BREAKING NEWS

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte përdhunimin nga disa persona, kush është shefi i lartë i Policisë: I kërkoi favore seksuale dhe mbesës së shkrimtarit të madh Martin Camaj

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte
x

Opinion / Editorial

Politika të bëhet një!

Politika të bëhet një!

Këto ditë laburistët në Britaninë e Madhe kanë një drejtues të ri që menjëherë shprehu gatishmërinë për impenjim konstruktiv me qeverinë duke pranuar ftesën për bashkëpunim prej saj dhe se nuk do të bënin opozitë për hir të opozitës. Duke theksuar se ndanin të njëjtin qëllim me qeverinë për t’ia dalë mbanë epidemisë në shpëtimin e jetëve dhe mbrojtjen e vendit, ai ngriti shqetësimin ndërkohë edhe rreth gabimeve serioze të bëra prej saj dhe se ata do të testonin argumentat që do të parashtroheshin, do të hidhnin dritë mbi çështjet kritike dhe nëse gjërat nuk do të bëheshin si duhet, do t’i sfidonin ato publikisht.

Epidemia është luftë dhe në luftë politika duhet të jetë një ndaj është domosdoshmëri edhe për ne bashkëpunimi real mes qeverisë dhe opozitës qoftë ajo parlamentare, jo-parlamentare apo në pushtet. Ajo që tani publiku nuk honeps është kori i përgojimeve, akuzave reciproke në hava që ngjallin ankth, panik, çoroditje dhe zymtësi. Në këto momente qëndrese dhe ankthi për të nesërmen, nga politika si bllok duhet të vijë mesazhi i shpresës, besimit tek institucionet, solidaritetit dhe përkushtimit njerëzor, mirënjohjes ndaj bashkëqytetarëve të palodhur dhe kurajoz që mbrojnë jetët, mbajnë gjallë ekonominë e tregjet dhe garantojnë rend e siguri.

Bëje të mirën e hidhe në det!

Është luftë dhe si në luftë, është koha e masave drastike dhe të vendosura për të mbrojtur jetën. Kushdo që drejton qeverinë në luftë duhet të dëshmojë “arbitraritet”. Edhe pa qënë “autoritar” në stil. E drejta e jetës mbi gjithçka dhe pa të, asnjë e drejtë nuk ka sens.

Qeveria është vlerësuar për masat e shpejta në përballimin e epidemisë, kontrollin mbi zbatimin e tyre, informimin e sensibilizimin e publikut, solidaritetin me Italinë etj., por ndërkohë, do të ishte e udhës që ajo të insistonte më tej në bashkëpunimin me kampin opozitar nga prania e saj në “shtabin” e luftës sëbashku me qeverinë e ekspertët e fushës, mbajtja në dijeni e opozitës rreth dinamikave të zhvillimit, konferenca online dhe apele të përbashkëta publike etj.

Transparenca është kritike në luftimin e epidemisë dhe informimi i duhur e direkt shmang prirjen për spekullime, akuza të pabaza apo hamëndje të kota prej politikës apo medias që ndikojnë në moralin e shoqërisë. Pa e tepruar dhe pa u tunduar nga hapësira e pakufi e medias sociale, duke ruajtur intesitetin e duhur që shmang irritimin e padobishëm për askënd, duke shkurajuar përgojimet dhe perceptimet për prirje për protagonizëm të ekzagjeruar dhe karshillëk qeveritar ndaj opozitës, ekspertëve të shëndetësisë, deri vetë qasjeve në BE sikundër ndodhi me jehonën e solidaritetit me Italinë. Protagonizmi e jehona vjen vetvetiu sikundër edhe të mirën, thotë populli, bëje dhe hidhe në det!

“Rema” opozitare në varkën ku jemi të tërë!

Ndërkohë kriza e epidemisë mund të jetë rrugëdalja nga qasja e rrugës pa krye edhe për opozitën jo parlamentare. Mbyllja brënda katër mureve vë shumë gjëra në perspektivë. Me sheshet e zbrazura, vate edhe “revolucioni” që kjo opozitë e di se do të ishte bumerang politik për të.

Gogoli i drejtësisë për syresh nuk ka pse të kompleksojë qëndrimin e detyrimin historik opozitar dhe zërat që llomotisin për “revolucion” post-epidemi duhen lënë në vetmi. Kanë hallin se para drejtësisë po i mbyll brënda epidemia!

Me arsyetimin e “forcës madhore” shpëtohet edhe faqja me këtë rast. Dhe të gjithë do e mirëkuptonin dhe përshëndesnin dhe opozita do kishte shansin të rishfaqte identitet dhe fuste aksionin opozitar në hullinë e normalitetit demokratik si kudo në perëndim.

E mira e vendit dhe e opozitës bashkë është qasja e duhur konstruktive ndaj strategjisë anti-epidemi të qeverisë. Nuk është koha për pikëvarazh politik sepse jemi të gjithë në një varkë. Ajo duhet të dëshmojë realizëm ndaj masave të qeverisë, të sugjerojë përmirësime bazuar në zhvillimet e ditës, rekomandimet e OBSH, përvojës në vënde të tjera, të përshëndesë dhe inkurajojë zbatimin korrekt të tyre nga qytetarët pa dallim, të distancohet ndaj çdo gojëçthurrje politike apo mediatike që përflet imazhin e misionin e heronjve të mjekësisë sikundër rasti i solidaritetit me Italinë (ndryshe, a quhen më doktor, doktorët-politikan në opozitë!) dhe pështjellon opinionin publik me të paqëna etj. Jemi në luftë e megjithatë nuk nuk bëhet fjala për çensurë por për përgjegjshmëri.

“Terapia” që ndihmon më tej publikun e mbërthyer brënda katër mureve para ekranit është përgjegjshmëria në politikë. Epidemia do të iki herët a vonë por ca gjëra do të mbahen mënd përgjithmonë ndaj edhe opozita duhet të lërë pas tonet ultimative, grushtet tavolinave, lakimet e denigrimet e pavënda të ngjarjeve, personave, masave anti-epidemi etj. Nuk fiton pikë sot dhe i lë më pak vend vetes mot.

Të qënurit bashkë si politikë në kohë lufte nuk është as “diktaturë” e qeverisë, as “zbythje” opozitare ndaj saj. Thjesht patriotizëm dhe detyrim historik dhe opozita i bën nder vetes të jetë në anën e duhur duke i mëshuar pa vonesë “remës” tek varka ku ndodhemi të gjithë. Të mos mendojë se pa të varka do rrotullohet në vënd. Ka dhe “motor” se Shqipëria ka aq partnerë në perëndim për të dalë në bregun matanë. Problemi është si do mbahet mënd kjo opozitë kur të kthejmë kokën pas!