BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Opinion / Editorial

Politikani Nano dhe sharlatanët e vërtetë

Politikani Nano dhe sharlatanët e vërtetë

Sikur Nanos, në rrëfimin e tij, t’i heqësh të gjitha “ujërat e turbullta”, në fund do të mbesin disa të vërteta që dihen nga të gjithë dhe jo vetëm nga Nano. Si çdo politikan edhe Nano, midis tyre, nuk mund të besohet. Kjo është një e vërtetë sepse, në të kundërt, sikur të besohej, ai do të ishte burrë shteti dhe jo politikan. Problemi është që ato ç’ka thonë politikanët, duhet parë se sa të vërteta janë ato në brendësinë e tyre, ato ç’ka ata thonë, e më tepër akoma, ato ç’ka bëjnë. Në këtë kuptim edhe Nano në rrëfimin e tij tek televizion “i rrëfimeve” i të gjithë atyre që nuk rrëfejnë të vërtetat, tha ato që kishte për të thënë, ndryshe nga çfarë ka thënë herët e tjera.Tjetër gjë prisnin sharlatanët e vërtetë të dëgjonin, por mbetën të zhgënjyer dhe kjo i ka tërbuar aq shumë sa në korr të përbashkët janë hedhur në sulm kundër tij sikur të mos e kishin njohur më parë. Më shumë se kurrë, në këto momente u duhej sharlatanëve një “argument”: më shumë kundër kundërshtarëve e në mënyrë të veçantë për atë që ata kanë objektivin e tyre rrëzimin e Ramës nga pushteti, por mbetën me gisht në gojë. Për këtë, ai nuk mund të akuzohet siç bëjnë sharlatanët e vërtetë të cilëve u ka djegur aq shumë sa që janë gati të “kryqëzojnë” Nanon, jo për gjë tjetër, por përse ai i erdhi në “ndihmë Ramës, pikërisht në këto momente dhe për sa u përket vlerësimeve të politikës së sotme Nanon, e njohin të gjithë, me të mirat dhe mangësitë e tij, që nuk janë të pakta. Momenti që zgjodhi Nano, nuk është i përshtatshëm për opozitën sepse ai, midis shumë prej atyre që tha në mos të gjitha, kishte edhe shumë të vërteta mes tyre. Shumëkush e interpreton që Nano, pretendon të bëhet President. Edhe kjo, është një e drejtë e tij të bëhet dhe krahasuar me presidentin aktual, është shumë më përpara, tek i cili rrëndojnë shumë mëkate, që nga grykësia, inati, hakmarrja, përçarja, pangopësia etj. etj. Pse, mos vallë Nano, tha ndonjë të pavërtetë? E kush nuk i di këto të vërteta për presidentin e sotëm që përpiqen ta bëjmë Nanon gënjeshtar? Çfarë gënjeshtre ka thënë ai përveçse një të vërtetë, të cilën këtë të vërtetë e shtrin qysh nga fundi i shekullit të kaluar? Aq e vërtetë është kjo, saqë nuk ka njeri, të madh e të vogël në Shqipëri që të mos e njohë këtë president që kemi që më tepër se “shtatë mëkatet” që ka mbi kurriz, është bërë edhe gazi i botës. Nuk i pëlqen kjo presidentit aktual, nuk u pëlqen as shumë të tjerëve që kërkojnë me çdo kusht të vijnë në pushtet, duke e ditur se çfarë “mostrash” janë dhe e dinë mirë “takatin” e tyre sa e kanë. Pse Nano kur ka folur herët e tjera, ka qenë i pëlqyeshëm për opozitarët, si fjala vjen kur thoshte që “e mora Ramën me thonj të paprerë nga Parisi, e solla në Tiranë dhe e bëra ministër të Kulturës”! Edhe vetë Nano e di që e ekzagjeron shumë këtë dhe e thotë “allanance”, “me thonj të paprerë”! Por ja që kjo u shkon për shtat sharlatanëve opozitarë dhe e quajnë të besueshme këtë, por nuk u shkon për shtat, kur flet edhe për meritat e Ramës, që në mos të gjitha, midis një morie mangësish, ka edhe shumë të vërteta që më shumë se çdokush tjetër, Rama ka edhe merita. Kjo, vetëm nuk u pëlqen “derdimenëve” të sotëm të opozitës, të cilën e njohin fare mirë veten se kush janë, por që edhe Nano të mburri Ramën, kjo është disfata më e madhe për opozitën që në korr të gjithë kanë si objektiv të vetëm, jo alternativat që paraqesin sepse të tilla nuk kanë, por kanë vetëm atë të rrëzimit të Ramës nga pushteti. Kjo e vërtetë, nuk është e besueshme për “tinëzarët” e opozitës, sepse atyre u ka pëlqyer dhe u pëlqen gjithçka e mangët tek kundërshtari dhe për ata është shumë herë më mirë që kundërshtari të “nxihet” që të mund të “zbardhin” kështu vetveten e tyre “të nxirë”! Sikur Nanos, t’ia zbrazim “ujin e fëlliqur” nga të gjitha sa tha, ta analizojmë ajo që do të mbetet në fund është e vërteta si drita e diellit. Po cila është kjo e vërtetë që mbetet në fund nga të gjitha sa tha Nano? Vendit, tha ai pak a shumë i ka munguar gjithmonë një opozitë konstruktive aq sa për tridhjetë vite ne, nuk kemi një opozitë që të jetë me të vërtetë opozitë, e besueshme nga të gjitha sa thotë që të krijojë atë besim që Rama duhet të largohet bashkë me ekipin e tij qeverisës. Deri këtu, jemi në rregull. Por, po të vazhdojmë më tej e të themi se cili do të ishte më i përshtatshëm për të qeverisur në këto kushte kur gjithçka është bërë “fërtele”? Mos vallë është Basha? Mos o zot! Këtë e dinë edhe opozitarët, se sa e ka “nafakën” Basha, por parimi i tyre, është “më mirë një Bashë “Myhyb”, sesa një Ramë që tallet me ne e bën batuta”! Ja pra që në këto kushte nga të gjithë sa janë, përsëri Rama, mbetet “me një sy midis qorrave”. Edhe kjo është një e vërtetë që mbetet e tillë edhe sikur të mos e kishte thënë Nano! Po e vazhdojmë këtë të vërtetë edhe më tej, atë që opozita e vërtetë i ka munguar këtij vendi, por jo opozita e dhunshme, opozitë që në programin e saj ka vetëm dhunën, antiligjin, shkatërrimin dhe jo mjetet demokratike, konsensusin konstruktiv, dialogun.. Kjo është një e vërtetë që ka ardhur kreshendo gjatë tërë viteve të tranzicionit dhe kjo e vërtetë është aktuale sidomos në ngjarjet e fundit e ato të një viti më parë me djegie, me shkatërrime me dhunë e në fund të fundit çfarë bënë? Bënë vetëm një “vrimë në ujë” dhe u desh që të shkatërronin që të mësonin atë të vërtetë që pushteti, nuk merret me dhunë, por me votë! Mos vallë edhe kjo që e tha Nano, është gënjeshtër? Është shumë e vërtetë që të gjitha protestat e dhunshme dhe përdorimi i mjeteve të dhunës, janë nxitur nga opozitarët e sotëm. A nuk u sulmua KQZ në shtatorin e vitit 1998 duke përdorur armët e zjarrit të të gjithë kalibrave e deri tek përdorimi i tankeve dhe armëve antitankë? A nuk janë nxitur grevat e urisë si një mjet për rrëzimin e qeverisë, për të cilat Nano thotë që grevistët “pinin raki e hanin pula”? Po bllokimi i rrugëve, a nuk u bë nja mënyrë që shteti të mos kryejë funksionin e tij? Po firmat piramidale që grabitën të gjitha kursimet e qytetarëve dhe i lanë “në diell” a nuk ishin opozitarët e sotëm shkaktarët e vërtetë? Shikoni dhe dëgjoni Presidentin e sotëm, i cili paralajmëron qysh sot që “edhe një fitore e mundshme e mazhorancës së sotme, nuk do të njihet”! Ky president pra e ka vendosur qysh sot që “25 prilli do të jetë një referendum dhe as që bëhet fjalë për një fitore të mundshme të Ramës”. E thënë më qartë, sipas presidentit, “populli ka punën e tij, unë Presidenti, si simbol “i përçarjes” kam punën time”. Sharlatanët e vërtetë të sotëm, akuzojnë Nanon si gjoja ai nuk tha të vërtetën dhe mohoi ato që ka thënë në të kaluarën. Në këtë drejtim edhe Nano, është në unison me të gjithë politikanët e këtij vendi. Ta marrim në kuptimin e përgjithshëm të fjalës, cili politikan ka folur me të njëjtën gjuhë në çdo situatë? Cili politikan sot, gjatë këtyre tridhjetë viteve ka folur gjithmonë me gjuhën e të vërtetës? Askush! Pra edhe Nano është njëri prej tyre. Kujtojmë politikanin më të “zi” të këtij vendi, Berishën. A nuk është e vërtetë ajo që thotë Nano që “Berisha, është një kafshë politike dhe mbas ngjarjeve të 21 janarit, mbeti vetëm “kafshë””! Berisha, i ka shumë borxhe këtij vendi dhe ka shumë mëkate për të larë. Sa herë ka qenë në opozitë, nuk ka lënë gjë pa thënë e përsëri vazhdon edhe sot në moshën e tretë të vjelli të njëjtin helm për kundërshtarët e tij të politikës, e do të vazhdojë si i tillë sikur edhe një dhëmb t’i mbetet në gojë. Kur, midis të tjerave, mbasi mori pushtetin për të tretën herë e pyetën edhe për marrëdhëniet e tij me krerët kundërshtarë që nuk kishte lënë gjë pa thënë me një gjuhë rrugaçësh, për të gjithë dhe jo vetëm për Nanon, ai si i pacipë që është iu përgjigj duke qeshur “Të gjitha ato ishin portokallada”! Këtë e tha mbasi erdhi në pushtet, pra mbasi realizoi objektivin e tij. Këtej dalim në konkluzion që për këtë farë politikani, apo më mirë pas këtij frymëzuesi të politikanëve, shkojnë të gjithë të tjerët, d.m.th në fund të fundit, “mjeti justifikon qëllimin” dhe me “mjetet” e sharjeve, denigrimeve, shpifjeve, akuzave të të pavërtetave etj. etj. që në Shqipëri tashmë kanë marrë të drejtën e “qytetarisë”, janë ato që të sjellin në pushtet në mungesë të “këllqeve”! Mbasi merr pushtetin, gjithçka më pas shkon në “zero” dhe beteja fillon nga e para, atje ku mbeti në fillim që “opozita i duhet demokracisë që kjo të jetë sa më e shëndetshme” sepse tashmë opozita, nuk përbën më rrezik. “Për berishistët e sotëm, marrja e pushtetit është qëllimi final dhe nga maja e tij, i shohin qytetarët të vegjël si “miza” dhe le të vazhdojnë ato të bëjnë “bëz-bëz”” përderisa nuk të bëjnë gjë... Pse sharlatanët e vërtetë u ka djegur kaq shumë Nano, për disa të vërteta që tha? Midis të tjerave, Nano tha që “Berisha, gjatë tërë kohës së tij, edhe kur ka qenë në pushtet edhe kur ka qenë në opozitë, ka qenë konfliktual dhe ka qenë e mbetet një pengesë e madhe për integrimin europian”. Mos vallë kjo është e gënjeshtërt? E gënjeshtërt kjo është vetëm për disa sharlatanë të vërtetë që kërkojnë të përfitojnë pak pushtet. Ja ky ka qënë dhe mbetet qëllimi i Berishës dhe i ka kaluar shumë herë kufijtë e një sharlatani, gjithçka është pushteti dhe kur është në majë të tij, të gjithë të tjerët që i duken poshtë si “miza” që vazhdojnë të bëjnë “bëz-bëz”-et e tyre. Të gënjejë e të mashtrojë një politikan, nuk është çudi, por çudia e Nanos, në rastin konkret është që nuk u erdhi pas ujit sharlatanëve të vërtetë që prisnin shumë nga ai për të realizuar qëllimin e tyre...