BREAKING NEWS

Aksidenti tragjik në aksin Levan-Vlorë/ Viktima është një 18-vjeçar, 4 të rinj në gjendje të rëndë, Policia jep detajet e para  

Aksidenti tragjik në aksin Levan-Vlorë/ Viktima është
x

Opinion / Editorial

Politikë, stil i ri me strategji padimani!

Politikë, stil i ri me strategji padimani!

 Prej kohësh ashtu si vërshimi i lumenjve dhe përmbytjeve nga prurjet e shumta, organet e prokurorisë, veçanërisht SPAK, po përmbyten nga paditë që bëjnë partitë opozitare. Padi për lëvizjet e qëllimshme elektorale të qeveritarëve nëpër Shqipëri. Edhe pse është detyra e tyre të bëjnë punën. Sipas padisë të nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, kërkohet të merren të pandehur gjithë ministrat, shto edhe kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tërë kryebashkiakët, kudo nëpër Shqipëri, së pari, kryeministrin Edi Rama. Argumenti se qeveria bën fushatë elektorale, duke shkuar qytet më qytet dhe fshat më fshat, duke shpërndarë kontrata dhe dorëzuar çelësa për familjarët që hynë në shtëpitë e reja të sapondërtuara pas shembjes dhe shkatërrimit të tyre nga tërmeti i nëntorit 2019. Sipas kërkesë-padisë, duhet të merren të pandehur dhe të hetohen ministrat dhe kryetari qeverisë përse lëvizin nëpër Shqipëri kur ligji zgjedhor i ndalon?! Sipas tyre ata po bëjnë shkelje të shumta, të rënda dhe për këtë duhet të dënohen dhe të izolohen. Sipas paditësve, qeveria duhet të ngrijë, ministrat të mbyllen në zyra. Të dorëzojnë çelësat, të mos kapërcejnë pragun e institucioneve, të mos kryejnë punë, të lexojnë letra, romane, të luajnë shah, domino, shfletojnë gazetat, të shikojnë televizor, dëgjojnë opinionet e analistëve, deklaratat e opozitarëve dhe manovrat e kulisat, ndeshjet e kryetarëve të partive të vogla si bëjnë presion mbi PD dhe kryetarin e saj Lulzim Basha për të siguruar një vend në listat e kandidatëve në numrat fitues. Të kënaqen me pranimin e kërkesës së kryetarit të PAA, Agron Duka për vendin e tretë në listën e deputetëve të partisë më të madhe opozitare në Durrës dhe t`i bashkohen kënaqësisë së tij se ia arriti objektivin, së paku pesëdhjetë për qind pasi garantoi të jetë deputet në legjislaturën e post 25 prillit. Qeveritarët duhet të ndjekin me ankth pretendentët e tjerë të opozitës dhe të komentojnë arritjet e tyre, Shehit e vetë Nard Ndokës që më në fund u bënë kontingjent i Parlamentit të ardhshëm falë bamirësisë së PD-së. Paditësit opozitarë kërkojnë që mazhoranca të kryqëzojë duart dhe të bllokojë projektet, të ngrijë gjithë punët, t’i fusi në sirtar projektet, t`i dërgojë me zarf përmes korrierëve çelësat e shtëpive të reja, të mos bëj asnjë punë, të flejë gjumë, punë që nuk bëhen për qeveritarët, po për qytetarët. T`u vihet kyçi vijimit të punëve për rrugët dhe ndërtimin e pallateve dhe banesave private të piketuara për rindërtim në rrethet e prekura nga tërmeti. Bile edhe spitali rajonal i Fierit, dhuratë e Erdoganit, të sabotohet. Dhe për këtë lëviz gurët LSI. Shkurt të kthehen në sehirxhinj, komentues në Facebook apo në regjistrues të kronikave, kontakteve të Kryemadhit nëpër lagjet e Tiranës, ku u kërkon hallexhinjve të mos pranojnë të ikin nga banesat e rrënuara apo në zonat, ku për shkak të reshjeve të shumta, kanë ndodhur përmbytje dhe komentohen si papërgjegjshmëri e qeverisë. Të dëgjojnë se, si Zonja e Parë, deklaron se i ka hapur barkun, ky Ed Rama?! Nëse qeveria kryqëzon duart dhe i lë fushë të lirë opozitës dhe partive opozitare arrihet një nga objektivat kryesore të krerëve opozitarë për ta shndërruar fashën katër mujore deri në zgjedhje në truall përvëlues, tokë të djegur, nivelin zero, ku askush nuk duhet të lëvizi as gishtin dhe të qëndrojë në pritshmëri, duke ua lënë punët rastësisë se ndryshe shkelet pakti i pesë qershorit dhe pozita i bën karshillëk opozitës, duke fituar terren me punët që mund të bëjë deri në ditën e zgjedhjeve. Orekset opozitare, janë si oreksi i grykësve që nuk u mjafton një tavolinë e mbushur plot, po i duan të gjitha për t’i konsumuar për vete dhe të tjerët, ata që janë votuar për të drejtuar të ngrirë tërë aktivitetin e tyre shtetëror e politik për të pritur çfarë do bjerë nga qielli dhe ato që do sjelli rastësia dhe detyrimet që ka për t’u dhënë rrugëzgjidhjeve të mëdha, punëve të përditshme, reformave, hartimit të ligjeve, t`ua lërë në dorë fuqive natyrore dhe perëndisë. Në bazë të Kushtetutës, qeveria është përgjegjëse deri në ditën e fundit të drejtimit, përcaktuar me ligje të njohura botërisht. Nuk ka qeveri në botë që të dorëzojë çelësat në një kohë kur ka detyrimin ligjor të bëjë gjithçka në emër të zgjidhjeve të mëdha. Nuk mund të qëndrojë qeveria në pritje dhe të vetëdorëzohet, vetëm se këtë ia kërkojnë opozitarët, duke i lënë ata të vetëm në fushën e lojës. Kësaj i thonë, t`i dorëzohesh opozitës dhe t`ia japësh fitoren në tavolinë, t`i lësh portat hapur që të gjuajë sa të dojë penallti sipas dëshirës dhe qëllimeve të veta. Kjo nuk ndodh në asnjë shtet të botës as në demokracitë më të përparuara. Le të hedhim sytë nga SHBA. Presidenti në detyrë Trump edhe për një ditë të vetme kërkon të bëjë atë që gjykon dhe ia lejon kushtetuta edhe pas ngjarjeve tronditëse të ndodhura në fillim janar në Capitol, e para në historinë gati treqind vjeçare të Amerikës. Megjithatë, ai vijon të bëjë detyrën pa lëvizur asnjë milimetër. Këtë e dinë shumë mirë edhe opozita jonë, po kështu ia do dhe kërkon interesi që qeveria të nisi gjumin letargjik dhe të zgjohet në datën 26 prill se ndryshe janë gati paditë dhe proceset gjyqësore. Është kjo logjikë që i nxit demokratët dhe aleatët në opozitë që të bëjnë përditë nga një padi kundër çdo nisme e lëvizje të shtetit. Padi për lëvizje e ministrave në territor. Për projektet në vijim. Për tenderat në veprim. Për VKM. Padi për përmbytjet. Për shëtitjet. Për qeshjet. Për buzëqeshjet. Deklaratat. Inspektimet në zona. Kanë mbetur pa u bërë padi vetëm për ajrin dhe për jetën. Për qenien gjallë të kundërshtarëve politikë. Është gati e pabesueshme se si një armatë e tërë opozitarësh ulen para kompjuterëve dhe shkruajnë padi nga më të paimagjinueshmet. Sikur të mos mjaftonin paditë për gjithë veprimtarinë e qeverisë dhe pushtetit lokal apo drejtorive të ndryshme që bëjnë punën e tyre në zbatim të projekteve dhe ligjeve në fuqi, denoncimet për lëvizjen qoftë edhe njëqind metër në këmbë në bulevard të një zyrtari të qeverisë, menjëherë anatemohet përse nuk qëndron në heshtje, në pritje, pse shkel ligjin, pse merret me punë, pse bënë propagandë dhe i kundërvihet ligjit zgjedhor qeveria. Në anën tjetër, vetë krerët opozitarë vijojnë sipas programit të tyre të marshojnë nga jugu në veri. Kontaktojnë me militantët, prezantojnë ide e projekte, bëjnë premtime e deklarata në emër të fitores së zgjedhjeve. Premtojnë lumturinë dhe qetësinë. Pasurinë e luksin. Në këtë kuadër, ecejaket e tyre, janë të pafundme dhe mirë bëjnë sepse politika ua lejon këtë. Po nëse atyre u lejohet të bëjnë propagandë dhe të bindin opinionin, shtresat e ndryshme të shoqërisë, studentë, mjekë, nxënës për ndryshimet që do sjellin sapo të vijnë në pushtet, përse u kërkojnë të vetëpezullohen atyre që e kanë detyrë kushtetuese veprimtarinë si shtet në interes të shoqërisë dhe zhvillimit? Si mund ti kërkohet një qeverie të ligjshme të qëndrojë në bunker dhe të mos nxjerri kryet as në frëngji sepse shkelka ligjet dhe i bën dëm opozitarëve? Ky gjykim dhe kjo sjellje është vërtet shqetësuese. Alogjike dhe një shaka e hidhur. Kurrë këta që janë në opozitë sot nuk kanë vepruar ashtu siç u kërkojnë kundërshtarëve, përkundrazi në interes të marrjes së pushtetit dhe ruajtjes që status-quos kanë kryer veprime që i dënonte vërtet ligji. Kanë arritur deri atje sa kanë bërë pagesa kesh për votën. Kanë nxjerrë kriminelë nga burgu. Kanë bërë emërime pa fund në institucione e në polici. Kanë hedhur mijëra metër katror asfalt elektoral. Shkurt i kanë bërë të gjitha ato që sot u kërkojnë kundërshtarëve të qëndrojnë e të mos i bëjnë, të rrinë duarkryq. Sikur të mos mjaftonin tërë paditë e bëra deri sot, dy ditë më parë, ish-ministri i Shëndetësisë dhe kryetar i PD-së, mjeku Tritan Shehu, i kërkoi SPAK të marri të pandehur kryeministrin Edi Rama për vaksinën. Ai edhe pse e di shumë mirë si ish-zyrtar i lartë dhe mjek se mes shteteve, ka edhe konfindencialitete në kushtet e mungesë së vaksinës anti kovid të deklarohet origjina e vaksinës, të jepet emri i shtetit që i ka dhuruar apo shitur. Dhe kjo është në padi e re e cila u shtohet dhjetëra padive të tjera që synojnë të hedhin hije dyshimi mbi qeverinë për mungesë transparence. Bile, doktor Tritani shkon edhe më tej. Për të, heshtja e qeverisë dhe mos deklarimi se ku janë marrë vaksinat, është baras me atentat shtetëror ndaj qyetarëve të Shqipërisë me një vaksinë e cila sipas tij mund të vrasë. Me fjalë të tjera, akuza për vrasje shtetërore përmes vaksinës anti kovid! Kjo akuzë e cila kërkohet të bëhet objekt i hetimit, është në vazhdën e padimanisë që vërshojnë, si lumenjtë në këto ditë të reshjeve të shumta që ka vetëm një synim. Të pengohet edhe vaksinimi, të shitet si dështim dhe të trajtohet, jo si shpëtim i qytetarëve, po si vrasje me dashje nga shteti. Logjikë më të mbrapshtë nuk mund të gjesh as në vendet më skajore të globit. Po qëllimi nuk është tek vaksina. Strategjia është të pengohet gjithçka, duke e interpretuar si vdekje të shtetit, pafuqi për të bërë asgjë. Dhe kështu synohet të shtohet urrejtja ndaj qeverisë dhe të rritet simpatia ndaj opozitës! Kjo është politika me stil të ri, strategji me padimani!