BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Opinion / Editorial

Pesë njerëz që flasin, zhurmojnë më shumë se mijëra njerëz që heshtin

Pesë njerëz që flasin, zhurmojnë më shumë se

Nuk janë shumë, pesë vetë, pesë njerëz që e kanë bërë shoqërinë shqiptare sallatë. Kanë përfituar shumë nga tranzicioni hibrid dhe shfrytëzojnë autoritetin e tyre kushtetues për të diktuar rregulla, norma, të drejta, detyra, duke vendosur kufij, barriera, sikur këta të ishin zotat e shqiptarëve. E kanë mbushur kohën, jetën e njerëzve me filozofinë e tyre të brishtë dhe mundohen t`ua imponojnë të tjerëve për t`i patur ata shërbëtorë. Tranzicioni demokratik ka marrë formën e edukimit që këta pesë vetë, me leksionet e tyre të zhgarravitura, nuk lejojnë që njerëzit të jenë të lirë në zgjedhjet e tyre. Kanë ngulur këmbë që e gjithë shoqëria duhet t`u ngjajë atyre në sjellje, në qëndrim, në gjykim, në vendimmarrje. Shqiptarët duhet të qeshin kur janë të qeshur “heronjtë”, duhet të ndihen të dëshpëruar kur udhëheqësit nuk janë në humor, madje duhet t`u ngjajnë në mënyrën e komunikimit, vështrimit të ngjarjeve dhe zhvillimeve social-shoqërore. Duket se pesë vetë kanë marrë përsipër që, e gjithë shoqëria të hipotekohet si pronë e tyre, ku vetëm ata mund të kenë të drejtën të bëjnë ndryshime sipas rastit. Nuk ka orë të ditës të mos dëgjosh e shohësh ca portrete drejtuesish, liderësh, udhëheqës shpirtërorë, teksa imitojnë vetveten, imitojnë njëri-tjetrin, bëjnë sikur zbulojnë teori të reja zhvillimi, bëjnë sikur prodhojnë ide revulocionare për të shpëtuar Shqipërinë nga kriza, nga tmerri që e ka zënë. Ata janë vërtet të paparë. Duan t’i mbushin vetë ekranet e televizorëve, duan të dalin në faqet e para të gazetave, kërkojnë qasje me media të huaja për të shpalosur “madhështinë” profesionale, gjeniale, thua se këta janë kolosët e kohëve moderne. S`e kanë për gajle fare të mitizojnë formimin e tyre mediokër për t`u thënë të tjerëve se “po të mos ishim ne, ju do u pinte e zeza”. Kështu mendojnë dhe e shprehin hapur arsyetimin, me demek shqiptarët, kombi ynë është në dorë të njerëzve që kanë ardhur nga zoti. Kërkojnë autorësi të çuditshme sepse nuk rrinë dot pa zhurmuar, pa përgojuar të tjerët, nuk dinë të heshtin, as të mbajnë radhë për të folur, ashtu siç e do zakoni. Nuk i zë gjumi i natës pa ironizuar dikë, pa thumbuar një tjetër, janë të gatshëm të bëjnë avokatin e djallit duke harruar se në këtë botë janë një birë në oqean. Kanë guxim të tmerrshëm. Marrin përsipër të bëjnë role të çuditshme, të marrin pozicione në profesione që nuk i kanë provuar e shijuar kurrë, bëjnë historianin, teologun, ndërtuesin, diplomatin, menaxherin, fermerin, hidraulikun, hipnotizuesin, parukieren, presidentin, kryeministrin, marrin rolin e misionarëve ndërkombëtarëve për t`ua shitur këtë shqiptarëve si modelin e njeriut gjeni, euridit, enciklopedist. Në fakt janë njerëz që i gënjen mendja. Në jetën e shqiptarëve kanë hyrë dhe janë bërë pjesë e pandarë e episodeve groteske politike, shoqërore, njerëzore, sociale emrat e disa politikanëve si Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, të cilët duam apo nuk duam ne, qëndrojnë stoikë në sjelljet e tyre. Bota politike shqiptare rrotullohet rreth kësaj pesësheje, e cila zhurmon aq shumë, saqë ka mpirë mendjet e njerëzve në këto dekada tranzicioni. Aq shumë zhvillime e zhurmë ka patur, e vazhdon të ketë, saqë njerëzit nuk e kanë të vështirë të dallojnë zjarrvënësit, shkatërruesit e këtij vendi. Të gjithë flasin se e duan Shqipërinë, duan ligj të fortë, duan shtet ligjor, të gjithë përplasin grushtin e thonë me zë të lartë: luftë kundër korrupsionit, kundër atyre që grabisin pronat, që nuk respektojnë Kushtetutën dhe t`a bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Kështu janë shprehur e kanë thënë përherë. Shqipëria nuk është se nga këto thënie ka kapur parajsën, shqiptarët nuk po shijojnë dot standardet e vendeve perëndimore, po integrohet më hapin e breshkës. Shqiptarët këto gjëra, kanë sy e i shohin, kanë vesh të dëgjojnë se ç`thonë e të bëjnë të tjerët për Shqipërinë. Shqiptarëve nuk u duhet zhurma, nuk u duhen tamtamet e politikës, as premtimet që kanë vërshuar si lumë këto dekada tranzicion. Pesëshja e ka mbuluar Shqipërinë me zhurmë, që nuk i bën nder askujt, përkundrazi iu ka shtuar më shumë halle, lëngime, i ka bërë të ndihen çeçenë në truallin shqiptar. Shqiptarët kërkojnë integrim real, duan të afrojnë Europën në Shqipëri, nuk duan të shkojë shqiptarët në Europë për t`u mësuar popujve europianë si ndërtohet jeta, si ndërtohet e ardhmja. Janë njerëzit e heshtur ata që e kanë shumë herë më të qartë se zhurmëmëdhenjtë, të ardhmen e tyre. Ata nuk e mbushin kohën me retorikë, por punojnë për të mbajtur fëmijët, për të respektuar zbatimin e ligjit, të rregullave, kërkojnë bashkëjetesë shoqërore me popujt e unionit dhe askush nuk shpenzon kohë për të tjerrë fjalime e broçkulla. Këtë e bëjnë ata që e kanë xhepin të ngrohtë, që e kanë vënë kapitalin me prapësira, duke vënë dorë në pasurinë e tjetrit. Arti i duarve të punës është pasuria më e madhe që ka kombi shqiptar, që kanë njerëzit e punës dhe djersës së derdhur në fronte. Është fisnikëri, është shumë e ndershme të merresh me punë, me një punë të zakonshme, ku në fund të ditës çon pesë lekë për fëmijët, sesa të shesësh dëngla në ekrane duke perifrazuar ide që nuk kanë asnjë lidhje me perifrazime që janë egjër në lëmë. Njerëzit e heshtur, ata që nuk duan të jetojnë në kazanin e fjalëve, kanë rol vendimtar në ecurinë e integrimit të vendit edhe pse janë të heshtur, më shumë dëgjojnë se sa flasin, ata nuk dinë të zhurmojnë. Janë të aftë të përcaktojnë, nëse qeveria është në drejtimin e duhur, nëse administrata është funksionale, dinë shumë mirë të fshikullojnë e thumbojnë bastexhinjtë, kur sovrani nëpërkëmbet sipas oreksit të lordëve të politikës shqiptare. Janë mijëra që heshtin, por nuk ua heq askush të drejtën për të folur, për të denoncuar grabitësit e pasurisë së tjetrit, askush nuk e ndalon këtë fuqi të pathyeshme për të bërë publik korrupsionin. Heshtja e njerëzve ka brenda filozofi të pjekur, të provuar, të trashëguar, të motivuar. Zhurmuesit prodhojnë politika tymnajash, ngrenë furtunë në një gotë uji, bëjnë euriditin, mbrojtësin e të drejtave të njerëzve, bëjnë sikur u dhemb shumë çështja e popullit, në fakt jetojnë në luksin e parajsës së ngritur në dekada. Mjafton të kujtojmë një fakt të thjeshtë, por tepër shprehës. Rojet që kanë zhurmuesit në vilat, resortet, që bëjnë fresk, temena pronarëve, marrin rrogë mujore shumë herë më të madhe se buxhetorët, disa fish më shumë se pensionet e njerëzve që kanë punuar dekada në fronte nga më të vështirët. Marrin më shumë se paga e minatorit, më shumë se fermerët, që kanë histori të tmerrshme jetësore, që janë lënë në harresë. Zhurmuesit nuk kanë të drejtë të flasin në emër të popullit, votuesve, zgjedhësve, sepse standardet e tyre të jetesës janë shumë herë më lart se ata që ngrysen e gdhihen me një mendim që u rri si çekiç në kokë: Do nxjerrin ndonjë lek për të ushqyer fëmijët?! Nga papagajtë e krimit nuk pritet të organizohet e forcohet opozita, të forcohet e përmirësohet legjislacioni për një shtet të fortë, siç e ka bota moderne. Këta zhurmues do integrojnë Shqipërinë tonë?! Mjerë shqiptarët që kanë në udhëheqje ekzemplarë të tillë. Njerëzit e heshtur i dëgjojnë vetëm ata që e dinë sa shumë kushton institucioni i heshtjes.