BREAKING NEWS

Lëvizje e BUJSHME në politikë! Surprizon Arben Malaj, merr pozicionin e rëndësishëm në partinë e Agron Dukës

x

Opinion / Editorial

Po opozita ku është?

Kur doli zoti Basha në mbështetje të atyre që dëmtoi tërmeti dhe deklaroi se tani s’ka politikë, isha gati të shkruaja për të pozitivisht. Do të shkruaja se për herë të parë mendova se kjo lloj opozite i flaku flamujt e urrejtjes, shpifjeve e sharjeve dhe u shkri me hallet e popullit. Mirëpo gëc-vëcet politike nuk i pushoi as në këtë hall të madh. Populli nuk ka nevojë për propagandë, po për ndihmë konkrete. Rama gjeti mundësinë dhe e ftoi opozitën të uleshin, që krahas punës për përballimin e pasojave të tërmetit, të vazhdonin dhe problemet e tjera. Mirëpo Basha vajti sërish në fis me atë përgjigje që dha. Sepse ai na paskësh hallin e popullit, po nuk dha asgjë për popullin. Nuk dëgjuam asnjë thirrje për opozitën, që të ndihmonin financiarisht. Kujtova se opozita do të ishte vërtet në mbështetje të zbutjes së kësaj katastrofe, por, fatkeqësisht, zoti Basha na paska dalë në rolin e brigadierit, që kontrollon punën e argatëve. Populli nuk ka nevojë për konferenca e këshilla, por për ndihmë të çastit, mirëpo deri tani nuk e ka hapur gojën njeri për të afruar ndonjë ndihmë financiare. Zoti Basha mblodhi strukturat e parisë dhe i porositi të mos thonë asnjë fjalë politike. Mirëpo kjo na qe një sapun mbi gunë, sepse ca zuzarë të frontit opozitar, që nga ca Palokër e Vasilër, nuk hoqën dorë nga huqet e tyre. Çuditërisht, kur i lëshohet Basha Ramës edhe kulufërit, që quhen kot aleatë të tij, se ata u bënë deputetë me votat e PD, vërsulen si shqipe. Kurse për të ndihmuar këtë popull, nuk e ndoqën Bashën. Në mes të dhimbjeve të thella të të dëmtuarve nga tërmeti, dega e PD në Durrës gjeti kohë të merrej me dorëheqjen e kryetares së bashkisë,duke akuzuar dhe kryetarin e ri dhe nuk zgjatën dorën e ndihmës, sikur dhimbja ikte me politikë. Po një ditë edhe vet Basha kur vajti në Thumanë harroi ç’kishte deklaruar dhe u tha atyre, se qeveria i paskësh lënë në harresë dhe janë krejtësisht të pasigurtë! Mirë që u ndërpre zhvillimi i ndeshjeve të futbollit, se do t’i kishin kthyer stadiumet në protesta kundër Ramës. Kur shikojmë që vetëm Basha ka dalë për kontroll, por jo ndihmë në këtë fatkeqësi, njerëzit mendojnë: Sa pak shqiptarë paska kjo Shqipëria jonë! As Duka, as Mediu as Shehi, as Ndoka, as larot e pundiqët e tjerë, që përbëjnë opozitën, nuk po i shikojmë të mbështetin popullin. Është fatkeqësi e madhe, që edhe kur zoti Naçi merr përsipër të ndërtojë të gjitha banesat e Thumanës, na del një kriminel nga mesi i opozitës dhe e kritikon, përse ndihmon Ramën. Po pallatet e Thumanës nuk janë të Ramës, po të popullit që po rri përjashta. Dhe kjo farë opozite na i mban sërish si lider historik këtë kriminel me emrin Berisha. Përse është historik, se dogji e shkatërroi Shqipërinë? Apo se i dërgoi tanket e avionët të vriste popullin e Vlorës? A e di opozita se shkak i të gjitha këtyre dëmtimeve nga tërmeti janë si rrjedhim i asaj anarshie që krijoi ai kriminel, duke lejuar lëvizjen e pakontrolluar dhe mungesën e kontrollit, se ku i ndërtuan e si i ndërtuan banesat? Është ai kriminel që armatosi popullin me hapjen e depove dhe po i vret ende shqiptarët. Ku e kanë zërin opozitarët e sotëm, që nuk flasin për ato që i kanë shkaktuar këtij populli? Kush e mbylli Institutin Sizmik në Shqipëri?A nuk është rasti për ta hetuar këtë krim? A e dini përse ka dalë e po shetit Basha këto ditë të rënda për rrethet e dëmtuara nga tërmeti? Kur e pyeti gazetarja për menaxhimin e situatës nga qeveria ai deklaroi se është shpejt për të folur, po ne po mbledhim materiale dhe në fund do ta themi mendimin tonë. Pra, zoti Basha nuk ka dalë për të ndihmuar popullin, sepse nuk e ka hapur xhepin, po për të mbledhur materiale, që do t’i përdorin kundër qeverisë, sepse alternativë tjetër nuk kanë paraqitur deri tani. Edhe këtë radhë, që mendova të shkruaja një shkrim pozitiv për Bashën, e humbi shansin me ato deklarata që po jep. Në të vërtetë opozita po organizon hajdutët dhe mashtruesit, që të vjedhin e krijojnë situata të rënda në shpërndarjen e ushqimeve për nevojtarët. Madje nuk munguan të keqinterpretonin edhe thëniet kuptimplote, se kryetarja e bashkisë së Durrësit na qenkësh gëzuar që janë vrarë 50 veta! Dhe ajo femër sedërllesh vajti dha dorëheqjen. Opozitarizmi nuk bëhet në kurriz të fatkeqësive të popullit. Kuptohet, opozita bën veprime të tilla, që të dështojë qeveria dhe të përfitojë ndonjë votë, po me politikat e ndjekura deri tani, jo vetëm s’kanë mundur të marrin, po kanë humbur shumë. A janë shqiptarë opozitarët? Për herë të parë në jetë forcat serbe erdhën në ndihmë të shqiptarëve në këtë katastrofë e dhjetra të tjerë nga gjithë Ballkani, kurse opozita jonë qëndroi e heshtur si të ishte në Sahara. Një fukareshë nga Kosova zgjat dorën e nënës së dhimbshme dhe jep për shqiptarët e dëmtuar 50 eurot e vetme që i kishin mbetur. Ku është krimineli Berisha me dy fëmijët biznesmenë, që nuk futin dorën në xhep për këta fakirë që i nxori tërmeti në qiell të hapur në mes të dimrit? Ku janë krerët e opozitës dhe ish-deputetët e saj, që janë tulatur si lepuri në dëllinjë dhe nuk ndodhen pran halleve të vëllezërve të tyre? Ato lekë e ndihma që po u afrohen njerëzve të dëmtuar nga tërmeti janë borxh, se nesër mund t’u ndodhë ju ajo fatkeqësi. Po Presidenca ku është? Presidenti po mjaftohet me ndonjë shëtitje nëpër zonat e dëmtuara, por dhe ai është në rolin opozitar, që mbledh të dhëna për të mbrojtur veten kur ta shkarkojnë. Asnjë lajm për kontribute nga Presidenca dhe stafi i saj. Le ta lërë një vizitë pa bërë nëpër botë Presidenti dhe t’i hedhë ato lekë për të dëmtuarit. Një pjesë e atyre që janë dëmtuar e kanë humbur jetën janë edhe opozitarë. Të paktën ndihmoni ata. Apo u duhen vetëm për protesta? Nuk janë prishur shtëpitë e Edi Ramës, por e vëllezërve tuaj, prandaj afrohuni nëse i quani të tillë.

Nga Enver CAKAJ