BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Opinion / Editorial

Plumba mbi fashizmin

Plumba mbi fashizmin

Pak më shumës se treçerek shekulli më parë, apo më saktësisht më 17 maj të vitit 1941, në mes të Tiranës, prej nagantit të një djaloshi shqiptar u derdhën katër plumba mbi Mbretin e Italisë fashiste Viktor Emanuelin e tretë, i cili pati ardhur për një vizitë në Shqipëri e që shoqërohej, prej Shefqet Vërlacit. Vizita e mbretit italian, i cili nga paria tradhëtare shqiptare ishte caktuar të mbretëronte dhe për Shqipërinë, kishte më shumë për qëllim tu jepte zemër ushtrisë italiane, të cilët mbasi patën siguruar pushtimin e Shqipërisë, po prej tokës tonë ata sëbashku dhe në përbërje me të dy batalione me mercenarë shqiptarë sulmuan Greqinë. Sulmi mbi Greqinë fqinje, shënon njëkohësisht dhe historikisht fillimin e luftës italo-greke, nga ku, ajo doli e humbur sepse ushtria italiane e Mussolinit, pësoi disfatë të turpshme, kështu që në prill të vitit 1941 ajo u tërhoq. Vërtet u tërhoq, por këtë tërheqje të fashistëve italianë e paguan me pushtim të dyfishtë shqiptarët. Shqipëria ashtu si në luftën ballkanike, u bë jo vetëm shesh luftimi, por edhe pushtimi sidomos, nga andartët grekë të Mbretërisë së Greqisë, duke pushtuar Korçën, Gjirokastrën e deri në kufij me fshatrat e Kurveleshit. Në këto kushte, me kokën e ulur dhe duke ju lutur për të “vendosur nderin në vend” Duçja edhe pse para sulmit kishte deklaruar se me grekët do i qëronte hesapet shumë shpejt, i ndodhi e kundërta, ndaj dhe i kërkoi ndihmë Hitlerit, i cili e pushtoi Greqinë për llogari të Italisë. Kjo ishte situata politike e në pragun por dhe në fundin e vizitës së Mbretit Perandor, nga ku asambleja e tradhtarëve shqiptarë jo më shumë se 10 ditë nga pushtimi 7 Prillit i patën dhuruar, madje dhe vetë ja patën çuar deri në Romë, “Kurorën, e Skënderbeut” me anën e një delegacioni tradhtarësh të hipur në 16 karrocat, për ta çuar atë, drejt pallatit mbretëror të mbretit xhuxh të Italisë, tashmë i konvertuar dhe mbret i shqiptarëve. (ose dhe mbreti “shpatë” sikurse e thoshin me tallje, për shkak të përafërsisë së barabartë të tij me shpatën që mbante ngjeshur në kërbythjen pa tule). Kishte kohë që komanda e lartë e jerarkëve fashistë, në bashkëpunim me kryekuislingun Shefqet bej Vërlaci, kishin marrë masat e sigurisë për pritjen dhe përcjelljen e mbretit të tyre, por ata as që nuk mund ta dinin, se pikërisht në datën 17 maj, kur sapo kishin çelur lulëkuqet, një djalosh njëzetë vjeçar nga Piqrasi, do ta priste dhe do t’i bënte pusi mbretit pushtues. Teksa ceremonia e parakalimit të tij në largim e sipër shoqërohej me kavaleri “triumfatorësh” nga të dy anët e rrugës së Durrësit dhe sipër nga qielli e shoqëronin në mënyrë demonstrative avionët e Italo Balbos, befas nga gryka e një revolveri në mes të turmës të simpatizantëve fashistë, por dhe të një mase qytetarësh të nxjerrë aty me urdhër të detyrueshëm, dëgjohen katër të shtëna të njëpasnjëshme. Plumbat ranë mbi automobilin e blinduar dhe një prej tyre plagosi dhe vetëm shoqëruesin italian të oborrit mbretëror, por jo mbretin fashist. Natyrisht që naganti i Vasil Laçit ishte e ngeli jashtë protokollit zyrtar. Fashistët as që e patën menduar se atentati i djaloshit shqiptar ishte shpirti i revoltuar i një populli të tërë, ishte sinjal flake i një kryengritje të madhe që po përgatitej e së shpejti do të fillonte. Vasilin e arrestuan shpejt për të filluar ndaj tij hetimet. Thuhet se mbreti i bërë dyllë i verdhë për të mbuluar frikën kishte lëshuar bashkë me lagjen e potureve dhe porosinë që ta mësonin djaloshin shqiptar të qëllonte më mirë, sikurse njëkohësisht dhe Vasili i ishte përgjigjur nga qelia se “shkurtabiqët nuk i kap dot plumbi, për shkak të lartësisë së vogël që kanë”. Propaganda fashiste, e qeverisë kuislinge të Verlacit mundohej ta justifikonte atentatin e bërë kundër mbretit, se djaloshi na paskësh qenë në kushtet e një depresioni të madh, rezultat ngaqë ishte i papunë, në kushtet e varfërisë dhe të përkeqësimit ekonomik, se ky nuk na paskësh qenë shqiptar, por një djalosh i ri grek, i cili ishte hakmarrë për pushtimin ndaj Greqisë. Shtypi fashist në Itali këtë ngjarje e mbajti tërësisht të censuruar duke mos shkruar një rresht për të. Për të treguar besnikërinë ndaj fashizmit dhe mbretit perandor autoritetet fashiste të kuislingut Vërlaci, Vasil Laçin mbas dhjetë ditë torturash, e dënuan me vdekje duke e ekzekutuar atë më 27 maj të po atij viti. Atentati i të riut shqiptar, ishte dhe ngeli simbol i fillimit të luftës ishte krismë që u bashkëngjitej krismave të 7 Prillit ‘39 të Mujo Ulqinakut, krismave të çetave të Pezës, Dibrës dhe çetave të tjera, të cilat do të ishin embrionet e para të formacioneve të Ushtrisë tonë Nacional-Çlirimtare të udhëhequr ato më vonë nga komandantët dhe komisarët e lavdishëm dhe nga Komandanti i i Përgjithshëm i kësaj lufte, Enver Hoxha. Akti heroik i Vasil Laçit, është simbol historik i shpirtit luftarak dhe të paepur të shqiptarit, i cili në shekuj ka luftuar dhe kurrë nuk është pajtuar me zgjedhën dhe vargonjtë e skllavërisë. Nuk është madje as i rastësishëm fakti se fill mbas çlirimit i pari “Hero i Popullit” u shpall pikërisht i riu legjendë, Vasil Laçi. Teksa po shkruaja këto rreshta mu kujtuan një vepër e madhërishme e artistit mjeshtër, skulptorit të popullit Kristaq Rama, që e praqet djaloshin shqiptar me nagant në dorë të ngrehur, sikurse nuk mund të rri pa përmendur dhe birin e tij plangprishësin anti vlerë e anti art, piktorin Edi Rama, i cili bëri rehabilitimin e afreskeve të pluhurosura të veprave të turpit Mithat Frashërit dhe ballistëve që ska lum e det ti lajë. Me këtë rast ai e vendosi veten në batalionet e zeza dhe të turpit sëbashku me kryebanditin Sali Berisha, kriminelin që për nga aktet antipopullore vrastare e nxitëse të luftës civile në Shqipëri, ja kalon dhe vetë Millosheviçit, gjakësorit ballkanik. Ata që rehabilituan bashkëpunëtorët e fashizmit, bajraktarët dhe agallarët që shitën atdheun dhe i lyen duart gjatë lufte me gjakun e shqiptarëve, aspak nuk kanë as ndryshimin më të vogël prej tyre. Ata janë e do ngelen sahanlëpirës dhe të gatshëm ta shesin atdheun në çdo kohë për interesat e tyre. Lavdi gjithë heronjve dhe dëshmorëve tanë të luftës Nacional-Çlirimtare! Nder dhe lavdi “Heroit të popullit” Vasil Laçi!