BREAKING NEWS

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti s’ka ndodhur në asnjë vend të botës!

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti
x

Opinion / Editorial

Politikanët tanë e barazojnë veten me Mesinë dhe Shqipërinë

Politikanët tanë e barazojnë veten me Mesinë dhe

Pak rëndësi ka mosha e politikanëve tanë. Shumë herë të rinjtë flasin me mentalitetin e më të vjetërve. Sharjet i kanë sipërore. Fyerjet po ashtu. Jo pak prej tyre kanë tridhjetë vjet në krye të forcave politike. Tri dekada që hynë e dalin në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Herë me mandate e jo pak me molotov e shishe benzine. Të zjarrtë, rrallë të paqtë. Kanë qenë banorë të Kryeministrisë, Presidencës. I kanë hyrë rrugës së politikës me pantallona të shkurtra e tani kanë statusin e gjyshit apo gjyshes. E përbashkëta? Vuajnë nga megalomania, duke e barazuar veten me Shqipërinë. Një pretendim i jashtëzakonshëm ky, i qortueshëm pa sens e asnjë bazë. Është qëndrimi që mbajnë funksionarët e partive, ata me vulë e firmë, të emëruar e të vetzgjedhur që nuk e kanë për gjë të flasin sikur kanë në dorë fatet e vendit. Si të jenë populli, vetë sovrani. Pretendojnë se kanë plotfuqishmërinë të ndryshojnë gjithçka. Të na sjellin ditën dhe natën, malet t`i bëjnë fusha, të arrijnë treguesit më të lartë të zhvillimit e përparimit, të bëjnë diellin e shiun, të zbresin qiejt e të barazohen me Himalajet. Është fakt që e përjetojmë përditë, sapo kontaktojmë njërin prej tyre. Sa i shikojmë më ekranet e televizioneve të ngrehosen, të fryhen, të flasin me pompozitet e superrelativa, të mburren e të thonë broçkulla të padëgjuara dhe të gjitha t`i shesin në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Të shfaqen sikur përfaqësojnë një popull të tërë nga veriu në jug. Të na mbushin mendjen se kanë në dorë të ndryshojnë brenda një minute gjithçka. Se kanë shkopin magjik në duar. Kjo kapardisje, është vërtet e dhimbshme. Kur i dëgjon të flasin, është për të vënë duart në kokë. Kur shikon se si individ pa asnjë mbështetje me ca anëtarë fiktivë, hynë e dalin nga selia blu, me aktmarrëveshjen nën sqetull dhe hedhin mbi shqiptarët tullumbace, sikur atje është vendosur e ardhmja e atdheut dhe ata “burrat” e shtetit, janë shpëtimtarët e kombit. Ne do ta ringremë Shqipërinë, deklaron Shpëtim Idrizi. Kështu tërë minorët. Ata përball e rrënuan Shqipërinë! Nuk jemi kundër askujt, po vetëm kundër atij që kërkon të bëhet sulltan i Shqipërisë. Flet kështu Idrizi që ka provuar frytet e tatimeve dhe doganave, aleat e armik me Nanon, mik e kundërshtar me Ramën që e delegoi në krye të Kuvendit të Shqipërisë si zëvendës kryetar, po që shumë shpejt do braktiste socialistët në emër të demokracisë dhe sot bënë sikur është rreshtuar me koalicionin e opozitës në emër të Shqipërisë. Me këtë gjuhë, flasin dhe u drejtohen shqiptarëve të gjithë funksionarët tridhjetëvjeçarë të partive politike që puna ua ka dashur dhe interesi i ka nxitur të puthen me njërën palë nga e majta në mbrëmje dhe të nesërmen të braktisin shtratin në të cilin kanë rënë të flenë dhe të zgjohen në dhomën e gjumit të të djathtëve. Po këto lëvizje edhe pse handikap shqiptar, këta kryetarë me përvojë dhe me jetëgjatësinë tridhjetëvjeçare në krye të partive politike, e justifikojnë këtë vijë sjellje në emër të interesave madhore të Shqipërisë?! Po nuk janë të vetmit. Në emër të popullit, bile të tre milionë shqiptarëve, në emër të Shqipërisë, Presidenti, Ilir Meta e fton Ramën dhe ata që janë në qeveri në “Sheshin e Flamurit” i cili në memorien e shqiptarëve është simboli i bashkimit dhe besëlidhjes së madhe. Është sheshi në nderim e kujtim të babait të pavarësisë, Ismail Qemalit dhe deri sot kemi parë në atë shesh, burrat e kombit shqiptarë të të gjitha trevave të bashkojnë duart e të ngrejnë flamurin kuqezi, i cili u valëvit për herë të parë në 28 nëntor 1912, njëqind e tetë vite më parë dhe ky rit do kryhet sa të jetë jeta dhe shqiptarët mbi këtë dhe. Pikërisht në emër të Shqipërisë së rilindur, në emër të referendumit të 25 prillit, në emër të Kushtetutës së republikës, Meta, fton në duel Ramën dhe tërë ata që sot mbështetin këtë qeveri dhe mazhorancë për të larë hesapet, sikur në atë shesh do zhvillohet dueli i shekullit mes Gjergj Elez Alisë dhe bajlozëve që i kanë zënë frymën Shqipërisë. Të gjithë koalicionistët që nënshkruan marrëveshjen për të dalë bashkë në zgjedhje edhe pse në dukje në unitet të plotë fjalinë e parë që nxjerrin nga goja dhe u drejtohen shqiptarëve, është Shqipëria, janë shqiptarët. Është e ardhmja e ndritur e cila do riformatojë demokracinë, pluralizmin sikur këtu ka plasur diktatura dhe do bëj pluhur e hi tërë oligarkët, pa prekur natyrisht oligarkët politik, rreshtuar në të njëjtin front, atë anti mazhorancë. Të flasësh në emër të popullit. Të bësh sikur je zëri i Shqipërisë. Të deklarosh se gjithçka e bën në emër të Shqipërisë. Se firmos në emër të saj. Se lufton për të nesërmen e shqiptarëve dhe je garanti i kombit dhe shqiptarëve, është një guxim i jashtëzakonshëm, po edhe një mendjemadhësi e pamatë. Është e vërtetë që drejtuesit e një vendi, flasin në emër të tij, shtetit që përfaqësojnë. Po nuk njehsohet Shqipëria me një individ që i duket vetja si Mesia dhe peshojnë sa vetë Shqipëria. Ky pretendim është vërtet grotesk. Askush nuk mund të njehsohet me atdheun. Atdheu, është i të gjithëve. Jo vetëm i të gjallëve, atyre që frymëzojnë mbi këtë tokë, po edhe i atyre që kanë dhënë gjakun e jetën, që kanë luftuar për integritetin dhe prosperitetin e tij, për lirinë e pavarësinë. Të atyre që kanë shkrirë pasurinë për Shqipërinë dhe jo ata që ia vodhën arin! Është historia e etërve të këtij vendi që u lindën e u rritën mbi këtë dhe. Askush nuk ka tagrin për të barazuar veten me popullin aq më pak me Shqipërinë. Se atdheu, janë malet e fushat, liqenet lumenjtë, kodrat e malet, e kaluara, e sotmja dhe e ardhmja. Janë këngët dhe historia. Askush nga politikanët nuk është i përjetshëm. Të gjithë jemi kalimtarë mbi këto troje. Jemi të vdekshëm. I vetmi që mbetet, është populli dhe e vetmja që do i qëndrojë kohës, është Shqipëria. Dhe Shqipërinë nuk mund ta barazosh kurrë me veten, ta njehsosh me politikanë që më shumë i kanë bërë dëm këtij vendi se kanë qenë në ballë të progresit dhe përparimit. Lakmia për t`u dukur të rëndësishëm, etja për pushtet, u humbet logjikën normale kryetarëve të partive politike, këtu në vendin tonë. U duket vetja si perënditë mbi Baba Tomorr që bëjnë dhe zhbëjnë, ulin e ngrejnë sipas dëshirës malet e kodrat, ndryshojnë rrjedhën e lumenjve dhe qetësojnë detet në furtunë. Ta matësh veten dhe ta barazosh me Shqipërinë, është një pretendim hiperbolik, marri pa kufi, pa asnjë sens, pa bazë pasi këto troje janë të të gjithëve dhe vendi nuk është i hipotekuar, pronë e ca individëve që u duket vetja se na kanë në dorë të gjithëve. Këto ditë, koalicionistët opozitarë nënshkruan “Aleancën për Ndryshim”. Po sa kanë ndryshuar vetë dhe cilët janë ata që u rreshtuan në koalicionin për ndryshim? Ata e shesin këtë si bashkim mbarëshqiptar, po realisht janë vetëm numra që konvertohen me kryetarë. Nëse do ishin kryetarët e partive tona aq me peshë nuk kishte pse i ngjiteshin pas PD-së, dilnin hapur në shesh të mejdanit. I kërkonin sovranit t`u jepte plotfuqishmërinë t`i bënte deputet e qeveritarë për të drejtuar këtë vend pas 25 prillit. Po këta politikanë që kanë oreks të madh dhe maten me hijen e mëngjesit e mbajtën peng deri në minutën e fundit marrëveshjen e bllokut opozitar, jo për programin se për ata as që u bie ndërmend dhe për ta është thjesht një grupim shifrash e premtimesh, po për një vend të sigurt në listë që garantohen për të qenë deputet. Në asnjë mënyrë as me lutje as me negociata nuk u ulën kryetarët e partive opozitare në tavolinën e dialogut me Bashën për të gjetur fjalën për objektivat, po për të gjetur vendin e sigurt, për të qenë edhe katër vite deputet, duke pasur fiks shifrën 34 vjet në sallën e demokracisë. Pikërisht janë këta kryetarë partie që nga mëngjesi në mbrëmje duan të na mbushin mendjen se kanë në dorë fatet e Shqipërisë të ardhmen e saj, jetët tona, po në realitet nuk kanë as fuqinë për të fituar nën siglën e partisë që kanë regjistruar në gjykatë. Jo më kot e tërë zhurma me kryetarin Basha, u bë thjesht dhe vetëm për një numër nën vizën fituese. Ndryshe nuk do ishin nënshkrues të koalicionit N. D. U bënë kaq përpjekje në emër të një vendi të sigurt, sa tek të gjithë shqiptarët është krijuar ideja se këta, jo vetëm nuk mund të flasin në emër të Shqipërisë dhe popullit, po as një grupi qytetarësh që mund t`i numërosh me gishta pasi ndjekësit e tyre janë si ujët e paktë. Kështu koalicioni nuk është i partive, po i kryetarëve dhe numrave. Ata që deklarohen se përfaqësojnë Shqipërinë dhe luftojnë për të ardhmen, që na garantojnë integrimin dhe shpëtimin, zhvillimin e progresin, lumturinë e mirëqenien, që flasin dhe barazohen me atdheun, sikur janë krijues të tij, me betejën që zhvilluan, gjoja emër të popullit, në fakt të vetes nuk garantojnë zgjidhjen e tyre në emër të partisë që përfaqësojnë pasi nuk e kanë mbështetjen dhe pretendojnë se janë e ardhmja, janë, progresistët, ndryshimi, përparimi. Po realisht janë thjesht kryetarë që në emër të Shqipërisë kërkojnë ta sundojnë atë, duke u bërë deputet me qira, në PD! Fituam! Fitoi Shqipëria, brohoriti Basha! Populli fitoi! Dhe ne emër të Shqipërisë këndohet kënga e fitores, e të ardhmes e së nesërmes. Është entuziazmi i shifrave, renditja e numrave që nuk janë baras me Shqipërinë dhe popullin. Tek e fundit të rreshtuarit nuk janë më shumë se të larguarit nga koalicioni opozitar, pa llogaritur LSI që do garojë e vetme dhe nuk i bashkon votat me koalicionin, si fillim të paktën. Llogaria e votave opozitare, minus votat e Topallit, Patozit, Murrizit e shumë të ikurve nga koalicioni opozitar mund të jenë shumë më shumë se të rreshtuarit në frontin N. D. Dhe kjo do provohet. Plus, minus, zero do jetë produkti i atyre partive në koalicion me kryetarë, pa anëtarë, atyre që flasin në emër të fitores dhe vetëbarazohen me Shqipërinë! Popull nuk janë kryetarët, zyrtarët, qofshin majtas apo djathtas as partizat. Ata janë thjesht përfituesit. Vjelësit e të mirave materiale. Ky është misioni i tyre, lajtmotivi i qenies në politikë. Dhe nuk janë kurrë ekuivalent me Shqipërinë!