BREAKING NEWS

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona
x

Opinion / Editorial

Politikë me fjalor superetik, zuzar, zagar, vulgar, tradhtar, kusar ...

Politikë me fjalor superetik, zuzar, zagar, vulgar, tradhtar, kusar ...

Edhe në lagjet më të skajshme kur grinden fëmijët apo gratë në radhën e ujit ishin shumë më të kujdesshëm në përdorimin e fjalëve. Arrinin deri në atë masë sa mos t`i shkaktonin trauma të rënda apo ta fyenin deri në palcë personin përballë. Fëmijët kur bëjnë sherre shkojnë deri tek fjalitë: Unë nuk do të luaj më me ty. Jemi të ndarë. Ja dhe bëjnë mbylljen hermetike të buzëve, duke nënkuptuar se ndërpresin nga ai çast komunikimin. Po kjo zgjat fare pak. Dikush në fushën e futbollit nëpër ledhe apo sokakë në kulmin e zemërimit mund të rrëmbente topin me lecka dhe t`i thoshte shokut të tij: Jemi të prerë. Këtë top nuk ke për ta parë më me sy. Po të nesërmen tërë këto sharje harroheshin dhe bashkë luanin, si çdo ditë tjetër. E gjithë kjo se nuk i shkonin deri në fund sherrit. Mbeteshin në një fjalë apo ngacmim sa për t`i treguar se nuk të hap rrugë nëse edhe t`i sillesh në këtë mënyrë. Kështu edhe mes komshinjve të një pallati. Bashkëpronarëve të një biznesi. Banorëve të një lagjeje që e ruajnë etikën, fjalën e përdorin me kujdes se gjuha kocka s`ka dhe kocka thyen. Është kjo përkujdesje ndaj gjenden bashkë sa herë dikush ka një sëmundje apo i ndodh një fatkeqësi në familje. Në këtë raste të parët janë komshinjtë që u gjenden pranë. Nuk i thonë kot, komshiu i pari vëlla. Në traditën shqiptare, zakonore, kanunore, po edhe në historikun e marrëdhënieve mes njerëzve, toleranca nuk ka munguar. Në zonat, ku ka vepruar fortë kanuni edhe në gjakmarrje kishte tolerancë. Njihen dhënia e besës së madhe apo besës së vogël. Brenda kësaj periudhe i nominuari për t’u vrarë ishte i lirë të shkonte në familje. Të takonte gruan dhe fëmijët. Të çmallej me të afërmit deri sa të ngujohej, duke pritur ditën kur gjaksi do t’i dilte në pritë për t’u hakmarrë. Edhe pse zakone të egra kishte një rregull, marrëveshje fjale, tolerancë nga të cilat askush nuk bënte përjashtim. Ishin të pranuara në mënyrë absolute. Kur ngjarjet agravonin edhe pse pa sisteme politike, parti, institucione shtetërore, ligjeve të shkruara, Kushtetutë mbi të cilën sot vënë dorën të gjithë burrat e kombit tonë, gjykata, prokurori, shqiptarët e gjenin mundësinë për të komunikuar pa ia marrë erzin atij që ia kishte bërë borxh apo kishte sherre për troje, vijën e ujit, radhën në mulli, prishjen e krushqive, fyerjen, vjedhjen e bagëtive, kuajve, qeve apo shkeljen e gardheve. Në përfundim kur nuk arrihej pajtimi në lojë hynin kryepleqtë e fshatit. Ata ishin autoritete të cilët jepnin të drejtën edhe kur fajtor ishin fëmijët e tyre. Në fshatin tim, në vitet njëmijë e nëntëqind e tridhjetë, një sherr mes dy familjeve, njëri prej të cilëve ishte agai i fshatit me pasuri të pamata, toka, pyje, bagëti, roje të shumtë në shtëpi, goditi me pëllëmbë djalin e një familje atje pranë shtëpisë së tij për shkak se e akuzoi që dhëntë i prishën barin. Ky sherr bëri që agai të ndërronte rrugë për të arritur në pazar. I duhej të kalonte nga monopatet, duke e trefishuar kohën për të dalë për një kafe në qendër. Të dyja familjet i kishin ndërprerë marrëdhëniet. Në frëngji ishin vendosur tytat e pushkëve. Kryeplaku i fshatit, Alush Taka që i dëgjohej fjala në zonë, i thirri të dyja familjet dhe pas një bisede të gjatë, të kujdesshme, me urtësi, i pajtoi. Në përfundim në një drekë të madhe me të ftuar nga të gjitha lagjet, ia arriti të afronte dhe të përqafoheshin. Nga ajo ditë deri në fund ata mbetën miq dhe e harruan zënkën dhe i flakën pushkët. Urtësia fitoi mbi marrëzinë. Fjala pajtuese fitoi mbi sherrin. E kaluara e vendit tonë nuk është se s`ka regjistruar raste ekstreme, vrasje për hakmarrje. Asgjë nuk mund të idealizohet. Po së paku fjalori ishte i matur. I peshuar. I arsyeshëm. Dhe të mos harrojmë se nëntëdhejtë për qind e shqiptarëve ishin analfabetë dhe letrat ua lexonte ose prifti ose hoxha. Të tjerët vinin në dokumenta vetëm gishtin. Po sot? Jetojmë në sistemin demokratik. Kohën e dixhitalizimit dhe internetit pa kufi. Liritë dhe të drejtat e njeriut mbrohen me ligj. Pluralizmi politik i ka hapur portat lindjes së dhjetëra partive, të cilat në vend të jenë faktor kohezioni, rregullatore të sjelljes së qytetëruar, japin shembullin më ekstrem se si nuk duhet komunikuar mes palëve. Si duhen marrë vesh njerëzit pa fyer me rob shtëpie deri në breznitë që nuk mbahen mend. E gjitha kjo se në mes është pushteti. Është paraja. Janë postet, privilegjet. Sapo në Shqipëri u instalua pluralizmi politik dhe sistemi mbylli siparin ndryshe nga sa gjykonim nisi intifada e sharjeve dhe sulmeve. Fjalori më i ndyrë u vu në dispozicion të oratorëve si mekanizëm vrastar. Cilido nga kundërshtarët u trajtua si të ishte dordolecë nga ato që vënë plakat në kopshtet e tyre për mos t’u shkaktuar lakrat grabitqarët. Menduam se në krye të demokracisë mbërritën të super edukuarit. Erdhën tolerantët. Të shumëditurit, individë politikë me gjuhë të huaj. Të shkolluar në vende e shtete të perëndimit në universitetet më prestigjoze të botës. Shkencëtarë në zë. Fizikanë me doktoratura. Mjekë, juristë të njohur. Universitarë që kishin edukuar breza të tërë gjatë jetës së tyre. Shkrimtarë të shquar që na kishin emocionuar. mijëra lexues. I kishin ngritur peshë me fantazitë dhe historitë në faqet e romaneve. Të gjithë gjykuam se nga qielli zbriti vetë Mesia. Mbërriti qytetërimi modern. Toleranca u ul këmbëkryq mes nesh. Demokracia solli ndryshimin e madh. Qytetaria i zuri vendin injorancës. Fjala do merrte tërë koloritin e vet për të zëvendësuar mllefin dhe etiketimet që kishim përjetuar. Po nuk ndodhi kështu. Është për të ardhur keq që ditën e parë post rënies së sistemit komunist, demokracia bëri të vetën fjalorin dhe etiketimet me pullë të kuqe. Në sallën e demokracisë, atje ku prisnim të dëgjonim fjalorin e moderuar, etikën maksimale, si: I nderuar, shkëlqesi, të dashur kolegë, ndjesë, ju kërkoj falje nëse cenova dikë prej jush, u jam mirënjohës, të bashkohemi, të jemi në një front për të ardhmen e Shqipërisë, dëgjuam nga ai që pretendon se solli ndryshimin, doktor Berisha, fjalët, rrugaç, bir kurve, të nxi fytyrën më zi se këpuca, je klani i Zenunit, bastard i ndyrë, të shkatërroj tërë sojin tënd. Apo: Ti je hiçi. Duhesh zhdukur. Je megahajduti, imoral, krimineli më i madh i globit. O, ti rrugaç. O maskara. I poshtër. Derr. Ujk. Çakall. Zhele. I pafytyrë. Ti shkon me kunatën. Je vemje. Je krimb. Je palaço. E ke vendin në qeli. Je hipokriti më i madh i kohërave. Lumi i etiketimeve është aq i pafund sa nuk do ishte e mundur të listoheshin as në shifrën një milion. Ajo që të habit dhe të sikletos, është fakti se të vjetërve, atyre që mbërritën bashkë me pluralizmin dhe sot janë sundimtarë ata që dolën nga stepat e komunizmit, u përngjajnë shumë edhe të rinjtë. Ata që ende nuk kanë dal nga bankat e shkollave dhe u ka rënë fati të ulen në karrigen e deputetit, si përfaqësues të brezit të ri në vend të reflektojnë kulturë, etikë, paqtim, ia kalojnë edhe tutorëve të tyre politikë. Shumë prej tyre shkojnë kilometra më larg. Arrijnë deri atje sa të lënë në hije edhe vetë ustallarët, arkitektët e sharjeve dhe fyerjeve. U duket se bëhen më të pëlqyeshëm duke sharë. Më interesant e të besueshëm. Fitojnë simpatinë e liderëve dhe sigurojnë riciklimin në listat e deputetëve. Fitojnë cilësimin qëndrestar. Në realitet ajo që reflektohet në institucionet më të rëndësishme të vendit, atje ku bëhet politika e madhe në pikat kyçe ku merren vendime për të ardhmen e Shqipërisë prej andej vërshojnë edhe fyerjet më të rënda. Presidenca është bërë fabrika që prodhon fjalorin dhe etiketimet më të ndyra. Fjalori i të parit të shtetit, etiketimi qen bir qeni, adresuar Edi Ramës, më tej zëdhënësi Tedi Blushi me etiketimin kryepis, duke zbritur në skajet më të largëta tek individët rastësorë që sapo i kanë hyrë politikës dëgjon çudira. Të tronditin psikikën. Të dhemb shpirti. Të rëndet jeta. Të shkatërrohen nervat. Të thyhet besimi dhe të zë trishtimi e pesimizmi kur dëgjon nga goja e intelektualëve që mbahen me të madhe fjalorin më të zi. Zuzar, zagar, tradhëtar, bukëshkalë. Vulgar, i përdalë, i palarë, kryekusar, kryepis. Qen bir qeni, sharlatan, malinjë, skizofren, arrogant, drogaxhi, oligark, bajraktar, surratsëz, sy pa larë, thonj paprerë. Lumi i fjalëve fyese nuk ka as fillim as mbarim këtu në Shqipërinë tonë. Kjo është një modë që e veshin të gjithë politikanët si kostumin më të shtrenjtë sapo kapërcejnë portat e partive dhe marrin tesër anëtarësie. Siç u sha Rama me nënë e babë, djalë e bashkëshorte, iu numëruan tërë të zezat nga maja e piramidës deri tek i fundit. Si qershia mbi tortë, drejtuesja e LSI-së për qarkun e Durrësit, Elona Guri në kopjim të fjalorit të kryetares së partisë dhe tërë funksionarëve, e etiketoi kryeministrin e Shqipërisë, zuzar. Kjo nuk është fjala më tipike. Tipike e bën zonja që e përdori. E sapodalë në ekranet televizive të parën fjalë zgjodhi, zuzar. Dhe me këtë prezantim zonja e re e LSI-së i bëri nderimin e parë partisë. Vetëm një paralelizëm, një detaj për të diferencuar fjalorin e politikanëve tanë me ata në vendet demokratike. Presidenti i ri i Amerikës, Biden u etiketua në fushatë. Nuk shau. U fye. Fitoi. Nuk u mburr. Përkundrazi deklaroi se Amerika nuk është as e kuqe as blu. Jemi të gjithë amerikanë! Po kjo nuk është filozofia e politikanëve tanë që bëjnë politikë me fjalor “superetik”, zuzar, zagar, vulgar, tradhtar… Dëgjo! Dhe ec e mos e beso që nuk do na shkojnë punët mbarë me këta politikanë kaq sherrxhinj e shakatarë!