BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Politika e luksit që moralizon duke qesëndisur varfërinë

Politika e luksit që moralizon duke qesëndisur varfërinë

Politika shqiptare e kësaj epoke tranzitive, në të gjithë hapësirën e promovimeve të saj, nuk është identifikuar kurrë me sinonimin e sakrilegjit për të mirën e qytetarëve shqiptarë. Në këtë "epos" të politikës së pamoralshme, asnjë nuk e ka ndërgjegjen e pastër për të menduar se ka arsye të plota, për të mos u ndjerë i përgjegjshëm për gjithçka që nuk ka bërë mirë. Kjo politikë e papërgjegjshme dhe e pamoralshme, nuk është konsideruar si veprimtari e ushtrimit të detyrimeve publike. Ajo është karakterizuar gjithnjë nga vullneti dhe dëshirat për pushtet, që ka reflektuar në esencë vetitë e moralit për qeverisje autokratike. Nëse do t'i referohemi filozofisë së Machiavelit, ajo konsiderohet si një veprimtari, që mund të çlirohet prej moralit, duke u shndërruar në një përvojë relevante, kur vjen në shprehje bindja për pushtet, ndërkohë aludon në ushtrimin e detyrës së pushtetit, me motive më të ashpra ndaj gjithkujt, që tenton të prishë interesin apo ushtrimin e detyrave të pushtetit. Kështu morali në politikën shqiptare nuk është vlerësuar si një vlerë humane, për t'i shërbyer ngritjes së vetëdijes kolektive, në funksion të vlerave dhe të mirave universale. E gjithë rruga e saj post-komuniste, ka qenë një garë rivaliteti, me karakter moral e grotesk të bujshëm, vetëm për interesa meskine. Diskursi moral i tyre duke folur në emër të ligjit, nuk i shërbeu ngritjes së vetëdijes publike, në respektimin e strukturave jashtë politikës, në përmirësimin e statusit dhe vlerësimin e rolit të gruas në shoqërinë demokratike etj. Kjo politikë farsë e mbyllur vetëm në çështjet e brendshme dhe jo e lidhur me fenomenet e interesit publik, ka dëmtuar rëndë shtetin e së drejtës, si dhe zhvillimin normal të shoqërisë, sipas parimeve dhe normave demokratike. Ky atraksion negativ i politikës, që nuk vuri në qendër të veprimtarisë së saj ndryshimet shoqërore, u shndërrua në një nasierie' (gomarllëk) siç thonë francezët. Ajo nuk mundi ta kthejë nevojën e popullit në mirëqenie, që për pasojë u thelluan edhe më shumë, diferencat brenda shoqërisë dhe rritja e varfërisë. Nëse shkon në Shqipëri dhe hedh një vështrim shpotitës, në qendër të Tiranës apo në ndonjë arterie kryesore, do të bien në sy një numër i lartë makinash luksoze. Nuk është aspak çudi dhe as lajthitje e mendjes, por një realitet që shfaqet përballë teje, që përbën paradoksin shqiptar të kohës. Ky paradoks të lë paksa pa asnjë lloj shpjegimi, kur dihet që të ardhurat në Shqipëri janë nga më të ulëtat në rajon, ndërsa diferencat midis pensioneve dhe pagave më të ulta, në krahasim me ato të qeveritarëve shkojnë nga një deri 10-15 herë. Asnjë specialist finance nuk është në gjendje, të kalkulojë dhe nxjerrë saktësisht variabilitetin e shifrave si në një ekuacion me shumë të panjohura. Por si ata që jetojnë në Shqipëri, ashtu edhe ata që janë larguar për arsye të ndryshme, të thonë se ky labirinth të ardhurash me diferenca të theksuara, shpreh filozofinë e parimeve të politikës ekonomike, në favor të oligarkëve dhe në dëm të shtresave të diferencuara. Po nga vinë gjithë këto të ardhura, që kanë veshur në luks jo më shumë se 10% të popullsisë në Shqipëri? Pjesa tjetër që përbën shumicën e popullsisë, ndër to edhe intelektualët në pension, të punëve të rëndomta apo të mbetur pa punë, vetëm se mbijetojnë, ngaqë pushteti ekonomik menaxhohet nga oligarkia. Dihet që pas viteve ‘90-të, tre kanë qenë burimet financiare në Shqipëri, remitancat e emigrantëve, vjedhjet e fondeve publike dhe të ardhurat nga aktivitet kriminale të strukturave të mafies të lidhura me politikën. Kur në botën demokratike instrumentet bazë për të ardhurat janë prodhimet e ndryshme të industrisë, janë rritja e prodhimit të brendshëm, eksportet suficente mbi importet, turizmi etj. Shkatërrimi i asaj pak industrie që trashëgoi Shqipëria me teknologji të vjetërsuar, bëri që vendi të zhytet në papunësi, anarki emigracion. Kjo bëri që në Shqipëri të lindin aktivitetet e paligjshme, me indeks gjithnjë në rritje, që u bënë pjesë e kulturës politike. Nëse remitancat e emigrantëve, fillimisht siguruan mbijetesën e familjeve që ushqeheshin vetëm nga emigracioni, burimet e tjera të veprimtarive të paligjshme, u bënë pjesë e moralit dhe identitetit të politikës. Po ku gjenden mund të pyesë dikush, këto burime me indeks në rritje që lidhen me shkelësit e ligjit dhe përfitimet e paligjshme? Nuk është vështirë sepse gjëja e parë që të bie në sy janë makinat luksoze, duke filluar nga më të njohurat si Benzi, BMW, Ferrari, Lamborgini, Maseratti etj. Ato pasohen nga blloqet e vilave si kështjellat mesjetare, në Sauk, në Gji të Lalzit, në Golem dhe përgjatë bregut të detit në Jug të vendit. Janë pallatet shumëkatëshe, resortet, spitalet, shkolla e kopshtet private etj. E për të gjitha këto pasuri, duke llogaritur parat e depozituara në bankat jashtë vendit, kompanitë offshore, për të cilat padyshim duhet të merret institucioni i BKH. Të gjithë liderët e partive dhe institucioneve, janë përgjegjës për katrahurën ekonomike, të cilët u morën me pasurimin e tyre, ndërsa hallet dhe varfërinë e 90% të popullsisë i lanë vite të tëra dritë larg realitetit. Treguesi më sinjifikativ i këtyre padrejtësive, të spekulatorëve me detyrat dhe mos zbatimin e ligjeve, ishte vetingu në drejtësi, i cili nxori zbuluar një numër jo të pakët punonjësish, që nuk meritojnë të punojnë në sistemin juridik. Po kjo gjë duhet me doemos të ndodhë edhe në politikë, ku të gjithë politikanët para zgjedhjeve politike, duhet t'i nënshtrohen kontrollit për pasuritë e tyre. Sepse me ndryshimet e këtyre 30 vjetëve, nga gjeneza e pluralizmit, mungesa e shtetit ligjor, paralizimi i drejtësisë, solli degradimin dhe defigurimin e figurave të politikës, të cilët ju futën filozofisë së pasurimit. Kjo filozofi po ndikon për keq edhe tek brezi i ri, i cili e shikon politikën në Shqipëri si një profesion të thjeshtë, me akses pasurimin pa punuar, pa u shkolluar dhe pa sakrifica. Të dy krahët e politikës në Shqipëri, nuk u përveçuan nga ajo çka e dallon të djathtën apo të majtën, lidhur me lirinë ekonomike dhe individuale. Të dy palët nuk mundën të shkëputen nga mentaliteti despotik i drejtimit, duke diktuar leksionet e para të monopolizimit ekonomik. Aq më keq për të majtën, e cila identifikohet me ekonominë e barazisë sociale, që konsiderohet në botën demokratike si mbrojtëse e shtresave të varfra, kur nga ky krah janë pasuruar më shumë se sa sheikët e Arabisë Saudite. Ata krahas angazhimeve politike e të qënurit deputet, janë lidhur me biznese, me dhënie leksione nëpër universitete shtetërore e private. Ajo që na dallon nga të tjerët është se ne shqiptarët jemi tejet të politizuar, aq sa përkatësia politike është faktori më i rëndësishëm, është shtylla më e fortë mbi të cilën qëndron ngrehina e politikës rrumpallë. Po cila është përkatësia e tyre? Vështirësia nuk qëndron tek sakrificat, por tek mendësia e elektoratit, që mban në këmbë një klasë politike të degraduar dhe të defiguruar. Prandaj elektorati me të drejtë për padrejtësitë që i janë bërë shtron këto pyetje:1- A është i bindur zgjedhësi se partia politike që do të votojë, i përmbush aspiratat e tij ekonomike dhe sociale? 2- A e di votuesi se partia e tij, është e përkatësisë së të njëjtës ideologji, apo mbart vetëm emrin? 3- A e di zgjedhësi se lideri i partisë së tij, pas fitores së zgjedhjeve nuk do të dijë për hallet e tij? 4-A e di zgjedhësi i të dy krahëve, pse klasa politike nuk është e frikësuar asnjëherë nga drejtësia, për të gjitha padrejtësitë që kanë rënduar mbi të? Por elektorati shqiptar që shkon pas partive si tifozeria sportive, nuk thellohet në filozofinë e analizës së meritës për çdo lider që drejton një parti politike, nëse e meriton ose jo mbështetjen e tij. Për këtë e të tjera politika duhet të bindet se vendimmarrësi për çështjet më prioritare të vendit, janë votuesit, të cilët nuk duhet të kthehen në instrumente, por atribute të popullit dhe shoqërisë. Partitë politike duhet të kuptojnë se pa reformim të tyre, nuk mund të ketë progres, për të bërë përpara në zhvillimin e shoqërisë dhe rritjen e mirëqenies së popullit. Këto parti duhet të binden se misioni i tyre ka përfunduar, sepse nuk mundi të bëjë realitet aspiratat e qytetarëve. Ato duhet të binden se rolet e tyre dhe pushteti janë të përkohshme, ndërsa morali dhe zhvillimi i shoqërisë demokratike janë të përjetshme.