Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Politikanët shqiptarë, si mushka e xha Canes

Postuar: 19/10/2018 - 07:19

Në fshatin tim të lindjes, midis atyre dhjetra familjeve të mira, të cilave “u hahej buka”, ishte edhe ajo e Hasan Mullajt, të cilit, si zakonisht, bashkëfshatarët i flisnin me emrin e shkurtuar Cane, dhe meqë ishte në moshë i shtonin parashtesën “xha”. Xha Cania ishte punëtor si ai, një bujk ndër të rrallët, që e njihte praktikën e aplikimit të gjithçkaje të avancuar në bujqësi e blegtori. Nuk po zgjatem për këtë, por po pohoj, që xha Cania përpara se të hidhte farën e grurit apo të misrit për mbjellje, ulej vetë në tokë, dhe nëse prapanica (të më falin lexuesit për fjalën e përdorur, S.R) nuk ndjente ngrohtësinë e duhur, nuk e harxhonte dëm farën e grurit apo të misrit dhe të çdo bime tjetër. Përsa i përket mbarështimit të blegtorisë, ai nuk kishte kryer ndonjë shkollë apo kurs kualifikimi apo specializimi. Por, ama ai e dinte shumë mirë se “po të mos e luante dhia bishtin frap-frap, nuk i shkonte cjapi pas, ashtu si qengji, keci apo viçi i sapoardhur në jetë, duhej lëpirë nga e ëma për t’i hequr papastërtitë dhe për t’i ngrohur “lëkurën”.

 Duke ndjekur këtë praktikë xha Cania, u bë një ndër familjet më të kamura por edhe më fisnike në fshat. Por kjo është një çështje tjetër, që mund të gjejë pasqyrim në një shkrim tjetër. Prandaj le të vazhdojmë aty ku e nisëm. Pikërisht te mushka e tij. Vetë xha Cania (unë e mbaj mend shumë pak, S. R) ishte njeri i fuqishëm dhe i shëndetshëm. Birin e tij, xha Dulin, (Avdyl e kishte emrin, por me që ishte i moshuar dhe në shkurtim të emrit të tij, i thërrisnin xha Duli), e mbaj mend shumë mirë, edhe pse në moshë jam paksa më i vogël se djali i tij i madh, Shefketi. Xha Cania e kishte fare të qartë se punët në bujqësi e blegtori përballoheshin me njerëz të fuqishëm dhe të dijshëm, por edhe me kafshë pune të fuqishme. Prandaj ai qetë e punës i mbante të shëndetshëm, po ashtu edhe qentë e stanit. Në këtë këndvështrimi, po e quajmë, ai bleu një mushkë të fuqishme, e cila kishte pamjen e bardhë në të thinjët, prandaj edhe e quajti Ҫilë. Kjo mushka në fjalë ishte e fuqishme, por gati në gjendje të egër. Nuk kishte “bir nëne” në fshat që të mund ta vinte në punë, prandaj edhe ndokush hamendësonte: “Ç’i duhet kjo mushkë xha Canes!!!” Shprehnin habi fshatarët, por edhe ishin të bindur se xha Cania nuk gabonte kollaj. Dhe kështu ngjau, xha Cania i sfidoi, si zakonisht në të tilla situata, të gjithë ata që nuk kishin besim se mushka mund të vihej në punë. Ҫdo ditë e ngarkonte Ҫilën me rërë. Hipte edhe vetë në mes të ngarkesës dhe udhëtonte lart e poshtë me mushkën Ҫilë për mjaft kohë. Pas disa ditësh, Ҫila nuk gjuante më me shqelma vend e pavend, por edhe kohë e pakohë. Ajo gradualisht filloi “ta njihte të zotin”, dhe mandej të vepronte si gjithë bashkëshoqet e saj, pra si gjithë mushkat e tjera në shërbim të të zotit të saj. Pas kësaj edhe bashkëfshatarët e tjerë mësuan se si “shtrohet”, (urtësohet duhet thënë më saktë, S.R) një mushkë “xanxare”, e cila e ka zanat të hedhë vetëm shqelma dhe të mos bëjë punë të dobishme, për të cilën edhe mbahet.

Sipas kësaj mençurie popullore, kështu duhet vepruar edhe me “mushkën xanxare” të një pjese të politikës shqiptare, e cila për mëse një çerek shekulli “hedh shqelma majtas e djathtas” duke mos njohur as “të Zotin”, pra taksapaguesit shqiptarë. Kjo pjesë e politikës shqiptare ka menduar dhe punuar për t’u pasuruar për vete dhe mili(tarët)tantët e saj, dhe ka varfëruar dhe cënuar dinjitetin e atyre që “i ushqejnë” këto mushka xanxare, pra taksapaguesit shqiptarë, të cilët me durimin e gomarit, me fisnikërinë e kalit dhe me besnikërinë e qenit, punojnë për të majmur “xanxarët” e politikës shqiptare dhe për “t’i pranuar” ata si “shpëtimtarë” të tyre.

Politikanët tanë i qëndrojnë përballë njëri-tjetrit jo si kundërshtarë politikë, por si armiq të papajtueshëm. Janë ndarë në dy klane kryesore, por edhe ca “klaneza” që vijnë rrotull tyre si satelitë, duke u shkëputur nga orbita hera-herës, sa herë bëhet rrotacioni politik. Këta përfaqësues “të popullit” nuk shkojnë në kuvend e në sesione parlamentare, për çka edhe paguhen nga taksapaguesit xhepashpuar shqiptarë, por ngujohen në “çadra lirie” ku vegjetojnë prej 25 vjetësh deputetë që “ja kanë bërë këtij vendi” si askush tjetër armik, për të prodhuar “Republikë të Re” me të korruptuar të hershëm, por edhe një kryeministër “të popullit” dhe “të ekonomisë”; shëtisin sa në Shkodër, Elbasan, Durrës dhe pa le ku do ta ndalin hapin, shkruajnë në Twitter e recitojnë në konferenca shtypi; bëjnë thirrje për mosbindje civile të tipit “Revolucioni i kadifenjtë”, “Portokalli” të tipit ukrainas, rumun, etj,“Thyejuni xhamat, digjuni gomat...” etj., etj., sikurse kanë bërë vite më parë, larg qoftë, o zot, si më 1997, në Gërdec, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” etj. etj. Por, edhe ata që ndodhen përballë tyre, nuk zbardhin dhe nuk publikojnë disa fakte të bëra publike si: nëpunës të administratës që kërkojnë favore seksuale, (Sarandë, Berat, Peshkopi etj.), drejtorë të korruptuar me galop, (në arsim, shëndetësi, ndërtim rrugësh, në burgje, etj.), të tjerë që në zyrat e shtetit “të presin me këmbët e para” si mushka e xha Canes dhe s’të kthejnë një përgjigje ligjore as për gjashtë muaj (ujësjellës-kanalizime etj.); nuk bëjnë publike përgjigjet shkencore për çështjet e përgjimeve të tipit “babale” por edhe të tjera, për mijëra euro dhe tonelata droge të kapura etj. etj. Pra, një pjesë e politikanëve, por sidomos e administratorëve të emëruar prej tyre, ngjasojnë me mushkën e xha Canes, që kur i pyet se bijë e kujt është, përgjigjen, se kanë dajo kalin por jo baba gomarin, veprojnë me budallallëkun dhe këmbënguljen e gomarit duke thënë se janë dhëndurë a mbesa e nipa të X politikani, për më tej të shqelmojnë me ashpërsi dhe pa droje si nëna e tyre, pela. Mirëpo, populli vërtet ka durimin e gomarit, fisnikërinë e kalit dhe besnikërinë e qenit, por durimi ka një kufi, i cili një ditë “soset”, dhe ai, edhe mushkën e xha Canes nga “xanxare” e bën “qengj”.

 “Ishallah”, paçin aq mend disa politikanë shqiptarë, që të kuptojnë dhe respektojnë mesazhin e kësaj fabule: Mushka e xha Canes të bëhet mushkë e komunitetit! 

Nga Safet N. RAMOLLI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 2

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/11/2018 - 07:12

Edhe pse çështja e përkatësisë fetare të një Heroi Kombëtar, në fund të fundit, nuk ka aq rëndësi, në këtë vit jubilar të Gjergj Kastriotit, kjo çështje ka qenë ndër më të debatuarat në mesin e studiuesve dhe të histo

Postuar: 15/11/2018 - 07:11

Është e sigurtë se diktaturat krijojnë siguri dhe rend publik!

Postuar: 15/11/2018 - 07:09

Teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si punojmë dhe mendojmë në shumë drejtime përfshirë dhe audit

Postuar: 14/11/2018 - 12:25

Prishja e shtepive te banoreve te Unazes se Madhe eshte antikushtetuese, jo thjesht e paligjeshme

Postuar: 14/11/2018 - 07:06

 Protestat e opozitës tonë ngjajnë shumë me informacionet që jepeshin përditë në seksio

Postuar: 14/11/2018 - 07:05

 Shteti, duket se është e kundërta e asaj që thotë kënga për të dashurën.

Postuar: 14/11/2018 - 07:03

 Më thanë se edhe tre njerëz të kulturës, intelektualizmit kishin aplikuar për llotarinë ame