Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Politikanët e Shqipërisë, këta kuzhinierë qeverish

Postuar: 21/05/2019 - 07:11

Politikanët tanë, veçanërisht ata në opozitë, pa përjashtuar edhe ndonjë zë të mekur minor, si të vinte nga fundi i dheut, ikur nga mazhoranca aktuale, i ndjerë i pavlerësuar për aftësitë shkencore e menaxheriale, kanë lënë mantelin politik shumëngjyrësh, me simbolet e dy gishtave, trëndafilit me gonxhe të çelur ngjyrë rozë, grushtin e bashkuar, gjethen e harkuar të ullirit, pëllumbin e paqes në flamurin partiak dhe kanë veshur përparësen e bardhë të kuzhinierit. Në vend të kapelës republikë mbi krye, kanë rrasur kapelen e bardhë për të mbuluar qimet e për të mos e ndyrë pjatën me qeveri të sapogatuar. Si me magji, nga politikanë llafazanë e zhurmëmëdhenj në podiume, konventa, takime të kolegjit të kryetarëve të bashkuar, konsultat e të gjashtëve, deklaratat e ashpra plot barot para mikrofonave, në protesta me molotov e shishe benzine në duar kanë marrë për një kohë jo të shkurtër, luharen e madhe të drunjtë gdhendur me simbolet partiake, pirunët e stërzgjatur si sfurqe me shigjetat në majë, tiganët e thellë e të gjerë, tenxheret me fund të trashë, kanë ndezur sobat e gazit e korentit dhe gatuajnë e pjekin pa pushim në çdo orë të ditës qeverinë e radhës. Çdo ditë gatuhen, jo më pak se pesë a gjashtë kabinete qeveritare. Dhe me ritmin që ka marrë ky gatim, i bie që shumë shpejt të kemi nga një qeveri për një njeri. Kjo po, do ishte luksi më i madh që do na servirnin kuzhinierët tanë, pasi askush nuk do lypte ndër miq e nuk do bënte telefonata pa fund për një vend në qeveri pasi secili do kishte qeverinë e tij. Njëherë kryekuzhinier është ai më i vjetri. Ai është kryeustai. I mësuar me zanatin e gatimit të qeverive që nga 1992. Ai, për një minutë ta jep në pjatë një qeveri që e servir te qytetari dixhital si omëletë për çdo vakt. Kjo gjellë nuk arrin të futet në frigorifer. Konsumohet e freskët për t’i lënë radhën pjatës tjetër që serviret taze fare. Është pjata e qeverisë së drekës. Pjatë e stërmadhe, konsum për tre milionë shqiptarë edhe për ata që nuk kanë as shtëpi as dhoma gjumi që u mungon kuzhina, frigoriferi, lugët, piruni, tenxheret, tepsitë, pjatat, gjithçka i nevojitet një kuzhine, qoftë edhe e zakonshme. Ndaj mund ta konsumojnë pjatën me qeveri ashtu live, siç serviret drejt e nga karrigia rrotulluese e tavolina ovale e zyrës atje në katet sipërme të kullave binjake. Kryekuzhinjeri nuk punon i vetëm. Asnjë kuzhinë që është e detyruar të prodhojë ushqim për shumë njerëz, të ngopur, të uritur, vegjetarianë, diabetikë, kardiakët, super të pasurit, oligarkë pra, të rinjtë e të vjetrit, pasi tani në ditët e ftohta në mes të majit oreksi është shtuar. Dhe një kuzhinier sado i aftë të jetë, nuk mund t`ia dali i vetëm. Ndaj rrethohet nga ndihmës kuzhinierë, pjatalarës, llanxerë që janë shtuar dhe bërë plot një dyzinë. Kuzhinierë, jo për gastronominë, po që gatuajnë dhe servirin qeverinë. Të mësuar me jetën standarte të viteve që jetojmë, veçanërisht në këto tri dekada, mbështetur në përvojat e derisotme, jemi mësuar që qeveritë t’i kemi si fryt i zgjedhjeve të përgjithshme në një garë elektorale që zakonisht me përjashtime të pakta bëhen në krye të katër viteve. Dhe është vota, ajo që vendos. Së paku kështu ka ndodhur me qeverinë e parë postpluraliste. Të dytën, të tretën e me radhë deri tek kjo e sotmja, produkt i votave të qershorit 2017. Pikërisht, kjo qeveria e sotme, meqënsë e rrëmbeu tërë tepsinë e pushtetit për vete dhe mbetën jo pak klientë të mësuar brenda saj dhe larguar me dëshirë, natyrisht pa iu imponuar askush, të bindur se do e kishin të veten qeverinë dhe kryeministrin që do shëronte ekonominë, shëndetësinë e politikën shqiptare, padurimi për të krijuar një qeveri në ditë, e cila ndryshon sipas pozicionit hënoro-diellor, politikanët kuzhinierë janë shtuar deri në atë masë, sa na i kanë bërë qeveritë mish-mash. Projektet, parashikimet, gatimet e skicimet e tyre, duke na e bërë mendjen lëmsh. Asnjëri nuk di sot se cila është qeveria taze. Kush është e para? Cila e dyta? Ku gjendet e trata, e dhjeta, po e njëmijta?

Kjo puna e qeverive që gatuhen përditë, po e kapërcen edhe historinë me furrën e Nastaradinit. Ky, Nastradini kishte vendosur të ndërtonte një furrë. Dhe meqenëse furra është pajisja më me vlerë për një kuzhinier me dy fjalë po e tregojmë këtë historinë e furrës. E ndërtoi me shumë mund. E thuri me copa tjegullash. Me baltë të marrë nga një qafë që e quanin “Qafa e baltës”, pasi atje gjendej balta më e mirë që i ngjiste tjegullat dhe i lidhte për t’i rezistuar temperaturave shumë të larta. Po ishte halli se nga cila anë do vendosej gryka mbi të cilën vihej ai harku i hekurt që përfaqëson edhe elementin primar të një furre të fortë, të qëndrueshme e rezistente. Pikërisht, kjo porta e vuri në bela Nastradinin. Më shumë orientimi i saj. Të gjithë që kalonin, para furrës e shikonin dhe pasi ia lavdëronin punën, i bënin vërejtje vetëm për pozicionin e portës. Dikush i kërkonte se mirë do ishte që porta të shihte nga lindja, andej nga lind dielli dhe del hëna që ishte simbol edhe i atdheut të furrëbërësit. Dhe ai e prishte sakaq dhe e bënte derën e furrës nga perëndimi. Po një kalimtar tjetër e qortonte sërish. Si është e mundur kjo portë këtej nga fryn shumë era dhe do ta shuajë flakën e nxehtësinë sapo të ndezësh shkarpat. Ç’të bënte? E prishte përsëri. Dhe këtë herë derën e drejtonte nga jugu. Kalonin të tjerë me radhë. Secili i kërkonte t’i ndryshonte pozicionin portës si drejtim gjeografik. Erdhi mbrëmja, po furra kishte mbetur në mes. Kaloi andej mbreti, i cili e donte Nastradinin, si shakatar e hokatar i rrallë, që e bënte të qeshte sa herë ishte në hall. Po edhe ai nuk është se i dha ndonjë këshillë të vlefshme. Më në fund, kur dolën yjet e parë dhe erdhi mesnata, i ati në merak për moskthimin në shtëpi të të birit, doli nga porta e madhe e oborrit dhe e pyeti. More djalë mbete tërë ditën deri në mesnatë jashtë në grykë të furrës dhe shoh që nuk e ke mbaruar. Ç`të mungoi more bir? I vënë në pozicion të vështirë, i biri iu përgjigj të atit: Ç`të bëja baba? Prishë e ndreq, ndreq e prish nga darka në sabah. Më hëngri shpirtin kjo porta. Të gjithë më kërkonin ta ndryshoja. Dhe unë i dëgjova dhe gjë nuk qullosa. I ati mendjemprehtë e porositi: Herë tjetër dëgjoi të gjithë, po pyet njëmijë vetë e bëj si di vetë. Kështu edhe nëse bëhesh një ditë mbret!

Po kjo historia e furrës së Nastradinit dhe kuzhinierëve, nastradinëve tanë politikë, është gati identik. Përngjajnë aq shumë me njera- tjetrën sa thua se këta nastradinët tanë të kohës moderne nuk ia kanë dëgjuar fjalën as Nastradinit tonë, as babait të tij. Ndaj gjithë ditën ndërtojnë e prishin qeveri. Aq shumë ndryshojnë opsionet dhe aq të shpeshta janë pjatat e serviruara me qeveri të mbushura kapicë me gjithë produktet e rralla, si të qëmtuara nga “Kopshtet e Edenit” të paprekura nga mikrobe e viruse apo meazallah ndonjë ves, si korrupsioni apo vjedhje, sa nuk dihet se cila duhet të merret seriozisht. Dhe politikanët tanë, kuzhinierë në konkurim me njeri-tjetrin se cili do gatuajë menunë e ditës, gatimin më të mirë me qeveri të pëlqyeshme nga të gjithë, të shijshme nga ato që të bëjnë të lëpish thonjtë, qeveri që do sjelli qetësimin e të zemëruarve dhe do ngjalli shpresat për një zgjidhje të paqtë, nxitojnë secili prej gatuesve në një garë të ethshme sa duket sikur janë në një konkurs për mastershef. Që tani janë shpallur në opinionin e gjerë që deguston pjatat me qeveri të servirura në sini. Politikanët jetëgjatë që kanë në begraundin e tyre, përvoja të shkëlqyer përsa i përket gatimeve speciale nga ato pikante, ekskluzive shqiptare, të traditës tonë qindravjeçare. Njëherë servirin specialitet Skrapari. Shoqëruar me raki të fortë rrushi e mani. Ditën tjetër pjatë karakteristike fierake. Të nesërmen qeveri nga Tropoja. Nga Elbasani si “Tava e Elbasanit”. Nga Korça me kërnackat e famshme. Shqiptarët kanë shansin të degustojnë secili nga një pjatë me qeveri si specialiteti më i ri. Kjo serviret si pjatë e parë e ftohtë. Është sa për mëngjes. Nuk dihet nëse do durojë deri në mbrëmje se mund të dalë një tjetër pjatë e freskët për të hedhur poshtë pjatën me qeveri të vjetër. Dhe përsëri menu me një tjetër qeveri. Në garën mes kuzhinierëve që gatuajnë orë e çast qeveri për vend të parë lufton politikani me përvojë tridhjetë vjeçare që spikat mbi gjithë të tjerët. Ministër me një parti të fuqishme disa herë, me numër të pafund anëtarësh që rreshtohen në krah të tij, të gatshëm ta bëjnë deputet nga Konispoli deri në Përmet. Është Fatmiri. Fati si i thonë mes miqsh. Fati që ka pasur vërtetë shumë fat. Ai ka përvojën e shkëlqyer si ndërtohet, jo vetëm një qeveri e pranueshme nga të gjithë, si puna e simiteve, po edhe efikase. Përvojën e ka fituar me biznesin e paqes në Gërdec. Ju kujtohet besoj, ka pak vite shpërthimi më gjigand që e lë pas Hiroshimën. Dhe në kushtet e një territori të vogël si Shqipëria, konsiderohet edhe më madhështor edhe në kampionatin botëror. Nuk ka problem se atje në fabrikën e vdekjes ose kuzhinën e municioneve e barotit, u vranë, u sakatuan fiks 26 qytetarë shqiptarë nga pesë në tetëdhjetë vjeç dhe u mbollën me predha fshatra të tërë që e shndërruan një zonë të gjerë në fushë të minuar, ku ende sot ndriçon paralajmërimi “Ndalohet kalimi”. Mediut, viktimat e Gërdecit i duken simbole paqeje dhe fryt i një pune të paqme. Po sot në gatimin e qeverisë, jo si ish strateg i ushtrisë, po si kuzhinier i gatimit të qeverisë, i duken kandidatët për ministra si thela mishi. Po le ta lëmë Gërdecin se nuk është ndonjë kuzhinë që gatoi ndonjë gjellë për të qenë, edhe pse atje ishte vetë Mediu kryekuzhinier terreni, pasi recetat i përgatisnin të tjerët, fare lart në qeveri deri tek Kryeministri. Meqënsë e njeh këtë profesionin e kuzhinës, mori përsipër të na serviri në një pjatë alumini, një qeveri të gatuar natyrisht, jo vetëm me fantazinë dhe duart e tij, po sipas recetave që i vijnë me teleksi dhe i rekomandojnë garniturën e re. Dhe Mediu thjesht sa bën përzierjen dhe na e jep të plotë menunë, duke na e servirur si qeveri më shumë, qeveri të popullit. Qeveri me shkuesi dhe fantazi e këtij superkuzhinieri. Dhe pasi fut dorën në grumbullin e stërmadh të kandidatëve që plotësojnë kushtet për tu pranuar nga të gjithë në opozitë dhe tërë ata që brohorasin “Rama ik!” si intelektualë e individë me integritet gatuan një qeveri siç di Mediu vetë. Që në fillim iu kërkojmë ndjesë emrave që do citojmë referuar listës “Mediu”. Të gjithë burra dhe gra të respektuar. Para figurave të tilla përulem me respekt, si për urtësinë e mençurinë edhe përvojën që zotërojnë në vitet e gjata të drejtimit, para dhe pas pluralizmit. Veç Mejdanit në qeveri renditen Dade, Ndrea e plot të tjerë. Nga ata të anës së tij, kuzhinieri veçon Mustafajn e Tafajn. Po qeveria me kaq është e pamjaftueshme. Duhet edhe një Kryeministër që t’i ngjajë modelit Tsipras. Dhe këtë e gjeti Mediu. Dhe kështu pjata u servir e plotë nga numri një, kryeministri i pranuar nga opozita jo parlamentare, po tërë partitë e tjera opozitare. Po kuzhinierët tanë politikë që në vend të kuzhinës, si gastromani gatuajnë qeveri nuk është ekskluzivitet i një individi. Çdo politikan ka dalë me letër e laps në dorë, duke na dhënë një qeveri në çdo orë. Dhe lindin e shtohen qeveritë e Shqipërisë si të ishin qofte gatuar në kuzhina periferish. Ajo që nuk pranohet është vetëm qeveria e dalë nga votat e qershorit. Qeveria “Rama” është qeveria që ka rritur temperaturat e opozitës shqiptare, që kërkon të imponohet me dhunë për një sistem që del nga binarët kushtetues dhe kërkon të na mbushë mendjen se janë protestat e popullit shqiptar, që do e marrin këtë palo qeveri zvarrë dhe në vend të saj do të vijë një qeveri e re, e cila do jetë qeveri kujdestare. Me këta kuzhinierë të politikës shqiptare, Monika, Basha, Berisha, Shehi, Dule, Duka, edhe pse shumë mami që kanë marrë përsipër të lindin qeveri pas qeverie, i bie që shumë shpejt çdo qytetar tek ne të ketë për vete nga një qeveri të re. Atëherë po, do jemi vërtetë demokraci. Dhe do jetojmë gjithë luks e lumturi. Ndaj mos u ndalni, o kuzhinierë politikanë të gatuani protesta e qeveri, se kështu do ua dijë për nder, Nëna Shqipëri!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/10/2019 - 07:45

Ne shqiptarëve nuk na ligështon dhe demoralizon qëndrimi persistent i shpirtngushtësisë franceze, që mbylli portat e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Postuar: 20/10/2019 - 07:44

Ende e mbaj mend kur këtu e një dekadë më parë, në rrjetet sociale, shtrohej pyetja dhe hidhej në

Postuar: 20/10/2019 - 07:43

“Gabim historik” u cilësua nga vetë ekzekutivi i BE dhe shumica e vendeve të BE, qënd

Postuar: 20/10/2019 - 07:41

Tani po fillojnë të bëjnë "racizëm" diplomatik, politik, krejtësisht jo normal dhe pady

Postuar: 20/10/2019 - 07:40

....Emmanueli francez, nuk ka shumë kohë që ka dalë në skenë për t'i thënë "Jo" hap

Postuar: 20/10/2019 - 07:39

Pasi derdhëm marazin e zhgënjimit nga “jo”-ja franceze për të na çelur bisedimet e an

Postuar: 19/10/2019 - 14:40

Është për t`u habitur kur në kulmin e diskutimeve për çeljen e negociatave të Shqipërisë në Këshi