BREAKING NEWS

Lëkundje të forta tërmeti në Shqipëri, ndihet në disa qytete të vendit, ja ku ishte epiqendra

Lëkundje të forta tërmeti në Shqipëri, ndihet në
x
BREAKING NEWS

U shpall në kërkim, arrestohet pas disa orësh ish-kreu i Kadastrës së Vlorës, zbardhen detaje nga dosja që e ka fundosur

U shpall në kërkim, arrestohet pas disa orësh ish-kreu i
x

Opinion / Editorial

Politikë me jepi gaz dhe kallash!

Politikë me jepi gaz dhe kallash!

Askush nuk çuditet kur në takimet e faltoreve të doktor Sali Berishës, të dëgjojë, jo fjalë paqtuese dhe mirëkuptuese, të bëhet dialog dhe të flitet me qytetari, njerëzisht, miqësisht, si anëtarë të një force politike, të një familjeje, vëllezër të një gjaku që deri dje kanë qenë në të njëjtin front, atë të betejës demokratike për të fituar zgjedhjet dhe për të marrë pushtetin nga duart e kundërshtarëve. Një betejë kjo që kryhet në përputhje me ligjin dhe rregullat e demokracisë. Ashtu siç duhet vepruar në demokracitë normale. Po ultimatumet dhe shprehjet luftarake, deklaratat për eliminime e marrje jete, për të çuar në gijotinë pjesën tjetër të popullit që nuk është e pranishme në foltoret e Berishës, të diskutuarit me fjalë nga ato që kanë brenda vetes, jo logjikën normale të dialogut, po barot dhe plumba, tregon sa latante është demokracia dhe vetë liria tek ne. Ngarkesa e fjalës, pesha e saj, përdorur në kontekste të tilla, ku vihen ballë për ballë grupime të rreshtuara në luftë dhe njëra palë duhet me patjetër të asgjesojë pjesën që nuk shkon pas rrymës, është aq e rëndë sa duket sikur gjendemi në takimet mes shteteve në tavolinën e të cilëve diskutohet për mbushjet bërthamore. Atje ku diskutohet për rivalitetin e vendeve që duan të prodhojnë këto armë shfarosëse në masë. Betimet se jemi me ty, na pri, na udhëhiq, në çdo në fitore, me ty kemi garancinë dhe e dimë që do na sjellësh lumturinë, pasi ai tjetri na çoi në greminë se është dreq i dreqit, se këtë parti e krijove vetëm ti dhe mund ta çosh nga fitorja në fitore dhe kjo është padiskutim merita jote, o udhëheqësi ynë, tingëllojnë si thirrjet e njëqind viteve më parë: Dum babën, o shqiptarë! Në këtë bashkëbisedim luftarak, duke iu bashkuar zërave të shumë diskutantëve në Tiranë, Fier,Vlorë më në fund në Durrës, ku e pritën ish-kryeministrin me lule në dorë, biseda ndryshoi ekstremisht edhe në fjalor. Në këtë frymë të krijuar nuk mund të mungonte betimi i një militanti, i cili edhe pse ishte me masë sigurie, arrest shtëpie, i dënuar disa herë, me entuziazëm të paparë, me fjalë bombastike, sikur të ishte para llogoreve të armiqve, e siguroi Berishën se ai do ishte i pari në betejë kudo dhe kurdoherë që situata ta kërkojë dhe vetë militanti me arrest shtëpie pasi kërkoi t`i jepte gaz revolucionit, e siguroi se do të rreshtohej në tabor me kallash në dorë. Më troç se kaq askush nuk mund t`i përbetohej doktorit, duke e siguruar se ai mjafton t`i japi gaz makinës në të cilën udhëtojnë grupet për ndryshim dhe bashkim, sovranistët, pavarësistët, përbashkuesit se ata do jenë në krah të tij, jo vetëm moralisht e fizikisht, po edhe kallashistë. Është për t’u çuditur që edhe pas tri dekadash në demokraci, mbështetës të partisë dhe ish udhëheqësit Berisha, vijon politika e kallashit dhe e forcës. Nuk ka fare rëndësi për ta që shoqëria shqiptare ka bërë një rrugë shumë të gjatë për të mbërritur deri në vitin 2021 pra në shekullin e njëzetë e një që presupozohet që të gjithë të kenë përshkuar rrugëtimin e demokracisë dhe nëse ende nuk janë bërë demokratë perëndimorë të kenë arritur së paku dhe përfituar elementet e para të demokracisë. Të kenë bërë AND të tyre, rrugët demokratike të debatit e dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit në marrëdhënie mes palëve dhe individëve me bindje të ndryshme ose që gjenden në të njëjtin grupim. Kjo gjuhë në fakt në PD fatkeqësisht është përdorur me mijëra herë. Këto aksione, alla revolucione brenda shtëpisë, kanë ndodhur prej shumë vitesh qyshkur kjo forcë politike erdhi në skenë pas përmbysjes së sistemit komunist. Janë me qindra grupet armiqësore që janë vënë përballë sulmeve dhe janë ndjekur këmba-këmbës deri sa individë themelues të partisë, ata që i dhanë gjithçka sapo lindi kjo forcë politike, të largohen, duke ikur deri në skajet më të largëta të botës për t`u hapur rrugën atyre që do vinin në krye për të mbretëruar. Janë jo pak individë me vlera që janë gjendur në syrin e ciklopit kur kanë dashur të dalin nga vatha e partisë dhe të japin një gjykim ndryshe për mënyrën e drejtimit të saj apo qeverisjes dhe defekteve që mbizotëronin tek ata që drejtonin qeverinë me skema që më shumë e çuan këtë vend në destabilizim dhe humbje se në arritje e zhvillim. Sa herë dikush nga drejtuesit e rangjeve të larta, po edhe atyre që ishin në karriget fundore, kanë dashur të trazojnë ujërat, të thonë atë që mendojnë, ndaj tyre janë organizuar aksione njëlloj si tani mes Berishës e Bashës. Opinioni shoqëror i di defektet e Lulzim Bashës dhe jo se është dakord me gjuhën e tij me mënyrën si sillet dhe trajtimin që u bën fenomeneve apo marrëdhënieve me faktorët e tjerë të politikës shqiptare. Janë të shumtë ata që nuk janë dakord me mënyrën se si është zgjedhur dhe kontestojnë vijën e sjelljes së tij, jo vetëm brenda partisë, po edhe me veprimet ekstreme që ka ndërmarrë, duke braktisur Parlamentin dhe zgjedhjet, si dhe qëndrimi kundërshtues ndaj reformave me rrezatim kombëtar. Ashtu siç nuk pajtohen sot me mënyrën e sjelljes dhe qasjen që bën Lulzim Basha ndaj kërkesës për reformën në drejtësi për të dhënë konsensusin për zgjatjen e periudhës së vetingut. Mënyra e imponimit nuk është se i ka sjellë ndonjë sukses Bashës në politikën e tij të këtyre viteve. Se që të imponohesh duhet të kesh numrat me vete në anën tënde, duhet të jesh shumicë. Pakica bën dialog me shumicën pasi nuk i ka mundësitë që të diktojë dhe të kërkojë me patjetër që t’i imponohet atyre me vendimmarrjet e partisë që kryeson. Dhe në këtë kuadër siç edhe shikohet gjatë kësaj periudhe që nga hyrja e PD në sallën e Kuvendit, asnjë rast të vetëm nuk ka dhënë sinjale për bashkëpunim, jo për politikat e ditës, po ato që kanë vlerë kombëtare dhe rrezatojnë në shkallë vendi. Megjithatë, Basha nuk luftohet për këto. Beteja e tij brenda partisë ka të tjera qëllime. Nuk është se është parimore. Nuk ka synim ndryshimin dhe progresin. E gjithë lufta vazhdon për ta nxjerrë pas shumë vitesh në breg, ku mos të ketë as vulë as seli as prestigj. Të etiketohet ish. Shkurt të iki ashtu siç erdhi dhe t’u lërë vendin atyre që kërkojnë medoemos në krye babanë atë babë për të cilin edhe vetë Basha është përbetuar me qindra herë se do ta dojë e respektojë dhe kurrë nuk do ngrejë dorë ndaj tij. Po kurrë nuk duhet thënë kurrë dhe e besojmë se kryetari Basha e ka nxjerrë tanimë këtë përfundim dhe e di shumë mirë se çdo të thotë të trazosh folenë e grerëzave. Se pikërisht këtë fole ngacmoi Basha sapo largoi Berishën nga grupi parlamentar i PD dhe nuk i doli në krah në betejën me SHBA, e cila e ka shpallur prej muajsh non grata. Po edhe pse u gjykua se kishte filluar të frynte një erë e re, ajo e mirëkuptimimit dhe bashkëpunimit mes udhëheqësve aktualë dhe ishëve, shumë shpejt ky iluzion ra dhe koha tregoi se ende sot e gjithë ditën politika shqiptare vuan nga sherret pa sens, jo se zhvillohen debat e diskutime problemore apo parimore nga ato që i japin jetë demokracisë dhe forcojnë debatin dhe i hapin rrugë mendimit dhe gjykimit ndryshe, të cilat janë premisat më të rëndësishme për një forcë serioze politike. Po do na duhet shumë kohë dhe punë që politika jonë të vijë në nivelet e demokracisë perëndimore. Do rrjedhin shumë ujëra dhe do kalojmë me sa duket breza të tërë që të arrihet në politika serioze që të vënë në krye të axhendës dhe sjelljes së tyre, interesat kombëtare dhe jo tekat e politikat e njëshit, pakicës, po shumicës, sovranitetit real dhe demokracisë. Për të lënë pas shpine sherrnajat dhe bërjen pisë të kundërshtarëve politikë edhe kur janë brenda partisë. Përbetimit të foltoristit të Durrësit, i cili është natyrisht mbështetës dhe e simpatizon si idhull udhëheqësin e lëvizjes për një PD të bashkuar nga doktori, duhej më e pakta t`i ndërpriste fjalën ose t`i kërkonte të korrigjonte konceptimin luftarake të militantit politik, i cili nuk ka armë fjalën, po aleat të parë, pallën, pushkën, topin dhe barotin. Përderisa auditoret dhe platetë, takimet e grupet që thirren në foltoret e qyteteve nga ish-kryeministri dhe presidenti i vendit tonë, Berisha, këtu fatkeqësisht do mbizotërojnë gjuha luftarake dhe në vend të fjalës sovranitet, pavarësi, demokraci, liri, ekonomi, pajtim, bashkëbisedim, zhvillim, do dëgjohen marshet luftarake me britma e me kopaçe kur në krye të vendit do kemi ata që armë të parë në komunikim kanë kallashin dhe pallën dhe i kërkojnë udhëheqësit t’i japi revolucionit gaz se i ka të gjithë mbështetësit nga pas me kallash. Kjo tablo e kudondodhur nëpër foltore edhe pse shitet si demokraci është realisht herezi. Nuk është se kemi mungesë demokracie kjo është në të vërtetë anarshi. Dhe ajo që ka më shumë rëndësi duhet kuptuar nga populli mbarë se është plagë nga e cila nuk vuan vetëm një parti, po duhet kuptuar se nga kjo e keqe vuan e tërë shoqëria në Shqipëri! Dhe ky është kryeproblemi!