Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Politikë e dyzuar në zemër të Europës

Postuar: 18/04/2019 - 07:08

Dihet se Faik Konica, për së gjalli, shumë pak është kuptuar me shprehjet e tij historike, por edhe aktuale për gjendjen e shqiptarëve të asaj periudhe, por edhe më vonë, madje deri në ditët e sotme. Në kohën e tij, një nga veset që ka stigmatizuar, ka qenë smira, apo xhelozia tekanjoze që kemi ne shqiptarët për njëri-tjetrin. Kjo smirë, apo inat, siç e ka stigmatizuar shpeshherë Konica, del nga prirja jonë për të qenë të gjithë të parët. Ky lloj bajraktarizmi ka vyshkur së tepërmi çështjen tonë kombëtare, duke mos rezultuar e frytshme në masën e kërkuar. Bajraktarizmi në politikë, kryesisht,vazhdoi edhe në postdiktaturë, e vazhdon ende aktualisht. Shembulli më tipik është ai i opozitës së sotme, me projeksionet e shablloneve shterpe të stigmatizimit të çdo veprimi politik, shtetëror dhe shoqëror, të mazhorancës, duke u rreshtuar në vargun e diskutimeve shterpe në parlament ndaj çdo gjëje të qeverisë.

Shqiptarët, thotë Konica, kanë edhe një ves tjetër, fudullëkun, aktual edhe sot e gjithë ditën, pa anashkaluar vese të tjera në psikologjinë shqiptare. E të gjitha këto vese, me xhelozinë përkrah, vijnë për të qenë të parët të gjithë, për të kritikuar këdo, e ashtu ka ndodhur që nga kryeministri i parë, themeluesi i shtetit shqiptar para njëqind vjetësh, Ismail Qemali, i kritikuar nga regjimi i Zogut, ky i kritikuar nga sistemi i Hoxhës, për të vijuar me kritikat në pluralizëm e në vijimësi deri te Rama. Ky i fundit, ende pa marrë pushtetin përgojohet e i hidhet baltë e vrer mbi të nga mazhoranca e djeshme. Por mjerisht, ende pas njëqind vjetësh të sfidave historike dhe gjeneruese të shtetit shqiptar, mendimet e Konicës janë realitet i hidhur shqiptar si në shtetin amë, Shqipëri, si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut.

Ky bajraktarizëm ka bërë që çështja jonë kombëtare të mos rezultojë e frytshme në masën e synuar. Mjerisht ne lexojmë Frojdin ende pa lexuar Konicën. Mbaj mend, kur isha në klasën e katërt, në fillimin e viteve ‘60, gjatë një fushate elektorale që bëheshin atëherë për deputetët në Kuvendin Popullor, mësuesi më caktoi mua dhe 2-3 nxënës të tjerë që shkruanim bukur dhe pa gabime, të plotësonim në disa formularë emrin e kandidatit për deputet dhe gjeneralitetet e tij. Dhe unë mbajta mend përgjithmonë emrin e kandidatit tonë, Veli Musa Dedi.

Ky ushtarak dhe personalitet i kohës, pjesëmarrës në luftën e Spanjës, në atë kohë ishte në moshë të thyer, e kur shkruaja vitin e tij të lindjes, mendoja me veten time se si mund të vijë ai të takohet me banorët e Nikaj-Mërturit, zonës më të largët dhe më malore në veri të Shqipërisë, në malet e Tropojës. Por ai erdhi në çdo fshat, në çdo shkollë, në ditët me shi dhe në acar të bjeshkëve, për të biseduar këmbëkryq me zgjedhësit e tij.

Duke parë në ato vite jetën e mjerueshme të banorëve të atyre anëve, evidentoi në disa fshatra kasollet prej balte ku banonin disa familje, që as për bagëti nuk vlenin dhe në një kohë rekord, ndërtoi mbi 35 shtëpi të reja banimi.

Shpesh këto vite në demokraci, teksa dëgjoj lajmet, bisedoj me krijues, drejtues vendorë dhe intelektualë lidhur me administrimin dhe drejtimin e pushtetit nga të zgjedhurit vendorë, si dhe kandidaturat dhe përzgjedhjen e tyre nga subjektet politike, që shpeshherë janë bërë paksa të bezdisshme, më kujtohet gjenerali në pension i luftës së Spanjës, biri i Kosovës, Veli Dedi, nga i cili dhe nga shumë të tjerë të asaj periudhe duhet marrë shembull, duke udhëtuar diku me mushkë dhe diku me këmbë, shtëpi më shtëpi dhe katund më katund, për të biseduar me qytetarët.

 Mendojmë që shtetësia e shqiptarëve ndikon ndjeshëm në stabilitetin e rajonit dhe të shqiptarëve në veçanti. Dhe veçmas, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet të insistojnë dhe të jenë të gatshëm të marrin shtetësinë e Shqipërisë, pasi kurdoherë kanë luftuar, madje duke derdhur edhe gjak deri vonë dhe duke sakrifikuar shumëçka për bashkimin kombëtar. Ndërkohë që shqiptarët e Kosovës tashmë e kanë shtetin e tyre, ata e kanë më të lehtë rrugën e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë në të gjitha fushat. Politikanët shqiptarë të Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës, tashmë duhet të zgjidhin ekuacionin e shtruar për zgjidhje për identitetin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Çfarë do të bëhet me ta? Do të asimilohen; do të përzihen gradualisht si shqiptarët e Çamërisë; do të pajtohen përfundimisht se janë qytetarë të dorës së dytë dhe të tretë në trojet e tyre etnike në Maqedoni apo do heshtim?! Tashmë ka ardhur caku i shkoqitjes së problemeve të mbetura pezull prej kohësh, dhe nuk duhet të na humbë shansi.

Por mesa duket, shumë ftohtë qëndrojnë këto teza që cekëm më lart. Veçmas duhet analizuar çështja e shqiptarëve në Malin e Zi, në Plavë dh Guci, që po bjerrin nga identiteti i tyre dhe nëse nuk merret seriozisht faktori shqiptar tani, mund të ketë pasoja më vonë. Por siç shkruan një intelektuale shqiptare nga Shkupi, që të mos ndodhin ato sa thamë më lart, Shqipëria duhet pa hezitim dhe sa më shpejt, t’i pajisë me shtetësinë shqiptare shqiptarët e Maqedonisë, sepse tek e fundit, kjo shtetësi u takon edhe në bazë të kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Para 70 e pak vjetësh, shqiptarët e Maqedonisë kanë patur pasaporta të Mbretërisë Shqiptare. Çdo vërtetim shkollor, martesor, fetar dhe administrativ lëshohej me vulën e mbretërisë. Dokumentet arkivore dëshmojnë qartë se shqiptarët e Maqedonisë ishin shtetas të Mbretërisë Shqiptare. Pas vitit 1944, shqiptarëve nga Maqedonia iu hoq arbitrarisht shtetësia shqiptare. Prandaj, Republika e Shqipërisë duhet t’u rikthejë shtetësinë shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve administrativë, në bazë të kushtetutës së saj. Ka fakte që shumë drejtues të partive shqiptare kanë shtetësi shqiptare. Por përse këta politikanë shqiptarë nuk kërkojnë që edhe votuesit e tyre ta fitojnë atë shtetësi?! Kjo pyetje që kërkon përgjigje nga politika shqiptare për të ndaluar reprezaljet, veçanërisht ato të këtyre ditëve në Shkup te Maqedonisë së Veriut.

Nga Gjon NEÇAJ

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/11/2019 - 13:40

Sipas nenit 129 të Kushtetutës “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”.

Postuar: 15/11/2019 - 07:14

Sa nisi reforma në drejtësi të skicohej dhe komisioni i posaçëm nisi punë, përplasjet mes palëve

Postuar: 15/11/2019 - 07:13

Quhet Francesko Becchetti (në shqip Françesko Beketi).

Postuar: 15/11/2019 - 07:11

...Nuk kanë asnjë ndryshim bile muhabetet e gjahtarëve pas gjahut sikur plagosin arinj, ujq, çake

Postuar: 15/11/2019 - 07:10

Tashmë janë të qarta dhe ditët e përfundimit të "dashurisë" së politikanëve andaj këtej

Postuar: 15/11/2019 - 07:09

Për nga faktet dhe historia e shqiptarëve të Kosovës, vërehen dy elementë kryesorë që i ngjajnë k

Postuar: 15/11/2019 - 07:08

Pas më shumë se një viti pritjeje për fillimin e punimeve në shëtitoren “Naim Frashëri&rdqu