Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

Peza dhe vepra e saj e pashoqe

Peza dhe vepra e saj e pashoqe

- Me rastin e 78-vjetorit të Konferencës së Pezës-

E themi me siguri absolute se Peza është krahina më e njohur dhe më e famshme jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Europën. Dhe kjo, jo thjesht për bukuritë që natyra i ka falur, me kodrat e buta e të mrekullueshme, gjelbërimin gati gjithëvjetor dhe me resurse të mëdha jetese e mundësie zhvillimi, qoftë edhe për faktin se është pak kilometra nga kryeqyteti i vendit. Ajo është e famshme dhe e mirënjohur prej burrave dhe grave trimëresha e atdhetare, që e kthyen vendlindjen, Pezën e tyre, në një “Mekë”, ku të gjithë shqiptarët duhet të shkojnë, jo për t’u falur, por për të marrë copëza patriotizmi e atdhetarie, aq të domosdoshme për kohërat dhe situatat që po kalojmë. Ishin pezakët dhe patrioti i madh Myslim Peza, që bashkëfshatarët e quajtën “Babë Myslimi”, të cilët u ngritën të parët dhe në mënyrë të organizuar kundër fashizmit, duke krijuar çetën e parë luftarake në Europë. Kjo çetë nuk do të mbetej në nivelin e “Komitave” të njohura të shqiptarëve të hershëm, por do të shndërrohej në një organizëm luftarak, pararojë për Ushtrinë e ardhshme Partizane Nacionalçlirimtare Shqiptare, e cila nën udhëheqjen e Partisë Komuniste dhe të Enver Hoxhës, do të sillte lirinë dhe pavarësinë e vërtetë të Shqipërisë në 29 Nëntorin e zjarrtë e të lavdishëm të vitit 1944. Merita e shndërrimit të Çetës së Pezës, në Çetë Partizane, u takon dy burrave të mëdhenj të kombit tonë: Babë Myslim Pezës dhe Komandantit Enver Hoxha.

- Bujrum në Pezë o Enver, - i tha babë Myslymi komunistit 34 vjeçar Enver Hoxha, me të cilin sapo ishte njohur e lidhur në një miqësi që nuk do të njihte mortje kurrë. – Konferencën që mendon të organizosh, e mbroj unë me Pezën”. Dhe kështu ndodhi. Ndërsa pezakët e Babë Myslimit ruanin nëpër maja kodrash e gryka përrenjsh, që të mos kalonin fashistët, Enver Hoxha me komunistët dhe nacionalistët patriotë Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Baba Faja Martaneshi, Nexhmije Xhuglini, e të tjerë, hidhnin themelet e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, një Akt unik ky, i pakrahasueshëm në tërë Europën e Luftës së Dytë Botërore.

Mesazhi historik dhe aktual i Konferencës së Pezës

Konferenca e Pezës ishte dhe mbetet vijimësi e dy momenteve të mëdha e të lavdishme të kombit shqiptar, Kuvendit të Lezhës të vitit 1444 dhe Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878, të cilat pasqyrojnë traditën historike të shqiptarëve për t’u bashkuar si një trup i vetëm në Luftën e pandërprerë për liri e pavarësi kombëtare. Kjo traditë historike, nuk mbyllet me Konferencën e Pezës. Përmbysja e Pushtetit të Popullit nga forcat neofashiste të fundviteve nëntëdhjetë dhe situata në udhëkryq ku gjendet sot kombi shqiptar, diktojnë nevojën e ngutshme të një lidhje të re të shqiptarëve, një Lidhje që t’i ngjajë Kuvendit të Lezhës dhe Lidhjes së Prizrenit, shoqëruar me një dritë të re, siç e kishte Konferenca Famëmadhe e Pezës e 16 Shtatorit të vitit 1942, e cila realizoi me sukses dëshirat dhe përpjekjet shekullore të rilindasve tanë të mëdhenj. Një Konferencë si ajo e Pezës, dhe një luftë çlirimtare si ajo e 29 nëntorit të vitit 1944, janë bërë të domosdoshme, si e vetmja mundësi për ta rikthyer vendin dhe kombin tonë në identitetin dhe dinjitetin e tij mijëra vjeçar, nëpërkëmbur keqas nga tradhtia e pabesë e skotës mercenare, e cila është shitur për pesë aspra tek reaksioni antishqiptar i afërt e i largët.