Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

PKSH, produkt historik dhe vepër e komunistëve shqiptarë

Postuar: 07/11/2019 - 07:08

Ka gati 30 vite, që tam-tamet shurdhuese të propagandës anti-shqiptare në përgjithësi, por edhe anti-komuniste në veçanti, me boshllëkun e ideve të një koke bufi, apo me zërin e tyre të çjerrë prej kukuvajke të qarqeve shoviniste serbe, herë mbas here hedhin dhe shpërthejnë “bomba prej shashke”, thjesht për të bërë tym dhe zhurmë mbi të vërtetën historike të krijimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në çfarë kushtesh dhe si ka lindur kjo ide? Sa është e vërtetë?

Kjo tezë në fakt është hedhur me kohë nga jugosllavët jo direkt por indirekt qysh në vitet e luftës dhe nuk ishte as e rastësishme. Ç’pati ndodhur, cilat ishin rrethanat dhe ç’hyjnë jugosllavët në 8 nëntorin e vitit 1941? Paraprakisht, më duhet të qartësoj disa koncepte filozofike të cilat janë postulate të palëvizshme sikurse është koncepti i kushteve objektive dhe subjektive në lindjen e fenomeneve shoqërore. Kjo do të thotë se çdo fenomen apo lëvizje me karakter shoqëror, (në gjithë rruzullin) ndodhin vetëm në kushte të caktuara objektive e subjektive (idetë), në zhvillime dhe etapa të caktuara të saj. Idetë komuniste (ana subjektive), me kohë ishin futur në Shqipëri dhe direktivat e Komiternit i pati sjellë Ali Kelmendi, përpara se të formohej edhe vet PKSH-ja. Gjithashtu, duhet përmendur fakti se ende pa u formuar Partia Komuniste në nëntorin e vitit ‘41; në Shqipëri aso kohe, si në Tiranë, Korçë, Shkodër madje dhe në emigracionin shqiptar, si në Francë apo Greqi etj., ishin shtrirë dhe zhvillonin veprimtari konkrete komuniste nga disa grupe, sikurse ishin, “Grupi i Korçës”, i “Të rinjve “ i “Zjarrit“etj. Pavarësisht gabimeve të mëdha të tyre në fushën ideologjike dhe organizative, këto grupe, natyrisht që ishin të ndikuara nga idetë komuniste. Ata që kanë varfëri ideologjike dhe që vuajnë nga padituria për të kuptuar fenomenet dhe meqenëse nuk i kuptojnë apo nuk kanë dëshirë t’i kuptojnë ato, arrijnë të deklarojnë se “komunizmi” ne na erdhi nga Lindja, apo nga Perëndimi, madje dhe më keq akoma se gjoja Partinë Komuniste të Shqipërisë na e paskan themeluar dy të dërguarit eTitos, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha e marrëzira të tjera si këto, të cilat edhe dialektika materialiste apo realiteti objektiv i asaj kohe i hedh poshtë. I hedh poshtë sepse idetë komuniste janë shpirti dhe zemra e vuajtur e proletariatit botëror, të skllavëruar ekonomikisht e shpirtërisht nga borgjezia; të cilët kërkojnë një botë tjetër, të ndryshme, një botë të re, pa shtypje e shfrytëzim të njeriut nga njeriu, ku të gjithë të jemi të lirë, të barabartë dhe vëllezër me njëri-tjetrin. Dhe këto ideale janë të përbotshme, prandaj idetë e Marksit dhe markzizëm-leninizmi i sotëm, nuk njeh më kufij shtetesh apo kontinentesh dhe nuk mund ta pengojë e ta ndalojë asnjë “doganë”e kapitalizmit dhe imperializmit, pavarësish goditjeve dhe humbjeve të mëdha e të përkohshme që pësoi në fund shekullin e XX-të socializmi dhe teoria M-L, si rezultat i tradhtisë që iu bë asaj dhe që dramacitetin e tyre e vuajnë sot në radhë të parë popujt e atyre vendeve ku u sabotua socializmi, nga ku këtu bënte pjesë dhe nuk mund të përjashtohej as Shqipëria. Tezën në të djeshmen e shkuar, se PKSH-në e formuan dy komunistët e Jugosllavisë e hidhnin vet jugosllavët dhe kjo jo pa qëllim. Si duket “Konfederata Ballkanike” kishte kohë që turbullonte mendjen shoviniste të Titos, i cili nën maskën e “vëllazërimit të popujve “ apo dhe të “internacionalizmit proletar”, kërkonte të mbante nën sundimin e tij, tashmë jo vetëm popujt jugosllavë, por gjithë Ballkanin. Pra kjo nuk ishte gjë tjetër veçse vazhdimësi e një ëndrre të vjetër shoviniste, por në kushtet e reja të krijuara e maskuar bukur e me kujdes, nën petkun “vëllazëror e komunist”. Do të ishte vetë Komiterni ai që do ta demaskonte planin titist të “Konfederatës Ballkanike”. Në kohën kur merreshin masat për themelimin e PKSH, është shumë e vërtetë që ata (të dërguarit e Titos) ndikuan nga pikëpamja organizative në disa rregulla e procedura, por sikurse e ka deklaruar dhe vet Miladini, ishin komunistët shqiptarë ata që formuan partinë e tyre. Le të mendojmë për një çast, se thënia e Miladinit nuk qëndron, por qëndron thënia e Dushan Mugoshës apo e titistëve se PKSH-n e formuan jugosllavët. Shtrohet pyetja: Po a mundet që dy komunistë të huaj të formojnë një parti, nëse në një vend nuk janë pjekur kushtet objektive për krijimin e saj, a mundet të formohet një parti nëse ideologjia e saj është e papranueshme në një periudhë të caktuar të zhvillimit? Dihet se PK e Jugosllavisë është formuar në vitin 1919, pse jugosllavët nuk e ndihmuan Shqipërinë, p.sh. më 1920 kur ne u pushtuam nga Italia e parë, apo.... pse nuk e ndaluan copëtimin e Shqipërisë nga orekset shoviniste të fqinjëve, fundja, pse nuk e formuan më 1925-ën, ‘30-tën e kështu me radhë? Nëse heqim një paralele për krahasim do të vërenim se historia i hedh poshtë ide të tilla. Në fakt i hedh poshtë realiteti objektiv. A nuk dëshironte dhe komunisti revolucionar Che Guevara të fillonte revolucionin në Bolivi më 1967, i cili dështoi në mënyrë tragjike? Po pse dështoi Guevara? Dështoi, sepse ai dhe të tjerët që mbështetnin teorinë e “ eksportit të revolucionit” nuk kishin konceptet filozofike të qarta, dështoi pikërisht sepse nuk ishin pjekur kushtet dhe populli bolivian, i cili sapo kish kapërcyer zgjedhën feudale, për momentin historik, ishte relativisht “ i kënaqur” me disa masa të karakterit demokratik të qeverisë boliviane, bile dhe vet PK e Bolivisë ishte krejtësisht indiferente ndaj nismës së Che-Guevarës. Ja pra, kjo do të thotë se nëse në një vend të caktuar nuk janë pjekur kushtet asnjë lëvizje me karakter shoqëror dhe asnjë organizëm politik, nuk mund të ngrihet dot. Për rrjedhojë dhe vetë Titua të vinte në Shqipëri me gjithë Komitetin e tij Qendror jugosllav, nëse nuk do të ishin kushtet objektive të atilla, kurrë nuk do të mundnin dot ta krijonin apo themelonin PKSH sepse faktori i brendshëm është faktor përcaktues dhe ky është një koncept filozofik jo vetëm marksist, por dhe i vet dialektikës materialiste, e cila është e “depolitizuar”. Njëkohësisht teza e “formimit” të PKSH-së nga jugosllavët, sot për sot i shërben jo vetëm jugosllavëve, por edhe borgjezisë së re shqiptare, e cila në unison kjo, me klasat e përmbysura të ish-feudo-borgjezëve të vendit, nën maskën e “atdhedashurisë” dhe urrejtjes ndaj shovinizmit serbo-madh, tundin si kartë vërtetimi marrëdhëniet e mira të PKH-së me PK të Jugosllavisë. Por ata, asnjëherë nuk e përmendin faktin që përse PKSH-ja dhe Enver Hoxha u distancuan nga LKJ (Lidhja Komuniste e Jugosllavisë) qysh në vitin 1948 (3 vjet mbas çlirimit), ata asnjëherë nuk e përmendin përballjen që ka patur PKSH-ja dhe Enver Hoxha me të dërguarit e Titos, të cilët kërkonin (në ndonjë rast si në Berat) të ndërhynin brutalisht në punët tona, ata nuk e përmendin kurrë propozimin e Titos për të futur divizionet jugosllave në Korçë, me pretekstin e ruajtjes së Shqipërisë nga ndonjë sulm eventual i Greqisë (në fakt nënkupto “pushtim miqësor” të Shqipërisë nga Jugosllavia), pa përmendur këtu edhe agjentin e tyre Koçi Xoxe, i cili nuk këmbëngulte që Kosova t’i bashkëngjitej Shqipërisë, por Shqipëria të bëhej satelit i Jugosllavisë sikurse nuk përmendin dhe propozimin për unifikimin e monedhës shqiptare me dinarin apo unifikimin e ekonomisë që u kundërshtua rreptësisht nga PKSH-ja dhe vetë Enver Hoxha. Është shumë domethënës fakti se nëse Enver Hoxha do të ishte në shërbim të jugosllavëve në mos një bust, ata (jugosllavët) në nderim të tij,do t’ia kishin vënë emrin një rruge apo institucioni në Jugosllavi, sikurse e ka edhe sot në Beograd një të tillë veçse..... me emrin “ Ulice Koçi Xoxe” (Rruga Koçi Xoxe ). Megjithatë, le t’i referohemi njërit prej udhëheqësve më në zë pas Titos, Milovan Gjilasit ish-anëtar i Byrosë në LKJ. Ja se çfarë shkruan ai: “E di se historiografia jugosllave, më vonë e ka stërmadhuar rolin e Miladinit dhe të Dushanit, për sa i përket angazhimit të tyre në Shqipëri... Veçmas e tepron propaganda jugosllave pas vitit 1948, kur thotë se Jugosllavia e ka formuar Partinë Komuniste të Shqipërisë. Kjo nuk është e vërtetë”. ( Prishtinë, gazeta “Zëri”- 9 mars 1991). Si përfundim, mund të themi se katërcipërisht formimi i PKSH, është vepër dinjitoze vetëm e komunistëve shqiptarë dhe Enver Hoxhës, i cili diti me mprehtësi dhe largpamësi t’i organizojë, bashkojë dhe të mobilizojë jo vetëm komunistët, por dhe popullin shqiptar pa dallim feje, krahine dhe ideje, për të përballuar një nga momentet më të vështira historike, sikurse ishte pushtimi nazi-fashist i vendit, duke e çuar Shqipërinë drejt çlirimit dhe fitores përfundimtare mbi armiqtë. Partia Komuniste Shqiptare ishte një produkt i domosdoshëm historik i lindur në kushte dhe rrethana të caktuara. Nuk ishte aspak dëshirë personale e Ali Kelmendit, Enver Hoxhës, Qemal Stafës apo e të tjerëve. Jo aspak! Merita e tyre qëndron në faktin se ata u vunë në ballë të lëvizjes komuniste duke kuptuar dëshirat dhe aspiratat e popullit shqiptar, për çlirim kombëtar e shoqëror. Ata i kërkonte vet koha e stuhishme në të cilën jetuan dhe milituan. PKSH-ja u formua në ditët më të errëta të atdheut, kur populli shqiptar vuante mbi shpinën e tij jo vetëm tradhtinë e A.Zogut, por dhe shtypjen e madhe shoqërore që i bëhej pikërisht nga ajo klasë e cila, u vu mbas pushtimit në shërbim të okupatorëve. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, shtypjes së brendshme iu shtua dhe shtypja nacionale, që na bëri fashizmi dhe që këta bejlerë e agallarë sahanlëpirësit e Zogut, u bënë servilë të tyre dhe turpin më të madh apo tradhtinë pa cak e manifestuan me parakalimin e tyre në Romë para Viktor Emanuelit duke i dhuruar atij edhe kurorën e heroit tonë kombëtar Skënderbeut. Në këto kushte e rrethana, lindja e një force politike që t’i dilte për zot atdheut, u bë domosdoshmëri historike. Atë rol nuk mund ta luante kurrsesi paria e vendit, e cila sikurse dëshmoi në rrjedhën e ngjarjeve, u lidh këmbë e kokë dhe bashkëpunoi me fashizmin. Nuk mund ta luanin as “legalistët atdhetarë” sepse mbreti i tyre dha shembullin më të keq të tradhtisë duke e braktisur popullin e tij, për t’ia mbathur nga frika me gjithë oborrin dhe shpurën sëbashku me 7 arkat e florinjve që jua u vodhën shqiptarëve. Ishte pikërisht Partia Komuniste ajo e cila u bë frymëzuesja ideologjike e popullit shqiptar për t’u hedhur në Luftën e madhe Antifashiste Nacional Çlirimtare, për ta bashkuar luftën e saj, me gjithë popujt e tjerë vëllezër e antifashistë e që shkruajtën me gjakun dhe veprën e tyre, një nga epopetë më të lavdishme në historinë e këtij vendi. Sot “Ballistët” e demokratit kryetradhëtar Mithat Frashëri, mburren me idenë se “Lumo Skëndua” i tyre e paskësh projektuar me kohë “Shqipërinë demokratike”. Kjo është e vërtetë, sepse këtë ata e kanë pasqyruar dhe në “Dekalogun” (programin prej 10 pikash) të tyre, por nëse në vendet e tjera organizata të tilla edhe pse nuk luajtën rolin kryesor në luftë, të paktën ata ia kthyen pushkën armikut, veçse “Balli” i Shqipërisë u lidh këmbë e kokë me armikun. Bëmat e tyre jo vetëm që i njeh mirë populli ynë, por jehona e tradhtisë dhe bashkëpunimit të tyre me armikun edhe sot është e stampuar në arkivat e fashistëve italianë, nazistëve gjermanë, sikurse edhe në ato të aleatëve të mëdhenj URSS- Angli e Amerikë. Të zezën e tyre ata nuk e patën në lëkurë se ajo mund edhe të lahej shpejt, por në shpirtin e tyre të tradhtisë ndaj dhe nuk gjendet lumë e det që ti lajë as sot, as mot e as në jetë të jetëve. Meritat e fitores mbi fashizmin dhe radhitjen e popullit shqiptar, në podiumin e nderit të popujve anti fashistë, i takojnë jo vetëm jo Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe komandantit të saj Enver Hoxhës, por ato janë dhe ngelen të patjetërsueshme. Çdo orvatje për të deformuar të vërtetën është dhe tentativë për të deformuar historinë, por historia nuk mund të deformohet e të tjetërsohet. Sado institute të ngrihen, sado shtatore tradhtarësh, sado libra e referate “shkencore” kurrë dhe për asnjë moment dhe për sa të ketë Shqipëria njerëz të mirë, të ndershëm e të drejtë, nuk do t’i lejojnë kurrë ata, që korbat e laraskat t’i bëjnë shqiponja mali sepse dhe të duan, as korbat e as laraskat nuk ngjiten dot aq lart në majat e tyre.

Nga Ylli Meçe

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/11/2019 - 07:30

Me rastin e 76-vjetorit të krijimit të OKLL, 21 nëntor 1943-2019

Postuar: 22/11/2019 - 07:15

Nuk është kjo as një fjalë goje dhe as mentaliteti i një qytetari të thjeshtë që edhe këtij nuk i

Postuar: 22/11/2019 - 07:14

Ka ditë që politika po merret me Kushtetutën për të gjetur ndonjë klauzolë, që i shpëton nga ndës

Postuar: 22/11/2019 - 07:12

Këto ditë Presidenca përngjan me Mekën. Po me një ndryshim thelbësor.

Postuar: 22/11/2019 - 07:11

Para dy ditësh ishte 30-vjetori i vdekjes së Leonardo Sciascias, ose të madhit të letrave italian

Postuar: 21/11/2019 - 07:18

Nuk bëhet fjalë për romanin e Stendalit “E kuqja dhe e zeza” me këtë titull, madje as

Postuar: 21/11/2019 - 07:16

Projekt-ligji për Buxhetin e Shtetit 2020 që Ministria jonë e Financave ka dërguar në Kuvend, për