BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Po sikur ajo pjesë e vëmendjes që marrin “zhgarravinat” të ishte te bashkëbiseduesi!

Po sikur ajo pjesë e vëmendjes që marrin

Sinjifikative për kohën, intervista e Fevziut në zyrat e kryeministrit apo mjediset e Kryeministrisë. E jo, për meritë krejtësisht të Fevziut që ta ndërpret fjalën me një pyetje që i del aty për aty, kur i intervistuari është në kulmin e përgjigjes së pyetjes më përpara. Jo sigurisht, që kësaj radhe ishte Rama shumë herë më mirë nga Fevziu sigurisht. Kjo nuk do të thotë aspak se jam dakord me qeverisjen e tij, por aty kuptova se pse ai nuk ka kaq shumë të lehtë të dëgjojë me vëmendje bashkëbiseduesin. Absolutisht të qarta dhe të sinqerta, përgjigjet për babain e tij ose skulptorin e madh tonin Kristaq Ramën, sidomos në marrëdhëniet me një djalë jashtë kontekstit politik të kohës, të mos dakordësisë mbi të dhe tashmë vlerësimin e kryeministrit tonë për qetësinë e babait në raport me djalin e tij “zevzek”. Padyshim për të gjithë bijtë e ish-komunistëve apo dhe idealistëve të kohës konflikti i brezave dhe konflikti ideologjik ishte prezent dhe i qartë. Padyshim kësaj radhe tha një të vërtetë të madhe për Berishën. Por ja futi kot për atë ngjyrën “vjollcë” te salla ku janë dhe hartat. Po sepse ajo ngjyrë i shkon një “salloni eklektikësh arti”, por jo zyrtarizmit të një salle si kryeburrokrat i Shqipërisë. Po pra atij që kupton se duhet të lëshojë nga gustot e veta përpara sistemit arredues që është brenda për brenda së përgjithshmes për ata që dinë se pa burokraci nuk ka shtet. E kam fjalën për të bërë dallimin e kritikës idiote në diktaturë për burokracinë dhe burokratët dhe respektit për njerëzit e zyrës në demokraci. Gjithsesi pjesa më tërheqëse për mua ishte kur Rama i shpjegoi Fevziut që lapsat me ngjyra dhe letrat ishin prezente kur persona bashkëpunëtorë i vinin në zyrë dhe ai dëgjonte, bisedonte, dhe “zhgarraviste njëkohësisht”. Padyshim nuk janë “zhgarravina”, por Rama ashtu i quajti, sa për t’iu bërë qejfin kundërshtarëve të tij në politikë. Në fakt, ai vazhdon artin e tij kur bisedon. Sepse është një kryeministër ndryshe. Mirëpo ky është dhe problemi që ai u mundua ta shpjegojë me atë përqindje të vogël të vëmendjes që nuk është te bashkëbiseduesi.

E kjo për mua është një diçka e rëndësishme. Po sikur ajo pjesë e vëmendjes që nuk është te bashkëbiseduesi, te ngjarjet, te shoqëria kur kryeministri ynë bën artin e tij dhe njëkohësisht Kryeministrin, të jetë “full” në bisedë. Çfarë do të kishte ngjarë? A mos vallë do të kishte kuptuar se si mund të krijonte balanca pushteti më të mira, më të buta, më të drejta? Po sikur ajo pjesë e vëmendjes të kishte bërë të triumfonte “mëshira” më e madhe për naftën më të lirë bie fjala? Po sikur të ndikonte te arsyeja më e madhe mbi largimit të një karakteri arrogant që i lejohet një artisti dhe cilësisë të urtësisë dhe durimit të një kryeministri? Mbase ajo përqindje e vëmendjes së ikur nga biseda te arti, mund të ndikonte për largimin e sipërfaqësores në qeverisje, ngjyrave pa ndonjë brendi të madhe, në “gradimin” e femrës sidomos në mënyrë të pamerituar duke pasur realisht respekt për të dhe qartësisht artistikisht dhe jo kaq “zhgarravinisht” për të. Mbase po të ishte “full i vëmendshëm” në bisedë, kushedi do të kuptonte se dhe të tjerët përveç tij kanë arsye, kanë njohuri, kanë sentimente dhe kanë sidomos të vërtetën dhe të drejtën afër. Po kushedi mbase do të kuptonte se jo vetëm të pasurit kanë mundësi. Jo vetëm ata që kanë lek kanë të drejtë. Kushedi ajo pjesë e vëmendjes që ka shkuar për “vizatimet e tij” do të kishte shkuar për të kuptuar se në shoqëri ai urrehet tashmë në mënyrë të barabartë si Berisha dhe padyshim “dashurohet” po ashtu nga një pjesë e njerëzve folklorikë besimtarë politikë po si Berisha. Mbase them, do ta kuptonte dhe këtë gjë. Kushedi mbase do të kuptonte se kur është momenti që e ka tepruar, apo është ekzagjeruar. Mbase do të kuptonte se duhet të përmbahet dhe kur ia fusin kot gazetarë dhe publicistë, mbase bëhet i durueshëm dhe kur populli i tij tregon shenja jo civilizimi. Mbase duron më shumë dhe arsyeton se edhe ai vetë është pjesë e tij. Mbase nuk e ndan pastaj veten nga njerëzit apo populli i tij, si ndan vëmendjen kur bisedon, duke u marrë me vizatimet e tij plot art personal. Mbase kupton se nuk ka pasur vetëm ai vështirësi në jetë, por dhe të tjerët dhe mbase shumë më tepër se sa ai. Mbase kupton se çdo të thotë të lindësh i uritur qoftë dhe pa faj dhe vazhdon për fajin tënd të jesh i tillë dhe një kryeministër duhet të mendojë për ty në këto rrethana. E mbase kupton se jo të gjithë ata që e kritikojnë apo ia tregojnë të metat si kryeministër nuk e kanë apriori gabim. Mbase e kupton se pse është kryeministër i duken gabimet dhe fajet, sepse po të ishte piktor – do thoshin “hë me lëre si artist është ai”. E unë tashmë meqë dua ta mbyll me qetësi, mund të them: mbase ia ka fajin ajo vëmendja që kur bisedon me një përballë i largohet drejt vizatimeve. Por dhe sikur të jetë kështu, nuk është kaq e pranueshme. Jo nuk është? E jam i bindur se nuk është e korrigjueshme. Qoftë dhe për një artist si ai. E pikërisht kjo është sa vjen dhe kalon koha, e padurueshme.