BREAKING NEWS

Gati lirimi i Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit nga burgu, ja çfarë përmban marrëveshja e Edi Ramës me “Rithemelimin”, nga shkatërrimi i SPAK dhe rrëzimi i ligjit të dekriminalizimit, te ngritja e komisionit anti-reformë

Gati lirimi i Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit nga burgu, ja
x
BREAKING NEWS

Ja çeta e grabitjes së pronave të ushtrisë, nga presidenti Bajram Begaj, te Xhaçka dhe Belinda Balluku, zbardhen shkeljet e rënda penale për interesat e oligarkëve, si u vendos në rrezik siguria kombëtare, operacionaliteti i Forcës Detare dhe detyrimet...

Ja çeta e grabitjes së pronave të ushtrisë, nga presidenti
x
BREAKING NEWS

Katër atentate e plagosje në katër ditë ministrit të suksesshëm Taulant Balla, policia mbledh gëzhojat e ekzekutimeve

Katër atentate e plagosje në katër ditë ministrit të
x
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela: Serbët u infiltruan në Shqipëri në vitet ’92-’97 me ndihmën e qeverisë “Berisha” dhe u investuan për të shkatërruar ekonominë e vendit, ja dosja e ‘nxehtë’ që është mbuluar nga pluhuri i harresës dhe si SPAK mund të çojë pas hekurave 2 ...

Spartak Ngjela: Serbët u infiltruan në Shqipëri në vitet
x
BREAKING NEWS

16 vite nga masakra e “Gërdecit”, ja të fshehtat tronditëse të aferës së fabrikës së vdekjes, në “lojë” ishin 10 miliardë dollarë, nga zhdukja e dëshmitarëve, te kërcënimet e Shkëlzenit për Luan Hoxhën për t’i mbyllur gojën dhe alibitë e Berishës për t...

16 vite nga masakra e “Gërdecit”, ja të fshehtat
x
BREAKING NEWS

Nga zbërthimi i bisedave sekrete, te skema që ndoqi kreu i ARRSH për të përfituar miliona euro nga kompania e tij që e deklaroi të shitur, zbardhen të tjera detaje nga arrestimi i Evis Berberit dhe dy biznesmenëve, ja çfarë u zbulua nga celularët e sek...

Nga zbërthimi i bisedave sekrete, te skema që ndoqi kreu i ARRSH
x
BREAKING NEWS

Pas Ogerta Manastirliut, edhe Belinda Balluku drejt dorëheqjes dhe prangave, ja të gjitha skandalet ku është përfshirë zv/kryeministrja

Pas Ogerta Manastirliut, edhe Belinda Balluku drejt dorëheqjes dhe
x
BREAKING NEWS

Idajet Beqiri plas “bombën”, Flamur Noka dhe Luçiano Boçi shkuan në Janinë me një thes me para, ja personazhi misterioz që takuan për të goditur kundërshtarët e Sali Berishës në Tiranë, zbardhen pazaret

Idajet Beqiri plas “bombën”, Flamur Noka dhe Luçiano
x

Opinion / Editorial

Politikanë, e keni pyetur ndonjëherë popullin kur flisni në emër të tij?

Politikanë, e keni pyetur ndonjëherë popullin kur flisni në

Të gjithë shfaqen dhe flasin në emër të popullit. Fjala e parë dhe e fundit me të cilën nisin deklaratat, betimet, premtimet, ultimatumet, thirrjet, veçanërisht të politikanëve tanë është refreni tek një emër i vetëm “populli”. Zakon i vjetër dhe i ri. Vërtetë të besojnë se u qan shpirti dhe nuk i zë gjumi për interesat e tij apo e përdorin liderët tanë si slogan për t`u bërë të besueshëm? Duan të fshihen dhe të krijojnë idenë se janë shumica dhe duhen dëgjuar? Kur flasin në emrin tonë, tëndin i dashur mësues, mjek, punëtor, peshkatar, intelektual, bari, fermer, pastrues i qytetit, minator, punëtor, e beson vërtetë se kanë në mendje e në zemër hallin tonë? E bukur, joshëse, po e pamundur për të qenë e vërtetë. Fantastike për të qenë reale. Sa luftra janë bërë në emrin dhe në interesin tënd i dashur popull! Që nga prehistoria deri në ditët tona. Ne, shqiptarët, prej shumë kohësh kemi provuar mbi shpinë gjithë historitë e luajtura në kurrizin tonë. Arrestimet në emër të popullit. Në mes të natës e në majë të malit. Dhe diktatura u rrënjos si zbatim i politikës, populli në fuqi. Kudo dëgjonim, i pari është ai, populli. Në themel të shtetit janë interesat e tij. Për atë u vendos diktatura e proletariatit. Demokracia më e gjerë e më e thellë. Në emër të tij u formuan kooperativat. U shpallën kulakët. U kryen shtetëzimet. U bënë pushkatimet. Burgosjet. U hoq oborri dhe bagëtia deri tek pula e fundit. Një maratonë e gjatë, duke ecur nëpër tunelin e errët të sistemit që lamë pas. Në emër të popullit u bë revolucioni i 1990-ës. Në emër të tij u formua partia e parë opozitare. Në inrteres të tij u zhvilluan grevat e demostratat e mëdha që rrëzuan qeverinë e parë post pluraliste. U kryen privatizimet e mëdha. U ndërtuan piramidat e “Sudes” që rrëmbyen nga xhepat e shqiptarëve edhe kacidhen e fundit. Në emër të tij u bënë zgjedhjet e para pluraliste. U hartua Kushtetuta, e cila u rrëzua në vitin 1994, ku Presidenti i vendit, Sali Berisha, kërkoi të shpallej fuqiplotë. Në emër të tij u bë 1997-a. Për të “mirën” e tij u vodhën votat dhe u manipuluan skajshëm zgjedhjet. U bë Gërdeci. U vranë protestuesit në 2011 në qendër të Tiranës. Mund të numëronim pafund ngjarje dhe episode se si me alibinë në emër të popullit janë vrarë e prerë, janë dënuar e denigruar mijëra shqiptarë edhe pas rënies së regjimit komunist. Shumë padrejtësi në një rrugë 28 vjeçare u etiketuan me vulën dhe emrin e popullit. Po sa e vërtetë është paraqitja e gjithçkaje e veprimtarisë së individëve, partive, organizatave, liderëve politikë në opozitë dhe qeveri që flasin në emrin e një populli të tërë?

Ky komunikim dhe justifikimi si dhe fshehja e çdo bëme pas emrit të turmave, është një dredhi dhe hile, sa politike aq edhe jo etike. Po nëse veprimtaritë e deri pak kohëve më parë, janë justifikuar në emër të popullit dhe në interes të tij, sot emri i tij po shpërdorohet tmerrësisht sa nuk do donim të ishim popull. Po na trajtojnë si të ishim fillestarë të evolucionit e shoqërisë njerëzore. Të jetonim ende në kope. Dhe të strehoheshim nëpër shpella. Të mos kishim gjuhë. Të qëndronim të zhveshur. Lëkurët të ishin kostumet tona. Sikur të mos jemi në kohën e teknologjive moderne dhe të shkolluar. Po thjesht një turmë amorfe e gatshme për tu manipuluar. Politikanët tanë na trajtojnë në mënyrën më të frikshme. Çfarë nuk bëjnë për t`u paraqitur para syve tanë si bamirës e dashamirës, udhëheqës të mëdhenj që kanë me vete masat popullore. Se veprojnë të nxitur vetëm në interes të tyre. Nuk duan asgjë për vete dhe nuk shprehin mendimin e vullnetin e tyre, po dëshirat e popullit. Liderët e sotëm, veçanërisht në opozitë, këtu nuk bëjnë diferencë edhe ata në pushtet e kanë shpërdoruar në atë farë feje këtë nocion leksik të respektuar sa e kanë zhvlerësuar tërësisht. Dhe për të na mbushur mendjen sa të sinqertë janë, përdorin si kulaçin, përkëdheljen dhe kërbaçin. Flasin herë si moderatorë. Herë si reformatorë. Një ditë si të përulur, tjetrën si të ishin në skenat horror. Le t`u hedhim një vështrim vetëm deklaratave të këtyre ditëve në situatën e nxehtë politike që kanë ndezur opozitarët tanë. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha nuk lë rast pa folur në emër të popullit. Në emër të tij kërkoi të largohet qeveria për tre muaj radhazi nga çadra e lirisë. Me emrin liri, popull. Shqipëri na mbiu në sy nga shkurti në maj. Dhe pastaj…? Ah, pastaj. Jo vetëm sot po për vite me radhë populli është pika e referimit për Bashën. Në emër të tij, justifikoi thirrjen për të rrëzuar qeverinë e ligjshme në 2017. Për kryengritje në Kavajë. Për të shpuar goma e për të thyer kocka. Me emrin e tij thërret për të rrethuar Ministrinë e Brendshme dhe Kryeministrinë. Në nderim të ditës simbol të PD-së, 26 majit të 1996, fton popullin në Tiranë për t`i dhënë fund krimit. Për ta bërë lesh e li tërë Shqipërinë dhe rrëzuar këtë qeveri thërret në çdo sekondë Luli. Në emër të atyre që bënë revoltën e Spaçit, kërkon të ngrihen në kryengritje kundër regjimit “diktatorial” të Ramës që ka uzurpuar pushtetin. Të pjesës së popullit të burgosur. Dhe në emër të tyre, premton se do ta detyrojë qeverinë të largohet e sakatosur. Kështu urdhëron populli, deklaron ai. Se ndryshe do pushtojnë institucionet. Pa pyetur për kushtetutë e rend, për vullnet të shprehur përmes votës. Basha flet gjithnjë me gjuhën e forcës. Në emër të popullit betohet e hakërrehet, premton e deklaron njëzetë e katër orë në ditë për aksionin e vet, aksion ku do zhvillohet në 26 maj, ku forcat “demokratike” do i tregojnë dhëmbët qeverisë së krimit në emër të lirisë. Për këtë janë vënë në funksion prej tij përgjimet, videot, filmimet, denigrimet, ndjekjet e përndjekjet përmes strukturave speciale me ish oficerë policie, të cilët janë vërsulur me çimkat nën mëngë për të zënë gafil qeverinë. Kudo e kurdo në emër të popullit(!). Përgjime e sajime për t’i përdorur të gjithë si “Babalen” në kauzën opozitare për një protestë “gjigande” me të cilën t`i tregojë shqiptarëve po edhe ndërkombëtarëve se çfarë janë të zotët të bëjnë. Të gjitha në emër të popullit. Në emër të popullit flet kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Në krye të shtabit të protestës për ta bërë atë sa më masive dhe të ashpër fton lësëistët të vijnë në shesh për t`i treguar vendin qeverisë. Përmes varianteve dhe skenarëve të frikshëm. “Dashuria” për popullin i detyron të rrethojnë qeverinë. Në emër të tij do marrin Ministrinë. I detyron populli të bëjnë përshesh komisionet parlamentare. Zërin e popullit delegojnë në Komisionin e Sigurisë, ligjeve, medias, shëndetësisë. Në emër të tij. Zbardhin. Sterrosin. Nxijnë. “Dashnorët” e mëdhenj të popullit nuk i zë gjumi sa të shpien në vend amanetin e tij. Pikërisht ndaj kanë vënë në funksion forcën dhe jo politikën. Jo bindjen po frikën.

Po ai që flet në emër të popullit dhe “shkëlqen” mbi gjithë të tjerët është çuditërisht, ish Presidenti Bujar Nishani. I urti dhe qeti deri tani Nishani është trazuar keqasi. Ka lënë mënjanë demokracinë e qetësinë dhe ka zgjedhur gjuhën përvëluese. Për këtë popull bën thirrje për zjarr e flakë. Për t`i dhënë dermën këtij pushteti. Populli duhet të marrë në dorë fatet e veta, deklaron Nishani. Jemi shumë më keq se 1996,- thotë ai. Dhe pasi bën analizën e plotë për situatën, gjen edhe ilaçin e shpëtimit. Dhe ky ilaç, ta bëjmë Shqipërinë tym e flakë. Ish Presidenti dhe Komandanti i Përgjithshëm, beson dhe shpreson zgjidhje me dhunë jo me përpjekje për vota dhe punë më shumë. Flakë, tym e zjarr, vetëm luftë përkthehen. Se paqja nuk është baraz me forcë. Paniku nuk sjell qetësi as më shumë liri. Dhe në këtë mënyrë nuk luftohet as krimi. Nishani nuk është për protestë të qetë. Kjo do ishte normale dhe i shkon përshtat ish numrit “një”, të Shqipërisë. Thirrja për “luftë” nuk i shkon për shtat. Nxitja të vijnë në Tiranë nga çdo anë, njerëz të thjesht, idealistë, opozitarë, të goditurit nga drejtësia, persona në kërkim, trafikantë, dhe të përmbysin qeverinë është thirrje e dënueshme penalisht. Gjuhë më të ashpër nuk kishim dëgjuar në tërë këto vite. Dhe vjen nga ai që na ka drejtuar për pesë vjet. Ish Presidenti dhe Komandant i Përgjithshëm i kësaj Republike. Pasi dëgjon këto deklarata, pak t`i quash luftënxitëse pyet: Sa i paanshëm ka qenë Bujar Nishani President? A ishte në mbrojtje të unitetit të popullit vërtetë?! Kur sot bën thirrje për t`u ngritur në këmbë, vajza, djem dhe pleq nga veriu në jug të Shqipërisë për t`i thyer kafkën qeverisë nuk ka nevojë për asnjë koment! Besoj fare pak tek ish Presidenti. Zoti Bujar Nishani ka flakur qetësinë dhe ka hedhur tutje pelerinën e Burrit të Shtetit. I ka hapur udhë, dhunës dhe flakëve. Po të gjitha në emër të popullit?! Cilido nga radhët e opozitës qoftë, minorë apo zyrtarë madhorë, ka vetëm një fjalë në gojë. Popullin. Në emër të tij. Për interesat e popullit të ngrihemi për ta bërë Shqipërinë lesh arapi më keq se deri tani. Të gjithë në emër të popullit flasin. Ata që buzëqeshin. Ata që bërtasin. Ata që ulërasin. Sikur të ishin përditë shtëpi më shtëpi. Njeri më njeri. Si të kishte, një gojë, dy sy, një frymëmarrje. Një kokë. Një qëndrim. Sikur të mos ishin miliona mendime e gjykime. Ndaj është vërtetë qesharake sikur popullin e pyesin ditë natë si doni punët t`i bëjmë? Të luftojmë? Të protestojmë? T`i rrëzojmë? Të gjithë ç`deklarojmë i kemi për ju, popullin, na thonë. Asgjë për veten tonë. Po populli vetë dëgjon dhe pret. U Buzëqesh. I përqesh. I ngërdhesh. Në fund ai flet vetë. Jo si halabak. As si militant. Po si kompetent. Ato që i kanë thënë liderët politikë në mijëra fjalime, i thotë me një fjalë. Me urtësi. Me qetësi. Me durim. Jo me zjarr, as me çizme, as me tym. As me miell. As me vezë. Aq më pak me armë prej vërteti. Populli e urren forcën. Fuqi dhe armë të vetëm ka votën. Do ishte mirë pas kaq shumë vitesh demokraci, liderët e opozitës dhe gjithë liderët e tjerë, ta pyesin të paktën popullin njëherë. Ta pyesin dhe dëgjojnë të flasi populli vërtetë, jo si deri sot me gojën e tyre, po vençe si di vetë. Dhe të lexojnë verdiktin popullor llafazanët politikë. Sharlatanët. Ngatërrestarët. Puthadorët. Hileqarët. Trutharët. Atëherë po, të kuptojmë kush ka të drejtë të flasi në emrin e tij. Liderët me dhe pa parti? Dhe të drejtën me kushtetutë e perëndi të flasi në emër të tij, e ka vetëm ai, Populli!

Nga Bardhyl BEJKO