën tonë, të pozicionuar kokë e këmbë kundër interesave të Sovranit.

Ja pra, se ku mbështetet “tenxherja” e pushtetit të Ramës. Falë kësaj, atij nuk ia bën tërr syri, as nga deklaratat e PD-LSI, por as nga thirrjet hipokrite të ndërkombëtarëve, të cilat nuk kuptohen as në gjuhët ndërkombëtare, e as të shqipëruara. Të tria këto “këmbë perustie” janë të konsoliduara mjaft mirë, por kjo e treta, kjo “këmbëza” e ndërkombëtarëve është më kryesorja. Edhe po ndodhi që dy këmbët e para të thyhen apo këputen, kjo e treta është e “çimentuar” në atë mënyrë sa, vetëm uragani popullor mund ta shkatërrojë. Por uraganët kanë ciklin e tyre, dhe nuk mund të vijnë sipas dëshirave të individëve dhe të subjekteve politike.

Megjithatë, faktorët që realizojnë uraganin popullor nuk janë larg. Mjerë ata që nuk do ta parashikojnë në kohë ardhjen e tij!