Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Politika të jetë shtysë e qeverisjes

Postuar: 22/09/2018 - 07:19

Shoqëria shqiptare ka shprehur vullnetin e saj të bëhet vend demokratik ashtu si vendet e tjera perëndimore por, akoma në ditët tona, kjo dëshirë dhe nevojë nuk është realizuar, duke na lënë në një fazë ndërmjetëse që jemi mësuar ta quajmë tranzicion. Në Shqipëri, me të vërtetë u rrëzua rrëgjimi komunist këtu e një çerek shekull më parë, si dhe u ndërrua fytyra e formës qeverisëse, por pak ndryshoi modeli, duke mbetur në modelin e “vjetër” në formën e të vepruarit dhe të qeverisurit. E për këtë, fajtore është klasa politike shqiptare.

Prandaj, krahas impenjimit me përkushtim në thellimin e reformave në vend, për të dalë nga tranzicioni, vendi ynë ka nevojë për një frymë të re, për një mentalitet të ri qeverisës të personifikuar me demokracinë moderne perëndimore. Frymën e re dhe mentalitetin e ri askush nuk e përfaqëson më mirë se rinia që po shkollohet, duke marrë eksperienca të drejtpërdrejta akademike dhe jetësore në demokracitë perëndimore.

Ne jemi ndër vendet e pakta të demokracive perëndimore, ku rinia nuk ka asnjë lloj roli në vendimmarrje, si dhe nuk përbën forcën rinovuese të vendit, po tenton të largohet nga atdheu. Të rinjtë që kanë studiuar duke investuar mundin e tyre familjet shqiptare, me sakrifica dhe vështirësi të shumta financiare, ku janë vlerësuar vlera të larta intelektuale, me nivele të lakmueshme edhe në fushën e formimit akademik, si dhe me aftësi të jashtëzakonshme integruese në jetën e shoqërisë së vendit, nuk vlerësohen dhe përkrahen as nga shoqëria as nga organizmat shtetërore.

Prandaj, kjo rini që mbart vlera përparuese, zhvillimi dhe demokratizuese, duhet jo vetëm të vlerësohet, ashtu siç e meriton nga politika dhe shteti shqiptar, por edhe të përkrahet dhe të mbështetet për t’i dhënë hapësirat e domosdoshme, ku mund të japë ndihmën e saj për të bërë të mundur daljen e vendit tonë njëherë e mirë nga tranzicioni i stërzgjatur. Të rinjtë shqiptarë të shkolluar brenda dhe jashtë vendit, nuk duhet ta lëmë fatin e atdheut në dorën e një klase politike të demoduar e jashtë mode, që nuk mbart asnjë vizion modern në mënyrën qeverisëse dhe në thellimin e reformave integruese.

Duhet të jemi të vendosur dhe të bindur se vendi ynë meriton të jetë si vendet e tjera në Europë, duke qenë të rinjtë intelektualë ata që do ta çojnë Shqipërinë, atdheun e tyre në vizionin e shekullit të ri, me ndryshim nga paraardhësit e tyre, të një politike ndryshe, por sigurisht duke u përkrahur nga shoqëria dhe opinioni mbarëpopullor. E për mendimin tonë, për politikën shqiptare në përgjithësi, sindromi i mosrespektimit të të rinjve për t’u ingranuar domosdoshmërisht për t’i dhënë kahje pozitive ndryshimeve sociale, ekomomike dhe shoqërore shqiptarëve të munduar dhe sfilitur nga tranzicioni i stërzgjatur dhe nga postulatet shterpë të bashkimit me familjen europiane, është bajraktarizmi në politikë, kryesisht, vazhdoi edhe në postdiktaturë, e vazhdon ende aktualisht. Shembulli më tipik është opozita, si e sotmja edhe e djeshmja, me projektoren e shablloneve shterpë të stigmatizimit të çdo veprimi politik, shtetëror e shoqëror të mazhorancës, duke u rreshtuar në vargun e diskutimeve shterpë në parlament ndaj çdo gjëje të qeverisë, a thua atë e udhëhiqnin njerëz që s’dinë ç’është shteti e pushteti, që shëmbëlltyra e drejtimit është vjedhja e korrupsioni, që nëpër ministrira drejtojnë të paaftit, etj.

Mendojmë se koha e ndryshimeve të lidershipit politik duhet të jetë në kohezion me përshtatshmërinë e ndryshimeve social-politike. Sovrani kërkon që në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit të ardhshëm t’i kenë vëth në vesh të metat dhe gabimet e së kaluarës. Ato po u përsëritën, ndëshkimi do jetë i patjetërsueshëm.

Dukuria e korrupsionit, kjo gangrenë e shoqërisë shqiptare i ka përfshirë të gjitha shtresat. Uzurpimi dhe përvetësimi i të mirave materiale, vjedhja dhe pasurimi i paligjshëm, paraqesin shkallën më të ulët të ndërgjegjes politike dhe kombëtare të atyre që merren me këto veprime të shëmtuara. Ata që e vjedhin atdheun dhe popullin e vet, janë qeniet më të pamoralshme kombëtarisht dhe politikisht, për karakterin e të cilëve nuk ia vlen të flitet, sepse atdhedashuria dhe përvetësimi i pasurive të atdheut në mënyrë të paligjshme nuk shkojnë bashkë me patriotizmin. Ndaj lufta rreth tenderëve, blerja e objekteve private dhe shoqërore pa kritere të mirëfillta financiare dhe ekonomike, marrja me biznese të dyshimta dhe tregti të llojeve kontrabanduese, pa i respektuar ligjet dhe normat financiare, pa i kryer dhe paguar shtetit tatimin detyrues, pra pa i dhënë askujt llogari për veprimtarinë private, del e qartë diagnoza se shoqëria shqiptare aktualisht gjendet në kolaps ekonomik, pasojat e të cilit do të jenë shumë të rënda.

Në Shqipëri u ndëshkuan me votën e sovranit ata që zhvatën trupin kockë të mëmëdheut. Kështu do të ndodhë edhe në Kosovë e Maqedoni, kudo, se shqiptarët janë zgjuar nga gjumi letargjik i një çerek shekulli demokraci. Në këto rrethana që po bëhet sot ndërrimi i gjeneratave në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni, duhet të qahemi me lot për rininë tonë, e cila në vend që të bëhet pjesë e vlerave të botës së civilizuar, duke u marrë me vetveten për shkak të papunësisë, duke jetuar dhe duke u rritur me logjikën e korrupsionit, parazitizmit dhe gjithë asaj që është në kundërshtim me rregullat e një shteti demokratik, duket se do të shndërrohet në një brez që nuk premton shumë për të ardhmen e vet dhe as të kombit që i takon.

E për të qenë të ndershëm me sovranin, duhet doemos të kesh një moral, së pari njerëzor, por dhe politik, duke përfaqësuar me dinjitet atë forcë që përfaqëson në drejtim apo në ligjvënie. Shumë është shkruar e thënë këto kohë për moralin në përgjithësi, por veçmas për moralin në politikë. Politikani i suksesshëm duhet të udhëhiqet sipas parimeve morale. Skena jonë politike më tepër u përngjan telenovelave turke që kanë mbushur ekranet shqiptare, sesa politikë-bërjes serioze. Intrigat, dredhitë, përbaltja e kundërshtarit politik kanë përparësi ndaj analizave politike dhe strategjive zhvillimore serioze.

Në një mjedis të tillë është rëndë të flasësh për ruajtjen e integritetit moral të politikanit, gjë kjo që në veçanti vlen për politikanët që merren si të suksesshëm. Periudha në të cilën po jeton sot shoqëria shqiptare këtu në shtetin amë, Kosovë dhe Maqedoni, dalëngadalë po i adaptohet luftës dhe sjelljes së tillë politike, ndaj një gjë e tillë tanimë konsiderohet si krejtësisht normale e të jetuarit, por jashtë normales që duhet inspiruar. Opiumi, mashtrimi, mosmbajtja e fjalës, rrënimi gradual totalisht i moralit politik, janë mjete që aktualisht në luftën politike po diktohen si të rrezikshme për shoqërinë shqiptare. Kalimi nga njëra parti te tjetra, kandidimi i pamoralshëm për të qenë përfaqësues i sovranit që nuk pyet fare pas hipjes në fron, shfrytëzimi i padrejtë i pozitës shtetërore, konsiderohen veprime normale të një shoqërie të pakënaqur. Dalëngadalë në shoqërinë tonë po paraqiten dy lloje të moralit që s’kanë asgjë të përbashkët.

Morali i politikës dhe jetës publike nga njëra anë dhe morali i njeriut të thjeshtë nga ana tjetër. Morali i njeriut të thjeshtë synon të arrijë idealet në infinit, duke zbatuar porositë, detyrat dhe obligimet që ia përcakton shteti, kurse përfaqësuesi i këtij shteti, në kontrast krejt të ndryshëm dhe të përçudnuar,vepron kundër interesave të tij dhe shtetasit. Shoqëria shqiptare në mbarë hapësirën e saj duhet detyrimisht t’i çrrënjosë tashmë kulisat e ndërthurura të lidershipit dhe politikanëve që të zhvishen nga dozat e tepruara të moralit politike të jenë të barasvlershëm me shoqërinë, se ajo është tepër përpara,shumë e shumë më përpara se udhëheqësve partiakë dhe kuvendarëve.

Nga Gjon NEÇAJ

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 7

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:17

 Përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit mes dy dhjetorëve dhe për të përfituar frytet e një lëvizjeje masive studentore, e cila deri tani në thelb ka disa kërkesa dhe që mundet nesër të përparojnë dhe me të t

Postuar: 09/12/2018 - 07:16

 Në ditën e shpallur nga Sali Berisha si "dita e Rinisë" dhe sigurisht e

Postuar: 09/12/2018 - 07:14

 Ka më shumë se një muaj që banorët e unazës se re protestojnë ditë e natë, në mbrojtje të b

Postuar: 09/12/2018 - 07:13

 Nuk është vetëm dufi i studentëve.  Protesta e tyre ka trazuar gjithë shoqërinë.

Postuar: 08/12/2018 - 07:22

Ҫdo vit, miliona njerëz detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehë si refug

Postuar: 08/12/2018 - 07:21

Njohja me një vendim për ngritjen në Shqipëri, të varrezave të ushtarëve grekë të vrarë gjatë Luf

Postuar: 08/12/2018 - 07:20

Një opozitë që nuk frymëzon! Është ky konstatimi që e bën kushdo në këtë vend.