BREAKING NEWS

RENEA dhe forca të shumta policie zbarkojnë në Mamurras, shoqërohen në polici 7 persona, të afërm të ish-deputetit të njohur të PD

RENEA dhe forca të shumta policie zbarkojnë në Mamurras,
x

Opinion / Editorial

Populli nuk ecën kundër vetvetes, por drejt realizimit të saj

Populli nuk ecën kundër vetvetes, por drejt realizimit të saj

Kështu ka thënë një filozof. Populli ka shumë forma dhe mënyra për ta treguar dhe realizuar vetveten, por momenti më i rëndësishëm janë zgjedhjet, të cilat zhvillohen një herë në katër vjet. Zgjedhjet kanë të bëjnë me alternativën qeverisëse që zgjedh secili qytetar, me vlerësimin e njeriut të ndershëm e me vizion për ta çuar popullin vetëm përpara, drejt realizimit të dëshirave dhe ëndrrave të tij. Pothuajse të gjitha sondazhet e organizuara nga kompani të ndryshme për zgjedhjet e 25 prillit, e nxjerrin PS parti fituese të këtyre zgjedhjeve. Kjo për arsyen e thjeshtë, se PS gjatë këtyre 30 viteve tranzicion ka ditur të shpalosë alternativë bindëse në dobi të popullit dhe shumica e popullit në programin e kësaj partie ka gjetur vetveten. Por pavarësisht nga besimi që i jep shumica e popullit, PS ka shumë për të korrigjuar dhe në këtë fushatë duhet të bëjë bilanc të qartë duke pranuar edhe përgjegjësitë për ç’ka nuk ka realizuar, sidomos pengesat e mëdha që kanë ardhur nga tërmeti i nëntorit dhe pandemia e stërzgjatur. Fushata duhet të jetë me argumente bindëse se populli kur i flet sinqerisht të kupton dhe të vlerëson me votë për çka ke bërë. Të bësh zgjedhjen e njeriut të duhur, të personalitetit që di të drejtojë dhe t’i shërbejë popullit, nuk është e lehtë. Sepse së pari nuk të lejon presioni i fisit, interesi i ngushtë meskin, xhelozia dhe hakmarrja, të cilat e kanë bazën tek një ndërgjegje ende e ulët e votuesit, tek konceptet jo të shëndosha për demokracinë. Të drejtën e duan të gjithë, por jo të gjithë e duan njeriun e drejtë. Tek populli ende nuk është krijuar koncepti i drejtë për rëndësinë e votës. Disa votues e konsiderojnë votën interes dhe nuk vlerësojnë njeriun e duhur, që e meriton të drejtojë me aftësi e ndershmëri, duke mos kuptuar se janë pjesë e gjithë popullit dhe me votën e hedhur, dashje pa dashje, dalin kundër vetes së tyre. Këta votues shikojnë në radhë të parë, se sa do të përfitojnë nga kandidati që u kërkon votën dhe jo potencialet e tij për të nxitur progresin. Të tillë njerëz pragmatistë, fillimisht u paraqesin kandidatëve kërkesa të mëdha personale si ato për punësime në vende të privilegjuara, për të hapur biznese, për të siguruar dokumente pronësie apo për shkollime të fëmijëve, por kur shohin se këta nuk mund të realizohen, e ulin nivelin e kërkesave të tyre dhe e shesin votën për një thes miell apo për dhjetë mijë lekë të vjetra. Dhe përfituesit e votave të tilla krekosen e shesin deklarata ndershmërie se “i do populli”. Është kjo arsyeja që populli partinë e Berishës e ka votuar vetëm një herë ndershmërisht, në marsin e vitit 1992 dhe pastaj ia ktheu shpinën.

Për disa të tjerë vota është taraf, farefis, nepotizëm. Njerëz të tillë nuk mendojnë dhe as përpiqen të nxjerrin në krye për t’i drejtuar njeriun që ka vizion dhe e meriton votën, por njerëz të fisit e tarafit, duke u nisur nga sedra e sëmurë se “njeriut yt është po yti”. Në emër të këtij tarafi që nuk ka bindje fare për programin që paraqet kandidati, mbledhin një grusht votash disa parti të vogla, vetëm që drejtuesit e tyre të zënë një vend në Parlament. Vota e tarafit dhe e interesit ka cënuar mjaft konkurrencën e ndershme të programeve dhe alternativave pothuajse në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara. Të tillë bajraktarizëm votash patën krijuar edhe disa ish-kryetarë komunash, të cilët me dy-tre mijë votues, ku shumica ishin tarafi, miqësia e krushqia e tyre, kapardiseshin në kolltukun e kryetarit. Madje, sikur të mos ishin shpërbërë komunat,disa kryetarë patën deklaruar se kryetarllëkun do t’ua linin trashëgim djemve të tyre. Duhet thënë se ata që e japin votën për bindje, për ideal e alternativën e duhur, janë më të paktë. Një pjesë e këtyre janë militantë të verbër, pasionantë të sëmurë, që nuk dallojnë asnjë të metë tek drejtuesi i partisë së tyre, por e votojnë atë si idhull. Ngaqë votuesit që vlerësojnë realisht programet dhe alternativat qeverisëse janë të paktë, është arsyeja kryesore që jemi në këtë gjendje ku demokracia ende vazhdon të zvarritet. Në zhvlerësimin e votës ka ndikuar mjaft edhe kalimi i partiakëve me pushtet, nga një parti në tjetrën, për privilegje personale. E si mund të kuptohet që një pushtetar një herë e ka marrë votën në emër të alternativës të propaganduar nga ish-partia e tij dhe tani kërkon t’u mbushë mendjen votuesve se qenka i denjë edhe për programin e partisë që “u strehua” dhe për të cilën nuk e ka kursyer baltosjen. Kjo është jo vetëm e pamoralshme, por shkakton edhe çoroditje në elektorat. Elektorati e di mirë se ata që tradhtojnë partinë e tyre, pasi kanë ngrënë sa janë shqepur në atë parti, e kanë fare të lehtë ta tradhtojnë edhe partinë ku kaluan, pasi ata e kanë mësuar zanatin e përfitimit të privilegjeve pa luftë, pa përpjekje e pa lodhje. Është fakt se elementë të tillë, që kanë ndërruar nga dy-tri parti, janë shndërruar në pushtetarë të përjetshëm. Populli të gjitha këta i sheh,i kupton,mundohet të reagojë dhe kur ndjen pafuqishmërinë e tij përballë gjendjes së krijuar, bie në neutralitet. Kjo është ajo që quhet “shtresa gri” dhe që vjen duke u shtuar, nga zgjedhjet në zgjedhje. “Argumenti më i mirë kundër demokracisë-theksonte Uinston Çurçill- është një pesë minutësh me një votues të zakonshëm”. Megjithatë duhet pranuar, se deri më sot, elektorati ka parë një alternativë qeverisëse më konkrete, më bindëse tek PS, e cila pavarësisht nga mangësitë e konstatuara, siç i ka vënë në dukje vetë kryeministri Rama, është sot forca më progresive, më e madhe dhe më e besueshme në popull, i cili duke i dhënë asaj mandatin e tretë, pret vazhdimin dhe realizimin e atyre punëve të mira që ka nisur.