BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Opinion / Editorial

Po pati demokracia që presim fytyrën e Gridës dhe Lefterit, mos ardhtë kurrë

Po pati demokracia që presim fytyrën e Gridës dhe Lefterit, mos

Në diktaturën që kaluam, karriera politike apo edhe drejtuese kalonte nëpër filtra të shumtë, të panevojshëm hera-herës dhe ku primar padyshim ishte vlerësimi dhe qëndrimi politik. Jo vetëm i individit, por edhe familjes e madje edhe fisit. Në demokraci kjo “digë” është shembur dhe vetëm mediokrit njerëzor kur gjendet ngushtë, duan të hyjnë në analizat që bëheshin në diktaturë për vlerësimin e të diskutuarit. Por në demokracitë e kulluara ka një barrierë tjetër që nuk të lë të bësh karrierë nëse nuk je i kulluar: ajo morale. Jo në raportin personal por atë me shoqërinë. Nuk të lë njeri në këtë demokraci të mirëfilltë të bësh karrierë politike apo shtetërore nëse ke shfaqur në jetën tënde tipare të padëshiruara për kodin ndonjëherë të pashkruar, por që respektohet si “Kushtetutë” nga shoqëria, shkurt nëse je vesaxhi. Të ndërpritet menjëherë karriera nëse vë dorë mbi fondet publike apo edhe nëse je hajdut ordiner. Të kërkohet llogari deri më një për shpenzimet e bëra dhe nëse ato janë më shumë se sa fitimet e publikuara i thua lamtumirë detyrës dhe shkon e punon privatisht (rastet nga bota e qytetëruar janë të shumta se si edhe për një biletë avioni prerë nga fondet publike për të shkuar me pushime janë dhënë dorëheqje nga poste të larta shtetërore). Ndryshe ndodh në vendin tonë. Edhe për efektin e mosakumulimit si duhet të rregullave të pastra të demokracisë moderne, por edhe të moskuptimit sa duhet nga masa e gjerë e votuesve të fuqisë që ka ajo në këtë demokraci, në vendin tonë ndodh që kush është mashtruesi apo hajduti më i madh bën karrierë politike dhe shtetërore më të madhe. Janë me dhjetëra për të mos thënë me qindra rastet, të denoncuara edhe publikisht që njerëz ordinerë, pa arsimin përkatës dhe pa individualitet të spikatur janë ngjitur në majat e politikës shqiptare dhe vendosin jo vetëm për fatin e individit, por edhe për fatet e shoqërisë. Më bindëse për këtë fakt është ai që pothuajse 45% e njerëzve që punonin në sistemet e drejtësisë nuk e kaluan dot pragun e besueshmërisë në veting. Do të duhej një veting i tillë edhe në politikë për të pastruar edhe atë nga delenxhinjtë e shumtë që janë mbledhur aty, por aktualisht kjo është utopi. Është utopi se nëse ekziston një dëshirë e shumëmadhe nga njerëzit e thjeshtë që kjo të bëhet, pengesë janë ata që drejtojnë sot vendin dhe e ndjejnë se do të jenë të parët që do t’i presë sëpata e këtij vetingu. Edhe këtu ka dy kategori politikanësh: ka nga ata që kanë ardhur si kanë ardhur në karriget që gëzojnë, ndjehen rehat aty, mundohen në heshtje të përfitojnë sa më shumë nga ky pozicion dhe flasin vetëm kur janë të detyruar apo kur duhet të mbajnë ison e atyre që i kanë katapultuar aty. Kanë apo s’kanë arsimimin e duhur, kanë apo s’kanë përvojën jetësore që i bën drejtues ata largohen në heshtje kur e ndjejnë se po u vjen fundi ose vazhdojnë vegjetojnë nëse koraca politike ua siguron këtë. Por ka një grup tjetër politikanësh që kanë bërë karrierë të dyshimtë dhe që nuk e njohin heshtjen, por me njëqind mënyra kërkojnë të duken si ballorja e demokracisë. Nuk u gëzohen privilegjeve të fituara në rrugë të dyshimta, por përmes gjoja oratorisë që kanë kërkojnë të jenë mësues jo vetëm aty ku militojnë por për popullin mbarë. Nëse për grupin e parë nuk përmendëm emra konkretë edhe për arsye etike në këtë të dytin nuk do të jemi enigmatikë. Do të përmendim vetë dy: Grida dhe Lefteri. Për të parën nuk do të merrem me prejardhjen e mbiemrit të mëparshëm të saj siç po bëjnë disa portale këto ditë (që ia dokumentojnë se e ka patur Suma dhe jo Duma. Po ç’bëri një shkronjë more aman), por me konkreten e aktivitetit të saj (megjithëse duhet theksuar se edhe mbiemri tek ne shqiptarët është domethënës. Ai vjen zakonisht nga vendlindja kur je dikush në histori apo nga zanati që ushtrojnë të parët. Mesa duket, hipoteza më e besueshme është ajo se të parët e Gridës sonë kanë qënë kaq të bukur sa ajo dhe i kanë “rënë” Sumës e u mbeti mbiemri). Ajo erdhi në politikë jo si militante e thekur e PD, por pas një dështimi në ndërtim pallatesh. Tregoj në këtë profesion dy merita: arrinte që brenda ditës të njëjtin apartament tua shiste dy qytetarëve të ndryshëm dhe së dyti të fuste në burg ortakun e saj në ndërtim. Se si ndodh që në dy ortak njëri të futët në burg për shkelje të mëdha dhe tjetri të bëjë karrierë politike këtë duhet të na e tregojë vetë Grida meqë këto ditë po mban leksione për të vërtetën. Në këtë vorbull të vërtetash ajo duhet njëherazi të na tregojë (e detyrueshme se politikani është transparent përpara votuesit) se si arriti që herë si hije e herë sypatrembur fillojë të frekuentojë zyrën e të madhit Henri Çili që u bë promotor i simulimit të saj drejt politikës. Por jo vetëm të kësaj zyre. Edhe të asaj të Santosit të ndjerë dhe më vonë, por më shpesh edhe të “tigrit” të demokracisë 30-vjeçare shqiptare Sali Berishës. Por nuk janë vetëm këto ato që të pështirosin fytyrën e demokracisë nëse ajo e nesërmja do të ketë shëmbëlltyrën e Gridës. Si një sharmante e vërtetë, si një zonjë me bukuri të veçantë për moshën që ka (nuk jam aspak xheloz dhe as që më vetë mendja të kem dëshira seksiste ndaj saj) si një kukull Barbi ajo shkon takon votues që mbase në mbrëmjen e mëparshme nuk ka futur bukë në gojë duke ua dhënë atë fëmijëve. Ky disnivel vizual midis bashkëbiseduesve nuk i afron, përkundrazi i largon ata nga njëri-tjetri. Unë nuk them që Grida bukuroshja të vejë tek ata me rroba të vjetra e të arnuara, por edhe me fustanë që bëjnë 20 mijë euro është e papranueshme të shkojë. Ndaj them që nëse demokracia e ardhme do të ketë këtë fytyrë më mirë mos ardhtë kurrë. Sa për Lefterin do të mjaftohem me dy a tre konkluzione. Një politikan që pasi ngopet së piri ujë në një burim fillon dhe pështyn aty, pastaj shkon në një burim tjetër dhe bën të njëjtën gjë e kthehet tek burimi i parë, nuk i duhet kësaj Shqipërie. Një politikan që shikon ëndrra me sy hapur se i shkojnë pas mijëra votues sikur të jetë Sulejmani i madhërishëm dhe ndërron faqet e historisë sa herë të dojë ka kohë që është larguar nga historia e votimeve shqiptare dhe fal o zot mos ardhtë më. Nuk kam asgjë personale me të dy të lartpërmendurit, por meqë jemi në prag fushate elektorale do të doja dhe besoj se në mendjen time janë mijëra votues, kryetarët e partive të largojnë monstra të tillë nga politika dhe të afrojnë njerëz që denjësisht e duan të mirën e vendit tonë.