BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x
BREAKING NEWS

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe Reformën në Drejtësi, ja pazaret e reja të “non-gratës” me kryeministrin për të bllokuar arrestimet

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe
x
BREAKING NEWS

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57 mijë metra katror tokë, të implikuar 2 ministra, SPAK merr në dorëzim padinë për megaoligarkun e qeverisë

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57
x
BREAKING NEWS

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në ditët në vijim, ja disa nga dosjet “përvëluese” që po heton SPAK dhe skema që ndoqën agjentët e BKH për të arrestuar Jorgo Goron, kryebashkiaku në detyrë i Himarës u përgjua 4 muaj rresht me metod...

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Po na thonë të largohemi nga vendlindja!

Po na thonë të largohemi nga vendlindja!

...Na thonë të gjithë, që nga zyrtarët e lartë e deri tek specialisti më i thjeshti. Na thonë biznesmenët, na thonë ndërtuesit, na thonë tregtarët na thonë deri tek shitësit e perimeve në rrugë e trotuare. E mbi të gjithë, na thotë kjo politikë e këta politikanë që na kanë ndotur edhe ajrin, na kanë infektuar edhe tokën, na kanë “helmuar edhe ushqimin, na kanë tharë liqene e lumenj, na kanë ndotur edhe detin, na kanë zhveshur edhe pyjet... Flasin e flasin të gjithë, por... të gjitha mbeten thirrje në shkretëtirë. Na thotë edhe një specialist i rëndomtë që vjen e të bën një punë shkel e shko sa të marri paratë. Largohet ai dhe pllakat e murit fillojnë e bien një nga një e ato të dyshemesë fillojnë e hedhin “valle” si në rrugën “Myslym Shyri.

“Ndotja” e politikanëve është shtrirë kudo në çdo cep, në çdo qelizë në çdo vend aq sa vendin e bukur na e kanë bërë të mërzitshëm, na kanë mbyllur të gjitha “shtigjet” për të mos qëndruar në Shqipëri e për të marrë “cahiret”! Dihet nga të gjithë tashmë se ç’është vendlindja. Në vendlindje, edhe buka ka shije tjetër, edhe uji, edhe ajri që thithim. Këto janë për çdo qytetar për vendlindjen e tij. Po t’i shtosh këtyre edhe bukuritë e rralla që i dha natyra këtij vendi të bekuar, dashuria dhe malli për vendlindjen, shtohen dyfish. Toka pjellore, pyje të mahnitshëm, pasuri nëntokësore me minerale nga më të çmuarat, me naftë, e flori, ujë qelibar, ilaçet që na i ka dhënë natyra në çdo bimë e në çdo frut, dete, liqene e lumenj, na ka dhënë një klimë të mrekullueshme për të patur të gjitha llojet e prodhimeve, të bimëve, frutave e perimeve. Kemi grurë e misër të tokës pjellore, por hamë miell nga serbi, që e përdorin për bagëtitë! Kemi mish nga bagëtitë tona, por “shijojmë” atë të fqinjit që e rrit për dyzet ditë. As bulmetin e bagëtive tona nuk e shijojmë sepse duam bylmet “europian” që prodhohet nga pluhuri. Të huajt na marrin “kokrrat” dhe ne mbjellim bredha! Kemi fruta e perime të mrekullueshme, por ato nuk i shijojmë. Ato i “ha” përsëri dheu e ne hamë ato që na vijnë “më të lira” nga fqinjët. Gjithçka e tokës tonë shkon jashtë për të na “thënë” edhe neve: “Ejani dhe ju jashtë vendit, atje jemi edhe ne”! Kemi Myzeqenë “hambar”, por të mirat e këtij “hambari” i ha përsëri dheu, ose i merr lumi. Kohë vetëm për mashtruesit, e atyre që marrin djersën e fshatarit me çmim qesharak e ja shesin qytetarit si “frëngu pulën”!

Nuk qenka e thënë të jetojmë si qytetarë me dinjitet, por të jetojmë në mjerim mbi pasuri! A ka parë ndokush ndonjë të keqe nga pasuritë e mëdha që ka? Ndoshta jemi ne, të vetmit! Nuk ka ndonjë që të thotë se nuk e ka dëgjuar shprehjen “të gjesh belanë me paratë e tua”. Jemi të vetmit ne, që e kemi gjetur këtë “bela”! Kemi naftë, kemi floririn, por nafta, jo vetëm që nuk ka shërben, por na ka futur në borxhe deri në grykë. Ne kemi minerale nëntokësore që rrallë kush i ka në botë, por na i marrin të huajt e ne, na lënë viktima, na lënë prapa mjerimin. Mjerimi më i madh është atje ku janë minierat e floririt, ku është kromi, në Bulqizë. Rrugët si në Kandahar janë atje ku është bitumi i cilësisë më të mirë në Ballkan, në Selenicë! Kemi lumenj, kemi ujëvara, kemi liqene por jo vetëm që nuk ja shohim “hajrin”, por na mbytin e na përmbytin nga pangopësia e politikanëve për të bërë vetëm shkatërrime mbi lumenj gjoja sikur do të ndërtojnë hidrocentrale, por shkatërrojnë shtatë e rregullojnë vetëm një! Jemi i vetmi vend që nuk po menaxhojmë pasuritë e mëdha. Ky është “nikoqiri” shtet që menaxhon pasurinë e tij.

E kush i shijon të gjitha këto? Në vend që të gjitha këto mirësi t’u thonë “bujrum” edhe të huajve, na thonë ne vendasve: “Largohuni, sepse nuk janë për juve”! Të paktën qysh nga fillimi i shekullit të kaluar, nuk na ngopën asnjëherë dhe marrim rrugën në vend të huaj. “Shqipëri të qofsha falë, të kam nënë e më ke djalë” do të shkruante poeti dikur. Por, ja që si askund tjetër, vetëm këtu ndodh ajo që kurrë nuk duhet të ndodhë, që djali të braktisë nënën dhe nëna të “largojë” birin e vet! Nuk ja thotë goja t’i thotë “largohuni”, por biri i saj e sheh se ku është katandisur “nëna” dhe i duhet të ndahet. Po nga e merr mallkimin më të rëndë djali për t’u ndarë nga ajo që e lindi, e rriti me njëmijë e një përkujdesje dhe tani që ai u bë “burrë” i thotë: “Largohuni, nuk kam ç’tju bëj. Ikni dhe shihni të ardhmen tuaj këtu në vendlindje, jeni i tepërt”! Kanë shkuar kudo bijtë e nënës. Kanë shkuar në Amerikë, në Europë, në Australi. Kanë shkuar, është e vërtetë, por është po kaq e vërtetë sa askush, asnjëri prej këtyre nuk e kënaqin bukuritë e Nju Jorkut, Melbournit, Stokholmit aq sa e kënaq fshati i Oparit, i Ostrenit. Nuk i shijon as vera e dëgjuar franceze, aq sa i shijon rakia e kumbullës në Mokër... Sallonet e bukurisë në Europë, askush nuk i krahason me të qëndruarit këmbëkryq atje, pranë një ugari apo pranë një burimi me ujë të ftohtë në fshatrat e Kurveleshit. E megjithatë, braktisin vendlindjen e shkojnë larg. Në krye të “listës” si azilantë në vendet e botës, të fundit e “listës” për cilësinë e jetesës, në krye të “listës” për taksat e larta, për aksidentet, për korrupsion.

Politikanët qëndrojnë të shkujdesur, janë të “ndotur” në krime, në korrupsion, në trafikime e këtë ndotësi e reflektojnë kudo në çdo qelizë... Politika është “ushqimi” kryesor i mijëra e mijëra të të gjitha moshave që mbushin mijërat e kafeneve. Politika është “ushqimi” i televizioneve, i gazetave. Në lajme, në emisione, në biseda vetëm politikë. Të gjitha emisionet si “Al-pazari” apo “Al-neveria” vetëm banalitetet e politikës sepse ndryshe spektatorët nuk qeshin. U marrin të keqen estradave të dikurshme këta “Al-ët” e sotëm! Mbasi ke qëndruar gjithë ditën në kafene, vjen e dëgjon po ato biseda të kafenesë, po ata politikanë që të shkaktojnë alergji. Çoje po të duash në një stacion tjetër. Do të shohësh përsëri disa të quajtur analistë, por nuk janë të tillë. Ata janë edhe politikanë, edhe gjykatës, edhe prokurorë, edhe gazetarë të tipit “zhurmues”! Të gjithë bërtasin njëherësh aq sa nuk merr vesh qeni të zotin. Kërkojnë t’ju shërbejnë me zell politikanëve... Më kot “dirigjenti” mundohet të vendosi rregull! Shpëtuam, do të thotë dikush, nga lufta e klasave dhe neni famëkeq i agjitacionit e propagandës. Jo, jo, ramë nga shiu në breshër. Një urrejtje patologjike midis të majtëve e të djathtëve, si dikur midis komunistëve e kulakëve. Çfarë trishtimi të shkaktojnë këta farë politikanësh kur thonë: “Shqiptarët po ja mbathin nga mjerimi që ka shkaktuar kjo qeveri”! Është e vërtetë që qeveria hallakatet e po ja bën të mërzitshme jetën çdo qytetari. Por është po kaq e vërtetë që më shumë se e “shqetësojnë” qeverinë, ja mërzisin qytetarëve Shqipërinë... Politikanë të tipi rrugaçë, që shesin si pa gjë të keq edhe Shqipërinë. Këta janë “patriotët” e mëdhenj! Ata që shitën detin me firmë e me vulë, këta janë ata që sot betohen: “Edhe mbi trupat tona të shkelin, ne nuk lejojmë asnjë pëllëmbë të tokës, të shitet tek i huaji” që ende nuk e dinë. Këtë frymë ka futur “shpellari” deri në genin e atyre që duan vetëm rrëmujë! Asgjë nuk ka ndryshuar qysh nga koha e Haxhi Qamilit! Mbas pak ditësh kemi festë, festë dhe protestë! Do të kujtojmë rrëzimin e diktatorit. E rrëzuam “Diktatorin”, ata që i qëndruan të bindur një jetë të tërë dhe ja sot e rrëzuan në bronx, duke qëndruar me duar në xhepa. Për të qeshur e për të qarë. Kudo nxijmë dhe vetëm nxijmë. Njëzet e tetë vite, Shqipëria vetëm “nxihet”. A ka dëgjuar kush që të flitet qoftë edhe një fjalë e mirë për Shqipërinë nga politikanët e opozitës? Kurrë, kurrë, kurrë! A ka dëgjuar kush deri më sot nga qeveritarët që të flasin një fjalë të keqe për qeverisjen e tyre? Kurrë, kurrë, kurrë! Secili në kampin e vet, njëri vetëm shan e tjetri vetëm lavdërohet e “ngopet me lugë bosh. Këtë vend po e çojnë në katastrofë, zhurmë dhe vetëm zhurmë, zhurmë majtas e zhurmë djathtas. A ka të mira në këtë vend? Ka dhe ka shumë. A ka njerëz që punojnë mirë në këtë vend? Ka dhe janë të shumtë. A bëhen punë të mira në këtë vend? Ka dhe punë të mira që janë bërë nga të gjitha krahët e politikës. Edhe unë dua t’i pasqyroj, të shkruaj që midis të “zezave” ka edhe të “bardha” por... askujt nuk i pëlqen. Nuk duan të dëgjojnë gjëra të mira që bëhen. Kanë “alergji” nga ato pak punë të mira që bëhen... Dëgjohen dhe shkruhen vetëm: u vra, u trafikua, u sulmua, vjedhje, vjedhje, krime, krime, mashtrime, drogë, arrestime, arrestime, shpërdorim detyre, korrupsion... Edhe fëmijët e kopshtit shtrëngojnë për dore nënën nga frika e hajdutit, e kriminelit, e vrasësit që dëgjon ditë e natë në televizor. Duhet të flasësh vetëm keq, po të dush të qëndrosh, ndryshe, mbathja jashtë vendit. Duket sikur e bukura, pozitivja, përparimtarja, bën “masë” në këtë realitet “zi”. Shqipëria, është kthyer si “furrë gëlqere” që gllabëron pyje e nxjerr tym të zi! Plehrat na shoqërojnë në çdo rrugë e në çdo fshat, si “kolor”! Edhe ndotjen akustike e ndeshim kudo, pranë banesës, në plazhe, në rrugë, në kafene, në lokale. Vetëm qetësi nuk kemi, as në banesën tonë. Edhe atje do të dëgjojmë zhurmën e kafenesë afër, zhurmën e britmat e të rinjve që luajnë deri në orët e vona për t’ja lënë më pas radhën burive të makinave në mesin e natës që kërkojnë vend për parkim apo duan të dalin nga parkimi. Kudo si “Lutua”! Shtëpia pikon në të gjitha anët e duhet ikur një orë e më parë larg... Edhe ndërtuesi të thotë “largohu” sepse është e pamundur që të mos i lërë ndërtesës një “noksanllëk” apo do të të rrëzohet suvaja apo pllakat për brenda disa muajve. Edhe llambat, edhe materialet e ndërtimit që i ble, janë të skaduara ashtu si barnat... Edhe shitësi para shtëpisë të merr inat po nuk psonis tek ai, edhe berberi aty afër banesës po nuk u qethe tek ai, edhe furrxhiu po të mos blesh bukën tek ai... I gjithë ambienti i krijuar rreth e qark i dashur qytetar, të thotë: “Ik nga Shqipëria”. Të tjerat, janë përralla politikanësh.../Nga Pandeli BARDHI