BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

Pjesëmarrja në votime jo vetëm një e drejtë, por edhe detyrim qytetar

Pjesëmarrja në votime jo vetëm një e drejtë, por edhe

Fakti dhe arsyeja që më ngacmoi e që më nxiti, frymëzoi dhe inkurajoi për ta trazuar, analizuar dhe shtjelluar këtë problematikë jo pak të rëndësishme është se gjatë kësaj dekade si në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale kemi patur një pjesëmarrje në votime aspak të kënaqshme që është vërtitur rreth 53-54%. Ndërsa Kosova mbi 60%. Është interesante, e pakuptimtë dhe gati paradoksale që ekranet televizive gati sa nuk shqyen nga prezenca dhe debati i zjarrtë i komentatorëve, analistëve, politologëve, opionistëve dhe llafollogëve e sidomos të lidërve e të subjekteve politike që u rreh çekani vetëm te fitorja e zgjedhjeve, te baltosja e çdo gjëje dhe gjithçkaje që bën kundërshtari, një kritizërllëk të rëndomtë e të paparë e padëgjuar ndonjëherë si dhe të një nihilizmi absurd e të pandreqshëm, ndërsa për problemin e pjesëmarrjes që vërtet e kemi problem, madje problem shqetësues, çuditërisht askush nuk prononcohet dhe askush nuk flet për këtë çështje që nuk do ta quaja aspak normale. Prandaj më duhet të theksoj forcërisht e me theks të veçantë që më 25 prill, të gjithë pa përjashtim me kuç e me maç, Enveristë dhe Leqalistë, ps-istë dhe ballistë, pd-istë dhe lsi-stë, të gjelbër dhe thurrjeistë, social demokratë dhe demokracia sociale, liberalë dhe konservatorë të jemi prezent para kutive të votimit e të votojmë për alternativën që mund dhe duhet të sjellë përparimin progresin dhe zhvillimin. Vetëm me anë të votës vlerësohet pozitivja dhe negativja, e mira dhe e keqja dhe sidomos e ardhmja. Vota është e shenjtë është forcë dhe vitalitet, është shpresë dhe alternativë, është zhvillim dhe jo regres, është kthjelltësi dhe jo errësirë dhe zymtësi, është qartësi dhe jo paqartësi, është mençuri dhe jo idiotësi dhe mediokritet. Por e keqja dhe e papranueshmja është se ende tek dija qytetare nuk ka një koncept të drejtë përsa i përket rëndësisë që ka vota dhe kjo për arsye të ndryshme objektive dhe subjektive, ndoshta edhe për mungesë të arsimimit dhe formimit të tyre qytetar emancipues dhe sidomos intelektual. Për më tepër që zgjedhjet e 25 prillit zhvillohen në kushtet kërcënuese të pandemisë së koronavirusit ku jo pak qytetarë mendojnë se sa të infektohemi nga ky virus tinzar e vdekjeprurës preferojnë më mirë të rrinë në shtëpi se sa të votojnë kur është thënë e stërthënë disa herë nga mjekët specialistë se nëse zbatohen me disiplinë dhe korrektesë të lartë masat e protokollit si mbajtja e maskës kudo e gjithandej në mjedise të mbyllura e të hapura, ruhet dhe respektohet rigorozisht distanca, shmangen grumbullimet, respektohen me disiplinë të hekurt kërkesat dhe masat higjieno-sanitare, risku për t’u prekur nga ky virus i pabesë dhe tinzar parandalohen dhe minimizohen. Shkurt e me pak fjalë asgjë nuk e justifikon absolutisht mospjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Nëse do të ketë e që padyshim do të ketë qytetarë që nuk do të marrin pjesë në votime atëherë këta nuk kanë përse të qahen e të ankohen për mos realizimin e premtimeve apo për korrupsionin galopantë që i ka shtrirë tentakulat kanceroze kudo e gjithandej në shoqërinë tonë të shumëvuajtur, të sfilitur e të rraskapitur tejskajshmërisht. Prandaj është për t’u kuptuar njëherë e mirë se nuk janë demagogët dhe dordolecët politikë, mashtruesit shembullorë pa din e pa iman ata që do të sjellin progresin, ndryshimin dhe përparimin pasi kjo do të realizohet me votën e lirë dhe vetëm me votën e lirë. S’ka dhe nuk mund të ketë alternativë tjetër për përmirësimin e situatës konkrete përveçse të shprehurit me votë. Asgjë që neve synojmë dhe shpresojmë të arrijmë nuk ta dhuron kush si ëmbëlsirë në tryezë, por përkundrazi e keqja shporret dhe shtyhet e rrëzohet në humnerë vetëm nëpërmjet votës sonë. Vetëm me anë të votës ne do të mundemi që të stimulojmë e të propagandojmë luftën dhe përpjekjet e domosdoshme kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe atij ordiner, kundër mitmarrjes dhe pengmarrjes, kundër drogës, prostitucionit dhe abuzimit me të miturit. Shumë mangësi e problematika shqetësuese për t’u ndrequr dhe përmirësuar definitivisht arrihen vetëm me vitalitetin dhe frymëmarrjen oksigjenuese të votës së lirë.

Prandaj edhe e theksuam qysh në krye të herës se domosdoshmëria e pjesëmarrjes në votime është jo vetëm një e drejtë, por edhe detyrim moral qytetar. Si intelektual apeloj që më 25 prill të shkojmë të gjithë në votime.