Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Po nis një tjetër revolucion, beteja me smartphone!

Postuar: 10/07/2019 - 08:32

Pasi i përdorën të gjitha mjetet nga molotovi, shigjetat, harqet, vezët, hedhësit e bojës, këpucët, çizmet, protestat pa fund, drynët për kyçjen e portave të vendvotimeve, ç`dekretet, dekretet seriale, bllokimin e shtigjeve dhe pusitë në kryqëzime. Vijuan me djegie të gomave, presionet dhe dhunën, flakën shkollave për të bllokuar zgjedhjet dhe tërë sistemin, zjarrin dhe gurët, kacaverjen nëpër fasadat e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë nga protestuesi “merimangë” për të vënë me shpatulla për muri mazhorancën dhe Kryeministrin, liderët opozitarë iu drejtuan më në fund teknologjisë të re më moderne të kohës. Smartphonit dhe iPhonit. Këto janë arma e re më e sofistikuar, top arma e ditës, mjeti më shpërthyes, ku ka varur shpresat e fitores opozita dhe vetë Presidenti ynë, zoti Ilir Meta, i cili së fundi është bërë miku me i ngushtë e më aktivi në përdorimin e pajisjes më të shpejt të informatikës, telefonit. Një qytetar i ri dixhital, i freskët, origjinal, iu shtua ushtrisë së përdoruesve të teknologjisë online. Berisha u bë më në fund me binjak. Edhe pse humbi ekskluzivitetin, ai duhet të ndihet më i fortë në betejën elektronike në radhë me të u rreshtua dobësia e tij, Meta. Duke kopjuar stilin e adoleshentëve, të cilët e përdorin rëndom celularin për të dërguar mesazhe miqësie, foto, miklime, joshje, komplimenta, koka aktoresh dhe top modelesh apo mesazhe dashurie, jo rrallë edhe presione pas prishjes së raporteve dhe fërkimeve me mikeshat e tyre, adoleshent-liderët tanë të rritur, i kanë dhënë një dimension të ri aparateve telefonike. Po i shndërrojnë nga mjet komunikimi në armë krimi. Nga shkëmbim informacioni për shëndetin apo urime në distance, si armën më efikase, ku në vend të debateve ballpërball në sallat ku bëhet demokracia duan të na mbushin mendjen se po troket një tjetër revolucion, beteja me smartphone. Në revolucionin me smartphone veç të tjerëve spikatin me përfshirjen e tyre, dy nga shtetarët më të lartë të këtij vendi, Kryeministri, Edi Rama dhe vet Shkëlqesia e Tij, Presidenti Ilir Meta. Beteja me telefon mes të dyve ka kohë që ka filluar. U bë e njohur këto ditë në një nga konferencat seriale për shtyp, drejt nga selia e Presidencës, ku Meta hodhi në publik një mesazh dërguar nga Rama që në muajin shkurt, ku e paralajmëronte se pas kthimit të Metës në LSI nuk do gjente në atë parti asnjë njeri, si dhe një koment për Zotin Lulzim Basha. Që Zoti Rama dhe Zoti Meta janë në të drejtën e tyre të plotë të shkruajnë në Facebook, mesazhe direkte, kjo është e padiskutueshme. Ata mund ti shkruajnë njëri-tjetrit për gjithëçka dëshirojnë, po ne qytetarët shtetasit e këtij vendi, duam që të shkëmbejnë mesazhe për çështje madhore për probleme që kanë të bëjnë me jetën dhe lirinë, demokracinë dhe zhvillimin. Të ruajnë konfidencialitetin dhe mirësjelljen përball opinionit të gjerë të shoqërisë tonë. Jo për gjë, po zakonisht mesazhet edhe kur janë për probleme të dorës së fundit edhe mes adoleshentëve nuk publikohen pasi konsiderohet shkelje e privatësisë dhe etikës në komunikim.

Edhe kur janë në hall dhe ua bëjnë borxh, adoleshentët e ruajnë konfidencialitetin ndryshe nga “adoleshentët” tanë të rritur që nuk kursejnë asgjë dhe i nxjerrin në dritë të diellit rrobat e palara të shtëpisë, natyrisht jo në emër të inatit apo urrejtjes, po “transparencës”. Pasi bëri presion me masazhet e kryeministrit ne na thanë se ja cila është gjuha e komunikimit mes shtetarëve tanë. Zoti Meta përparoi shumë në përdorimin e armës më të re, atë të smartphonit. Armën më të fundit nuk lë rast pa e përdorur. Kudo që gjendet. Për punë. Relaks. Shëtitje. Udhëtime. Nga mezi i rrugës për Tropojë na dërgoj një koment me smartphone, ku qetësonte gjithë të tremburit nga reforma dhe organet e reja të drejtësisë, ata që I ka tronditur reforma të mos kenë frikë sepse ai sapo kishte kaluar Spaçin dhe nuk i kishte ndodhur asgjë. As një emocion për atë burg të egër, ku kaluan një pjesë të mirë të jetës ish të persekutuarit politik dhe dolën prej andej të gjymtuar, të plakur, shumë prej tyre për faje të pakryera. Po Presidenti nuk e ka fjalën për burgun, si shtëpi e atyre që i dënon ligji, ai nga ekrani i telefonit u kundërpërgjigjet atyre që i kujtojnë se ata që shkelin ligjin do kenë punë me drejtësinë e re që po afron e cila është një reformë e iniciuar nga 140 deputetë në një votim të pashembullt për Parlamentin e Shqipërisë në historinë e tij shumëvjeçare në kohën kur e drejtonte Z Meta. Bëhet fjalë për reformën që mbikëqyr, SHBA dhe BE edhe pse Presidenti e emërton “Ramaformë”, e cila për hir të së vërtetës nuk ka as fuqi e as mundësi të diktojë vullnetin e tij personal apo të mazhorancës që përfaqëson. Megjithatë nga smartphone, Presidenti dërgon në kohë reale një thirrje që askush të mos e vrasë mendjen nga "Ramaforma” e cila nuk mund të godas askënd dhe po përdoret si presion nga qeveria për të intimiduar liderët opozitarë. Po nuk mbetet në këtë konstatim dhe arma më e re përdoret nga Meta në plazhe, pishina, kuzhina, makina, klube, kudo. Pikërisht nga Lazli, ku ishte për relaks, një drejtë qytetare për cilindo kjo, Presidenti komentoi aktin e rëndë të një qytetari ndaj mjetit në pronësi të Fatos Lubonjës dhe në përdorim nga vëllai i tij. Përmes mesazhit në smartphone e konsideroi këtë si akt i dhunshëm i “çunave të fugonit” që në këtë rast nuk qëndruan në fugon po kishin dal jashtë tij për të ushtruar dhunë ndaj një kritiku permanent të qeverisë dhe të konsideruarit kundërshtar të Ramës. Vetëm për pak minuta ngjarja u sqaruar nga policia dhe rezultoi që ishte vetëm një çun me probleme mendore, i cili vepronte nën efektin e diellit në kokë dhe nuk ishte as “çun fugoni” as ushtarsmartphoni, aq më pak i dërguari i Bablok-Ramës. Me smartphone vërtet shpejton informacionin dhe lajmin e dërgon në kohë reale. Po duke qenë në pishinë, mes blusë së thellë, diellit përvëlues, mes pishave të gjata, para vilës pozante edhe mund t`ia futësh fare kot. Që Presidenti e ka me Ramën hallin që e ka bërë personazh të smartphonit dhe e llogarit si armik të revolucionit kjo dihet. Po mirë do ishte që të moskopjonte qytetarin dixhital. Në fund të ditës i pari i këtij vendi nuk është normale të lëshojë blofe të tilla që edhe qytetari i zakonshëm ndihet i turpëruar. Faktet treguan se ngjarja me mjetin e kritikut Lubonja është një histori krejt ndryshe. Pa asnjë motiv politik nga çdo kënd ta vrojtosh. Për hir të së vërtetës, Rama asnjëherë nuk është konfliktuar me kundërshtarët e vet aq më pak me kritikët në shtyp. Veç ndonjë etiketimi simbolik kurrë nuk ka vënë përball tyre urrejtjen dhe inatet apo hakmarrjen. Vetëm një episodi t’i referohemi, shikojmë sa i ndjeshëm e alergjik është Presidenti ndaj kritikëve. Të kujtojmë këtu shpalljen armik me smartphone të Kol Ballës, të cilin e ofendoi, duke lënë në hije gjithë shtetarët tanë në marrëdhënie me analistët e njerëzit e shtypit. Po kjo është vetëm maja e ajsbergut. Më tej nuk duket asgjë. Beteja me smartphone nuk kufizohet vetëm mes shtetarëve shqiptarë. Beteja ka marrë vrull të paparë edhe me ndërkombëtarët. Me smartphone, Presidenti ynë u tregoi Korenë e Veriut, si vendi ku të eksperimentojnë zgjedhjet pa opozitën. Në këtë mënyrë, beteja me smartphone, po merr edhe dimesion global. Jo se telefoni nuk mund të përdoret edhe për çështje shtetërore, po kurrësesi nuk mund të zëvendësojë komunikimin institucional. Takimet. Bisedat. Ballafaqimet. Komunikimi përmes letrave zyrtare janë të pazëvendësueshme. Se kështu siç po ndodh në marrëdhëniet e personaliteteve më të larta të shtetit, duket se janë lënë mënjanë të gjitha dhe në plan të parë është vënë komunikimi elektronik me smartphone. Përdorimi i smartphone në komunikimet zyrtare dhe përdorimi i tyre si armë për të shfarosur kundërshtarët politik, flet për atë se shteti është rrëmujë. Godinës shtetërore po i futet ujë nga maja e Piramidës në Presidencë, deri në themelet e saj. Zgjedhja si komunikim përmes batutave e mesazheve të shkruara nxitimthi më së shumti për të bërë humor, fyer, denigruar, goditur apo për të zënë gafil kundërshtarin politik nuk është se të jep shumë avantazhe. Meta ka shpallur kundërshtarë tërë ata që mendojnë ndryshe e gjykojnë, jo si ai Presidenti, Kryeministrin, ministrat e njerëzit e drejtësisë. Të gjithë përball grykës së topit më të ri, smartphonit. Kjo është një komedi shtetërore, me personazhe që duhet të na jepnin një tjetër dimension, atë të burrave të shtetit. Sado interesante dhe pikante të jenë memet që vijnë nga bregdeti i zhytur deri në grykë në ujin e kripur, me dorën lart për mos iu lagur telefoni, asgjë produktive nuk i sjellin shoqërisë. Vetëm sa na nxijnë e i bëjnë njerëzit të qeshin e përqeshin me ata që duhet ti dëgjonin me respekt dhe simpati pasi janë atje për të drejtuar Shqipërinë dhe jo për të bërë gaztorin. Veç memeve në fjalë nuk lënë vend për fantazi edhe paraqitja e personazheve familjare apo shoqërore, me foto, tatuazhe në gjoks apo në bark të personalizuara me emër e fytyrë për të na thënë, ja revolucioni ynë me këtë do ta ndryshojmë Shqipërinë dhe do rivendosim demokracinë. Rroftë smartphone ynë. Po sado vlerë të ketë kjo arma e re tek e fundit telefon është dhe siç u tha djemve që shkonin në Vlorë tek filmi “ballpërballë” aktori Kadri Roshi, lufta me telefona nuk të shpie në fitore. Nuk komandohen betejat me telefon! Tani e tutje, urdhrat, vendimet, thirrjet, deklaratat, dekretet, ultimatumet, do jepen të gjitha nga arma më e re, smartphone. Pas qytetarit dixhital të doktor Berishës, smartphoni i Metës është zbritje me të gjitha fuqitë në betejën më të egër, revolucionin më të ri atë me smartphone dhe iPhone. Ndaj dridhuni. Po troket një tjetër revolucion. Është revolucioni me telefon!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/09/2019 - 08:20

Nëse kjo do të ishte një ndodhi e rastit dhe e shkëputur tërësisht nga veprimtaria e sistemit tonë të përgjithshëm universitar dhe stafeve të tyre akademike, atëherë nuk do t’ia vlente aspak që të merreshim me n

Postuar: 22/09/2019 - 08:18

Morali i politikës dhe jetës publike nga njëra anë dhe morali i njeriut të thjeshtë janë për poli

Postuar: 22/09/2019 - 08:12

Pothuajse gjithmonë kur flitet për femrat në polici, flitet për punën e bukur dhe të vështirë që

Postuar: 22/09/2019 - 08:09

Opozita jonë është çoroditur plotësisht dhe jo vetëm që nuk paraqet asnjë alternativë, por partit

Postuar: 21/09/2019 - 07:22

Do të numëroja shtatë arsye ndonëse janë 140 të tilla, përse Shqipërisë sonë të vogël nuk ka ç&rs

Postuar: 21/09/2019 - 07:19

Shembulli i zgjidhjes së krizës qeveritare për një kohë shumë të shkurtër, në Italinë fqinje, duh

Postuar: 21/09/2019 - 07:18

Të gjithë, politikanë, burra, gra, militantë, socialistë, demokratë, lësëistë, familjarë, ish bas