BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Opinion / Editorial

Pjetër Nikolla, sjell vlerat historike të lidhjes së gjakut: Mirditë, Kurbin dhe lugu i Drinit, Kosovë

Pjetër Nikolla, sjell vlerat historike të lidhjes së gjakut:

Në arkivin e mbi 20 librave të zhanreve të ndryshme në prozë e në poezi të studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Pjeter Nikolla, është edhe libri “Lidhja etnologjike Mirditë, Kurbin dhe lugu i Drinit” me vlera të shumta historike dhe etnokulturore të lidhjes se gjakut dhe vllaznise, Mirditë, Kurbin dhe lugu i Drinit. Libri është ndërtuar me disa kapituj përmbajtjesorë që pasqyrojnë një kronologji ngjarjesh historike, të cilat kanë bërë jehonë mbarë shqiptare për mbrojtjen nga pushtimet e huaja dhe ruajtjen e identitetit kombëtar nëpërmjet traditave, gjuhës dhe kulturës perëndimore, ku një kontribut të veçantë kanë dhënë kleri katolik si një faktor i rëndësishëm për mbajtjen e urës së pashembur të lidhjes me kulturën perëndimore.

 Ky autor është ndër të rrallët studiues e historianë, i cili arrin të zgjedhë tema me subjekte me peshë dhe me vlera të pakrahasueshme. Kështu ka zgjedhur e shkruar librat me subjekte: “Mirdita dhe identiteti kombëtar” (i përkthyer në anglisht), librin: “Trojet e Dardanëve”, (i përkthyer anglisht), “Lidhja gjenealogjike Kosovë-Mirditë”, “E vërteta e mitologjisë pellazgo-ilire” (pjesa e I dhe II), etj. dhe tani, librin me subjekt, “Lidhja etnologjike, Mirditë, Kurbin dhe lugu i Drinit Kosovë”.

 Këtu shfaqet intuita dhe thellësia e mendimit të autorit për të përzgjedhur subjekte të arrira shkencore, duke vizionuar dijet me lustrim anatomik, nisur nga kreativiteti si produkt i shënuar nga imagjinata! Duke vlerësuar se nuk mund të arrihen vepra të mëdha të shkruara, pa një subjekt të gjetur mirë. Sa më i zgjedhur subjekti, aq më hapësirë ka autori për të ndërtuar një vepër me të vërtetë të dobishme e madhore.

 Kjo përzgjedhje është edhe veçantia e këtij libri, këtu janë vlerat e jashtëzakonshme dhe tejet të dobishme, që nëpërmjet këtij libri bëhet e njohur lidhja e gjakut që i bashkon njerëzit dhe ndërlidh ndihmën e bashkëpunimin reciprok, vëllazëror dhe miqësor.

 Vlerat shumëdimensionale të këtij libri dhe ndërtimi studimor në mënyrë shkencore, të vërtetuara me referime nga studiues dhe historianë, albanologë tanët dhe të huaj, bazuar edhe në gjetjet arkeologjike dhe në mendimin shkencor të historianëve në Shqipëri e në Kosovë, arrijmë në konkluzionin se, libri i autorit Pjetër Nikolla është një monument i vlerave historike dhe etnokulturore të lidhjes së gjakut e vëllazërive në trojet tona shqiptare.

Vlerësime nga personalitete të kulturës dhe letërsisë

E veçanta është se për librat e këtij autori kanë bërë vlerësime disa personalitete të kulturës shqiptare. Kështu shkrimtari erudit, Dr. Moikom Zeqo shkruan: “ Pjetër Nikolla me botimet e librave të tij, jep një kontribut tjetër me vlerë për të njohur më shumë historinë e Mirditës, Kosovës, të Kurbinit etj,”. Po kështu shkrimtari e poeti i talentuar Sulejman Mato, ish-kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve të Shqipërisë shkruan: “Shkrimtari e poeti Pjetër Nikolla shfaqet me një krijimtari të pasur në të gjitha gjinitë letrare. Ai shquhet për erudicion dhe e përdor këtë erudicion si kripa në gjellë. Nga ana tjetër në krijimet e tij letrare shohim se është kundër artit hermetik, megjithëse e pranon si rrymë letrare, sikurse është edhe kundër artit artificial, (në veshje e zakone), si dhe në etikën morale e shoqërore”.

Prof. Prend Buzhala, kritik letrar në Kosovë, gjithashtu shkruan: “Shkrimtari e poeti Pjetër Nikolla na sjell temat e poetizuara të lashtësisë, apo historizimin e vjershërimit të tillë, i cili ndjek modelin e rilindasve tanë, të cilët nuk ishin vetëm poetë, por autorë që zhvilluan interesimet e tyre edhe në fusha të tjera të kulturës e të letërsisë shqiptare.

Veprat e autorit Pjetër Nikolla, janë shkrime që i dhurojnë lexuesit pjesë të rëndësishme të historisë e mitologjisë të qenies sonë dhe të identitetit shqiptar nga njëra anë, si dhe për ta shquar të vërtetën tonë kundruall pretendimeve greke, kundruall autoktonisë shqiptare.

Autori, thërret se, ne jemi këtu më të lashtit, jemi të parët në këto troje. Jemi ata që ua kemi dhuruar të tjerëve modelet e amës së qytetërimeve; prandaj edhe vëmendja e sotme e jona dhe e jashtmja duhet të ndryshojnë optikën e qëndrimit ndaj nesh.

 E veçanta e autorit Pjetër Nikolla është se, ka shkruar “mitologji të letrarizuar dhe histori të poetizuar”. Duhet theksuar se kemi me dhjetëra e dhjetëra personalitete të kulturës në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilët kanë bërë vlerësime në librat e tij, si Prof. Nikollë Loka, Vlash Prendi, Dhimitër Xhoga, poetet Rudina Papajani dhe Alma Sinan Feruni; nga Kosova prof. Mikel Gojani, Dom Ben Zymi etj. Vlerësime të cilat tregojnë lartësinë e krijimtarisë shumëdimensionale të autorit Pjetër Nikolla.

Ndërsa për librin që bëhet fjalë në këtë shkrim, është i ndarë në tre kapituj: Lidhje vlerash dhe gjaku të Mirditës, Kurbinit dhe të lugut të Drinit Kosovë. Në kapitullin e parë, “Mirdita krenari shqiptare”. Për të realizuar vlerat e librit i është dashur autorit t’i shkelë e të shtegtojë të gjitha fshatrat e Mirditës, për të pasqyruar pjesë të historisë së Mirditës si pasardhëse nga fisi i famshëm i Pirustëve, i cili që para erës së re njihet për guxim, trimëri e mos nënshtrim ndaj romakëve, ishin të fundit ilirianë që i rezistuan romakëve deri në shek. IX të erës sonë, nën udhëheqjen e prijësit të tyre Bato i Desidiatëve.

Mozaik vlerash të Mirditës, Kurbinit dhe lugut të Drinit

 Në libër, nga shumë personalitete të kulturës shqiptare si shkrimtari i madh Ismail Kadare, Prof. Dr. Lisien Bashkurti, Dr. Moikom Zeqo, Prof. Dr. Jorgo Bulo, Ernest Koliqi, Abati i Mirditës, Pjetër Zarishti, i madhi poeti, At Gjergj Fishta etj. autorit i bëhen vlerësime të veçanta..

Midis tyre, shkrimtari i madh Ismail Kadare, i cili në veprën e tij në frëngjisht “AVRIL BRISE”, në faqen 34 shkruan:

“Que deguervenements sonttombé, avaitpoursuivi le prince, etque deroyaumes ont été balayésde la face du globe, alors qu Orsoh est toujours debout”, “Që janë rrëzuar princër e që mbretëritë janë fshirë nga faqja e dheut, por Oroshi mbetet gjithmonë në këmbë. Mirdita është stafeta e birit të saj Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Në vitin 1491 ata formuan shtetin e parë të botës shqiptare me qendër në Orosh, i njohur me të gjitha të drejtat ndërkombëtare, kjo bëri që në konventën e Kongresit të Berlinit të vitit 1878 të njihej, ose më saktë të rinjihej si një shtet autonom me të gjitha të drejtat e tij dhe se mirditorët nuk ishin prezentë.

Në këto 100 vjet akullnajë për botën shqiptare, Mirdita mbeti ajsbergu i saj me flamurin e shqiptarëve në majë!

Kjo është një e vërtetë që askush nuk mund ta katapultojë!

Rikthimi i asaj që konsiderohet e humbur është më e shtrenjtë nga ajo që ke.

Rikthimi te historia e shtetit autonom të Mirditës (edhe në mënyrë virtuale) është rikthim tek vlerat reale të botës shqiptare, tek mendja e saj e kthjellët, tek krahu i saj i shëndoshë, tek paqja, siguria dhe prosperiteti i botës shqiptare”.

 Duke vazhduar me vlerësimet për Mirditën, Prof. Dr. Lisien Bashkurti shkruan: “ Mirdita i ka kaluar kufijtë.... as biblioteka e Vatikanit nuk mund ta përfshijë Mirditën. Kaq histori vertikale 2002 vjeçare që i ka rezistuar vlerave, gjuhës, identitetit, raporteve, zakoneve, traditës, normave, bukurisë, estetikës, krijimtarisë, filozofisë, moralit. Nëse jemi shqiptarë, jemi se kemi Mirditë. Mirdita është ndër të katër fiset e mëdha të Perandorisë së madhe Romake, që janë ilirët. Mirdita është vendi që mban emrin e arbërve, njerëz me zemër të bardhë, me mendje të bardhë me veshje të bardhë me shpirt të bardhë. Nëse jemi këta që jemi, jemi se kemi Mirditën, nëse jemi ata që duhet të jemi, jemi nëse e ruajmë Mirditën”.

 Prof. Dr. Jorgo Bulo shkruan: “Mirdita përfaqëson në hartën kulturore të Shqipërisë një areal karakteristik me një pasuri të madhe arkeologjike, etnografike, gjuhësore, folklorike e kulturore. Shpirti konservativ i mirditorëve ka bërë që të ruhen në shekuj, traditat, gjuha, doket, pra vlerat e një qytetërimi të lashtë që vjen deri më sot”.

Mirdita është me të vërtetë një burim i pashtershëm vlerash kulturore.

Mbishkrimi epigrafik i gjetur në Gëziq të Mirditës, tregon se Dhimitri i Arbërit ndërtoi një katedrale të madhe që e la si trashëgim e që në atë mbishkrim thuhet se ishte komb i denjë, thënie kjo e një rëndësie të jashtëzakonshme!

 Ja se ç’shkruan për këtë Dr. Moikom Zeqo: ”Studiuesve ju ka shpëtuar një fakt tepër i rëndësishëm dhe i veçantë që i jep nder Mirditës. Sipas teoricienëve të historisë së kombit shtet, ideja e kombit ka lindur vonë si rrjedhojë e iluminizmit francez. Por me mbishkrimin e famshëm të kishës së Gëziqit që lumturisht ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar, kemi një dëshmi tronditëse dhe të jashtëzakonshme. Ky mbishkrim në latinisht përbëhet nga tetë fragmente ka dhe fjalët “Dignae Nationi”, që do të thotë në shqip: “Komb i Denjë”. Këtu gjejmë në realitet dëshminë më të hershme për ndërgjegjen e shqiptarëve, për strukturën etnike si komb. Kjo dëshmi për “Kombin e Denjë” është e një rëndësie kolosale, sepse është shumë më e hershme se sa konstruktuesit e ideologjisë kombëtare si Gjon Buzuku i shprehjes: “En së dashunit botës sanë.”.

Shprehja e mbishkrimit të Gëziqit në Mirditë shpjegon më së miri karakterin e mrekullueshëm luftarak të mirditorëve në të gjithë kohërat.”

 Në vazhdim të këtij kapitulli, autori ka argumentuar prejardhjen e Pirustëve të cilët janë dardanë dhe mirditorë, me referime, duke filluar nga Ptolemeu, gjeograf i njohur i shek II-të, që i vendos Pirustët në lindje të Durrësit, e që i përket territoreve të Kurbinit, Lezhës, Mirditës, një pjesë e Matit, vazhdon në Kukës dhe deri në Gjakovë. Ky është edhe sot territor i njohur i Pirustëve.

Shtjellohen gjithashtu lëvizjet e banorëve të Mirditës, për një jetë më të mirë, nga Mirdita në Lezhë, në Kurbin, në Rrafshin e Dukagjinit e veçanërisht në lugun e Drinit në Kosovë.

Në kapitullin e dytë të librit “Popullsia e Kurbinit, pasardhëse e fisit të Pirustëve”, që sipas të dhënave studimore autori prezanton etimologjinë e popullatës dhe historikun e Kurbinit, ku pjesa më e madhe e popullsisë së Kurbinit janë pasardhës të fisit të pirustëve, ashtu sikurse, Mirdita.

 Treva e Kurbinit është e banuar që në Lashtësi e që quhej Misia, më vonë u quajt Kurbin. Evidentimi i shumë kalave të kësaj krahine, si kalaja e Sebastes me qytetin e Divasve, kalaja e fshehtë e Skënderbeut, kalaja e Pervizit në Skuraj, e cila quhet edhe kalaja e Skënderbeut dhe kalaja e Kokë Malçit në Skuraj, ndërtimi i tyre tregon përpjekjet e popullsisë së Kurbinit për t’u mbrojtur nga pushtimet e huaja e veçanërisht nga pushtimi osman.

Këtu pasqyrohen vlerat etnologjike dhe etnokulturore, të kësaj krahine, fiset e familjet më në zë të Kurbinit dhe përbërjen e popullsisë me të ardhur nga Mirdita.

Në kapitullin e tretë, “Lugu i Drinit në Kosovë”, zë një hapësirë të konsiderueshme në vepër, që do të thotë se autori ia kushton të kaluarës historike dhe autoktonisë e popullatës së Rrafshit të Dukagjinit, kryesisht ajo e Klinës e Gjakovës e shumë fshatrave dhe lokaliteteve të këtyre vendbanimeve.

Aty janë trajtuar karakteristikat pozitive në këtë trevë të luftës së popullsisë kundër pushtuesve romakë, turq, serbo-malazez etj, popullsi e cila ruajti pastër traditat, gjuhën, folklorin dhe etnografinë shqiptare, sfidoi asimilimin nga serbët, islamizimin nga turqit dhe mbijetoi krenare në trojet e veta shumëshekullore.

Sllavët dhe otomanët autori i paraqet si pushtues të egër dhe shumëshekullorë të këtyre trevave, të cilët kanë dhunuar, vrarë dhe persekutuar popullsinë, duke e dëbuar nga tokat e veta, dhe duke kolonizuar serbë e malazezë për t’i asimiluar, për të zhdukur gjuhën, besimin dhe traditat shqiptare.

Autori në këtë libër jep disa të dhëna historike të trevës së Rrafshit të Dukagjinit, pasqyron disa fakte dhe dëshmi rreth Lidhjes shqiptare të Prizrenit, më 1878, formimin e qeverisë së përkohshme shqiptare në Prizren më 1881, Lidhjen e Pejës më 1899 etj. U intensifikuan përpjekjet për arsim e dituri, të cilat prezantohen në mënyrë të denjë si akte me rëndësi për historiografinë shqiptare, për lidhjen dhe vëllazërimin e banorëve të një gjaku, të ndarë me kufij nga shovinistët serbë.

 Prezantohet gjithashtu një studim etimologjik për 22 fshatra dhe 15 familje më në zë të lugut të Drinit, që kanë lidhje gjenealogjike me vëllezërit e tyre të një gjaku në Mirditë, ardhjet e tyre nga Mirdita, ruajtjen e mbiemrave dhe lidhjet me vendorigjinën e tyre.

Ky studim nxjerr në pah të argumentuar me shifra konkrete: periudhën më të zezë, (pas pushtimit osman dhe islamizimit të popullsisë) për Kosovën, që ishte kolonizimi serbo-malazez midis dy luftërave botërore, për dëbimin me një plan racist terrori të popullsisë nga tokat e veta dhe asimilimin e saj! Nga ana tjetër dalin me shifra konkrete rikthimi masiv i dyfishuar i popullsisë në tokat e veta dhe largimi i serbëve e malazezëve i dyfishuar në kohën e sundimit të qeverisjes së Titos, duke evituar ndikimin negativ europian të vazhdimit për të copëtuar dhe aneksuar tokat shqiptare fqinjëve shovinistë!

Theksojmë se ky libër plotëson pjesë të rëndësishme të historisë që kanë munguar deri më sot dhe hap shtigje të reja në lidhjen e bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Fotot ilustrojnë bukur dhe shtojnë interesin e lexuesit.

Vlerat shumëdimensionale të këtij libri meritojnë vëmendje të posaçme dhe mbështetje nga institucionet kulturore shtetërore të Kosovës dhe të Shqipërisë, një libër me vlera që mund të përkthehet edhe në gjuhë të huaja.

Ky libër mjaft i çmueshëm do të mirëpritet nga lexuesit, jo vetëm të dy anëve të kufirit, por edhe në gjithë hapësirat tona mbarë shqiptare.