BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Opinion / Editorial

Po ju ç’patët me Fatos Nanon?!

Po ju ç’patët me Fatos Nanon?!

Fatos Nano doli nga istikami. Si Kostandini i harruar solli Doruntinën, ndali trokun e kalit dhe filloi të bisedojë. Foli me fjali të shkurtra, dëshmoi, kujtoi, u përmallua, por nuk mallkoi. Qetësisht, por jo lehtësisht përmes rrëfimit të jetës së vet dërgoi mesazhet për atje ku ai i kishte menduar: komunikoi me shqiptarët pavarësisht bindjeve të tyre, ashtu si ai iu ka pas folur dikur, dhe iu dërgoi ftesën për duel bajlozëve bashkëkohës. Gjithçka e adresoi saktë, nuk dokëndisi askënd tjetër jashtë tapetit. Por ata që nuk mund të heshtin kërcyen përpjetë sikur i kishte pickuar kobra dhe kjo nuk bën ndonjë çudi. Folën të nervozuar, të “shqetësuar” e të “preokupuar”. Shprehën habi të pakufishme, u ndjenë të ofenduar dhe gati gati sa nuk u ankuan për qetësinë e prishur; a thua se Fatos Nano iu drejtua atyre! Fatos Nano nuk kishte ndonjë llogari të hapur me këta analistë ose më saktë as nuk i kishte në llogari apo në rendin e ditës! Një kalorësi të formatit Nano kjo kategori shkruesish brigade apo familjeje nuk i bezdisin as nënbishten e kalit! Fatos Nano ishte i drejtpërdrejtë dhe pret që bajlozët të dalin nga istikami i tyre e të përballen. Përse nuk e lini Fatosin dhe bajlozët të ndeshen me njëri-tjetrin? Askujt prej tyre nuk iu mungon guximi, dituria, shpata apo forca e krahut për të dalë në duel. Ju shkrues kujtoni se do ta trembni Fatos Nanon me sharjet, ironitë apo fyerjet tuaja që ia lëshuat pa kursim, por gaboheni rëndë. Kini hyrë në fushë të minuar, por jeni me fat që ai nuk ka patur dhe as ka ndërmend të merret me ju. Fjalorin e pasur plot kolor dhe gjuhën therëse Fatos Nano nuk i ka hedhur në det, por as nuk i shpenzon me ju. Ai e ka hedhur dorashkën e duelit për bajlozët dhe pret që ata t’i përgjigjen. Ju vetëm se ndotët emrin tuaj, nxituat që t’i hiqnit Fatosit deri të drejtën e fjalës, atë që ai me shumë pushtet nuk ia bëri askujt; përkundrazi. Po kush jeni ju more zotërinj që i jepni vetes të drejta pa kufi dhe të thoni: Përse doli ky? Çfarë kërkon që prishi “rendin e radhën” e vendosur në mexhlis? Kush dhe sa e ka paguar? etj. Pallavra që patjetër juve do t’i thoshit. Dhe nuk mund të bënit ndryshe, bëtë detyrën Tuaj si edhe shumë herët të tjera. U përpoqët të ishit elegantë në të shprehur, por tradhtuat veten sepse u shfaqët si hiena që donit ta copëtonit prenë për së gjalli. Por si iu lidh gjuha dhe nuk folët për ato sjellje politiko shoqërore të atij njeriu që ishin dhe ende mbeten risi në skenën politike të vendit tonë. Ju nuk harruat t’i gëzoheshit ndonjë vesi të tij dhe nuk folët për njeriun që kishte njëmijë e një arsye të hakmerrej ndaj atyre që i shkaktuan jo një, por disa drama në jetën e tij dhe të familjes së tij. Edhe pse katili, realisht gjakësi, i doli në shteg më shumë se një herë Fatosi doli mbi ndjenjën e hakmarrjes dhe për qëllime në të mëdha u soll si fisnik në detyrën e lartë të kryeministrit. Kush e ka bërë një sjellje të tillë?! Nuk do të rendis të tjerë raste sepse e di që do të më thoni: doni më për Belulin?! Mund të thoni se kujt i duhen më duelet e pambaruara të Fatos Nanos me bajlozët apo se ato i përkasin së kaluarës! E vërteta qëndron ndryshe, ato nuk janë çështje apo llogari personale mes tyre dhe as të kaluara në kohë. Në to është e stampuar një pjesë e mirë e historisë mbi 30-vjeçare të shoqërisë sonë. Le të hapen fletët dhe gjithkush të lexojë çfarë është shkruar brenda tyre. Shqiptarët të lexojnë dhe gjykojnë mbi çfarë ka ndodhur, çfarë ka bërë lidershipi i çdo partie dhe t’i japin gjithkujt atë që meriton. Nëse shkruesit nuk e ndihmojnë dot këtë proces kthjellimi e reflektimi të paktën të rrinë në poltronin e tyre dhe të mos pengojnë rrjedhën. Guri duhet të vejë në vend të vet, ky është proces historik dhe objektivisht do të ndodhë; sa më shpejt aq më mirë për të gjithë ne. Dhe me sa duket kjo është ajo që juve iu ka pickuar.