BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Po transporti ndërqytetës është në vëmendjen e qeverisë?

Po transporti ndërqytetës është në vëmendjen e

Një vendim (a urdhër) absurd i Ministrisë së Infrastrukturës për transportin ndërqytetës, që nuk përfill interesin dhe nevojat për shërbim të qytetarëve, dhe që ndëshkon me gjobitje ata drejtues mjetesh që u shërbejnë udhëtarëve. Partia Socialiste është në mbyllje të mandatit të dytë qeverisës dhe ka ndezur motorët e fushatës elektorale, ku do t’u kërkojë mbështetësve tradicionalë dhe, tej tyre, shqiptarëve votues, një mandat tjetër. Është normale dhe, sipas meje, nevojë për të mbyllur disa reforma të nisura që do t’i konsolidonin edhe më tej disa kolona, ende të brishta, të shtetit. Veç, sot klima politike në vend është po aq e rënduar dhe mesazhet me retorika politiko- mediatike aq të bajatizuara, sa nuk e ndihmojnë qytetarin e thjeshtë të kuptojë se kush nga forcat politike pretenduese për pushtetin, e ka një ofertë serioze dhe e kërkon pushtetin vërtet për ta vënë atë në shërbim të qytetarit. Të gjithë liderët, politikanët e të dyja krahëve, madje dhe zëdhënësit mediatik të tyre, flasin në emër të qytetarëve (madje të popullit), bëjnë deklarata në emër dhe në mbrojtje të tyre, premtojnë për “të rritur mirëqënien e tyre” etj, etj. Ne socialistët, madje jo vetëm ne, nuk kemi aspak dyshim se ato që thotë sot opozita, Luli dhe të tjerët, nuk janë premtime të bazuara në një program të mirëstudiuar dhe mirëllogaritur. Togfjalëshi: “qeverisje që t’u shërbejë qytetarëve” është pjesë e sloganeve të përditshme. Por kjo është çështja e opozitës dhe e drejtë e qytetarëve për ta besuar apo jo. Nuk kam ndërmend të futem në analiza apo fakte që hedhin poshtë aksionin opozitar, paaftësinë dhe pameritën e saj për të qeverisur vendin etj. Socialistët në pushtet kanë prova, argumente dhe rezultate të prekshme, ndaj janë më të besueshëm, por kjo nuk mjafton. Do të doja të kishte më shumë ndjeshmëri për rrahjen e përditshme të pulsit jetësor të qytetarëve, duke i njohur nga afër hallet e tyre. Të dëgjohen, respektohen dhe ndihmohen më shumë njerëzit e thjeshtë, të cilët e mbajnë në pushtet këtë forcë politike. Qeveritarët, deputetët, drejtuesit kryesorë dhe të zgjedhurit e çdo niveli, kanë përgjegjësinë e fitimit të besimit të elektoratit. Kryetari i grupit socialist të maxhorancës, njëherësh Sekretari i Përgjithshëm i PS, zoti Taulant Balla, në një takim me Asamblenë socialiste në Gramsh, para pak ditësh, tha se: “Ne jemi të vendosur ta kemi vëmendjen vetëm tek njerëzit dhe tek përmirësimi i shërbimeve publike ndaj tyre. Duhet përkushtim për t’u marrë me hallet dhe problemet e njerëzve dhe vëmendja jonë janë vetëm ata”. E bukur për ta dëgjuar, por unë do t’i thoja zotit Balla se forca jonë politike duhet “t’ua shtrëngojë më shumë rripin” atyre që kanë në dorë përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, me qëllim që këto që thotë të mos mbeten slogane, siç edhe ndodh aty këtu. E vërteta është se janë bërë shumë punë dhe se qytetarëve sot u shërbehet më mirë. Por votuesit janë gjithnjë nën presion dhe kur shohin apo ndjejnë në kurriz keqshërbimin apo mosvëmendjen, zhgënjehen dhe zhgënjimi tani ka kosto më të madhe se dje. Nuk dua të ndalem në detaje për çështje që shqetësojnë apo që nuk u zgjidhen nga administrata e individëve të veçantë. Po ka një fakt, që mbase nuk ka shkuar në veshin e atyre që duhet ta dëgjojnë dhe ta njohin situatën. Administrata mbetet ende në brishtësinë e djeshme dhe opinioni për punën e njerëzve që drejtojnë e punojnë në zyrat e shtetit, nuk është shumë premtues dhe kjo është një kosto. Thënë këto, dua të tërheq vëmendjen, pse jo edhe të zotit Balla, që thotë se “jemi të vendosur ta kemi vëmendjen vetëm tek njerëzit dhe tek përmirësimi i shërbimeve publike ndaj tyre”. Do pyesja: A është transporti publik, ai ndërqytetës, një shërbim që kënaq qytetarët dhe ua plotëson atyre kërkesat? A konsiderohet nga qeveria normale një urdhër i dalë nga Ministria e Infrastrukturës për linjat ndërqytetëse, sipas të cilit mjeteve të transportit, që shërbejnë në këto linja, u ndalohen të marrin pasagjerë në pika të ndërmjetme? Ja ç’ndodh. Autobusët që shërbejnë psh, në linjën Sarandë-Tiranë e anasjelltas, nuk mund të ndalojnë e të marrin udhëtarë që dalin në rrugën nacionale, (pasi kanë udhëtuar mbase dhe në këmbë nga fshati) dhe që u duhet të shkojë në Tiranë apo në Sarandë etj, për halle dhe nevojat e tyre. Dhe kjo për të gjitha linjat. Shkurt, sipas këtij urdhri (vendimi) autobusët e linjave ndërqytetëse kanë vetëm një pikënisje dhe një pikë mbërritje, pa të drejtë ndalimi gjatë rrugës dhe pa të drejtë t’u shërbejnë hallexhinjve në pikat e ndërmjetme (ku nuk është fjala për qendrat urbane). Sipas këtij urdhri nuk mund t’u shërbehet as turistëve që duan të shkojnë të vizitojnë pika të ndryshme turistike si, fjala vjen, Syrin e Kaltër, sepse drejtuesit e automjeteve të transportit të udhëtarëve, që nisen nga Saranda për qytete të ndryshme të vendit, apo ata që vinë drejt Sarandës e kanë të ndaluar të ndalojnë atje ku rruga nacionale takohet me rrugën e kësaj pike turistike. Tani në kohë pandemie, e gjithë flota e shërbimit të transportit ndodhet në krizë, për shkak se lëvizja e njerëzve është shumë e kufizuar. Shoqata e transportit publik të Sarandës e ka ngritur këtë shqetësim në ministri, ku ka kërkuar rishikimin e urdhërit, pasi ndalimi për të marrë udhëtarë në pika të ndërmjetme, është sa në dëm të qytetarëve jashtë qendrave urbane, që duan të udhëtojnë për nevoja të tyre personale a familjare, aq dhe të punonjësve të transportit, të cilët ndodhen në pamundësi financiare për të përballuar edhe shpenzimet ditore. Kemi protestuar dhe kërkuar në ministri, thonë punonjësit e transportit, por në vend të zgjidhjeve që kërkojmë kemi marrë këtë përgjigje: “Pse hallet e njerëzve do qani ju?”(!). Dhe tej kësaj, që drejtuesit e mjeteve të transportit në linjat interurbane, “të mos qajnë hallet e njerëzve”, ministria ka nxjerrë rrugëve edhe një task forcë për të gjobitur të “pabindurit” (në vend se të disiplinojë mjetet e palicencuara që “u hanë bukën” taksapaguesve të rregullt të transportit publik). Dhe pyetja që lind është: A e di, fjala vjen, deputeti, ministri, zoti Balla, që, me të drejtë thotë se “duhet përkushtim për t’u marrë me hallet e njerëzve”, se e gjithë kjo marrëdhënie dhe praktikë e ndjekur nga burokratët e Ministrisë së Transporteve, prodhon pakënaqësi, prodhon mëri dhe mosbesim te qytetarët e viktimizuar e të ndëshkuar nga një urdhër i pamenduar të një ministrie? Dhe s’është vetëm kjo. Hallka penguese, veprime abuzive në administrata (shiko zyrat e agjencive të pronave) dhe dhënia e një shërbimi përkundrejt mitmarrjes, janë aty-këtu prezente edhe për shkak të praktikave jo transparente dhe shpesh klanore të ndjekura në emërime drejtuesish dhe punësimeve në administratë. Eliminimi i këtyre simptomave kancerogjene në administratë, duke e bërë atë më të përgjegjshme dhe më të ndjeshme nivelin cilësor të shërbimeve, do kthente më shumë vështrime njerëzish dhe rritje besimi të tyre te socialistët. Kjo është sfida për një mandat tjetër dhe do thoja kryesfida edhe mbi shpenzimet për rilindjen urbane.